Ministri i Jashtëm, Bushati / Pse hezitoi Shqipëria t’u thoshte “jo” armëve kimike

0
119

bushatiBushati: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të pasohen nga procesi i ripajtimit

Një ditë pas deklaratës së Kryeministrit Rama për çështjen e armëve kimike, ka reaguar dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke bërë të ditur pozicionin e tij për hezitimin që pati qeveria shqiptare për t’i thënë “jo” demontimit të arsenalit kimik të Asadit në Shqipëri. Në një intervistë për “DW”, ministri Bushati thotë se gjatë konsultimeve me SHBA-në nuk ka pasur asnjë vendim dhe vendi ynë është kontaktuar edhe kuadër të eksperiencës që ka pasur më parë lidhur me demontimin e lëndëve kimike. Hezitimi i Shqipërisë për t’i thonë “jo” këtij procesi ka ardhur edhe për nga fakti që dëshira dhe vullneti politik për të kontribuar në çështje globale, thotë Bushati, “një çështje ku rreshtimi i Shqipërisë pranë aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë do t’ia shtonte kredibilitetin në arenën ndërkombëtare. Kjo bëhet gjithmonë në përputhje me mundësitë, aftësitë, kapacitetet, teknologjinë dhe ndjeshmërinë që ka opinioni publik për një çështje të tillë”, – thotë Bushati në intervistën e tij.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i quan më se të ligjshme dhe demokratike protestat në shesh, teksa thekson edhe faktin se me këtë çështje u spekulua nga segmente të caktuara të politikës. Ai shton se marrëdhëniet me SHBA-në pas kësaj ngjarjeje nuk janë cenuar.

Zoti Bushati, bisedën po e bëjmë në një kohë kur në Shqipëri, rajon apo dhe në botë, po protestohet dhe diskutohet mundësia e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Pavarësisht përgjigjes që jep Kryeministri Rama, është mirë për opinionin publik të dihet më saktë se si filloi kjo “histori”, pse u zgjat kaq shumë? Ju akuzojnë madje edhe për mungesë transparence.

Ditmir Bushati: “Ky është një proces i rëndësishëm për sa i përket njerëzimit, i rëndësishëm në kontekstin e drejtësisë ndërkombëtare, është i rëndësishëm në kontekstin e rendit ndërkombëtar dhe i rëndësishëm i precedentit që do të krijojë. Nisur nga ky prizëm do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që të mos bija në grackën e replikave apo spekulimeve politike për konsum të brendshëm. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, është një ndër aleatët kryesorë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, është një vend i cili është mbështetur bujarisht nga Shtetet e Bashkuara si dhe nga disa aleate të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në NATO dhe është një vend që ka mbajtur linja komunikimi, konsultimi të ngushta me aleatët ndërkombëtarë si për sa i përket krizës në Siri ashtu edhe të disa zonave të nxehta të globit, si në Afganistan, në Irak, në Mali etj. Dihet po ashtu që në disa nga këto vende Shqipëria është kontributore e paqes dhe stabilitetit krah për krah me aleatët tanë strategjikë. Pra në këtë pikëpamje unë jam krenar si ministër i Jashtëm i Shqipërisë që vendi im është kontaktuar për të konsideruar mundësinë e kontributit në këtë proces, i cili pavarësisht se ka të bëjë drejtpërdrejt me Sirinë, pra me shkatërrimin e armëve kimike, kjo nuk është një çështje e Sirisë, por një çështje ndërkombëtare, një çështje amerikane dhe ca edhe evropiane. Në këtë kontekst ne jemi kontaktuar për të shikuar mundësinë si dhe ku mund të kontribuonim. Pra për të parë mundësinë e këtij angazhimi. Kjo ka qenë e gjithë historia. Ku për fat të keq u shoqërua me spekulime të faktorëve politikë.

Pra nuk bëhet fjalë as për vendim për tu përfshirë në këtë proces, nuk bëhet fjalë as për negociata, nuk bëhet fjalë as për detaje të këtyre negociatave dhe mund t’ju them që për shkak të vështirësive të panumërta që hasen në terren, asnjë prej aleatëve nuk e ka sot për sot 100% të saktë panoramën e jo më të flitet për negociata që mund të jenë bërë me dyer të mbyllura ku shoqëria apo parlamenti paska mbetur i painformuar. Nuk bëhet fjalë për asgjë më tepër. Edhe një herë po ju them se jemi kontaktuar për të parë mundësinë e përfshirjes dhe nuk ka pasur vendimmarrje, sepse në një proces të tillë natyrisht si në çdo vend demokratik qeveria jonë do të shkonte në parlament për të marrë një mbështetje apo një vendimmarrje për një hap të tillë. Sigurisht që këto çështje janë delikate. Shqipëria ka një eksperiencë pozitive për këtë çështje sikundër mirëkuptoj gjithë qytetarët për reagimin që kanë pasur për këtë çështje. Ka eksperiencë pozitive, sepse është ndër vendet e pakta në botë që ka fshirë nga harta ekzistencën e armëve kimike falë projektit dhe mbështetjes amerikane, por pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, tek qytetarët është krijuar me të drejtë një ndjeshmëri të lartë. Ne për asnjë moment nuk kemi luajtur me shpatullat e njoma të Shqipërisë dhe kemi qenë jashtëzakonisht gjakftohtë dhe të kujdesshëm për të mbajtur linjat e komunikimit hapur me patnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht me SHBA dhe me disa vendet kyce në Bashkimin Europian. Çdo gjë tjetër ka qenë veçse një spekulim”.

Por pse hezitoi deri tani Shqipëria të thoshte “jo”? Ju ishit të papërgatitur për një situatë të tillë?

Ditmir Bushati: “Hezitimi vjen jo vetëm nga faktet që thashë më sipër, por edhe nga fakti që dëshira dhe vullneti politik për të kontribuar në çështje globale, në një çështje ku rreshtimi i Shqipërisë pranë aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë do t’ia shtonte kredibilitetin në arenën ndërkombëtare. Kjo bëhet gjithmonë në përputhje me mundësitë, aftësitë, kapacitetet, teknologjinë dhe ndjeshmërinë që ka opinioni publik për një çështje të tillë. Pavarësisht spekulimeve, pavarësisht keqinformimeve apo mosinfomimeve që e ka rrethuar këtë proces, unë do ta quaja krejt normale këtë që ndodhi sepse kjo është shenjë e qartë e pjekurisë së opinionit publik që të reagojë ndaj një çështje të caktuar. Madje mënyra si është protestuar ka qenë tërësisht demokratike dhe tërësisht legjitime”.

 

 

Kastriot Islami: Përse duhet të gëzojnë shqiptarët?

Deputeti i PD-së, Kastriot Islami, kritikon ashpër Kryeministrin Edi Rama lidhur me qëndrimet e mbajtura për çështjen e armëve kimike. Islami thotë se Kryeministri u përpoq të mbante të fshehur çdo gjë që pati lidhje me atë proces, si me shqiptarët ashtu me aleatët, opozitën dhe kreun e shtetit shqiptar. Në një analizë të tij, deputeti Islami argumenton se përse shqiptarët duhet të gëzojnë pas një vendimi të tillë.

“Së pari sepse shqiptaret i thanë JO ardhjes së armeve kimike siriane dhe kështu mbrojtën të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre, pavarësisht se deri në 17.30 Rama u përpoq ti mashtronte ata në heshtje ose duke e paraqitur vendimin e tij PRO armëve kimike si një vendim në favor të shqiptarëve, por që në fakt ishte një vendim thjesht për interesat dhe kredon e tij politike dhe kunder interesave të tyre.

Së dyti sepse shqiptaret i thane JO një vendimi të fshehtë të Ramës, të gabuar, dhe të pakonsultuar as me publikun, as me shoqerinë civile, as me opozitën dhe as me Presidentin e Republikës, një vendimi individual dhe klientelist.

Se treti sepse shqiptaret duke i thënë JO armëve kimike dhe Ramës treguan dinjitet por edhe respekt reciprok me partneret strategjikë ndryshe nga Rama që për interesa personale kishte shitur interesat e tyre dhe me tërheqjen i zhgënjeu partnerët.

Së katërti, sepse shqiptarët goditën fuqimisht dhe ndaluan sjelljen autoritare të Ramës për të mos u konsultuar me aktorët e faktorët brenda mazhorancës, me opozitën, me Kuvendin, me Presidentin, me institucionet, me shoqërinë civile dhe mbi të gjitha me publikun”.

 

 

 

“Armët e Sirisë”, Vasili: Meta u informua aq sa duhej

Kryetari i grupit kuvendor të LSI-së, Petrit Vasili, tha se Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i informuar për aq sa i takon atij për pozicionin që mban. Sipas Vasilit, këto çështje në fillim kanë natyrë rutinore dhe prandaj qeveria hezitoi të merrte një vendim, ndërkohë që më pas, tha ai, gjatë konsultave, hyhet në detaje.

I pyetur, nëse Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ishte i informuar për këtë çështje kaq sensitive, Vasili u shpreh: “E para duhet të ndajmë që nuk kishte marrëveshje, kishte negociata si të mundësohet operacioni, në këtë raport ka qenë edhe Kryeministri Rama, gjithmonë në fillim shprehet gatishmëria. Në këtë çështje ka qenë korrekt Kryeministri Rama që ka shprehur gatishmëri pozitive, ndaj të njëjtin mendim me të, deklarata e tij ishte unikale, rrallë është pritur kaq gjatë një përgjigje nga Kryeministri në mënyrë të depolitizuar. Sigurisht, kryetari i Parlamentit Ilir Meta u informua për aq sa duhej të informohej, lidhur me një negociatë e cila është një trajtim rutinor në fillim, kjo pjesë rutinë konsumohet në këtë mënyrë, pastaj bisedohet më tej, ju e dini sa kohë zgjati vendimmarrja për gazsjellësin TAP”.

Në lidhje me etapat që u ndoqën deri në marrjen e vendimit, kreu i grupit kuvendor të LSI, Vasili theksoi: “Vendimi i Kryeministrit Edi Rama ishte racional dhe gjakftohtë, por kurrsesi i lehtë. U dëgjuan të gjitha argumentet, u vlerësuan mundësitë reale të Shqipërisë, por operacioni nuk mund të shkonte deri në fund. Por me këtë çështje duhet thënë që u evidentuan cilat janë mundësitë dhe shpatullat e Shqipërisë”.

Sa u përket efekteve të këtij vendimi në lidhje me marrëdhëniet “e nesërme” të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Petrit Vasili theksoi se Departamenti Amerikan i Shtetit pas marrjes së vendimit, shmangu çdo keqkuptim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency