Reagojnë aleatët: Jemi në pritje, marrëveshjen me PS-në e kemi nënshkruar për bashkëqeverisje

Florenc Drizari

Paskal Milo: Demokracia Sociale është duke pritur

 

rama-me-aleatet1Kur kanë kaluar rreth shtatë javë nga formimi i kabinetit të ri qeverisës, aleatët e vegjël të së majtës deklarojnë se janë ende në pritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, thonë se kanë nënshkruar më parë një marrëveshje për bashkëqeverisje me PS-në, edhe pse e justifikojnë “heshtjen” e qeverisë me axhendën e ngjeshur të ditëve të para.

Partia Demokracia Sociale në zgjedhjet e fundit mori 12 mijë vota dhe, sipas paktit, duhet të ishte pjese e bashkëqeverisjes në nivel lokal dhe qendror, por deri më tani kreu i kësaj partie, Paskal Milo, nuk është përfshirë në qeverisje me të majtën.

“Demokracia Sociale është duke pritur. Nuk e ka humbur durimin. Është e ndërgjegjshme se qeveria ka përparësi te tjera dhe në të njëjtën kohë shpreson ose është e bindur që do vijë së shpejti dita ku marrëveshjet i kemi nënshkruar për bashkëqeverisje; për aq sa na takon për kontributet do të mund të realizohen”, – tha një ditë më parë kreu i PDS-së, Paskal Milo për “Ora News”.

Nga ana e tij, edhe aleati i ri i së majtës, Artur Dojaka, shprehet i rezervuar për qëndrimet e deritanishme të qeverisë lidhur me marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ai thotë se mazhoranca ka ende punë për të bërë derisa ta sjellë situatën në nivelin e caktuar. “Ne jemi shumë të interesuar tek përfaqësimi jonë politik. Për sa u përket posteve të nivelit administrativ, ato do të jenë në bazë të meritës”, – shprehet kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka. Ndërsa i pyetur në lidhje me përfshirjen e mundshme të PDIU-së brenda koalicionit të majtë qeverisës, Dojaka thotë se e sheh si vlerë të shtuar kontributin e kësaj force politike në opozitë.

Nga zgjedhjet e kaluara parlamentare të 23 qershorit, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos mori 12 mijë vota ndërsa PSD e Skënder Gjinushit 11 mijë vota dhe sipas marrëveshjes së lidhur me PS-në, këto subjekte duhet të përfaqësoheshin politikisht në poste në nivel kombëtar dhe vendor. Por ende pas kaq javësh qeverisjeje, këto parti politike kanë mbetur jashtë qeverisjes me Partinë Socialiste.

Ndërkaq, sipas marrëveshjes së nënshkruar me partinë më të madhe qeverisëse, Aleanca Popullore e Artur Dojakës dhe Partia Socialiste e Vërtetë e Petro Koçit, arritën rezultat mbi 5 mijë vota dhe, sipas “kontratës”, ata duhet të përfaqësoheshin në administratën publike.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga formimi i qeverisë së re, shpresat e aleatëve të vegjël për poste drejtuese në ekzekutiv me ministra apo zv.ministra duket e mbyllur, kjo për faktin se kabinetet janë konstituuar duke filluar prej javësh punën. “Shpresat” e tyre tashmë duket se janë drejtuar në nivel lokal e drejtorish rajonale.

Për sa u përket qëndrimeve të krerëve të selisë rozë për pretendimet e aleatëve të vegjël për poste drejtuese në bazë të marrëveshjes së nënshkruar para zgjedhjeve të 23 qershorit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me këta të fundit.

 

 

“Ngërçi në Tiranë”, BE thërret në Bruksel klasën politike

Pas marrjes së statusit te vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Brukseli pritet të organizojë tryeza dialogu me përfaqësitë më të larta të partive politikën shqiptare sa herë që do të ketë ligje të rëndësishme për të diskutuar. Nisma u njoftua nga zv.ministri i Integrimit Gentian Elezi, në intervistën e tij në emisionin “Target” në “Albanian Screen”.

“Ka edhe nisma të reja që kanë dimension të fortë politik, siç është një dialog i nivelit të lartë që pritet të iniciojë midis aktorëve shqiptarë dhe atyre të Brukselit. Do të jetë edhe pjesëmarrja e opozitës si kontributor i rëndësishëm dhe që kërkon pra të shtrijë ato shinat bazë për fazat më tejshme në mënyrë që sa herë kemi të bëjmë me elementë reforme në kuadër të integrimit evropian dhe në kuadër të çështjeve madhore për Shqipërinë në mënyrë që bashkëpunimi të jetë sa më i frytshëm dhe sa më i sigurt”, – tha Gentian Elezi për “AS”.

Sipas tij, sa më shumë vendi i afrohet BE-së, aq më i fortë bëhet monitorimi nga unioni.

Në dhjetor, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të votojë për dhënien ose jo të statusit kandidat për Shqipërinë. Hapi që vjen pas, është hapja e negociatave për anëtarësim.

 

 

Byroja Kombëtare e Hetimit, Naço: Do të hetojë zyrtarët e lartë

Struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet të hetojë edhe krerët më të lartë të shtetit. Kjo strukturë, sipas ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, pritet të ngrihet së shpejti dhe do të mund të hetojë Presidentin, Kryetarin e Parlamentit, qeverinë, deputetët, gjyqtarët e Lartë dhe Kushtetues. Ministri Naço thotë se nuk do të dublohen kompetencat e asnjë organi tjetër.

“Indeksion fillestar për administratën e lartë shtetërore, pra për deputetë, ministra apo edhe më lart është Gjykata e Lartë. Është vetëm prokuroria që do të ngrejë akuzën në këtë rast. Byroja Kombëtare e Hetimit do të vihet si një nukël, përgjegjës për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, por sigurisht do të drejtojë dhe kontrollojë pjesën e zyrtarëve të mesëm në rastin e korrupsionit, por ka dhe një pikë të errët për të gjithë ata që e ndiejnë veten të korruptuar dhe duhet të jenë në frikë”, – tha Nasip Naço.

Ministri Naço përjashton në mënyrë kategorike mundësinë e shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese dhe kalimin e saj si një dhomë e posaçme në Gjykatën e Lartë, duke krijuar atë që quhet Gjykata Supreme.

“Do të ndryshojë ligji i Gjykatës Kushtetuese, do të reformohet Gjykata e Lartë për atë problematikë që ka Gjykata e Lartë. Për këtë arsye unë i kam dërguar edhe një letër Komisionit të Venecias që të vijë dhe të na japë eksperiencën e nevojshme, në reformimin apo në ndryshimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk e kemi thënë në asnjë rast që do të shkrijmë, do t’i bashkojmë apo do të krijojmë një Gjykatë Supreme”, – tha Nasip Naço, ministër i Drejtësisë.

 

 

Sot votohet në Korçë / 71 mijë

Kërko