Patentat bëhen të pavlefshme, leje drejtimi vetëm me pikë

0
192

 

35 mijë lekë të vjetra do të kushtojë patenta e re. Raport mjekësor dhe një sërë dokumentesh të tjera do të jenë të nevojshme për marrjen e patentës së re. Deri në 1 qershor 2014 duhet marrë patenta me pikë

makineTë gjithë shoferët do të duhet që nga viti i ardhshëm të aplikojnë për patentën e re. Patenta aktuale do të ndryshojë, për arsye se nuk i ka të gjitha nivelet e sigurisë dhe nuk bën të mundur përshtatjen me pikët. Tarifa e aplikimit për patentën e re do të jetë 35 mijë lekë të vjetra dhe bashkë me to do të duhet të dorëzohen një sërë dokumentesh. Ata shoferë që e kanë tashmë patentën nuk do të futen në ritestim, por vetëm do të dorëzojnë dokumentet përkatëse. Raporti mjekësor do të jetë kryesori, shoqëruar me dëshmi dhe vërtetime të cilat do të tregojnë nëse shoferët e “meritojnë” patentën që zotërojnë aktualisht. Leja e re e drejtimit do të ketë 20 pikë, të cilat do të zbriten për çdo shkelje që do të bëjnë drejtuesit e mjetit në rrugë. Ndëshkimi maksimal është me 10 pikë, kur shkel semaforin, përdor alkool, drogë gjatë drejtimit të mjetit apo nuk u bindësh punonjësve të policisë rrugore. Ndryshimi i patentës do të duhet të bëhet brenda vitit të ardhshëm dhe konkretisht deri në 1 qershor 2014. Pas kësaj date nuk do të lejohet më qarkullimi me patentat që zotërojnë sot shoferët. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, në treg janë aktualisht rreth 800 mijë patenta, ndërkohë që në qarkullim janë rreth 500 mijë automjete.

Rimarrja e pikëve

Pikët e humbura mund të rifitohen, nëse plotësohen disa kushte, si pagesa e gjobave. Në raste të ndryshme, as gjoba nuk do t’i bëjë punë drejtuesit të mjetit, në rast se gabimet i shkaktojnë humbje të menjëhershme të 15 pikëve (ose në një manovër apo veprim të ketë kryer 3 gabime me nga 5 pikë). Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura do të përcaktohen nga Ministria e Transporteve me akte të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe programet e testimit. Kontrolli i gjendjes reale të pikëve nga çdo drejtues mjeti rrugor do të bëhet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, duke iu referuar numrit të lejes së drejtimit. Për shkeljet e rënda, si aksident rrugor me largim nga vendi i ngjarjes ose drejtimi i mjetit rrugor në gjendje të pirë, pezullohet leja e drejtimit, deri në heqje të lirisë.

Disa raste për shkeljet që hiqen pikë nga patentat

-Drejtuesi i mjetit rrugor që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë. 8 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që zotëron leje drejtimi prej më pak se 3 vjetësh, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda një viti, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që qarkullon kundërvajtje në kthesat, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që hyn kundërvajtje në rakordimet konvekse, 5 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që qarkullon kundërvajtje me fushëpamje të kufizuar, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që përshkon karrexhatën kundërvajtje kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor është përsëritës i shkeljes së dispozitave të nenit 140, pika 10, të Kodit Rrugor, të ndryshuar, brenda vitit, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, duke u futur në kryqëzim, nuk i jep përparësi mjetit tjetër që vjen nga e djathta dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 5 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor në kapërcimin e linjave hekurudhore a të tramvajit, nuk i jep përparësi mjetit që lëviz mbi shina dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 5 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor nuk respekton sinjalet e vendosura të përparësisë në kryqëzim dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 5 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor nuk respekton sinjalet e vendosura të detyrimit të ndalimit para vijës së ndalimit, përpara se të futet në kryqëzim dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 5 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor nuk i jep përparësi atij që qarkullon në rrugë, kur hyhet në rrugë nga zona që nuk janë për kalim publik dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 8 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor zë kryqëzimin apo dhe kapërcimin e linjave hekurudhore a të tramvajit, duke mos pasur mundësi të lirojë zonën e manovrimit pa penguar kalimin e mjeteve që vijnë nga drejtime të tjera dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 8 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor ose i kafshës nuk i jep përparësi atij që qarkullon në rrugë, kur hyhet në rrugë nga shtigje të udhëve për kafshë dhe pista biçikletash dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 8 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose i policit të trafikut e ndalojnë këtë lëvizje, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor që i afrohet një kalimi në nivel nuk tregon kujdesin maksimal, me qëllim mënjanimin e aksidentit, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor përpara zënies së një kalimi në nivel pa barriera ose gjysmëbarriera nuk sigurohet që asnjë tren të jetë duke u afruar, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara një kalimi në nivel pa barriera ose gjysmëbarriera, kalon kur barrierat ose gjysmëbarrierat janë duke u mbyllur ose janë mbyllur, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara një kalimi në nivel kalon kur gjysmëbarrierat janë duke u hapur, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara një kalimi në nivel kalon kur janë duke funksionuar sinjalizimet ndriçuese, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara një kalimi në nivel kalon kur janë duke funksionuar objektet zëvendësuese të barrierave ose gjysmëbarrierave, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara një kalimi në nivel në rast të detyrimit të ndalimit të mjetit nuk bën përpjekje për ta zhvendosur mjetin ose nuk shmang çdo rrezik për njerëzit, 6 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, si pasojë e mosrespektimit të largësisë së sigurisë ndërmjet mjeteve, shkakton përplasje me dëmtime të rënda për mjetin dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor, gjatë qarkullimit në autostrada, në rrugë interurbane kryesore dhe në rrugë të tjera që kanë karakteristika strukturore të ngjashme me to, nuk respekton ndalimin e kthimit të sensit të lëvizjes dhe kapërcimi i trafikndarësit edhe aty ku ai mungon, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor qarkullon me mjet në gjendje të dehur, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor nuk pranon të bëhet verifikimi i gjendjes psikofizike si pasojë e ndikimit të alkoolit në rast aksidenti, 10 pikë
-Drejtuesi i mjetit rrugor qarkullon me mjet nën ndikimin e lëndëve droguese ose psikotrope, 10 pikë.