Ervin Kaduku
Shkeljet e koncesionarit të naftës marrin përgjigje: për shitjen e naftës pa akcizë në treg, 660 mijë euro gjobë
Një “gërvishtje” për koncesionarin kryesor të naftës së nëntokës shqiptare, leja për të cilin është dhënë nga qeveria socialiste e vitit 2004. Drejtoria e Doganave gjobiti dje me 600 mijë dollarë, “Bankers Petroleum”, kompaninë kanadeze që merret me nxjerrjen e naftës bruto në Patos Marinzë të Fierit dhe eksportin e naftës jashtë Shqipërisë. Gjobitja është vendosur pas një investigimi që Doganat kanë bërë. Ata kanë zbuluar se kompania shiste naftë pa akcizë në tregun e brendshëm. “Gjatë kontrollit të ushtruar tek subjekti “Bankers Petroleum Albania LTD” konstatuan se ky subjekt ka përdorur 627.505 litra produkt energjitik D1 Diesel 10 ppm për qëllime të ndryshme nga ai për të cilin produkti është përjashtuar nga detyrimi i akcizës”, – thuhet në njoftimin për shtyp të “Bankers”. Shkeljet janë zbuluar nga strukturat e Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me degën e Doganës Fier.
“Bankers Petroleum Albania LTD” me këtë veprim që klasifikohet si kundërvajtje administrative ka shmangur detyrimin e akcizës në shumën 23.217.685 lekë. Për këtë shkelje subjekti u penalizua me shumën 46.435.370 lekë. Në total (detyrim i munguar dhe penalitet) 69.653.055 lekë”, – saktëson njoftimi për shtyp.
Kompania kanadeze që merret me nxjerrjen e naftës bruto në rajonin e Patos Marinzës në Fier dhe eksportin e saj jashtë nuk është licencuar për tregtim me shumicë dhe pakicë të naftës në vend. Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të drejtuar nga Elisa Spiropali është marrë dje.
“Bankers Petroleum” është e pranishme në Shqipëri nga viti 2004, duke marrë me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe kontinentale në Evropë, atë të Patos Marinzës në Fier. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje subjekteve të akcizës të respektojnë me rigorozitet dispozitat e ligjit 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore që rregullojnë këtë veprimtari.
Kompania e “zullumeve”
Të rinjtë e Komunës së Zharrëzës kanë protestuar pak kohë më parë para zyrave të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”, për shkak të mosreagimit të saj ndaj shpërthimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në disa vendburime nafte që ka nën administrim në këtë komunë, shpërthime që po vazhdojnë të dëmtojnë shtëpitë e fshatarëve prej vitesh, të çajnë muret dhe tavanet. Gjatë gjithë kohës që kur kanë nisur shpërthimet, banorët e kësaj komune e kanë ngritur zërin duke protestuar deri në bllokimin e rrugës kombëtare Fier – Roskovec, por nuk kanë gjetur zgjidhje, as nga shteti, as nga kompania e huaj. Deri tani, thanë ata, nuk është bërë gjë për të penguar tronditjet e tokës, të cilat, tashmë janë verifikuar që nuk janë tronditje sizmike, por shpërthime për naftën.
Për këtë arsye, të rinjtë e komunës, që përfshin fshatrat Verbas, Marinzë, Belinë, Sheqishtë etj. u mblodhën para dyerve të kompanisë me një pllakatë të madh në duar, ku shkruhej: “Bankers, stop naftës! Pasuri, jo fatkeqësi!” Në mënyrë simbolike, ata kanë protestuar publikisht me fytyrat e lyera me naftë. Protesta e tyre ka zgjatur rreth 30 minuta e më pas janë shoqëruar edhe nga policia për pak kohë. Në komisariat ata ku janë shprehur se, në rast se nuk do të ndërhyhet për të zgjidhur problemin e tyre nga shteti, protestat e këtij lloji do të përshkallëzohen.
Dëmshpërblimi
Duket se kompania kanadeze “Bankers Petroleum” nuk ka zgjedhur vetëm Shqipërinë si një “oaz” për të bërë “zullume”. Vetë kjo kompani njoftoi më 16 shtator se është regjistruar një kërkesë gjyqësore për dëmshpërblim pranë Gjykatës Tregtare të Anglisë dhe Uellsit kundër filialit të saj “Bankers Petroleum Albania” nga kompania gjigande “BP Oil International”, lidhur me një mosmarrëveshje midis dy kompanive mbi përfundimin e një kontrate shitjeje nafte bruto.
“BP Oil International” (filial i gjigandit botëror “British Petroleum”) pretendon se “Bankers Petroleum” ka përfunduar në mënyrë të gabuar e të njëanshme këtë kontratë dhe kërkon dëmshpërblim prej pothuajse 54 milionë dollarësh.
“Bankers Petroleum” beson se kishte të drejtë ta përfundonte kontratën dhe se kërkesa e “BP Oil International” nuk është e bazuar, theksohet në reagimin e “Bankers”-it, ku, gjithashtu thuhet se sidoqoftë kërkesa për dëmshpërblim “është e ekzagjeruar”.
Reagimi
Kompania “Bankers Petroleum Albania” ka reaguar dje në lidhje me njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për penalizim e kësaj kompanie. Zëvendëspresidenti dhe drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania LTD”, Leonidha Çobo, ka deklaruar se çdo vendim i administratës doganore për këtë çështje është në kundërshtim legjislacionin shqiptar. Në njoftimin e bërë publik nga kompania thuhet se “Bankers Petroleum Albania LTD” (“Bankers”) është njohur me njoftimin publik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (“DPD”) ku bëhet me dije se është konstatuar shkelje e ligjit të akcizës nga shoqëria jonë, gjë për të cilën jemi ngarkuar me detyrim dhe gjobë”. “Ju bëjmë me dije se çdo vendim i administratës doganore lidhur me pretendimin në fjalë është në kundërshtim flagrant me legjislacionin shqiptar, dokumentacionin dhe faktet”, – bën të ditur kompania “Bankers”.
Në njoftimin për media nga kompania e naftës bëhet e ditur se “gjithë veprimtaria e “Bankers” zhvillohet mbi bazën e ligjeve dhe marrëveshjeve të lidhura me shtetin shqiptar si edhe me institucionet që lëshojnë autorizimet sipas legjislacionit në fuqi. “Bankers”, për rastin e pretenduar, disponon të gjitha autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore, përfshirë DPD, për përjashtimin e këtij lloji karburanti nga pagesa e akcizës. Këtë të drejtë “Bankers” ja garantojnë ligjet, marrëveshja koncesionare, aktet nënligjore dhe vendimet e formës së prerë të gjykatave”.
Kompania “Bankers” bën të ditur se për dëmtimin e imazhit nga ana e Drejtorisë së Doganave do t’u drejtohet gjykatave. “Për çdo paligjshmëri në vendimmarrje dhe dëmtim të imazhit të shoqërisë, “Bankers” do të ushtrojë të drejtën e saj të ankimit administrativ dhe gjyqësor si dhe është e bindur që do rikonfirmohet qëndrimi i “Bankers” ndaj këtij akt-kontrolli”.
“Bankers” e bazon veprimtarinë e saj mbi legjislacionin shqiptar dhe operon me standardet më të larta ndërkombëtare si edhe respekton parimet e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme. Gjatë këtyre viteve të aktivitetit në Shqipëri, “Bankers” është kontribuuesi më i madh në financat e shteti shqiptar”, – përfundon njoftimi i bërë nga kompania e naftës.