Post-vendimi për armët kimike Shehi: Mos i kishim hyrë kësaj valleje. Deputeti i PS, Toçi: Provë e parakohshme për ne

0
173

 

Tabaku: Duhet kërkuar ndjesë për ankthin e shkaktuar në publik. Bello: Habitem me ata që “kritikojnë” protestuesit si shkaktarë të gjoja prishjes se miqësisë me SHBA

DashamirNegociatatat me SHBA-në dhe vendimi i marrë nga kryeministri Rama për armët kimike të Sirisë komentohet me qëndrime të ndryshme nga klasa politike shqiptare. Opozita nga njëra anë e ka cilësuar të gjithë këtë çështje si një mungesë të thelluar të transparencës nga ana e kreut të qeverisë e ndërkohë ligjvënësit e mazhorancës duket se janë mjaftuar me përgjigjen negative të kreut të qeverisë. Për kreun e LZHK-së Dashamir Shehi, protesta e qytetarëve ishte një leksion për kryeministrin e vendit e mazhorancën por në të njëjtën kohë edhe për opozitën. “Rama mori një vendim që duhej marrë, dhe pse e mira ishte të mos hynim fare kësaj valleje. Mendoj që ka menduar gabim që këtë ta mbyllte i vetëm, por këto janë rrethanat e politikës. Kemi dalë fitimtarë nga kjo situatë”, tha Shehi për “AS”, duke nënvizuar se,  “Piazën do ia lëmë qytetarëve dhe jo politikës, por në Shqipëri populizmi politik është i dëmshëm, sepse ne po shohim për herë të parë që opinioni publik është jashtë mobilizimit partiak, kjo sipas meje është gjë e mirë”. Ndërsa për deputetin e PS-së Fatmir Toçi, përgjigja negative e kryeministrit për demontimin e armëve kimike të regjimit të Asadit, ishte lehtësim dhe për vetë maxhorancën, deputetet e së cilës ishin vënë në presion nga elektorati për ti dalë kundër kësaj nisme.  “Kjo situatë ishte një provë e parakohshme për politikën shqiptare, sepse vendi ynë ka probleme tjera për të zgjidhur. Ajo ishte një përgjigje e një kryeministri që ka marrë përsipër të drejtojë vendin. I gjithë elektorati ka qenë i lutur të mbajë një qëndrim në të mirë të vendit.  Ky ka qenë qëndrimi i duhur që duhej mbajtur në këto kushte” tha Toçi, i cili kritikoi opozitën që tentoi të politizonte protestën.

Reagimet

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku reagoi dje lidhur me nismën e ndërmarrë nga kreu i qeverisë dhe ministri i Mirëqenies Sociale për aksionin e pastrimit të Shqipërisë, ku tha se kjo çështje nuk mund të ketë krahasim me atë të armëve kimike siriane. Duke bërë të ditur në rrjetin social “facebook” se ka qenë një nga deputetet e para që është prononcuar mbi këtë çështje, Tabaku theksoi se qeveria dhe kryeministri duhet të kërkojnë ndjesë për ankthin e shkaktuar në publik.  Ligjvënësja demokrate e vlerëson lëvizjen e të rinjve si një lëvizje të pastër që shpëtoi vendin nga një eksperiment i rrezikshëm. Ndërkohë ish-deputeti i PS-së Marko Bello pasi vlerësoi nismën për pastrimin e vendit, kritikoi të gjitha ato qëndrimi që po stigmatizojnë protestuesit me arsyen sipas tij se vendi ka humbur terren në raport me partneritetin me SHBA-në. “Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje shqiptareve që në frymën pozitive që ngjallen protestat e këtyre ditëve, të bashkohen në 22 nëntor për ta pastruar vendin nga plehrat që po e mbysin. Kjo është një shenjë e qartë e reflektimit qytetar të shefit të qeverisë, çka premton se kabineti që ai drejton do të jetë edhe më i vëmendshëm ndaj shqetësimit të popullit në të ardhmen. Por, të habit fakti se disa të tjerë, duke kujtuar se i shprehin besnikërinë liderit të tyre, kanë filluar të stigmatizojnë protestuesit si shkaktare të gjoja prishjes së miqësisë me SHBA, madje t’i akuzojnë ata se medemek i “kanë hequr një shans të madh vendit” nga ardhja e armeve kimike!”.

 

 

Plani i miratuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve kimike, ende s’është vendosur për vendin

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka aprovuar një plan të detajuar për shkatërrimin e arsenalit sirian deri në mesin e 2014-s. Sipas rrjetit “CNN”, vendi ku mund të shkatërrohen këto armë pas refuzimit të Shqipërisë mund të jetë përcaktuar, por ai ende nuk bëhet ende i njohur.
Një mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ONAK-ut ndodhet në Siri që prej muajit Tetor, duke mbikqyrur inspektimin dhe magazinimin e armëve kimike të deklaruara nga Bashar al-Assad. ONAK-u supozohej të arrinte në një plan përfundimtar dy ditë më parë, ndaj edhe 15 Nëntori ishte kufiri brenda  të cilit Tirana zyrtare duhet t’i jepte një përgjigje propozimit amerikan për të qenë ne vendi pritës i 1,3 tonëve lëndë kimike të Sirisë. Pavarësisht se cili do të jetë vendi pritës, në bazë të planit të miratuar, armët kimike duhet të largohen nga Siria përpara 5 Shkurtit 2014, ndërsa shkatërrimi i tyre i plotë duhet të ndodhë jo më vonë se Korriku i vitit të ardhshëm. ONAK-u përcaktoi dje se substancat më të rrezikshme, ato që përbëjnë armët kimike do të largohen nga Siria përpara fundit të këtij vit.

 

 

 

Ankimimi i PD-së për Korçën / Sot vendos Kolegji

Kolegji Zgjedhor do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur lidhur me ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Bashkinë e Korçës. Pasi janë marrë në shqyrtim provat e paraqitura nga demokratët, mes të cilave edhe videoja e emisionit “Fiks Fare”, Kolegji do të vendosë nëse do të ripërsëriten zgjedhjet për këtë bashki. Disa ditë më parë përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike e ankimuan procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në qytetin juglindor të vendit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por mungesa e kuorumit të këtë komision, bëri që PD ta dërgonte këtë çështje në gjykatë. Për këtë çështje, Prokuroria e Rrethit të Korçës administroi pamjet filmike si dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion nga të rinjtë e FRESH dhe prej ditësh ka nisur hetimet. Ndërkohë PD ka kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por që ende nuk ka të dhëna për ndonjë vendimmarrje nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Thellohet bashkëpunimi / Beqaj në Turqi : Bashkëpunim të ngushtë

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe homologu i tij turk, Mehmet Müezzinoðlu, gjatë një takimi që zhvilluan në Stamboll, konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet dy institucioneve që ata drejtojnë.  Beqaj prezantoi në këtë takim prioritetet e qeverisë shqiptare në sektorin e shëndetësisë, ku u diskutua ndërmjet të tjerave edhe çështje të asistencës teknike lidhur me reformën në tregun farmaceutik, ngritjen e shërbimit kombëtar të urgjencës dhe reformimin e menaxhimit spitalor. Gjithashtu, Beqaj vuri theksin edhe tek mbështetja zhvillimore që kërkohet për fuqizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit spitalor dhe projektin kombëtar të e-health.  Ministri shqiptar i Shëndetësisë e ftoi homologun e vet turk, Mehmet Müezzinoðlu për një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadrin e angazhimit dhe vullnetit të plotë dypalësh për thellimin bashkëpunimin dypalësh në sektorin e shëndetësisë. Ndërkohë në takimin e zhvilluar më parë mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të Turqisë Gyl, një vëmendje të posaçme pati gjithashtu edhe ndihma që qeveria turke mund të japë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency