Anxhela Tato
Hetimet, autori pretendonte se Jakup Fusha i kishte zënë vendin e gjuetisë
Policia, pas konfliktit për zonën e gjuetisë Meglan Memoçi vrau 71-vjeçarin
Ekzekuton me armë zjarri 71-vjeçarin, duke nxjerrë si alibi krimin nga pakujdesia. Por dëshmia e Meglan Memoçit është rrëzuar nga policia, e cila ka konkluduar se vrasja është kryer me dashje. Nga të dhënat e bluve mësohet se krimi është kryer pas pretendimit se viktima kishte dalë për gjah në zonën që i përkiste autorit. Meglan Memoçi pas debatit me 71-vjeçarin ka hapur zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur. Por ka tentuar ta kamuflojë të vërtetën para bluve, duke u shprehur se nuk ka pasur mundësi të shikonte dhe e ka ngatërruar 71-vjeçarin me një kafshë. Fillimisht nga ana e bluve është raportuar ngjarja si krim nga pakujdesia, por pas këqyrjes së skenës së krimit, është provuar e kundërta. Mësohet se në ngarkim të Meglan Memoçit është ngritur tashmë akuza e vrasjes me dashje, ndonëse insistimit të autorit për të ndryshuar dëshminë.
Hetimet
Brenda pak orëve policia e Tiranës ka ndryshuar kryekëput pistat e hetimit për vrasjen në gjueti të 71-vjeçarit, Jakup Fusha, i njohur në Tiranë, si një ndër personat më të apasionuar pas gjuetisë. Autori Meglan Memoçi, sipas policisë, dyshohet ta ketë vrarë Fushën, sepse e ka parë të gjuante te tokat e tij. Memoçi, u arrestua nga policia dhe pretendoi se e kishte vrarë pa dashje 71-vjeçarin, gabimisht gjatë gjuetisë. Dyshimet e policisë, se Memoçi ka fshehur të vërtetën lidhen me veprimet e ekspertëve të kriminalistikës dhe hetuesve në vendngjarje. Sipas të njëjtit burim, vendi ku ka ndodhur ngjarja ishte i hapur dhe nuk kishte asnjë mundësi që Memoçi të mos e ketë parë, apo ta ketë ngatërruar me ndonjë kafshë të egër, Fushën kur ka qëlluar. Jakup Fusha, kishte qenë në gjueti me disa shokë, por në momentin që ndodhi krimi, viktima ishte i veçuar duke mos lënë dëshmitarë okularë. Gjithçka kishte policia pas ngjarjes ishte vetëm dëshmia e autorit. Raporti paraprak i policisë për ngjarjen, ka bërë që ndaj Memoçit që gjendet në ambientet e izolimit të drejtorisë së policisë së Tiranës, të ngrihet akuza me dashje.
Ngjarja
Mësohet se krimi ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur viktima kishte dalë për gjueti në fshatin Vrap të komunës Mullet. Viktima ishte së bashku me disa miqtë të tij, dhe e ushtronte prej kohësh profesionin e gjuetarit. Ai është pozicionuar në një zonë të caktuar, ku fushë pamja i mundësonte që të pikaste kafshët e egra. Burime të policisë bëjnë me dije se 71-vjeçari është konfliktuar me autorin e krimit, i cili i ka kërkuar që të largohej nga zona e tij. Viktima i është përgjigjur se kjo zonë është pronë e shtetit dhe gjithsecili ka të drejtë të qëndrojë në atë pikë. Ka mjaftuar kjo përgjigje që Meglan Memoçi të hapte zjarr ndaj 71-vjeçarit, duke i marrë jetën. Ai ka shfrytëzuar faktin që viktima ishte vetëm. Të shtënat janë dëgjuar nga miqtë e 71-vjeçarit, të cilët e kanë gjetur të pajetë shokun e tyre. Në këto momente autori i krimit është shprehur se çdo gjë ishte nga pakujdesia. Menjëherë në vendngjarje janë paraqitur forcat e policisë, të cilët kanë shoqëruar fillimisht autorin. Para oficerëve të policisë gjyqësore Meglen Memoçi ka pohuar autorësinë e krimit, duke u justifikuar se zona ku ndodhej nuk kishte fushë pamje të qartë dhe kjo e ka ngatërruar. Ai ka pretenduar se nuk e ka parë viktimën por ka menduar se ishte një kafshë. Por rezulton se pozicioni ku ndodhej autori, i lejonte të shikonte fare qartë viktimën, duke arritur në përfundimin se krimi është kryer me dashje.
