Skema e mashtrimit në Tatime / Rimbursimet fiktive, mbeten në burg tatimorët Hysa dhe Kuka

0
171

Sonja Caka

Prokuroria: Të akuzuarit, pjesë e një mashtrimi me skemën fiskale në shumën 5.4 milionë euro

 

prangaGjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për 2 ish-punonjësit e tatimores, Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka. Bazuar në kërkesën e prokurorisë që akuzon dy punonjësit e tatimores për “shpërdorim detyre dhe mashtrim”, Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë me burg, ndërsa seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura duke mos lejuar as praninë e mediave. Me një vendim të marrë më parë në mungesë, gjyqtarja Marinela Osmani i ka njohur të akuzuarit me masën e sigurisë dhe ka hedhur poshtë edhe kërkesat e avokatëve mbrojtës të cilët kërkuan një masë më të butë për klientët e tyre, caktimin e masës “detyrim paraqitje”. Por, më herët, prokurori Dritan Rreshka kërkoi nga gjykata lënien në qeli të të arrestuarve. Në dosjen e prokurorisë, Hysa dhe Kuka akuzohen se janë bërë pjesë e një mashtrimi me skemën fiskale në shumën e 5.4 milionë euro. Arrestimi i Afërdita Hysës dhe Tahir Kukës është bërë katër ditë më parë, pasi ishte po Gjykata e Tiranës, që kishte dhënë në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg”. Ata akuzohen për “shpërdorim të detyrës”, “vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Kërkesa

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, prokurori Dritan Rreshka i tha gjykatës se dy të arrestuarit duhet të qendrojnë në burg, të njëjtën masë që po e njëjta gjykatë ka dhënë në mungesë. Më pas, përfaqësuesi i akuzës ka shpjeguar skemën e mashtrimit ku janë përfshirë dy të akuzuarit dhe të tjerë persona që tashmë janë nën mungesë. Pas fjalës së prokurorit, ka qenë ish-drejtoresha Hysa që e ka marrë fjalën dhe ka kërkuar një masë më të butë me argumentin se ishte femër dhe nënë e për këtë prania e saj ishte e domosdoshme në shtëpi. Pas saj e ka marrë fjalën i akuzuari Kuka, i cili ka kërkuar lirimin me argumentin se ishte moshë e madhe. Por, të dyja këto arsye u gjetën të pamotivuara nga gjykata, si shkaqe për të mos i dërguar dy ish-zyrtaret në paraburgim. Pasi ka dëgjuar prokurorin, avokatët dhe vetë të akuzuarit, gjyqtarja Marinela Osmani la në fuqi masat e arrestit dhënë në mungesë, përkatësisht “arrest me burg”, pasi konstatoi se nuk janë kushtet për ndryshimet e tyre.

Akuza

Prokuroria e Tiranës akuzon 7 ish-zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë se nëpërmjet veprimeve të tyre janë të përfshirë në një skemë mashtruese rimbursimi të TVSH-së. Dëmi financiar i shkaktuar shtetit nga veprimet e paligjshme të këtyre personave dyshohet se arrin në vlerën e 545 milionë lekëve (të reja). Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm, i cili është regjistruar në datë 29.10.2013 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sipas hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se një shtetas shqiptar, nëpërmjet disa prokurave të falsifikuara ka realizuar shitjen në Shqipëri të disa kompanive, të regjistruara nga shtetas të huaj. Nga këto, 6 kompani i ka blerë vetë dhe 5 të tjera, si i autorizuar nga kompanitë e huaja, ia ka shitur shtetasit tjetër. Këto kompani, pas blerjes, këta dy shtetas i kanë regjistruar në QKR. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, pra dy shtetasit e pandehur, kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likuidimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë e sipërpërmendura në vlera të mëdha, kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës qershor – tetor 2013. Bazuar në kërkesën për çregjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likujdimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekë të reja. “Nga verifikimet, krijohen dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes” dhe “korrupsionit pasiv” nga ana e inspektorëve tatimorë që kanë kryer kontrollin për rimbursimin e TVSH në këto kompani, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, Drejtori i Kontrollit, dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë” thuhet në hetimet paraprake të organit të akuzës së kryeqytetit.

 

Krimet e Rënda

Masa, sot Arben Frroku do njihet me akuzën në gjykatë

Sot pritet që Arben Frroku të dalë para gjykatës për t’u njohur me akuzat dhe masën e caktuar në mungesë të tij nga Gjykata e Krimeve të Rënda, “arrest me burg”. Dje ai në prani të avokatit është marrë në pyetje nga prokurorët e cështjes, ndërsa është njohur paraprakisht edhe me akuzën. Nga burime mësohet se Frroku ka deklaruar se do të flasë vetëm në gjykatë lidhur me çështjen për të cilën akuzohet. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur zyrtarisht me akuzat, por edhe të japë versionin e tij për ditën e ngjarjes para gjykatave shqiptare. Frroku, është i dyshuari kryesor për ekzekutimin e kryekomisar Dritan Lamaj afro 9 muaj më parë. Gjatë kësaj periudhe kohe ai ka qëndruar në qelitë e burgjeve greke dhe vetëm dje, bazuar në një kërkesë të Interpolit shqiptar është bërë i mundur ekstradimi i tij nga Greqia me avion. Arben Frroku, vëllai i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku është i dyshuari kryesor i akuzës për atentatin e 24 shkurtit ku Dritan Lamaj u vra përpara banesës së tij. Kjo është një çështje me interes të madh publik,pasi Arben Frroku dhe avokatët e tij asnjëherë nuk kanë pranuar vrasjen e Lamajt. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.