Anxhela Tato
Pogradec, 5 kushërinj po gërmonin për skrap, u mbytën nga gazi i gjeneratorit
Librazhd, rrjedhja e gazit në minierë u mori jetën 2 punonjësve
Tragjedi brenda pak orësh në galeritë e nëntokës në dy qytete pranë njëri-tjetrit, Pogradec dhe Librazhd. Shtatë të rinj, pesë prej të cilëve nga e njëjta familje, janë asfiksuar në galeri, ku kishin shkuar për skrap. Lajmi i kobshëm erdhi pak pas mesnate, ku pesë të rinjtë, kushërinj me njëri-tjetrin, mbetën të bllokuar në minierë. Ndërsa ditën e djeshme, rreth orës 14:00, policia e Librazhdit njoftoi se dy minatorë humbën jetën në galerinë e minierës në fshatit Gurrë. Inxhinieri dhe minatori mendohet se kanë mbetur të asfiksuar në galeri, pasi dyshohet se ka pasur shpërthim gazi. Të rinjtë e Pogradecit mësohet se ishin bllokuar që prej orës 7:00 të mëngjesit të ditës së mërkurë në minierë në fshatin Beragozhdë në Komunën Dardhas të Pogradecit. Si pasojë e bllokimit kanë humbur jetën tre vëllezërit Edison Hamolli 23 vjeç, Nertili 25 vjeç, Ledioni 24 vjeç, të cilët ishin kushërinj të parë me dy viktimat e tjerë po vëllezër, Sazan dhe Arjan Hamolli 29 vjeç. Prej mbrëmjes së të mërkurës shtabi i emergjencave dhe grupi i kërkim-shpëtimit po punojnë për të bërë të mundur nxjerrjen e viktimave nga miniera. I pari trup që është nxjerrë nga miniera ka qenë trupi i pajetë i Edison Hamollit, ndërsa dje në mëngjes, rreth orës 08:00, u nxor trupi i vëllait të tij, Nertilit 25 vjeç. Të rinjtë kishin ndezur gjeneratorin brenda galerisë dhe e kishin lidhur me tubin e nxjerrjes së ujit, tymi i gjeneratorit dyshohet se ka asfiksuar të rinjtë. Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë, jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumë se 300 metrash. Në minierën e Pogradecit pritet të nxirren nga galeria trupat e 3 të rinjve, por vështirësi janë hasur për shkak të nivelit të lartë të gazit karbonik që ka për momentin. Operacioni i kërkimit do të fillojë ditën e sotshme.
Pogradec
Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhdë, Komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit. Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledion dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 25 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët. Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë. Policia dhe shtabi i emergjencave ka mbërritur në vendngjarje. Deri tani është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjeç. Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash. Gruaja e njërit prej të konsideruarve viktima në tragjedinë e minierës në Pogradec pretendon se burri i saj është gjallë. Është pikërisht gruaja e Arjan Hamollit, Nida Hamolli, e cila pretendon se burri i saj është gjallë. “I kam telefonuar dhe dikush ma mbyll vazhdimisht”, – thotë ajo. “Nëse nuk vazhdojnë kërkimet, do të futem vetë. Kam shumë shpresë se Arjani është ende gjallë”, – shton ajo.
Librazhd
Pas lajmit të kobshëm të vdekjes nga asfiksia të pesë të rinjve në një minierë të braktisur në Pogradec, një tjetër aksident shënohet në një tjetër minierë në Librazhd. Dy punëtorë të minierës së kromit në fshatin Gurrë kanë humbur jetën nga një shpërthim gazi. Nga të dhënat e policisë mësohet se bëhet fjalë për inxhinierin Drini Bogdani dhe punëtorin Haxhi Danga. Dy punonjësit ishin futur në minierë për të vijuar gërmimet për nxjerrjen e kromit. Por fatkeqësisht ka pasur një rrjedhje gazi, e cila i ka kushtuar jetën. Lajmi i vdekjes së tyre është konfirmuar edhe nga vetë kryetari i komunës në Qukë. Ndërkohë që nxjerrja e trupave është bërë e mundur vetëm pas orës 15:40 të drekës. Aksioni është realizuar nga ana e policisë dhe zjarrfikëses. Ndonëse vështirësisë dhe frikës nga rrjedhja e gazit blutë kanë mundur të nxjerrin në sipërfaqe trupat e dy viktimave të radhës.
Familja: Fëmijët shkonin në minierë për të siguruar bukën e gojës
Për pesë të rinjtë, kushërinj të parë me njëri-tjetrin, dje ishte hera e parë që hynin në këtë minierë. Të rinjtë kishin hyrë edhe në miniera të tjera që janë afër fshatit për të mbledhur skrap, por në këtë minierë ishte hera e parë dhe nuk e njihnin mirë terrenin. Madje, për Nertilin ishte hera e parë që hynte në një minierë. “Nertili e kishte për herë të parë që hynte në një minierë për të mbledhur skrap, pasi punonte në Maqedoni me bujqësi, të pestë personat shkonin për herë të parë dhe nuk e dinin për lëndët toksike që kishte vetë miniera brenda. Shkuan për të mbledhur skrap, por gjeneratori që kishin lidhur me pompën për të lehtësuar kërkimin e skrapit kishte lëshuar gaz, dhe i kombinuar me lëndët toksike që kishte vetë miniera shkaktoi asfiksinë e tyre. Shkonin për të siguruar bukën e gojës”, – thonë të afërm. Mësohet se fillimisht kishin qenë katër persona brenda në minierë dhe Edisoni kishte shkuar për t’i shpëtuar, por dhe ai ka mbetur i asfiksuar. Ndërkohë, njëri nga viktimat ka rrezikuar jetën para pak ditësh, duke qenë kështu një ngjarje e përsëritur. Më 28 tetor, 24-vjeçari nga fshati i Beragozhdës në Pogradec, Arjan Hamolli, mbeti i bllokuar për afro 12 orë në minierën e Beragozhdës, për shkak të rrëshqitjeve të gurëve në zonën ku ai gërmonte. Moskthimi i tij në shtëpi alarmoi familjarët, të cilët lajmëruan policinë. Kjo e fundit së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit nisën operacionin për nxjerrjen e të riut, i cili mundi të dilte vetë nga miniera.
Kryeministra Edi Rama: Të rinjtë, në tentativë për të shpëtuar nga varfëria
Kryeministri Edi Rama reagoi në Kuvend në lidhje me tragjedinë e ndodhur në një minierë në Pogradec, ku humbën jetën 5 djem të rinj. Sipas Kryeministrit, 5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria, të cilën nuk e solli kjo mazhorancë, por qeveria e mëparshme. Kryeministri akuzoi qeverinë e demokratëve për shpenzimin e parave të shtetit për financimin e fushatës elektorale. “Paratë e bukës së gojës i keni harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit. Shkuat deri tek rezervat e shtetit, tek ushqimet që ky shtet duhet t’i ketë në dispozicion në raste emergjencash humanitare dhe rrëmbyet fasule, oriz e çizme për fushatën elektorale. Duhet të ulni kokën, sepse i keni bërë grosh dhe pilaf ushqimet që u duhen njerëzve në rast fatkeqësie”, – u shpreh Rama.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Fjalët, të pamjaftueshme për ngushëllim
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e shtatë viktimave që humbën jetën dje në minierë, pesë në minierën e fshatit Beragozhdë në Komunën Dardhas në Pogradec, dhe dy të tjerë në minierën e Librazhdit. “Ngushëllime familjarëve të 7 viktimave, ky bilanc tragjik i shënuar sot është një tronditje e madhe për mua dhe për çdo shqiptar, fjalët janë të pamjaftueshme për të ngushëlluar familjet, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, – ishte mesazhi ngushëllues i kreut të PD-së, Lulzim Basha. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha në një deklaratë për shtyp se Partia Demokratike akuzon qeverinë si përgjegjëse direkt për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve. Vorpsi tha: “Ne kërkojmë që autoritetet e ngarkuara për sigurinë dhe menaxhimin e minierave të mbajnë përgjegjësi dhe kërkojmë që drejtësia të vihet menjëherë në lëvizje për këtë tragjedi. Ne kërkojmë që Kryeministri i vendit të mbajë përgjegjësi për këto viktima të pafajshme në minierat tona”.
Ministria e Energjisë: Nxjerrja e trupave, pasi të ulet niveli i gazit
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka dhënë detaje lidhur me aksionin për nxjerrjen e trupave të pajetë që janë bllokuar në dy miniera në atë fshatit Gurrë në Librazhd dhe në Dardhas të Pogradecit. Kjo ministri bën me dije se janë nxjerrë nga miniera dy viktimat e Librazhdit dhe dy nga viktimat që humbën jetën në minierën e braktisur në Dardhas. MEI bën me dije se do të vazhdojë operacioni për të nxjerrë nga miniera edhe tre trupat e tjerë, por për momentin aksioni është ndërprerë për shkak të nivelit të lartë të gazit. MEI thekson se aksioni do të rifillojë sapo niveli i gazit të ulet, ndërkohë që bëhet me dije se po futet edhe ajër nga jashtë për të ulur rrezikshmërinë. Në shenjë nderimi për vdekjen e 5 të rinjve, Komuna Dardhas shpall dy ditë zie. Sot dhe nesër komuna do të mbajë zi për vdekjen e 5 djemve nga i njëjti fis që humbën jetën nga asfiksia në Beragozhdë, brenda një miniere. Komuna Dardhas ka marrë përsipër shpenzimet për varrimin e të rinjve, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga miniera. Ndërkaq kjo komunë ka bërë thirrje që të mbyllen minierat e nxjerra jashtë aktivitetit zyrtarisht. “Mbyllni minierat, përndryshe tragjeditë do të përsëriten”.