Florenc Drizari
Basha: Opozita, e vendosur të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme për arbitraritetin, abuzivitetin, arrogancën dhe mungesën e transparencës
Joseph Daul zgjidhet si President i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane. Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane, e cila përbëhet nga 73 parti, nga 39 vende, zgjodhi një ditë më parë, Presidentin e saj te ri. Më herët Daul mbante postin e Kryetarit të Grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian dhe në votimin e djeshëm, ai u zgjodh me 112 vota nga 124 vota në total. Presidenti i ri i PPE-së, e konsideroi shumë të rëndësishëm zgjedhjen në krye të Partisë me ndikimin më të madh politik në Evropë.
“Është një nder i madh për mua të marrë këtë mandat për të çuar përpara Partinë, veçanërisht në një kohë me sfida të rëndësishme, si zgjedhjet evropiane të majit të vitit 2014 . Unë do të bëj çmos për të vazhduar punën e jashtëzakonshme të Wilfried Martens, udhëheqja dhe angazhimi i të cilit e ka bërë PPE-në Partinë më të madhe dhe me ndikimin më të madh politik në Evropë”, – deklaroi Joseph Daul.
Në këtë takim merrte pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e konsideroi një lajm shumë të mirë zgjedhjen në këtë post të zotit Daul, i njohur për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit.
“Është lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Presidenti i ri Joseph Daul, është një person jo i panjohur për publikun shqiptar, për shkak të rolit të tij konstruktiv dhe në momente të vështira, siç ishte momenti i asaj që publiku shqiptar njeh si “kriza e krokodilit”, por që natyrisht është vetëm maja e ajsbergut e kontributit shumë vjeçar të Joseph Daul, që Shqipëria të avancojë në rrugën e integrimit evropian, që shqiptarët të mos vuajnë as nga stigmat e të kaluarës dhe as të ndëshkohen padrejtësisht nga probleme të drejta dhe legjitime të së tashmes, por që shqiptarët të përfitojnë si çdo komb tjetër nga procesi i anëtarësimit në BE”, – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Zoti Basha ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në këtë Asamble, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, sikundër i ka njohur me goditjen e rëndë që i është dhënë demokracisë në Shqipëri përmes blerjes së votës në Korçë.
“Kam kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmëve, shumica e të cilëve janë në qeverisje sot në Evropë, sepse e djathta është shumicë si në qeveritë e kombëtare, ashtu edhe në Parlamentin Evropian edhe në Komisionin Evropian, pra përkrahjen e tyre, që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor.
Kam shprehur qëndrimin e prerë të Partisë Demokratike, në koherencë me qëndrimin tonë si mazhorancë, tani në opozitë, se Shqipëria e meriton statusin, që shqiptarët e meritojnë statusin. Natyrisht në këto biseda kam theksuar faktin që progres-raporti i KE-së, nënvizon përparimin e dukshëm që u arrit edhe gjatë vitit të fundit, të qeverisjes së Partisë Demokratike si mazhorancë. Pra është një kërkesë e bazuar në fakte, është një kërkesë e bazuar në argumente, është një kërkesë e bazuar në një realitet të marrë në analizë tashmë nga Komisioni Evropian.
Nga ana tjetër kemi diskutuar jo për herë të parë, por në mënyrë edhe më të thelluar për shqetësimet e mëdha me të cilat po përballet opozita shqiptare, Partia Demokratike, publiku shqiptar në raport me goditjen e rëndë që i është dhënë shtetit ligjor dhe së fundmi edhe votës së lirë, me episodet e shëmtuara të blerjes së votës në Korçë.
Partia Demokratike e ka ngritur zërin fuqishëm, në mënyrë institucionale por edhe në mënyrë popullore siç tregoi edhe protesta në Tiranë dhe sot ka siguruar mbështetjen e gjerë dhe të fuqishme të PPE-së, ka siguruar mbështetjen e fuqishme të partive simotra, me të cilat po bashkërendojmë një aksion të fuqishëm në kuadër të PPE-së, për të ndalur këtë revansh ndaj shtetit ligjor dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që guxuan të ngrinin rrethin kriminal me të cilin u dëmtua demokracia shqiptare dhe kërcënohet edhe sot e kësaj dite kjo demokraci nëpërmjet shitblerjes së votës”, – deklaroi zoti Basha .
PD: Drejtoresha e DAP do të përgjigjet penalisht për largimet e paligjshme nga puna
Partia Demokratike thotë se vetëm në dy javët e fundit, të dhënat tregojnë se rreth 2500 nëpunës kanë humbur vendin e punës apo janë nxjerrë në listë pritje. Sipas deputetit të opozitës, Oerd Bylykbashi, shumë prej tyre janë kërcënuar apo janë detyruar të japin dorëheqje. Një shqetësim pak dite më parë tha ai, e ngriti edhe Presidenti i Republikës që vuri veton ndaj aktit normativ për nëpunësin civil. Këtë z. Bylykbashi e lidhi me shkeljen e Kushtetutës së Republikës.
“Komisioneri për Zgjerim i BE-së, z. Stefan Fule, kërkoi dje në Tiranë zbatimin e plotë të reformës së shërbimit civil, pra kërkoi zbatimin e ligjit të ri të nëpunësit civil.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve për antikushtetutshmërinë e veprimeve te saj, qeveria Rama-Meta i sfidoi ato me arrogance dhe po vazhdon me nxitim spastrimin e administratës publike dhe zëvendësimin në kundërshtim edhe me ligjin e vjetër të nëpunësit civil, veçanërisht nenet 23, 24 dhe 25 të tij. E gjithë kjo shkelje masive e ligjit, jo vetëm është një dhunim i shtetit të së drejtës dhe të drejtave individuale, por është edhe një dem ekonomik gjigant. Te gjithë këta mijëra nëpunës do të paguhen nga shteti për demin që u është shkaktuar nga kjo paligjshmëri masive. Shqiptarët do të paguajnë me taksat e tyre dy administrata, atë militante socialiste dhe atë që gjykatat do urdhërojnë të zhdëmtohet për shkarkimin e paligjshëm. Paralajmërojmë Drejtoreshën e sapo emëruar të Departamentit te Administratës Publike por edhe Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve se militantizmi dhe zelli politik nuk i çliron ata nga detyrimi për zbatimin e ligjit. Kjo drejtoreshë ka detyrë të kthejë mbrapsht si të paligjshme, të gjitha lirimet apo veprimet e tjera në dem të nëpunësve civile. Në të kundërt, Drejtoresha e DAP dhe çdo person tjetër përgjegjës, shkelin ligjin dhe do të përgjigjen penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dëmin ekonomik që shkakton ky shpërdorim. Partia Demokratike do të jetë në krah të profesionistëve të administratës dhe në mbrojtje të ligjit, si dhe do të ndjekë rrugën institucionale për të vënë shkelësit para përgjegjësisë që u takon të mbajnë”, – deklaroi Bylykbashi.
Presidenti Nishani i kërkon Rumanisë njohjen e Kosovës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim një delegacion parlamentar nga Rumania, i kryesuar nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Valeriu Zgonea.
Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentari Zgonea, njoftoi zyra e shtypit e Presidencës, ndanë të njëjtin mendim për marrëdhëniet tradicionale ndërmjet dy vendeve, rolit të Rumanisë në mbështetje të lëvizjes për pavarësi dhe të shtetit shqiptar dhe vlerësuan se në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, niveli i bashkëpunimit është shumë i mirë, por ka ende shumë mundësi për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në plan dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh.
Presidenti gjithashtu, falënderoi Rumaninë për mbështetjen e dhënë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe politikën e saj bazuar në parimin e gjithëpërfshirjes në rajon dhe i kërkoi Kryeparlamentarit që Rumania të mbështesë më tej Kosovën, duke argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte një akt tashmë i provuar në praktikë, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë.