Vlorë, sekuestrimi i pallatit nga INUK-u Gjykata Administrative pranon kërkesën e banorëve, vendos heqjen e masës së bllokimit

0
194

Sonja Caka

 

Vendimi: Të hiqet rrethimi i pallatit dhe të formulohet padia e themelit brenda 10 ditësh nga shpallja e këtij vendimi

 

kompleksi jonGjykata Administrative e Vlorës ka pranuar kërkesën e banorëve të pallatit të bllokuar prej disa ditësh në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke rrëzuar rrethimin e vendosur prej po kaq ditësh nga INUK-u. Në vendimin e dhënë dje nga gjyqtari Astrit Shema, policia urdhërohet të zhbllokojë situatën, duke prishur rrethimin, ndërkohë që kjo masë e vendosur nga gjykata do të vazhdojë derisa të përfundojë në tri shkallë të gjyqësorit shqyrtimi i padisë së themelit, në të cilin pronarët e banesave do kundërshtojnë aktet administrative të subjekteve shtetërore. Pas vendimit të djeshëm, INUK detyrohet menjëherë të largojë shiritin e sekuestros, kurse policia postbllokun.

Kërkesa

Gjykata Administrative shqyrtoi çështjen e kompleksit “Jon”, pas kërkesës së paraqitur nga banorët e pallatit 8-katësh në zonën e Ujit të Ftohtë, i cili prej 4 ditësh është i rrethuar nga shiriti i sekuestros dhe ruhej nga policia. Në seancë, ishin të pranishëm avokatët Maksim Haxhia dhe Kastriot Brahimuço, ndërsa seanca u drejtua nga gjyqtari Astrit Shema. Avokati Maksim Haxhia, i cili mbron interesat e banorëve, e konsideroi rrethimin e pallatit para gjykatës, si një veprim arbitrar me metoda antiligjore, antinjerëzore, duke cilësuar se forcat e policisë dhe INUK po shkelin Kushtetutën, aktet ndërkombëtare, Kodin tonë Civil dhe çdo normë, duke mos lejuar qytetarët e vendit të gëzojnë të drejtën e tyre themelore, të drejtën e gëzimit të pronës. Mbrojtësi ligjor tha se personat që kanë rrethuar pallatin nuk kanë paraqitur asnjë dokument përmes të cilit të përligjin veprimin e tyre, ndaj paralajmëroi kallëzim penal ndaj tyre. Sipas tij, pallati është ndërtuar me leje dhe hipotekuar, e në bazë të dokumenteve janë bërë edhe shitjet e apartamenteve. “Veprimi në fjalë është arbitrar, pasi nuk është shoqëruar me asnjë lloj dokumenti që të përligjë rrethimin e pallatit. Pallati është ndërtuar mbi bazën e një lejeje, me bazën e të gjitha kërkesave të plota ligjore për dhënien e një lejeje, dhe është hipotekuar. Në përfundim janë realizuar dhe shitjet e 20 apartamenteve”, – theksoi avokati.

Vendimi

Pasi shqyrtoi kërkesën e ankuesve, Gjykata Administrative e Vlorës vendosi pranimin e padisë si të bazuar në ligj dhe në prova. “Marrjen e masës provizore të sigurimit të kërkesë-padisë duke pezulluar kryerjen e veprimeve administrative nga çdo subjekt i administratës së shtetit që pengojnë kërkuesit në gëzimin e qetë të pronës së tyre në objektin e ndodhur në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, Vlorë, në truallin me nr. pasurie 16/8, regjistër hipotekor 426, datë 19.11.2009 ZK 8602 me sipërfaqe trualli 1663 metër katrorë, në pronësi të pronarëve të truallit Xhuvi Sharxhi dhe Xhaferr Isufi, regjistruar në Regjistrin Hipotekor, masë kjo e cila do të qëndrojë në fuqi deri në zgjidhjen në themel të konfliktit/çështjes, nëse kërkuesit paraqesin brenda afatit 10 ditor nga dhënia e kësaj mase provizore padinë e themelit në lidhje me kundërshtimin e veprimeve apo aktit administrativ që do të dalë në lidhje me këtë objekt, pronë e kërkuesve. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë, pranë Apelit Administrativ Tiranë” shpalli gjyqtari Astrit Shema mesditën e djeshme, lidhur me kërkesën e paditësve për sigurim padie.

Bllokimi

Pak ditë më parë policia e Vlorës në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, rrethuan pallatin dhe kërkuan nga banorët t’u vënë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponojnë, me qëllim për t’i shqyrtuar dhe vendosur për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Pallati është rrethuar me shiritin “Mos kalo” dhe përgjatë gjithë ditës kalimi i familjarëve dhe hyrja në banesat e tyre lejohet vetëm me dokumente identifikimi.

zimin e qetë të pronës së tyre në objektin e ndodhur në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, Vlorë”, – vendosi gjyqtari Shema

 

Masa

Mbyti gruan me këllëf, pendohet edhe para gjykatës

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi dje masën “Arrest me burg” për 49-vjeçarin Fehim Brahja, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ravdije Brahja, pak ditë më parë në Sauk të Tiranës. Paraditen e djeshme, 49-vjeçari është paraqitur i tronditur psikologjikisht në gjykatë, ku është shprehur i penduar dhe ka theksuar sërish se nuk donte ta vriste bashkëshorten e tij. “Debatova me bashkëshorten por nuk doja ta vrisja”, – tha ai në gjykatë, ndërsa e ka mbytur me këllëfin e jastëkut. Më herët në polici, i akuzuari ka deklaruar se shkaku i debatit ka qenë sjellja problematike e djalit 15 vjeç, i cili prej tre ditësh ishte zhdukur nga shtëpia. Fehmi Brahja ka akuzuar bashkëshorten si fajtore të situatës. “Ne kemi tre fëmijë dhe njëri prej tyre është shumë problematik. Djali është vetëm 15 vjeç dhe gruaja ime është mësuese. Djali ka dashur të lërë shkollën dhe është fëmijë shumë i lëvizshëm. Mendoja se bashkëshortja duke pasur këtë profesion do arrinte ta përmblidhte dhe ta qetësonte, por ndodhi e kundërta. Djali kishte ikur nga shtëpi prej tre ditësh dhe u kthye natën e ngjarjes. Sapo u fut në shtëpi i bërtita dhe nga shqetësimi i madhe se ku kishte qëndruar, e godita edhe me pëllëmbë. E kisha humbur logjikën dhe doja ta çoja nga liqeni që ta rrihja. U solla shumë agresiv ndaj tij, pasi doja ta trembja. Por më ndërhyri gruaja duke thënë që të mos i bërtisja se nuk do të zgjidhja gjë. Kjo fjali e saj më acaroi, pasi për shkak të butësisë së saj arriti situata deri në këtë pikë me djalin”, – rrëfen autori. 49-vjeçari ka treguar për policinë momentet e krimit, kur ka marrë këllëfin e jastëkut dhe ia ka lidhur në qafë bashkëshortes, 43-vjeçares Radivije Brahja. “Djali më iku sërish dhe vazhdoi debati me gruan. E kisha humbur logjikën dhe nuk po dija se çfarë po bëja. Në sherr e sipër iu sula gruas dhe i lidha këllëfin e jastëkut në fyt. Vazhdova t’ia shtrëngoja, derisa ia morra frymën. U pendova për këtë që bëra dhe nuk ishte qëllimi im që ta vrisja. Ende nuk e besoj që ajo nuk është më gjallë”, – ka dëshmuar autori i krimit.

Takimi

Ministri Naço pret përfaqësuesit e COWEB, diskutohet korrupsioni

Një delegacion i lartë me përfaqësues të grupit të punës të Këshillit të Evropës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) kanë zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, z. Naço, i ka pritur përfaqësuesit e COWEB-it në një takim duke vënë në dukje se kjo vizitë zhvillohet në një moment të rëndësishëm reformash të thella e tërësore në të gjitha fushat por veçanërisht edhe në sistemin e drejtësisë. Në fillim të takimit, ministri Naço është ndalur në prezantimin e hapave të ndërmarra dhe të parashikuara për t’u ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi, duke pasur parasysh gjetjet e “Progres-raportit 2013” për drejtësinë. Gjatë fjalës së tij, ministri Naço i ka informuar të pranishmit se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë një sërë masash me karakter legjislativ dhe administrativ, kryesisht në përmirësimin e legjislacionit me qëllim përafrimin e plotë të tij me standardet më të mira evropiane dhe në fuqizimin e forcës ndëshkuese të ligjit. Korrupsioni është evidentuar gjatë takimit si një fenomen mjaft shqetësues dhe ministri Naço është angazhuar në zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit specifikisht për sistemin e drejtësisë, e cila do të synojë reformimin e sistemit gjyqësor dhe vendosjes në vend të dinjitetit të tij të cenuar, duke nxitur angazhimin profesional të gjyqtarëve për t’i shërbyer bërjes drejtësi dhe shmangies së praktikave të deritanishme korruptive. Reformimi i gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, nevoja e ndryshimeve në ligjin për Avokatin e Popullit etj. kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka pasur interes nga të pranishmit në takim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency