Sërish bankat e huaja i “fluturojnë” paratë tona jashtë…

0
203

Ervin Kaduku

 

Janë 230 milionë euro që janë transferuar nga institucionet bankare që operojnë në Shqipëri në adresë të bankave-mëma apo bankave të tjera në tremujorin e tretë të këtij viti

 

 

leket jashteTotali i aktiveve të sistemit bankar u rrit me 2.6% apo rreth 31 miliardë lekë në tremujorin e tretë në raport me tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sistemi ka përshpejtuar rritjen, e cila ishte më e larta që nga tremujori i katërt 2012. Me bazë vjetore, aktivet u shtuan me gati 4%.

Megjithatë, ky zgjerim në tremujorin e tretë të këtij viti ka reflektuar në pjesën më të madhe depozitimet e parave të lira jashtë vendit, në banka të huaja. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe inst.tjera financiare” ka shënuar një rritje të ndjeshme me 34% apo 32 miliardë lekë (230 milionë euro) vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, pas një periudhe prej tre tremujorësh radhazi, kur ky tregues kishte shënuar vetëm rënie dhe bankat ishin orientuar disi te bonot e thesarit të qeverisë shqiptare.

Dukuria e vendosjes së parave jashtë vendit (me interesa që sipas bankave konsiderohen si ndëshkuese) u vu që në 2011 dhe u bë më e ndjeshme pothuajse gjatë gjithë vitit 2012, kur Banka Raiffeisen në ndjekje të strategjisë së bankës mëmë reduktoi ekspozimin në tregun shqiptar, përmes tkurrjes së kredisë dhe rënies së pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.

Në fund të tremujorit të tretë, pesha e zërit “Depozita në banka, institucione krediti dhe inst.tjera financiare” arriti në 10.4%, nga rreth 5% në tremujorin e parë 2011.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, e intensifikoi sërish së fundmi tonin ndaj bankave perëndimore lidhur me politikën që po ndjekin me degët e tyre (një qëndrim të tillë ai e mbajti vazhdimisht gjatë 2012-s). Në fjalën e tij, gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington, në tetor 2013, guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi rëndësinë e vazhdimit të financimit të ekonomive të Evropës Lindore nga sistemi bankar dhe tregjet financiare ndërkombëtare. Ai shprehu shqetësimin e tij për politikat e grupeve bankare ndërkombëtare, të cilat kanë ulur gatishmërinë e investimit në ekonomitë e rajonit, duke theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë midis politikëbërësve dhe rregullatorëve evropianë e lokalë do të prodhonte zgjidhje më të mira për të gjitha palët e interesuara. Por, komentet dhe këshillat e tij janë tepër të vonuara dhe efekti i tyre duket se është minimal!

Zëri i “Veprimeve të letrave me vlerë” nuk shënoi rritje, duke mbetur rreth 288 miliardë lekë, ndryshe nga dy tremujorët e mëparshëm të vitit, kur ai kishte qenë treguesi kryesore që kishte ndikuar në rritjen e aktiveve. Në rënie me rreth 2 miliardë lekë, ka qenë dhe zëri i “Bonove të thesarit”.

Pesha e “Huasë dhënë sektorit privat dhe individëve” në bilancet e bankave sa vjen e po zvogëlohet, si rrjedhojë e frenimit pothuajse total të kredisë nga ana e bankave përgjatë 2013-ës. Ky zë u ul me ritme të shpejta, duke rënë me 11.7 miliardë lekë (84 milionë euro), apo 2% me bazë tremujore, duke reflektuar dhe fshirjen e kredive të këqija nga bilancet e bankave. Pesha e “Huasë dhënë sektorit privat dhe individëve” zbriti në 45% të totalit të aktiveve të bankave nga 50% që ishte në tremujorin e parë 2011.

 

Depozitat

 

Depozitat u rritën për të dytin muaj radhazi në shtator, duke kthyer tendencën rënëse që ishte konstatuar në periudhën prill-korrik, kryesisht si rrjedhojë e rikthimit të kursimeve në valutë në banka. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë.

Totali i depozitave në sistemin bankar arriti në gati 956 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke u rritur me 0.8%, apo rreth 7 miliardë lekë në raport me një muaj më parë. E gjithë kjo rritje ka ardhur pothuajse tërësisht nga shtimi i kursimeve në valutë, të cilat janë zgjeruar me gati 1.6% në raport me një muaj më parë. Si depozitat e korporatave në valutë, ashtu dhe ato të individëve kanë parë një zgjerim të ndjeshëm në shtator, ndryshe nga periudha janar-korrik, kur kursimet në valutë shfaqën një tendencë konstante rënieje. E ndjeshme ishte kjo rënie, sidomos në periudhën rreth zgjedhjeve, ku gjatë prill-korrik u larguan nga bankat rreth 130 milionë euro (18 miliardë lekë).

Në krahasim me fundin e 2012-s, kursimet në total janë rritur me rreth 25 miliardë lekë, apo 2%, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë ndikuar vetëm në 10% të rritjes.

Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), ishin 25.4 miliardë lekë, apo 2.7% më të larta, duke qenë tre herë më të ulëta në raport me një vit më parë, ku ndryshimet përkatëse ishin 8% dhe 72 miliardë lekë.

 

Mblidhet Komiteti i Stabilitetit Financiar

 

Është mbledhur të mërkurën pasdite Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar (KKSF), i cili përbëhet nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së sigurimit të Depozitave dhe Autoritetit të Konkurrencës. Sipas burimeve nga Komiteti, kanë qenë të shumta çështjet që janë diskutuar në këtë takim të fundit.

Vëmendje kryesore kanë marrë kreditë me probleme, niveli i të cilave ka arritur në rreth 24% të totalit. Është vlerësuar pozitivisht procesi i pastrimit të bilanceve nga bankat, që u intensifikua në tremujorin e tretë të këtij viti. Ndonëse ai ka ndikuar negativisht në treguesit afatshkurtër të sistemit bankar, efekti pritet të jetë pozitiv në afatin e gjatë.

Është folur dhe për ristrukturimin e kredive, ku Banka e Shqipërisë ka bërë një hap përpara së fundmi, duke publikuar dy udhëzim për ristrukturimin e kredive si për bizneset ashtu dhe për individët.

Financimi që ka kërkuar i Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 100 milionë euro (hua në formën e garancisë dhe mund të përdoret nga Agjencia e Depozitave vetëm nëse do të ketë nevojë në rastet e goditjeve të mundshme në sistemin bankar) ishte një tjetër çështje e diskutimeve. Qëllimi i kredisë është të parandalojë dështimin e mundshëm të ndonjë banke dhe izolimin e saj për të mos u shndërruar në rrezik sistemik për gjithë sistemin.

Në takim është folur dhe për tregun e sigurimeve dhe për misionin e FMN-së dhe Bankës Botërore, i cili ka mbërritur në Tiranë në 28 tetor dhe po punon për përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Misioni do të qëndrojë në Shqipëri deri në javën e tretë të nëntorit paraqesë pikëpamjet e tij të nxjerra nga kryerja e FSAP-së në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA).

Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar është krijuar në nëntor 2007, si organ kolegjial këshillimor për çështjet e stabilitetit financiar me afat veprimtarie të pakufizuar, me nismëtar Bankën e Shqipërisë.

 

Banka Qendrore Evropiane ul në minimum rekord normën e interesit

 

Banka Qendrore Evropiane ka vendosur të ulë normën bazë të interesit në 0.25% nga 0.5% që ishte më parë. Ky është një nivel i ri rekord dhe vjen si një përgjigje ndaj inflacionit të ulët, që për Tetorin ra në 0.7% dhe ka ngjallur frikën se rimëkëmbja e ngadaltë mund të ndalet.

Gjithashtu Banka e Evropës vendosi të mbajë në zero interesin për depozitat bankare dhe uli në 0.75% interesin e huamarrjes emergjente, nga 1% që ishte më parë. I menjëhershëm ka qenë edhe ndikimi tek monedha euro, që vetëm disa momente pas njoftimit të vendimit humbi rreth 1.3% të vlerës në raport me dollarin amerikan dhe u këmbye me rreth 1.33 dollarë.

Edhe yeld-i i bonove të shumicës së vendeve anëtare të Eurozonës shënoi rënie. Ndërsa tendenca rritëse e bursave u përforcua edhe më tej. 23 anëtarët e Këshillit Drejtues janë përballur me presionin e tregjeve për uljen e normës bazë të interesit, pasi inflacioni po qëndron shumë poshtë objektivit prej 2% të Bankës Qendrore. Presion ka pasur edhe nga ministrat e qeverive anëtare të Eurozonës dhe nga përfaqësuesit e biznesit që i kanë bërë thirrje bankës qendrore të bëjë më tepër për të dobësuar euron.

Në konferencën për mediat, pas përfundimit të mbledhjes Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi u shpreh se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta për një periudhë më të gjatë kohore, të paktën deri në tremujorin e dytë të vitit 2015. Draghi u shpreh gjithashtu se parashikohet një rritje graduale e eksporteve që do të japin një kontribut të rëndësishëm në rimëkëmbjen e bllokut. Pavarësisht se inflacioni është në nivelin më të ulët në 4 vitet e fundit, Draghi u përpoq të sigurojë tregjet dhe familjet se Eurozona nuk kërcënohen nga deflacioni.

 

Në kohë krize globale… rritet numri i miliarderëve!

Numri i miliarderëve në botë ka arritur një rekord të ri gjatë vitit 2013, pasi një rritje të fuqishme të super-të-pasurve në rajonin e Azisë.

Ky studim është kryer nga banka zvicerane UBS dhe Wealth-X, një studio konsulence me qendër në Hong Kong. Numri i miliarderëve në nivel global u rrit në 2 mijë e 170 persona deri në Qershor të këtij viti, ose me një rritje prej 0.5% krahasuar me një vit më parë. Por shifra e pasurisë së tyre u rrit akoma më shpejt, konkretisht me 5.3%. Sipas studimit Azia është rajoni që ka regjistruar rritjen me të madhe të super-të-pasurve, me 18 miliarderë të rinj në hapësirën e një viti.

Të ardhurat e tyre janë rritur me 13%, duke e kthyer rajonin, në zonën me rritjen më të shpejtë të pasurisë në botë. Megjithatë, Amerika e Veriut është rajoni ku pasuritë e miliarderëve janë më të larta, edhe pse sipas përllogaritjeve, brenda 5 vitesh Azia do të zërë vendin e parë. Por, kontinenti ku jeton numri më i madh i miliarderëve mbetet Evropa, e cila ka regjistruar një rënie të lehtë të numrit të tyre, nga 795 në 2012 në 766 në këtë vit, por pasuria e tyre gjithsesi është rritur me 3.7%, më tepër se “homologët” amerikanë. Në klasifikimin e shteteve, SHBA qëndron në krye me 515 miliarderë, dhe në vendin e dytë ndodhen kinezët me 157 miliarderë.

Më pas vijnë me radhë, Gjermania, Britania dhe Rusia. Ndër qytetet ku jetojnë më shumë miliarderë, në vendin e parë qëndron Nju Jorku me 96, e ndjekur nga Hong Kong me 75 miliarderë. Më pas vijnë Moska, Londra, Mumbai, Singapori dhe Pekini. Në studimin e saj, UBS ka analizuar edhe stilin e jetesës, investimet e tyre dhe kostumet. Mesatarisht, secili prej tyre zotëron një portofol në pasuri të patundshme prej 78 milionë dollarë.