Gëzim Saliu
Gjosha dhe Naço: Të vendosur të çojmë përpara reformat e integrimit
Sfida kryesore e qeverisë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu deklaroi dje Kryeministri i vendit, Edi Rama, në takimin që zhvilloi me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke theksuar se së bashku me këtë reforma me rëndësi të veçantë është edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit. Gjatë takimit, kreu i mazhorancës theksoi se qeveria do të mundësojë një klimë sa më tërheqëse për biznesin, ku konsideroi institucionin më të ri që ka nisur funksionimin për herë të parë në vend, Këshillin Ekonomik Kombëtar. “Qeveria do të nisë me shlyerjen e të gjitha detyrimeve të trashëguara që ajo ka ndaj biznesit dhe më pas do të kërkojë angazhimin e tij”, – deklaroi Rama. Më tej, kreu i ekzekutivit e vlerësoi takimin me përfaqësuesit e BE-së si të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, pas rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat. “Shprehim mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria mirëpret mbështetjen e mëtejshme të vendeve anëtare BE-së”, – pohoi Kryeministri.
Ministrat
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, bën të ditur dje se institucionet që ata drejtojnë janë të vendosur që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në një dalje të përbashkët për media nga Kryeministria, të dy ministrat theksuan rëndësinë e ecjes përpara në kuadër të reformave të integrimit. “Ky plan veprimi vijon pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ministria e Integrimit do të punojë me të gjitha ministritë për të vazhduar punën për të luftuar korrupsionin. Jemi të vendosur ti çojmë këto reforma deri në fund. Këto hapa konkret që janë marrë do të shpalosen edhe në një tryezë të rrumbullakët ku do të marrë pjesë edhe komisioneri Stefan Fyle”, – deklaroi Gjosha. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, pohoi se do të çojnë në Parlament ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. “Qeveria ka marrë sot një nga vendimet më të rëndësishme. Një nga ndryshimet thelbësore që do shkojnë në Parlament janë ndryshimet që kanë të bëjnë me imunitetet e gjyqtarëve që u propozuan por nuk u ndryshuan në Kodin e Procedurës Penale. Ne duam të dekurajojmë korrupsionin. Jemi të bindur se me masat e marra do të luftojmë realisht korrupsionin”,- deklaroi Naço. Më 16 tetor, Komisioni Evropian publikoi progres-raportin, ku rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, “duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ndërkohë hapja e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.
Dy ministret
Gjosha me Çitakun: Emëruesi i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës është integrimi në BE
Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha zhvilloi dje një takim me homologen e saj kosovare Vlora Çitaku, ku të dy ministret diskutuan në lidhje me thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos në aspektin ekonomik që ndikon direkt në zhvillimin e vendeve. Gjatë takimit, ku u vlerësuan marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve, ministrja Gjosha u shpreh se Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Evropian, në mënyrë që dy popujt të ecin bashkërisht drejt BE-së. Në këtë kontekst, ministret e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës vunë theksin në sfidat e përbashkëta për përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE, koordinimin në përkthimin e “Acquis” në versionin shqip si dhe shfrytëzimin financiar të instrumenteve të BE-së. Dy palët ranë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët pune që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjes. “Shprehim gatishmërinë në ofrimin e ekspertizës konkrete në transferimin e njohurive dhe eksperiencës lidhur me kuadrin ligjor në fuqi, procedurat dhe strukturat e ngritura dhe ofrimin e ekspertëve më të mirë shqiptarë të fushës”, – tha Gjosha. Nga ana e saj, ministrja Çitaku theksoi se bashkëpunimi mes dy shteteve është i domosdoshëm për të përfituar nga programi i fondeve të Bashkimit Evropian. Ajo nënvizoi se emëruesi i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës është integrimi në BE. “Propozimi i projekteve të përbashkëta në interes të dy vendeve do të ishte mënyra më e mirë për të përfituar nga këto fonde”, – deklaroi Çitaku. Të dy ministret u angazhuan për vijimësinë e marrëveshjes mes dy shteteve në fushën e Integrimit të miratuar në vitin 2010, marrëveshje e cila ka në fokus bashkëpunimin reciprok institucional mes dy vendeve ne fushën e integrimit Evropian, organizimin e përbashkët të konferencave e seminareve si dhe shkëmbimin e informacioneve që lidhen me proceset integruese.
Komisioneri për Zgjerimin
Fyle, të hënën në Tiranë
Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle, pritet të vizitojë Tiranën më 12 nëntor, ku do të certifikojë pjesëmarrësit në seminarin e Akademisë Rajonale për Demokraci. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj akademie, ky është një program që mbledh bashkë 50 udhëheqës politikë dhe drejtues civilë të shtatë vendeve të Ballkanit. Gjatë vizitës në Tiranë, komisioneri Fyle do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit si me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ministren e Integrimit Klajda Gjosha si dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Në qendër të takimeve të Fyles me krerët e shtetit pritet të jetë procesi i integrimit, në një kohë kur dhjetori nuk është larg dhe shtetet anëtare të BE-së do të marrin një vendim për dhënien e statusit për Shqipërinë. Po ashtu edhe përmbushja e shpejtë e prioriteteve është dhe synimi i nismës së komisionerit, sipas së cilës Fyle ofrohet që ta ndihmojë Shqipërinë përmes përmirësimit të plan veprimit dhe përcaktimin e rrugëve që duhen ndjekur për realizimin në kohë të objektivave.