Florenc Drizari
Çuçi: Drafti për ndarjen e re territoriale, në dhjetor në Parlament
Ndarja e re territoriale e vendit pritet të prekë ato bashki dhe komuna të cilat kanë më pak se 20 mijë banorë në administrimin e tyre. Reforma administrative e qeverisë u bë pjesë e debateve mes deputetëve të pozitës dhe opozitës dje në Komisionin e Ligjeve. Gjatë seancës dëgjimore, që u zhvillua me ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, u pohua se brenda vitit 2014 duhet të përmbyllet reforma për ndarjen e re të territorit. Sipas ministrit Çuçi, qeveria ndodhet ende në proces konsultimi me aktorët e interesuar, por sipas shembujve që vijnë nga vende të ndryshme evropiane, me reformën e re nuk do të ketë më bashki dhe komuna nën 20 mijë banorë. Edhe pse kjo shifër, sipas ministrit, nuk ishte përfundimtare, ajo do të mund të konsultohet edhe pasi të vijë në Parlament në formën e një ligji.
Fillimisht shqetësimin për këtë çështje në Komision e ngriti deputeti i Partisë Demokratike, Mhill Fufi, i cili kërkoi nga ministri shifra të sakta në lidhje me ndarjen e re territoriale.
“Sa do të jetë numri i popullsisë për t’u quajtur bashki, njëkohësisht edhe për komunat? Gjithashtu sa do të jetë sipërfaqja që duhet të ketë një bashki? Kjo, sepse unë jam deputet i Qarkut të Lezhës dhe po ta marrësh Bashkinë e Lezhës, është e rrethuar. Ka 50 mijë banorë dhe nuk ka sipërfaqen e duhur”, – ishin pyetjet e z. Fufi drejtuar ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Nga ana e tij, ministri fillimisht kërkoi që raportimi i tij të mos përfshihej në detaje, por pas këmbënguljes edhe të deputetit Fino për të dhënë ato shifra të mundshme që dispononte, z. Çuçi pranoi se të dhënat nga Bashkimi Evropian do të konsultohen për t’u bërë pjesë e reformës së re.
“Të gjitha reformat strukturore, territoriale të ndërmarra në Evropë vitet e fundit, kriter kanë pasur përafërsisht popullsinë, dhe jo sipërfaqen, kështu që në ligjin që do të vijë në Parlament, do të ketë edhe një kriter në lidhje me orientimin se sa do të jetë popullsia e një njësie vendore, për shkak të reformës territoriale. Pak a shumë të gjitha studimet në Evropë lidhen dhe vërtiten tek rreth 20 mijë banorë, pra jo më pak se 20 mijë banorë (komuna dhe bashki është e njëjta gjë), kështu që ne jemi akoma në diskutime dhe shumë shpejt ligji do të vijë me shifrën konkrete para Parlamentit”, – deklaroi Çuçi.
Aktualisht, kjo ndarje e re territoriale pritet të shkaktojë diskutime të gjata edhe me përfaqësuesit e opozitës, të cilët dje në Komision nuk shprehën ndonjë qëndrim as pro e as kundër këtij propozimi, por vunë theksin tek reforma zgjedhore që duhet të shoqërojë këtë proces.
Ndërkaq, në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore bëri të ditur se lidhur me progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2013, janë dy çështje kryesore të cilat janë fushë e përgjegjësisë së kësaj ministrie. “E para, – tha z. Çuçi, – lidhet me politikat e reformës së decentralizimit dhe e dyta lidhet me politikat e antikorrupsionit”.
Pasi citoi rekomandimet që ka bërë progres-raporti për secilën nga këto çështje, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore parashtroi se çfarë është bërë deri tani në lidhje me shqetësimet dhe rekomandimet që jepen në raportin e KE-së.
“Çështja më e rëndësishme që është, jo vetëm për qeverinë, por edhe për Shqipërinë në përgjithësi dhe lidhet me reformën administrative territoriale, janë një sërë raportesh që theksojnë nevojën që ka Shqipëria për një reformë administrative territoriale dhe ndoshta një reformë e tillë ka qenë një nga shkaqet kryesore që decentralizimi nuk ka pasur gravitetin e duhur”, – tha z. Çuçi.
Progres-raporti 2013 për qeverisjen vendore
Për sa i përket qeverisjes vendore, reforma administrativo-territoriale dhe decentralizimi kanë evoluar pak.
Ligji për planifikimin urban u miratua në prill, me qëllim qartësimin e instrumenteve të planifikimit, kompetencat për procedurat përkatëse.
Zbatimi i ligjit për planifikimin e territorit është i ngadaltë.
Njësitë e qeverisjes vendore, veçanërisht ato me buxhet të ulët dhe pak burime njerëzore kanë vështirësi në zbatimin e legjislacionit përkatës dhe programet zhvillimore.
Të ardhurat e qeverisjes vendore kanë rënë me 21 për qind.
Burimet njerëzore të qeverisjes vendore, menaxhimi dhe kontrolli financiar mbetet i dobët.
Mungesa e fondeve të orientuara strategjikisht dhe financimi qendror bazuar në transparencë mbetet një sfidë.
Ashtu siç mbetet përqindja e lartë e kontratave të përkohshme në administratën e qeverisje vendore.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për strukturën e organizimin e organeve publike nuk është zbatuar në nivel vendor.
Debati i tepërpolitizuar për përbërjen e disa autoriteteve rajonale dhe bashkiake, ka penguar efektivitetin e tyre dhe ka kufizuar rolin e shoqatave të autoriteteve vendore në forcimin e koordinimit të pushtetit qendror me atë vendor.
Autoritetet vendore duhet të zhvillojnë një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë shoqërinë civile.
Përplasja për koordinimin e politikave
Çuçi: Do t’i propozojmë Parlamentit ngritjen e komisionit ad hoc. Xhafaj: Kemi nënkomisionin
“Ne do t’i propozojnë Parlamentit që të ngrejë një komision ad hoc për reformën me përbërje bipartizane, me bashkëkryetarë pozitë-opozitë, të cilët do të filtrojnë të gjithë procesin e reformës administrative territoriale, sepse pa diskutim ai do të jetë një produkt i Parlamentit”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës që ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, bëri gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Pas këtij qëndrimi të ministrit, erdhi edhe reagimi i kryetarit Fatmir Xhafaj, i cili tha se aktualisht Parlamenti e ka ngritur një nënkomision për këtë çështje pak ditë më parë edhe me përfaqësues nga opozita. “Besoj se është në dijeninë tuaj, por e ndiej për detyrë për të dal pak nga rendi i ditës dhe t’ju bëj me dije që në përbërje të këtij Komisioni, me vendim të Parlamentit, ka një nënkomision për qeverisjen vendore, ku ka përfaqësues të mazhorancës dhe përfaqësues të opozitës. Zoti Fino është kryetar i këtij Komisioni, z. Strazimiri është nënkryetar i këtij Komisioni. Besoj se për këtë do të ketë një marrëdhënie të përhershme në funksion të të gjithë këtyre projekteve të rëndësishme”, – deklaroi Xhafaj.
Më tej, ministri i Shtetit, Çuçi, tha se ligji final për hartën e re administrativo-territoriale të Shqipërisë do të jetë një produkt i Parlamentit. “Për të garantuar transparencën e plotë gjatë gjithë procesit ne do të ndërtojmë dy nivele këtë konsensus politik. Është menduar që pjesën kryesore të procesit ta zënë konsultimet dhe komunitetet vendore”, – u shpreh ministri Çuçi. Si afat tha Ministri, është menduar që e gjithë reforma të mbyllet brenda gushtit të vitit tjetër sepse kjo është e kushtëzuar edhe nga ligji që të paktën gjashtë muaj nga zgjedhjet vendore, të mos ketë ndryshime apo propozime kufijsh.
Ndarja e re territoriale: Jo më shumë se 100 njësi vendore
Reforma administrative territoriale do të çojë në uljen e numrit e njësive vendore. Jo më shumë se 100 njësi vendore, nga 384 që kemi aktualisht dhe qarqet do të shndërrohen në rajone.
Vendi do të ndahet në 6 rajone të mëdha, që do të përfshijnë nga tri qarqe e që do të ndahen sipas, kryesisht, përcaktimit gjeografik. Qeveria e re duket se do të mbështesë një studim të Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, të kryer një vit më parë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila pasi ka studiuar veçoritë e ndarjes dhe organizimit të pushtetit vendor në Shqipëri, ka arritur në konkluzionin se vendi ynë nuk duhet të ketë më shumë se 100 njësi administrative. Ky studim do të jetë baza mbi të cilën do të mbështetet diskutimi i gjerë që nisi disa ditë më parë me konferencën “Reforma administrative territoriale”, të zhvilluar nga ministri për Çështjet Vendore dhe prezenca e OSBE-së në Tiranë.
PD: Ministri nëpër Evropë, krimi dhe pasiguria e jetës rritet në Shqipëri
Partia Demokratike ngriti shqetësimin se kriminaliteti në vend vazhdon të rritet. Sipas zëdhënëses Laura Vorpsi, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po bën një udhëtim në Evropë, ndërkohë që krimi dhe pasiguria për jetën po rriten në Shqipëri. “Viktimat dhe humbja e jetës shtohen nga dita në ditë, ndërkohë që krimi i organizuar po lulëzon, ndërkohë që janë rishfaqur grabitjet e udhëtareve në rrugët e vendit”, – tha Ajo.
Ministri i Brendshëm viziton Evropën, teksa Shqipëria po kthehet sërish në ditët e këqija, kur ishte në hartën e zezë të prodhimit dhe transitit të drogës.
Ministri Tahiri i tregon ministrit të brendshëm francez për masat dhe sukseset e policisë shqiptare, kur në fakt realiteti është krejt ndryshe.
Dhe realiteti është ky; Për shkak të largimeve masive nga detyra dhe pa asnjë motiv të profesionistëve të policisë, dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë, për shkak të futjes së policisë së shtetit nën kontrollin e rreptë të Partisë Socialiste, janë dyfishuar dhe trefishuar vrasjet, vjedhjet, grabitjet, trafiku i drogës dhe aksidentet në vend”,- përfundon fjala e zëdhënëses Vorpsi.