Tiranë
Dëshmia: Çifti ka pasur konflikte dhe im vëlla rrallë herë lozte bixhoz
Vrasja e 43-vjeçares me këllëf jastëku, familjarët: Nuk e dimë se çfarë ndodhi
“Vëllai na ka lënë një barrë shumë të madhe dhe ajo çka ai bëri është e dënueshme”, – pjesë nga rrëfimi i vëllait të Fehmi Brahjes, i cili ekzekutoi bashkëshorten. Kanë kaluar vetëm tre ditë nga ngjarja e rëndë, ndërsa në banesën e çiftit janë hapur dyert e mortit. I përlotur dhe me zërin që i dridhej Besnik Brahja tregon se mes çiftit ka pasur konflikte për gjendjen ekonomike si dhe për sjelljen problematike të djalit 15 vjeç. Por nuk është në dijeni të rrethanave konkrete të ngjarjes dhe nuk ka mundur ende që të takojë vëllain. Në lidhje me viktimën, ai tregon se ajo ishte një grua e shkëlqyer dhe bënte disa punë paralelisht për të përballuar shpenzimet familjare. Për sa i përket raportit me familjen e viktimës, Besniku shprehet se mes tyre nuk ka konflikte dhe të dyja palët kanë një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe, që të kujdesen për tre fëmijët e çiftit. Më tej tregon se çifti ka pasur debate si në çdo familje tjetër, por nuk mund të thotë se kush ka qenë shkaku real i krimit të rëndë. Pyetjes nëse autori i krimit luante bixhoz, Besniku i përgjigjet: Vëllai luante ndonjëherë, pro nuk kishte aq shumë lekë që t’i shpenzonte në bixhoz.
Dëshmia
“Unë banoj në një pallat përballë me vëllain tim. Nuk e dimë se si ka ndodhur ngjarja dhe nuk jemi në brendi të të gjithë detajeve. Nusja e vëllait ishte grua zonjë dhe bënte disa punë për të mbajtur familjen. Vëllai ishte pa punë dhe si të gjithë shqiptarët luante ndonjëherë bixhoz. Por ai nuk kishte aq lekë sa t’i linte në bixhoz, që do të thotë se nuk shkonte aq shpesh. Tani në çdo familje ka debate, sidomos për pjesën e lekëve. Ai shkonte në shtëpi dhe gruaja i thoshte që të mos harxhonte lekë, ajo që dua të them është se mjafton edhe ndonjë motiv i vogël që të plasë sherri. Çdo çift ka sherre dhe debate. Tani djali i vogël ishte fëmijë i lëvizshëm dhe kishte bërë disa veprime jo të mira. Vëllai ishte acaruar me të dhe kur djali ka ardhur në shtëpi ka dashur ta godasë me pëllëmbë, por gruaja si të gjithë nënat ka ndërhyrë dhe i ka thënë që të mos e prek se është fëmijë. Tani këtu mund të ketë nisur sherri. Kjo që ndodhi është shumë e rëndë dhe është veprim shumë i dënueshëm. Vëllai na ka lënë një barrë shumë të rëndë, pasi janë fëmijët për t’u rritur dhe ne duhet t’i rrisim. Është veprim shumë i dënueshëm, por ai është vëllai im dhe e kam detyrim t’i rris fëmijët. Nuk do kishim këtë barrë kaq të rëndë, nëse ai do vriste gruan dhe do hidhej edhe vetë. Vëllain nuk e kam takuar, pasi është në burg. Është në qelitë e drejtorisë dhe duhet të kalosh shumë kontrolle para se ta takosh dhe nuk na kanë lënë ende. Tani motivin kryesor pse ndodhi ngjarja e dinë vetëm viktima dhe vëllai. Unë se di dhe nuk e dimë tamam se çfarë ka treguar vëllai. Me njerëzit e viktimës nuk kemi pasur probleme. Erdhën këtu ditën e varrimit dhe më pas në drekë. Por zakoni e do që ata të hapin dyert e morti në shtëpinë e tyre, pasi janë nga jugu. Ata presin njerëz për ngushëllime. Madje motra e viktimës nuk ka shumë që ka ikur nga shtëpi, pasi sipas zakonit një nga njerëzit e të vdekurit duhet të rri tre ditë në shtëpinë ku ka jetuar për të mbajtur zi. Ata normalisht që lëvizën, pasi presin vetë ngushëllime, por vijnë edhe këtu. Edhe për ata është situatë shumë e vështirë, pasi janë fëmijët në mes”.
