Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, priti komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle Takimi me Fylen, Basha: Demokracia në rrezik nga shitblerja e votës, PD do të bëjë gjithçka për statusin

0
157

Florenc Drizari

Basha: Mazhoranca po vë nën kontroll një institucion të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, siç është ILDKP-ja

 

basha fyel“Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë hapat integrues të Shqipërisë në marrjen e statusit në muajin dhjetor si dhe hapjen e parë të negociatave për anëtarësim në BE”. Ky ishte premtimi që kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bëri para komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë një takimi që ai pati me delegacionin e BE-së në ambientet e selisë së PD-së. Zoti Basha vlerësoi si një arritje madhore rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian, për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, sikundër garantoi për vendosmërinë e Partisë Demokratike për ta mbështetur këtë proces.

Duke u ndalur në zhvillimet e ditëve të fundit, lidhur me ngjarjet e blerjes së votës nga strukturat e PS-së në qytetin e Korçës, kryetari i opozitës theksoi se demokracia është në rrezik nga shitblerja e votës, dhe mungesa e transparencës. Këtë të fundit kreu i PD-së e lidhi edhe me debatet e për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

“Asgjë tjetër nuk mund të jetë më alarmante, më e rrezikshme për një demokraci funksionale, se blerja e votës. Partia Demokratike po ndjek të gjithë hapat, për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë, – theksoi kryetari i opozitës në takim. – Opozita është e vendosur për të ndalur dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias politike në vend”.

Gjatë takimit që kreu i opozitës pati me eurokomisionerin Fyle, e njohu atë me përballjet e fundit me mazhorancën, duke theksuar raportet që shumica ka mbajtur kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura; në mënyrë të veçantë, zoti Basha u ndal në hapat e jashtëligjshëm që mazhoranca po ndërmerr për të vënë nën kontroll një institucion të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, siç është ILDKP-ja.

Kryetari i opozitës u ndal tek emërimet në kundërshtim me ligjin dhe politizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, duke nisur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i personelit dhe dhjetëra emërime të tjera të drejtuesve të lartë, në kundërshtim me ligjin si dhe ndëshkimet kolektive, si në drejtorinë e Krimit Ekonomik, njësinë operacionale të Tiranës, RENEA, FNSH, Ministrinë e Brendshme etj. Politizimi i shpejtë i Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i saj në fushata antiligjore po zhbën me shpejtësi kredibilitetin dhe legjitimitetin e saj, në sytë e mbarë qytetarëve shqiptarë, duke hapur një kapitull shumë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në vend.

Në takim, zoti Basha nënvizoi goditjen që mazhoranca i bëri konsensusit, për ligjin e nëpunësit civil, përmes aktit normativ antikushtetues, duke nëpërkëmbur parimet e dialogut dhe gjithëpërfshirjes dhe duke i hapur rrugë zëvendësimit të profesionistëve në administratën publike, me militantë dhe emërime klienteliste, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe duke rënë ndesh me parimet e stabilitetit dhe vijimësisë, që nënvizohen në progres-raportin e Komisionit Evropian.

Ndryshe nga opozita e djeshme që e bllokoi për më shumë se dy vjet procesin e integrimit, Partia Demokratike është e vendosur të bëjë gjithçka, si për sa i përket plotësimit të detyrimeve të brendshme, ashtu edhe në kontaktet me partnerët ndërkombëtarë, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.

“Opozita e sotme nuk do të shfrytëzojë për asnjë moment veprimet e kësaj mazhorance të cilat janë këmbanë alarmi për demokracinë dhe shtetin ligjor, për të penalizuar qytetarët shqiptarë të cilët e meritojnë anëtarësimin në BE. Shembull konkret për këtë, – tha Basha, – është miratimi që i bëmë rezolutës së përbashkët parlamentare për integrimin, pavarësisht se në të nuk u përfshinë sugjerimet e opozitës”, – thuhet në njoftimin e PD-së mbi takimin Basha – Fyle.

Ndërkaq, lidhur me ngjarjet e ndodhura në zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkinë e Korçës, përfaqësuesit e opozitës garantuan ndjekjen e kësaj çështjeje deri në fund.

 

 

Fyle: Opozita duhet të luajë rol të rëndësishëm për dialog

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë takimit që pati më kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vuri theksin tek roli aktiv që duhet të luajë opozita në dialogun me mazhorancën, për të siguruar një mbështetje të mëtejshme të proceseve integruese të Shqipërisë. Në një postim në “Twitter”, Fyle shkruan: “Me liderin e PD-së Lulzim Basha për të folur për opozitën e cila duhet të luajë një rol të rëndësishëm, brenda kuadrit të ofruar nga qeveria për një dialog politik konstruktiv”. Gjatë takimit që ai pati me kryetarin e opozitës, mësohet se z. Basha e informoi atë për vendimet më të fundit të qeverisë shqiptare, lidhur me aktet normative për nëpunësin civil dhe buxhetin, ndryshimet në kupolën e policisë, zgjedhjeve në Korçë etj. Pas takimit kreu i PD-së konfirmoi mbështetjen e opozitës shqiptare për proceset integruese, sidomos në marrjen e statusit në muajin dhjetor të këtij viti.

 

Bruksel, Basha merr pjesë në punimet e Asamblesë Politike të PPE-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partive Popullore Europiane. Punimet e Asamblesë Poltike të Partive Popullore Europiane u zhvilluan në Bruksel, nga ku u zgjodh edhe presidenti i ri i PPE. Francezi Joseph Daul, aktualisht president i grupit të Partive Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian, u zgjodh dje president i kësaj partie panevropiane të qendrës së djathtë, që bashkon edhe partinë e djathtë franceze, UMP dhe atë gjermane, CDU.

Joseph Daul, 66 vjeç, u zgjodh me 112 vota nga 124 në mbledhjen e PPE-së në Bruksel. Daul zëvendëson ish-kryeministrin belg njëherësh edhe president i PPE, Wilfried Martens, i cili vdiq më 9 tetor.

Martens ishte president i Partive Popullore Evropiane që prej vitit 1990.

 

 

 

Armët e Asadit në Shqipëri, Berisha: Qëndrimi Rama – Meta, poshtërues

Meta: Pres komente më të përgjegjshme nga z. Berisha për çështjen e armëve kimike

“Një qëndrim poshtërues dhe i papërgjegjshëm i qeverisë Rama – Meta ndaj qytetarëve dhe opozitës”, e ka quajtur ish-kryeministri Sali Berisha trajtimin e demontimit të mundshëm të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Sipas z. Berisha, prej më se tri javësh opinioni publik shqiptar ndjek thellësisht i tronditur lajmet e mediave botërore, sipas të cilave qeveria shqiptare ka pranuar sjelljen në Shqipëri të arsenalit sirian prej 1300 tonë (njërit prej më të mëdhenjve në bote) të armëve kimike për tu shkatërruar në vendin tonë.

“Ndërkohë, qeveria Rama – Meta, në një akt të papërgjegjshëm, por dhe poshtërues, mban me fanatizëm kodin e heshtjes ndaj qytetarëve dhe opozitës shqiptare sikur këta të mos ekzistonin, të mos jetonin në këtë vend apo sikur ata nuk duhet të kenë qëndrimin e tyre të bazuar në të dhëna të sakta për një çështje të rëndësisë të dorës së parë, jo vetëm për botën dhe qeverinë shqiptare por dhe për opozitën dhe qytetarët shqiptar.

Ata flasin me shqiptarët dhe opozitën sikur flasin me armiqtë apo me palën e Asadit dhe ky është turp dhe vetëm turp. Informimi i qytetarëve dhe opozitës është detyrim ligjor dhe kushtetues. Por për qeverinë Rama – Meta ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë! sb”, – shkruan Berisha në profilin e tij në internet, në “Facebook”.

Ndërkaq, në një intervistë televizive një natë më parë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë tha se priste nga ish-kryeministri Berisha qëndrime më serioze lidhur me çështjen e armëve kimike, duke e lidhur këtë me vetë eksperiencën e tij politike. “Kam ndjekur sot një prononcim në rrjetet sociale të z. Berisha dhe jam habitur shumë kur trajtohen se qeveria po i trajton shqiptarët sikur të jenë aleatë të Asadit, ndërkohë që e vetmja aleancë që ka qeveria, por dhe opozita, janë SHBA-të. Ndaj dhe përpjekja për të ndezur një konflikt mes qeverisë dhe shqiptarëve duke spekuluar, nuk mendoj se është e dobishme, dhe ne nga z. Berisha për shkak të eksperiencës së tij politike, presim qëndrime më të përgjegjshme”, – deklaroi Meta.