Qytetarët: Ne fituam
Driçim Çaka
Fitore! Fitore! Fitore! Këto ishin thirrjet e vazhdueshme të protestuesve menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit për t’u thënë “jo” armëve kimike. Protestuesit pas vendimit: “Karrigia është e Kryeministrit, por pushteti është yni!” Protesta në të gjitha qytetet e Shqipërisë
Më rënien e këmbanës të Shën Palit në orën 5 dhe numërimin mbrapsht të mbi 20 mijë qytetarëve para Kryeministrisë, ka marrë fund ankthi dhe stresi që i shoqëronte prej një jave. Fitore! Fitore! Fitore! Këto ishin thirrjet e vazhdueshme të protestuesve menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit për t’u thënë “jo” armëve kimike. Me brohërima, fishekzjarre dhe duartrokitje të gjithë e kanë quajtur betejën të fituar. “Ne fituam, studentët fituan, Shqipëria fitoi”, – thoshin protestuesit.
Protesta
Mijëra studentë dhe qytetarë u ngujuan që nga dita e enjte para Kryeministrisë. Një pjesë e tyre nuk pranuan të largoheshin, duke e kaluar natën aty, në shesh. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, studentëve që qëndruan natën para Kryeministrisë, iu bashkuan mijëra qytetarë, nxënës dhe studentë të tjerë. Duke u mbledhur së bashku me pankarta ku kërkonin t’u thuhej “jo” armëve kimike, protestuesit kanë marshuar në bulevard drejt Kryeministrisë. Herë të ulur këmbëkryq, herë në këmbë duke kërcyer, protestuesit kanë kënduar gjatë gjithë kohës këngë patriotike, kanë bërë thirrje qeverisë ti thotë “jo” helmeve siriane si dhe kanë duartrokitur qytetarë të shumtë që njëri pas tjetrit i drejtoheshin mikrofonit për të folur. “Cilën pjesë të “JO”-së nuk kuptoni”, – thoshte një vajzë nga Siria e cila kërkonte që helmet të mos vinin në Shqipëri. “Shikoni këtë shesh që është mbushur plot e përplot, ky është një mesazh për qeverinë, shpresoj që ta kuptoni qartë se çfarë duam të themi”, – tha një nga protestuesit. “Mos na helmoni, nuk e duam Shqipërinë me helme”, – thoshte një tjetër protestuese. Vazhdimisht, të nxitur dhe nga moderatorët, protestuesit thërrisnin “Shqipëri etnike, jo armë kimike”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Unë vendos, unë them jo”.
Studentët
Për t’i dhënë akoma më shumë rëndësi protestës, menduan studentët. Një pjesë e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë krijuan një rreth dhe të gjithë u ulën në gjunjë për disa orë rresht. Mes tyre ata kishin vendosur pankarta të ndryshme, ku kërkonin një Shqipëri të pastër dhe pa armë kimike. “Jam studente për Drejtësi dhe gjatë 2 viteve kam mësuar se drejtësia ekziston, nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm të dëgjohet zëri ynë”, – u shpreh për gazetën një studente e që studion për drejtësi. Nga ana tjetër studentët e Mjekësisë përsëri, ditën e djeshme kishin ardhur me përparëset e tyre dhe me maska në fytyrë. “Vijmë këtu si studentë të lirë me bindjen se ato armë janë të rrezikshme për ne dhe një vend vetëm me 28 mijë km nuk meriton të shkatërrojë 1000 tonë helme”, – tha një studentet e Mjekësisë.
Nxënësit
Pjesa më e madhe e nxënësve të shkollave të mesme në Tiranë nuk pranuan të zhvillonin mësim ditën e djeshme. Ata u paraqitën vetëm disa momente në shkollë dhe më pas janë nisur drejt sheshit para Kryeministrisë. Ka pasur dhe raste, si drejtori i shkollës “Andon Zako Çajupi”, i cili kërcënoi nxënësit se do t’i përjashtonte nëse ata largoheshin nga mësimi.
Myslimanët iu bashkuan protestës
Në mesditë me protestuesit janë bashkuar dhe besimtarët myslimanë. Besimtarët kanë kryer ritin e faljes në sheshin e protestës para godinës së Kryeministrisë. Pasi kanë dëgjuar zërin e Hoxhës nga xhamia që ndodhet disa dhjetëra metra poshtë vendit ku zhvillohet protesta, protestues të besimit mysliman kanë kryer ritin e faljes.
Në shesh, artistë dhe aktorë
Protestës së djeshme i janë bashkuar artistë dhe aktorë të njohur. Midis tyre kanë qenë aktori Mirush Kabashi, këngëtarët Alban Skënderaj dhe Mirjam Cani, Ardit Gjebrea, Aurela Gaçe, si dhe shumë artistë të tjerë. Aktori i njohur Mirush Kabashi ka përshëndetur protestën dhe ka kërkuar që të dëgjohet zëri i qytetarëve. “Më duket se janë të panumërta dhe specialistët e kanë vërtetuar pse nuk duhet të vijnë. Do të ishte një minë me sahat për të dëmtuar dhe sadopak miqësinë dhe mirënjohjen që ka populli për Amerikën. Është entuziazëm. Që atë që s’e kanë pasur këllqe për të mbrojtur politikanët po e bën shoqëria civile. Ringjallja e mentalitetit të demokracisë pas 23 vitesh në shoqërinë tonë duhet të na bëjë krenarë. I ka të dyja elementet: Atë të ndërgjegjësimit për të marrë vetë fatet, kur s’e bën politika dhe për t’i thënë jo marrëveshjes që ka hyrë në pazar. Unë kam ardhur për të bashkuar zërin tim modest”, – tha Kabashi gjatë një prononcimi në televizion.
Ankth te protestuesit
Pas orës 4 të pasdites kanë qenë të shumtë protestuesit të cilët lëviznin poshtë-lart bulevardit. Dikush ecte vetëm për të kaluar kohë, ndërsa të tjerë pyesnin: A vajti ora 5? Të gjithë shikonin orën dhe telefonat, ndërkohë që nuk harronin të thërrisnin “Thuaj jo, thuaj jo, thuaj jo”. Pak para orës 17:00, kanë qenë të shumtë qytetarët që iu bashkuan protestës. Prindër me fëmijë, çifte, vajza dhe gra të gjithë ishin aty për të pritur vendimin e qeverisë. Durimi duket se u sos te qytetarët, aq sa një djalë i ri thërriste shpesh, “Poshtë qeveria, poshtë qeveria”. Menjëherë sapo Kryeministri Rama filloi të fliste, protestuesit e kanë dëgjuar nga një telefon i cili u vendos para mikrofonit. Pjesën më të madhe të fjalëve nuk i kuptonin për shkak se bokset nuk e transmetonin qartë zërin, por gjatë gjithë kohës shpreheshin, “Thuaj jo, pra, nuk duam fjalë të tjera”. Në disa momente, protestuesit nuk kanë dashur të dëgjonin fjalën e Kryeministrit, duke brohoritur, “Jo, jo, jo”. Ndërhyrja e moderatorëve bëri që të qytetarët të qetësoheshin dhe të prisnin fjalën e fundit të Kryeministrit.
Vendimi, të gjithë me duar lart
Ka qenë ora 17:35 minuta, kur pas një fjale të gjatë, Kryeministri Edi Rama u tha “jo” armëve kimike në Shqipëri. Të gjithë me duar lart, të gjithë me thirrjet “Fitore, Fitore”, e mirëpritën vendimin e qeverisë. “Ne fituam”, Ne ia dolëm”, “Kjo është Shqipëria”, – thërrisnin të gëzuar protestuesit. Ka pasur nga ata qytetarë të cilët nuk i mbajtën dot emocionet dhe shpërthyen në lot. Me fishekzjarre dhe duke kërcyer për rreth 20 minuta të gjithë festuan përpara sheshit te Kryeministria. “Kjo është fitore për ne, treguam se janë shqiptarët që vendosin për fatin e tyre dhe jo një njeri i vetëm”- u shpreh një protestuese e gëzuar pas marrjes së lajmit. “Ne nuk do të largoheshim nga ky shesh nëse vendimi do të ishte pozitiv, ndjehemi krenarë që u dëgjua zëri ynë”, – tha një tjetër protestues. “Për herë të parë, shqiptarët nuk u mblodhën nga partitë politike, por erdhën këtu me dëshirën e tyre dhe kjo bëri që vendimi të ishte thjesht një “jo””, – tha një tjetër protestuese. “Karrigia është e Kryeministrit por pushteti është i joni”, – u shpreh një protestues duke u larguar. Pas orës 18.00, protestuesit janë larguar të entuziazmuar dhe në fytyrat e tyre dallohej qartë ajo që donin të thoshin: Fituam!
Protesta në të gjithë Shqipërinë
Elbasan, Korçë, Durrës, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Krujë, Pogradec, Ersekë, Peshkopi, Berat, kudo është protestuar ditën e djeshme. Fillimisht kanë qenë nxënësit dhe studentët që braktisën mësimin dhe më pas qytetarë të thjeshtë. Të gjithë protestuesit kishin në duar pankarta kundër ardhjes së armëve kimike nga Siria. “Ne nuk i duam armët kimike. E gjithë Korça është kundër armëve kimike. Kemi mesazh për të gjithë qeveritarët, të justifikojnë votat që kanë marrë. Jemi kundër armëve kimike”, – tha një protestues nga Korça.
Bllokohet Porti i Durrësit
Një grup i madh të rinjsh, gjimnazistë dhe studentë, por edhe banorë të qytetit të Durrësit bllokuan dy kalimet për në Portin e Durrësit. Të nxitur prej idesë se aty do vijnë kamionët me lëndët kimike siriane ata kanë bllokuar kalimin, duke penguar edhe punën normale të portit. Kompania që kujdeset për sigurinë e portit ka ndërhyrë menjëherë për të penguar hyrjen e protestuesve në zonën portuale ndërkohë që është kërkuar edhe ndërhyrja e Policisë së Rendit. Protestuesit përfunduan në hyrjen e portit pas një marshimi në rrugët e qytetit. Ata e ndalën marshimin në hyrjet e portit duke mos lejuar asnjë mjet dhe kamion të lëvizë që aty. Pas disa momentesh negociata me policinë, u arrit marrëveshja për lirimin e portit.
35 mijë firma kundër armëve kimike
Mbi 35 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj kanë firmosur në internet peticionin e ‘Aleancës Kundër Importit të Plehrave’ kundër pranimit të armëve kimike të Sirisë nga Shqipëria. Në orët e mesditës së të premtes, ky peticion u dorëzua zyrtarisht nga përfaqësuesit e aleancës në selinë e Kryeministrisë. Nëpërmjet tij, Aleanca Kundër Importit të Plehrave i bën thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë zërin e qytetarëve, duke refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të importuar dhe shkatërruar në territorin e Republikës Shqiptare armët kimike të Sirisë. Po ashtu në peticion theksohet se ‘Shqipëria nuk ka kapacitetet e ruajtjes së mbetjeve të rrezikshme dhe as stabilitetin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e këtyre mbetjeve’. 5 mijë firmat nga qytetarë nga Shqipëria dhe rajoni por dhe vende të tjera si Shtetet e Bashkuara u mblodhën brenda pesë ditëve ndërkohë që numri i tyre online vazhdon të shtohet.