OPERACIONI Shpërdorimi i kromit, bllokohen 19 kamionë

0
286

Anxhela Tato

 

Ministria e Brendshme: Transportuesit e mineraleve pa dokumentacion tatimor

Hetimet, lënda minerale u përket disa bizneseve në Bulqizë dhe Dibër, me destinacion portin e Durrësit

 

kamion me kromNis “lufta” kundër shfrytëzimit të mineraleve pa kriter dhe në mungesë totale dokumentacioni. Nga ana e forcave të policisë është bërë i mundur bllokimi i 19 kamionëve në qarkun e Lezhës. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, bëhet fjalë për 15 kamionë me krom dhe 4 kamionë me materiale inerte, për të cilat transportuesit nuk ishin të pajisur me dokumentacionin përkatës duke shkelur ligjin, ndërsa dyshohet që mineralet grabiteshin duke u përdorur nga disa biznese private, në mungesë të licencës. Mësohet se destinacioni i tyre ishte porti i Durrësit. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka organizuar një operacion për goditjen e aktiviteteve të kundërligjshme në lidhje me ngarkesat me minerale dhe inerte pa dokumentacionin e duhur tatimor. Policia prej kohësh kishte mbledhur informacionet e duhura lidhur me këtë aktivitet të paligjshëm dhe prej të paktën dy ditësh kishte organizuar shërbime kontrolli në akset rrugore kombëtare”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Nga kontrolli i ushtruar ne aksin rrugor Milot – Laç, është bërë i mundur bllokimi i 19 kamionëve, nga të cilët 15 të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte. Mësohet se në vendngjarje ka shkuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e policisë rezulton se materiali i ngarkuar me krom dhe inerte në këta kamionë nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe nuk shoqërohej me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij. Nga ana e forcave të policisë sqarohet se minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe të Dibrës. Materialet e çështjes do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale “Fshehje të ardhurave dhe falsifikim dokumentesh kryer në bashkëpunim” të parashikuar nga nenet 180-25 dhe 190 të Kodit Penal. Pritet që organi i akuzës të marrë në pyetje personat e përfshirë në transportin ilegal të kromit si dhe do të kërkohet nga pronarët e bizneseve nëse janë të pajisur me dokumentacion për shfrytëzimin e mineraleve.

Takimi

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zhvilloi ditën e djeshme një takim me krerët e policisë së Lezhës dhe të Dibrës. Mësohet se kanë qenë të pranishëm edhe shefat e komisariateve të Bulqizës dhe Peshkopisë. Takimi ka marrë shkas nga bllokimi i kamionëve, të cilët kishin destinacion portin e Durrësit dhe nuk kishin dokumentacionin përkatës. Ministri Tahiri ka kërkuar zero tolerancë ndaj krimit, ndërsa ka theksuar se ka marrë fund periudha e njerëzve të paprekshëm nga ligji. “Historia e të paprekshmëve ka mbaruar, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, asnjë shkelës nuk do të tolerohet”, – ka deklaruar Tahiri. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura ministria ka theksuar se blutë duhet të jenë institucioni më i pastër dhe i pandikueshëm. “Duhet që policia të bëhet organizata më e pastër, ka ende shumë punë për të bërë, për këtë keni mbështetjen time dhe të drejtorit të Policisë së Shtetit, të gjithë ne jemi në provë përpara qytetarëve”. Nga burime brenda mbledhjes mësohet që pas falënderimit për punën e bërë, ministri Tahiri ka kërkuar një angazhim gjithnjë më të madh për të luftuar krimin ndaj çdo vepre penale. Të njëjtat burime citojnë që ministri Tahiri ka urdhëruar për ngritjen e një task-force për ndalimin e kontrabandës së kromit, ndërsa do të vazhdojnë hetimet ndaj abuzuesve mbi këtë fenomen.

 

BLLOKIMI I PALLATIT

Lejohet hyrja për banorët me kartë identiteti dhe dokument hipoteke

Një ditë pas padisë kundër INUK-ut, banorët e pallatit janë lejuar të futen në apartamentet e tyre. Kjo leje ka qenë e vlefshme vetëm për banuesit, të cilët kanë qenë të pajisur me hipotekën e apartamentit dhe kartën e identitetit. Mësohet se ditën e djeshme në objekt kanë qenë vetëm tri gra, të cilat kanë mundur të hynin në banesë. Njëra prej grave, në momentin që është futur në objekt, nuk ka pranuar të flasë për median, ndërkohë edhe dy të tjerat i janë shmangur kontaktit të kamerave për të mos u identifikuar. Situata ditën e djeshme ka vazhduar e qetë, ndërsa fadromat e INUK-ut nuk kanë vazhduar me prishjen e ndërtesave, por vetëm me pastrimin e inerteve nga prishjet në ditët e kaluara. Ndërtesa vijon të jetë e rrethuar me shirit si dhe nën ruajtjen e forcave të policisë. Po ashtu, burime nga INUK thanë se për kompleksin “Jon” është duke u verifikuar dokumentacioni i plotë të pallatit, ku në pamje të parë duket qartë se ka shkelje që nga pista e daljes në det dhe të tjera të cilat më vonë do të publikohen. Vetëm para dy ditësh është depozituar në Gjykatën Administrative kërkesa për bllokimin e vendimit të INUK-ut për prishjen e ndërtesës. Kjo padi është shoqëruar paralelisht edhe me kallëzimin e depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë nga ana e banorëve, të përfaqësuar nga mbrojtësi Maks Haxhia. Dosja voluminoze pritet që të hidhet në shortin elektronik, ku brenda pesë ditësh do të caktohet relatori i procesit gjyqësor si dhe do të caktohet data e parë e nisjes së seancës gjyqësore. Paditësit janë firma e ndërtimit, bashkëpronarët e truallit dhe banorët e pallatit, të cilët po detyrohen që të flenë në qiell të hapur, duke mos u lejuar të futen në banesat e tyre. Pallati figuron i rregullt, i pajisur me gjithë dokumentacionin përkatës dhe lejen e ndërtimit.

 

I shpallur në kërkim për grabitjes, ekstradohet nga Gjermania

Ekstradohet një 36-vjeçar i shpallur në kërkim për grabitje. Lajmi bëhet me dije nga ana e Policisë së Shtetit, e cila njofton se është sjellë nga Gjermania Ilir Hatija. Ky shtetas ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Lushnjë kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest me burg”. Vendimi është dhënë në 19 dhjetor të vitit 2012 për veprën penale të vjedhjes me armë kryer në bashkëpunim. I ekstraduari Ilir Hatija dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Xhino Kulaj në 29 tetor të vitit 2012, nën kërcënimin e armëve, u kanë marrë disa shtetasve sende personale dhe para. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Visbadenin, u bë i mundur arrestimi i tij më 1 gusht të këtij viti në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Grabiten 200 mijë lekë në kazino, mister autori

Maskat sulmojnë sërish duke grabitur një kazino. Ngjarja është regjistruar në qytetin bregdetar të Durrësit, ku persona të armatosur kanë marrë një shumë prej 200 mijë lekësh. Sipas dëshmive të dhëna në polici, një person i armatosur dhe i maskuar ka hyrë me forcë në një kazino, duke përfituar nga mungesa e energjisë elektrike. Nën kërcënimin e armës ai ka detyruar punonjësin që t’i jepte të gjitha lekët e xhiros së ditës, e cila ishte përafërsisht 200 mijë lekë. Ka qenë vetë punonjësi, i cili i trembur ka njoftuar blutë për çka ka ndodhur. Menjëherë nga ana e forcave të policisë ka nisur puna për zbardhjen e detajeve dhe identifikimin e autorit, i cili është larguar me motor. Blutë kanë marrë dëshminë e punonjësit, i cili pritet të ndihmojë policinë në krijimin e një identikiti për autorin e grabitjes.