Ishin shpallur të zhdukur, gjenden në Korçë
Zgjidhet çështja e dy personave që u denoncuan të zhdukur nga familjarët në qytetin e Vlorës. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se është gjetur edhe personi i dytë që rezultonte i humbur. Sipas ministrisë, Edmond Osmënaj ndodhet së bashku me Gaqo Gjinin në qytetin e Korçës. Ministria bën me dije se Osmënaj dhe Gjini kanë kontaktuar me familjarët dhe kanë thënë së janë bashkë. Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes dy peshkatarët janë në Korçë, por policia e këtij qyteti ka deklaruar se nga verifikimet e kryera Gaqo Gjini nuk ndodhet në qytetin juglindor. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije sot rreth orës 12:10 se është gjetur një nga dy personat e denoncuar të humbur në qytetin e Vlorës. Sipas kësaj ministrie Gaqo Gjini, 33 vjeç, nuk ndodhet në det ashtu siç dyshonin familjarët, por është gjetur në qytetin e Korçës.
BLLOKIMI I PALLATIT
Prokuroria kërkon dëshmitar Xhuvi Sharxhin dhe Niko Kaçorin
Pas depozitimit të kallëzimit kundër Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe Policisë së Shtetit nga ana e organit të akuzës kërkohen si dëshmitarë paditësit. Burime nga Prokuroria e Vlorës bëjnë me dije se janë bërë gati fletëthirrjet për dy kallëzuesit Xhuvi Sharxhi dhe Niko Kaçori. Dy paditësit, pritet të paraqiten në prokurori për të dhënë shpjegime të hollësishme për ngjarjen e datës 3 nëntor, kur punonjësit e INUK-ut dhe policia nuk i lejuan të hyjnë brenda pallatit. Bashkë me dy kallëzuesit, prokuroria do të thërras edhe banorët e tjerë të pallatit, investitorët si dhe pronarët e këtij pallati, për të dhënë shpjegime lidhur me pretendimet e tyre për veprimet arbitrare të punonjësve të shtetit, të cilët akuzohen për shpërdorim të detyrës. Sipas prokurorisë, pas marrjes së dëshmisë së banorëve të pallatit, pritet thirrja dhe marrja në pyetje e drejtuesve të lartë dhe punonjësve të INUK-ut e Policisë së shtetit, të cilët pasditen e së dielës rrethuan me shirit ku shkruhej “skenë krimi” pallatin në bregun e Vlorës. Gjithashtu, prokurorët saktësuan se është kërkuar edhe nga televizionet lokale dhe kombëtare që ndodheshin në vendin e ngjarjes, kasetat filmike të veprimeve të punonjësve të INUK-ut dhe Policisë. Nga ana tjetër, prokuroria nuk përjashton hetimin e ligjshmërisë së ndërtimit pallatit, për të parë nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen ndërtimore të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës. Ndërsa avokatët e banorëve të pallatit, i janë drejtuar Gjykatës së Vlorës me një padi për sigurimin e objektit, deri në përfundim të procesit gjyqësor, padi kjo që pritet të shqyrtohet nga një prej gjyqtarëve të kësaj gjykate. Lidhur me shqetësimet e banorëve Avokati i Popullit çoi drejt Vlorës dy komisionerë, të cilët do të shqyrtojnë ankesat e tyre. Nga ana e INUK-ut u morr vendimi që e drejta e hyrjes në pallat të jepet vetëm për banorët që kanë certifikatën e pronësisë dhe kartën e identitetit.