Intervistë Violeta Lila: Zero tolerancë për vrasësit e djalit

0
170

Anxhela Tato

 

Ekzekutimi i 22-vjeçarit, familja kërkon dënimin maksimal për autorët

Reagon mamaja e Erjon Lilës: Njoftova policinë për konfliktin e djalit, por ata thjesht ndoqën makinën

 

 

LilaArrestimi i njërit prej autorëve të vrasjes së të riut Erjon Lila ka sjellë reagimin e familjarëve të viktimës. Në një intervistë mamaja e 22-vjeçarit tregon se kërkon zero tolerancë nga drejtësia për autorët e krimit të rëndë. Violeta Lila shprehet se është më e qetë tashëm që u vu në pranga njëri prej autorëve të krimit, por organet e drejtësisë duhet të japin dënimin maksimal. “Ngjarja është një tragjedi, një gropë shumë e madhe që nuk do të mbushte kurrë. Kam mbajtur të informuar shtetin për lëvizjet e Besart Lataj, duke u kthyer në një hetuese. Nuk kam dashur të veproj, pasi e lashë në dorë të drejtësisë. Uroj dhe shpresoj që të jepet dënimi maksimal për këtë bandë kriminelësh. Nuk dua në asnjë mënyrë që të ketë tolerancë ndaj atyre vrasësve të pamëshirshëm, që i morrin jetën fëmijës tim”, shprehet nëna e 22-vjeçarit Erjon Lila. Më tej shton se ditën e ngjarjes ka vënë në dijeni policinë për konfliktin e djalit, e cila nuk i mbrojti jetën 22-vjeçarit. “Kam vënë në dijeni policinë që djali ishte konfliktuar dhe ata çfarë bënë, ndoqën nga pas makinën e djalit tim dhe më thoshin: Rri e qetë se djali po të vjen në shtëpi”. E revoltuar dhe me zërin që i dridhet Violeta Lila rrëfen se në trupin e 22-vjeçarit është gjuajtur katër herë me thikë dhe levë, por goditja finale që i morri jetën iu dha nga Shaban Lataj. Ky i fundit i ka zënë pritë 22-vjeçarit, duke e goditur me levë në kokë. Ndonëse ngjarja është parë nga shumë kalimtarë, asnjë prej tyre nuk ka reaguar. “Djali nuk donte të vinte në shtëpi i gjakosur, pas goditjeve me thikë që i kishin dhënë Sebastjan dhe Besart Lataj. Rrugën ia ka prerë Shaban Lataj, një burrë 54 vjeç, i cili e ka goditur Erjonin me levë pas kokë. Kjo ishte goditja vdekje prurëse për djalin, i cili i kishte kërkuar ndihmë që ta çonte në spital”, vijon rrëfimi i nënës së Erjon Lilajt, i cili u vra më 17 janar të këtij viti.

Reagimi

“Jam më e qetë që u vu në pranga njëri nga autorët, Besart Lataj. Ai bashkë me vëllanë dhe babanë janë një bande kriminelësh, që i morën jetën fëmijës tim. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në pritje se çfarë do të bënte shteti dhe drejtësia, por kërkojmë zero tolerancë ndaj atyre kriminelëve. Drejtësia duhet ti japë dënimin maksimal, ata meritojnë dënim me vdekje për çka bënë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë tolerancë ndaj asaj familje, që i mori jetën fëmijës tim. Përsa i përket të arrestuarit, unë u ktheva vetë në një hetuese, duke e kontrolluar çdo lëvizje të tij. Kam mbajtur të informuar shtetin që ai djali ikte dhe vinte natën. Por nuk mund të veproja, pasi doja që drejtësia të vihet në vend nga shteti dhe i lashë atyre të drejtën për të marrë masa. Por fatkeqësia që i ndodhi familjes sime nuk mund të më lejonte që të rrija me duar në xhepa. Unë u ktheva hetuese për jetën e djalit tim, që ia morri ajo bandë kriminale. Nuk di çfarë të them dhe me çfarë fjalësh ta përshkruaj atë që na ndodhi ne. Krimi është një gropë shumë e madhe, e cila nuk dot mbushet asnjëherë. Edhe sikur ata njerëz të dënohen me dënim me vdekje, nuk mund të shlyhet ajo çka ata bënë. Më vjen keq që maksimumi i dënimit për tre vrarës gjakftohtë është vetëm burgimi i përjetshëm. Pas asaj që ndodhi nuk kam lejuar asnjë pjesëtar të familjes sime që të merrte hak, ndonëse fatkeqësisë dhe tragjedisë që na bënë. Dhe unë nuk e kuptoj sesi mamaja e dy djemve bisha, pasi të tillë janë ata të dy që më vranë djalin, thoshte që ka një burrë zotëri. Ai i morri jetën djalit dhe i dha goditjen finale”.

Ngjarja

“Në lidhje me ditën e ngjarjes mund të them se unë nuk jam thirrur në prokurori, por kam dhënë dëshminë time me shkrim. Dëshmia ime është dërguar te Kryeprokurori Adriatik Llalla si dhe në polici. Nuk mund ta harroj kurrë atë ditë të zezë, pasi kam qëndruar gjithë kohës pranë djalit. Mbaj mend që djali im kishte dalë me shokët për të pirë diçka dhe kishte marrë makinën. Ai ishte një fëmije flori, pasi ne mbaheshim me lekët e tij. Punonte që të mbante familjen. Ditën e ngjarjes djali ishte me makinë dhe pasi kishte dalë me shokët po kthehej për në shtëpi. Atij i ka dalë një makinë para, të cilën për pak sa nuk e ka goditur. Këtu ka nisur edhe konflikti i parë që do i merrte jetën fëmijës tim. Kanë bërë fjalë dhe djali i ka thënë që të mos acarohen se nuk ka ndodhur asgjë. Vihem në dijeni për çka kishte ndodhur dhe njoftoj policinë që të bllokonte makinën e djalit. I them që djali kishte pirë pak dhe ishte zënë me një person. Policia bënte xhiros pas makinës së djalit tim dhe më thotë që djali po më vinte në shtëpi dhe të rrija e qetë. Më pas më merr në celular shoku i djalit dhe më thotë se kishte parkuar makinën dhe im bir ishte te lokali i lagjes. Dal jashtë, pasi nuk më linte meraku si nënë dhe aty shikoj një Benz të zi, që nuk ishte i lagjes. Madje bisedoj edhe me një komshie se e kujt ishte makina. Në këto momente vjen një burrë dhe futet brenda, ky ishte Shabani që vrau djalin. I them komshies që ky është personi, me të cilin ishte konfliktuar Erjoni. Më pas marrë vesh që dy djemtë i kishin dalë djalit tim para dhe e kishin goditur me thikë 3-4 herë, duke ia ngulur thellë. Meqë djali kishte pasur merak të vinte në shtëpi i gjakosur, i kishte rënë nga një rrugë tjetër. Aty i kishte zënë pritë babai i dy djemve dhe i kishte rënë me levë në kokë. Madje im bir i kishte kërkuar ndihmë për ta çuar në spital. Ai e goditi me levë dhe pas disa minutash djali ra në tokë dhe humbi jetën”.

 

Vrasja e 22-vjeçarit për një gërvishtje makine, pranga Besart Latajt

Nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur prangosja e njërit prej autorëve të ngjarjes së rëndë të ndodhur me 17 janar të këtij viti në rrugën “Siri Kodra”, ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Erjon Lila. Arrestimi është bërë mbrëmjen e së martës nga seksioni i krimeve të rënda të policisë. Policinë e Kryeqytetit duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë arriti të kapte dhe arrestonte autorin e dyshuar Besart Lataj, 28 vjeç, banues në Tiranë. Në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë me Nr. 502 akti, të datës 23 prill caktoi masën e sigurisë arrest me burg. Autori i dyshuar, në bashkëpunim me babanë e tij shtetasin Sherif Lataj dhe vëllanë Sebastjan Lataj, kanë vrarë me mjete të forta shtetasin Erjon Lila. Dosja është dërguar në Gjykatën e Tiranës, ku është bërë pjesë e shortit elektronik. Në ngarkim të tre të dyshuarve rëndon akuza e vrasjes me paramendim.

 

Përplas kokën në gur, vdes 17-vjeçari

Një adoleshent ka gjetur vdekjen në oborrin e shkollës, në fshatin Hotolisht të Librazhdit, ku teksa luante me shokët e tij, 17-vjeçari Dorian Çekrezi, është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në një gur. Burime nga policia bënë të ditur se megjithë ndihmën e menjëhershme të shokëve dhe mësuesve të shkollës për ta dërguar në spitalin e rrethit të Librazhdit, 17-vjeçari humbi jetën rrugës për në spital. Paraprakisht, mjekët dyshojnë se vdekja e 17-vjeçarit ka ardhur si pasojë e një hemorragjie cerebrale, pasi në momentin kur ka rënë në tokë, ai ka përplasur kokën në një gur, e cila ka rezultuar fatale për jetën e adoleshentit. Në pritje të një përgjigje zyrtare për shkaqet e vdekjes së 17-vjeçarit, Policia ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit të Hotolishtit, lidhur me rrethanat e ngjarjes.

 

Aksident automobilistik, 1 i vdekur dhe 3 të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur, mbrëmjen e djeshme, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Burime nga policia bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në Vorë, ku dy makina janë përplasur për shkaqe ende të panjohura. Momentalisht nuk ka të dhëna rreth identitetit të viktimës, ndërsa të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.