Vizita në Tiranë Fyle: Dialogu me opozitën, thelbësor. Rama: Procesi i integrimit do jetë gjithëpërfshirës

0
152

Gëzim Saliu

Komisioneri: Nisim dialogun e nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe KE-së. Kreu i qeverisë: Jemi 100% të vendosur për të përmbushur 5 prioritetet dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit

 

rama-fyleKomisioni Evropian kërkon përmbushjen e prioriteteve dhe vendosjen e dialogut mes palëve si një domosdoshmëri thelbësore për jetën politike në vend. Ky ka qenë prioriteti i vizitës së komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, në Shqipëri, ku ka zhvilluar takime me krerët e shtetit shqiptar. Në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin Rama, komisioneri pasi bëri të ditur nisjen e një dialogu të nivelit të lartë mes KE-së dhe Shqipërisë, Fyle pohoi se vendi duhet të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Brukseli. “Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit”, – deklaroi komisioneri Fyle, duke shtuar se pjesë e diskutimit me kreun e qeverisë ishte edhe synimi i vizitës së tij në Tiranë: “…që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër (sot), për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme”.

Rama

Ndërkohë, Kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë për të përmbushur prioritetet e KE-së dhe për t’i dhënë opozitës shqiptare të gjitha hapësirat e nevojshme për bashkëpunim. “Ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave, jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm”, – deklaroi shefi i qeverisë shqiptare, në konferencën e përbashkët me eurokomisionarin Fyle. Nga ana tjetër, Rama komentoi edhe takimin e sotëm të nivelit të lartë me KE-në në kuadër të procesit të integrimit, ku tha se ky i fundit nuk është ekskluzivitet i qeverisë, por një proces gjithëpërfshirës. “Në prag të një nisme që merr jetë nesër, për dialogun e nivelit të lartë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit, si një proces që pa dyshim nuk është ekskluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

 

“Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër (sot), për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme” Stefan Fyle

 

Nishani: Kam besim se Këshilli do votojë pro statusit për Shqipërinë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje një takim me eurokomisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle, ku ai shprehu besimin se Këshilli Evropian do të marrë një vendim pozitiv në dhjetor. Në këtë kontekst, kreu i shtetit theksoi se institucionet dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për përballimin e sfidave të identifikuara nga raporti, plotësisht të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre parësore dhe nevojën për ndihmë nga partnerët evropianë në këtë përballje. Më tej, Presidenti e siguroi Komisionerin Fyle se Shqipëria do të vijojë rolin e saj si kontributore serioze e paqes dhe stabilitetit rajonal, përmes politikës së fqinjësisë së mirë dhe mbështetjes së bashkëpunimit rajonal. Nga ana e tij, eurokomisioneri u përqendrua në rëndësinë që partnerët evropianë i kushtojnë rolit sa më aktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, perceptimit të aktorëve evropianë për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, dhe integrimit, bazuar në prioritetet e përcaktuara dhe kontributin e saj në rajon. Ndërkohë kreu i Shtetit vuri në dukje vendosmërinë e tij për të mbështetur të gjitha nismat që përshpejtojnë reformat dhe i shërbejnë krijimit të një ambienti politik bashkëpunues dhe konsensual dhe e siguroi Fylen se do të luajë pa hezitim garantuesin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

 

Meta, Fyles: Kuvendi po harton një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, informoi eurokomisionerin Fyle për punën e Parlamentit, lidhur me adresimin e të gjitha pikave të raportit të KE-së për Shqipërinë. Gjatë takimit të zhvilluar, Kryeparlamentari Meta, pasi vlerësoi punën e Komisionit Evropian në përgatitjen e progres-raportit dhe rekomandimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, u shpreh se Kuvendi po harton një plan veprimi për adresimin e të gjitha pikave të raportit dhe për zbatimin e rekomandimeve. “Të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura, duhet të punojnë së bashku për integrimin evropian”, – tha Meta. Nga ana e tij, komisioneri Fule u shpreh se pas vlerësimit që Komisioni bëri përmes progres-raportit, të gjitha palët duhet të fokusohen në përmbushjen e rekomandimeve kyçe përmes bashkëpunimit konstruktiv. Në këtë drejtim, Fyle vuri në dukje rëndësinë e dialogut të nivelit të lartë në mbështetje të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe gatishmërinë e Komisionit për të asistuar në këtë drejtim.

 

Zbardhet takimi

Basha, eurokomisionerit Fyle: Prioritetet e opozitës, integrimi dhe mbrojtja e demokracisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar dje në emisionin “Fakt” në UTV të gazetarit Çim Peka, bëri të ditur detaje të bisedës së tij me komisionarin për zgjerimin Stefan Fyle. Basha theksoi se me eurokomisionerin diskutoi çështjet thelbësore që shqetësojmë sot vendin. “Rama dhe aleatët e tij që brenda 8 javësh kanë vënë në pikëpyetje atë që është çështja ekzistenciale e demokracisë, vota e lirë,atë që shqiptarët panë në Korçë, të një prove gjenerale që është përdorur për blerjen e votës për zgjedhjet e ardhshme. Në qoftë se sot Kryeministri pati guximin të fliste për luftën kundër korrupsionit, të nisë me korrupsionin politikë që u pa në Korçë. I shpjegova prioritet kryesore që kemi ne në ruajtjen e demokracisë,ruajtjen e shtetit ligjor nga sulmet e pandërprera të kësaj mazhorance”, – tha kreu i opozitës. Ndërkohë lidhur me mundësinë e demontimit në vend të armëve kimike siriane, Basha theksoi: “Kam bindjen më të thellë me partneritetin me SHBA edhe gjatë kohës kur kam qenë ministër, se SHBA kurrë asnjëherë nuk mund t’i kërkojnë asnjë vendi, aq më tepër mik, të shkeli parimet dhe të rrezikojë qytetarët. Prandaj demokracia më e madhe e botës ka edhe sot idealet më të shenjta. Ndonëse jemi në terr të plotë informativ, përgjegjësia e Ramës, për atë që është diskutuar, mund të diskutohet me aleatët dhe NATO, jam i sigurt se Kryeministri i vendit me këtë heshtje siguron një alibi. Duke spekuluar me ndjesitë që shqiptarët kanë për këtë aleat të madh. Ky është spekulim dhe gënjeshtër. Duke lënë analistët të spekulojnë se takimet apo kafetë të rastit apo jo, të pranojë diçka. Është një turp i madh. Sipas meje, jam i bindur që qeveria amerikane, nuk i kanë kërkuar Shqipërisë të marrë përsipër çështje që bie ndesh me parimet apo që cenon normat elementare të sigurisë”. Në këtë kontekst, kreu i PD-së kërkoi që Kryeministri të bëj transparencën e plotë para qytetarëve lidhur me këtë çështje. “Rama të bëj transparencën sa nuk është vonë, ndryshe do të përballet me pasojat. Kryeministri ka pasur dhe do të ketë të drejtën të thotë jo pa asnjë pasojë nëse cenohet interesi publik. Amerika nuk mund t’i kërkojë një vendi, aq me shumë një vendi aleat dhe mik, që t’i rrezikohet siguria kombëtare, interesi kombëtar”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

Takimi me studentët e ekselencës

Fyle: Projekti evropian duhet të vazhdojë. Rama: Evropa, e plotë pas integrimit të rajonit

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, dhe Kryeministri Edi Rama zhvilluan dje një bashkëbisedim me studentë të ekselencës nga Shqipëria dhe rajoni. Eurokomisioneri iu drejtua nxënësve dhe studentëve të ekselencës së Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, se “e ardhmja e Bashkimit Evropian është në duart tuaja. Punoni që ta bëni këtë të ardhme më të mirë”. Në këtë kontekst, Fyle theksoi gjithashtu se projekti evropian duhet të vazhdojë: “Dhe ne duhet të punojmë për këtë duke e zgjeruar më tej këtë fushë stabiliteti dhe paqeje. Për këtë ne na duhet ndihma e qytetarëve, na duhen lider, udhëheqës, akademikë, biznesmenë, por dhe njerëz që punojnë në administratën publike dhe që ndihen pjesë e procesit, ne kemi nevojë për ju që ta bëni këtë projekt më të mirë”. Ndërsa, Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se familja evropiane është e paplotë pa vendet e rajonit dhe do të jetë e plotë vetëm kur i fundit vend i rajonit do të jetë i integruar plotësisht në të. “Në Evropën ku ne duam të integrohemi, fuqia e ideve, forca e transmetimit të ideve dhe vullneti për t’i realizuar ato, janë në fakt edhe graviteti i suksesit të secilit. Dhe, sa më pranë t’i afrohemi këtij graviteti, aq më pranë Evropës së bashkuar jemi, këtu në Shqipëri në vendin tonë”, – u shpreh kreu i qeverisë.