Nga Artan Fuga
Territori i Shqipërisë nuk pastrohet me mobilizime me aksione fshirjesh dhe larjesh si punë vullnetare. I ka kaluar koha fshirjes dhe spërkatjes të rrugicës, pragut të derës apo oborrit të pallatit. Një kohë e kapërcyer nuk mund të kthehet më sado nostalgjike të jetë. Ka marrë fund komuniteti i lagjes në qendrat urbane. Nuk mund t’u kërkohet njerëzve të pastrojnë atë që bëjnë pis, e ndyjnë bizneset, tregtarët, apo që ndotet nga mungesa e rregullave urbane, nga pakujdesia e pushtetarëve, nga korrupsioni apo pakujdesitë e atyre që qytetari paguan pikërisht për të mbajtur patërt mjedisin. Të mos hedhësh plehrat te cepi i pallatit patjetër dhe kjo kërkon ndërgjegjësim dhe mobilizim qytetar, por nuk është fare këtu çështja.
Si do të bëjmë për të pastruar frutat dhe perimet nga pesticidet?
Si do të bëjmë të pastrojmë ajrin nga ndotjet prej karburanteve dhe djegia e tyre?
Si do të pastrojmë ajrin me pyje dhe kurora pyjesh rreth qyteteve?
Si do të pastrojmë spitalet, shkollat, wc e tyre që vijnë erë?
Si do të pastrojmë lumenjtë nga mbetjet industriale dhe ujërat nëntoksore të helmatisura?
Kush mendon se këto pastrohen në një ditë dhe duke u ngritur me fshesë në dorë, me kova uji dhe bidona është në një rrugë që nuk të çon kund.
Nuk realizohet strategjia e një mjedisi ekologjik të pastërt me aksione vullnetare me goditje të përqendruar. Si do të bëhet me tymrat e metalurgjikut në Elbasan?
Si do të bëhet me pluhurin dhe baltën e ndërtimeve?
Si do të bëhet me higjienën ushqimore dhe të pazareve ku tregtohet në tokë?
Si do të bëhet me përpunimin e plehrave urbane në landfillet skandaloze? Kanceret, infeksionet, dhe sëmundjet e tjera po e mbysin këtë popull. Duhen ligje, duhet kontroll, duhen gjoba për ndotësit, duhen strategji ekonomike.
Nuk zgjidhen çështjet as me mbyllje, shkatërrime dhe prishje. Çështja nuk është të mbyllësh guroret apo furrat e gëlqeres sepse një pastërti e shoqëruar me papunësi nuk vlen, por si të bêhet që ato të shoqërohen me politika mbrojtjeje mjedisi dhe këtu duhen teknologji, kuadre ligjore dhe strategji. Nuk del gjë me urdhrin ushtarak : “pastrim territori”, as me fshesa dhe bidona të shpuar për spërkatje në duar, sado të mira të jenë qëllimet, aq më shumë kur në shumê vende edhe uji i çezmave është i papijshëm në apartamente. Çmimi i ujit të pijshëm është bërë në muaj sa gjysma e pensionit të një oficeri në lirim.