Protestë e tipit Gandi te Piramida / Dhjetë arsyet se pse nuk duhet të vijnë armët kimike në Shqipëri

0
149

Ambientalistët: U gëzuam me ligjin e Ramës kundër ardhjes së mbetjeve, tani do të na sjellë jo mbetje, por armë kimike

 

mideast-syria-chemical-weapons-news-guide-620x340Të shtrirë në tokë, të heshtur dhe me shikimin nga Kryeministria, qindra protestues kanë sjellë në Shqipëri imazhin e protestave të Gandit. Deputetë dhe të rinj, ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të gjithë me të njëjtin zë, “Jo armë kimike në Shqipëri”. Protesta, e cila zgjati vetëm një orë, do të përshkallëzohet në ditët në vazhdim ku shoqëria civile dhe ambientalistët u kanë kërkuar qytetarëve të protestojnë të gjithë. Protestës i është bashkuar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, e cila ka përmendur: “Si nënë, si grua, si qytetare, i them jo importit të armëve kimike. Të gjithë duhet ta përkrahin këtë nismë. Të protestojnë edhe deputetët e Parlamentit të Shqipërisë”. Përpara protestës ambientalistët dhe shoqëria civile kanë zhvilluar një takim informues në ambientet e Akademisë së Arteve. “Ne duhet të reagojmë fuqishëm ndaj armëve kimike”, – tha Sazan Guri. Sipas tij, “është shkelur neni 56 i Kushtetutës për informimin publik dhe neni 59 i Kushtetutës, pasi nuk ruhet siguria e popullsisë. Shqipërisë do t’i dalin 200 milionë euro mangut në buxhet duke dhënë para për të shkatërruar këto armë kimike”, – u shpreh z. Guri në fjalën e tij. “Kjo marrëveshje thyen edhe marrëveshja e Këshillit të Sigurimit për transportimin e lëndëve të rrezikshme. Ne duhet të mblidhemi dhe t’i themi qeverisë që Kushtetuta shqiptare e ndalon sjelljen e armëve kimike në Shqipëri”, – theksoi ambientalisti Guri. Gazetari Fatos Lubonja theksoi se qeveria sapo ndaloi importin plehrave në Shqipëri tani do të lejojë sjelljen e armëve kimike siriane. “Qeveria sapo ndaloi importin e plehrave dhe me sjelljen e armëve kimike në Shqipëri, duket se sa e përfillin opinionin publik. Siç shikohet ka një presion të madh për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri”, – u shpreh, Fatos Lubonja. Edhe ambientalisti tjetër, Lavdosh Ferruni, vuri në dukje vendimin e qeverisë për ndalimin importit të plehrave. “Ne sapo po përgatiteshim për të festuar përfundimin me sukses të aksionit për ndalimin e importit të plehrave, ndërsa tani duan të sjellin armët kimike të Sirisë. Ne jemi kategorikisht kundër sjelljes së tyre. Ne nuk kemi territor për t’i shkatërruar këto armë kimike, nuk kemi asnjë mundësi që në Shqipëri të sillen këto lëndë kimike”, – u shpreh Ferruni.

10 arsyet kundër importit armëve kimike
1. Armët kimike, rrezik për njerëzit dhe ambientin
2. Qeveria, në kundërshtim me veten dhe ligjin
3. Mungojnë infrastruktura,kapacitetet, eksperienca
4. Mungon kuadri ligjor për trajtimin e armëve kimike në vend
5. Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e mbetjeve të saj toksike
6. Vendet më të zhvilluara se Shqipëria i kanë refuzuar armët kimike
7. Konventa për ndalimin e armëve kimike – në asnjë rast nuk lejohet importi për qëllime asgjësimi
8. Importi i armëve kimike nga Siria nuk është detyrim që buron nga Konventa apo nga NATO-ja
9. Mungon transparenca dhe diskutimi me publikun
10. Shqipëria transformohet nga destinacion turistik në destinacion toksik

Zëra pro

Në një kohë që gjithë shqiptarët kundërshtojnë ardhjen e armëve kimike në Shqipëri ka dhe zëra pro kësaj marrëveshjeje. Deputeti Tritan Shehu në një shënim në profilin e tij në “Facebook”, shprehet: “Ka shpërthyer një debat në lidhje me mundësinë e shkatërrimit të një pjese të arsenalit kimik sirian në vendin tonë”. Sipas tij, “debatet publike janë shfaqje të emancipimit, por nuk duhet të jenë që në nisje të para orientuara. Këto debate ngjajnë veçse, ose emocionale, ose spekulative. Qartësisht aspak profesionale”, – shkruan Shehu në profilin e tij në “Facebook”.

Reuters: Nuk ka para

Grupi ndërkombëtar që është ngarkuar me eliminimin e armëve kimike të Sirisë i mbarojnë paratë në fund të këtij muaji. Siç bën të ditur agjencia “Reuters” ky grup ka nevojë për më shumë fonde për shkatërrimin e rezervave të gazit helmues, proces që është rënë dakord të përfundojë vitin e ardhshëm.
Deri tani organizata, e cila ka fituar dhe çmimin “Nobel” për paqe këtë vit, ka siguruar rreth 13.5 milionë dollarë për të inspektuar armët kimike siriane. Por për të shkatërruar 1.000 tonët e deklaruar nga Siria duhen shumë më tepër. Vete Presidenti sirian Bashar al-Assad ka thënë se kostoja totale e operacionit për heqjen dhe shkatërrimin e armëve kimike jashtë vendit mund të jetë 1 miliard dollarë. Ekspertët besojnë se kjo ka të ngjarë të jetë më pak, po sidoqoftë kjo do të jetë, në varësi se ku dhe si do të shkatërrohen ato. “Reuters” pohon se Shqipëria, Belgjika, por edhe një vend skandinav është kontaktuar për të kryer asgjësimin e këtyre armëve. Pritet që shtetet kryesore të japin kontributin e nevojshëm për financimin e gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ato që kanë kontribuar më shumë financiarisht deri tani. Rusia, Franca dhe Kina do të dhurojnë ekspertët dhe stafin për procesin e shkatërrimit. Kompanitë nga SHBA, Franca dhe Gjermania janë në garë për të fituar kontratën që do të garantonte mjetet për shkatërrimin e këtyre armëve. Sipas propozimit të përbashkët ruso- amerikan, Siria ra dakord në shtator për të shkatërruar tërë programin e saj të armëve kimike nga mesi i 2014-ës. Veprimi shmangu sulmet raketore me të cilat kërcënoi Uashingtoni pas sulmit të gushtit me gaz Sarin në periferi të Damaskut që vrau qindra njerëz.

 

Ndihmat sociale, ristrukturim për më tepër shërbime

Drejtoritë rajonale të shërbimit social do t’i nënshtrohen ristrukturimit të tyre. Deri tani ato nuk kanë ofruar si duhet shërbimet sociale tek kategoritë në nevojë, pasi në këto drejtori kanë munguar njerëzit e specializuar dhe me arsimin e duhur. Këto zyra deri pak javë më parë kanë shërbyer vetëm për të ndarë ndihmën ekonomike dhe atë të aftësisë së kufizuar, ndërkohë që nuk kanë plotësuar detyrimet e tjera. “Ajo që identifikoj është që shpesh mbulojnë detyra, individë që nuk kanë formimin e duhur për pozicionin që kanë. Nëse ne kemi nevojë për punonjës socialë në drejtoritë rajonale, duhet të kemi patjetër punonjës socialë atje sepse kështu mund tu drejtohemi me profesionalizëm nevojave të grupeve specifike”, – tha Etleva Bisha, drejtore e Shërbimit Social Shtetëror. Një nga projektet e tjera të rëndësishme të shërbimit social shtetëror është dhe shtimi i kapaciteteve, dhe ofrimi i shërbimeve për fëmijët jetimë në të gjithë vendin edhe pas moshës 16 vjeç, kur atyre u duhet të lënë shtëpitë e fëmijës. “Një nga problemet e identifikuara, është e nevojshme ngritja e shërbimeve të reja në lidhje me këtë kategori. Në përputhje më ligjin kjo kategori fëmijët e lënë shtëpinë në moshën 16 vjeçare. Për ta vijon në një fare mase kujdesi, por kanë nevojë për një qasje tjetër, një mënyrë tjetër të fëmijëve që dalin nga institucionet e përkujdesit”, – u shpreh Etleva Bisha në një intervistë për “as.com”. Këto shërbime pritet të ngrihen në të gjithë vendin, ndërkohë që drejtoresha e shërbimit social shtetëror ka kërkuar edhe bashkëpunimin e vendorëve në kuadër të procesit të decentralizimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency