Florenc Drizari
ADK, Rozher Prifti: Asnjë demokristian në qeverinë “Rama”
Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga formimi i kabinetit të ri qeverisës, aleatët e majtë vijojnë të kenë pakënaqësi lidhur me mospërfshirjen e tyre në qeverisje. Aleanca Demokristiane, e kryesuar nga Zef Bushati, thotë se bazuar në marrëveshjen parazgjedhore, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet të ishte ulur në negociata për të përmbushur premtimin e tij për bashkëqeverisje me aleatët. Kryetari i ADK-së në Tiranë, Rozher Prifti, thotë për gazetën “Standard” se mënjanimi i një partie demokristiane nga koalicioni, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria kërkon të marrë statusin e vendit kandidat dhe të anëtarësohet në BE, po krijon një shije aspak të këndshme, veçanërisht tek partitë homologe popullore evropiane kristian-demokrate.
“Aleanca Demokristiane nuk kërkon atë që nuk e meriton, por kërkon respektim të marrëveshjes dhe reciprocitet në marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes në koalicionin ku bën pjesë. Z. Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me z. Bushati tha me humor se “Berisha e “përzuri” ADK-në dhe ne e mirëpritëm. Berisha si një komunist i solli demokristianet tek socialistët”, – deklaroi Rama. Uroj që z. Edi Rama të mos bëjë të njëjtën gjë me demokristianët”, – thekson Prifti.
Sipas tij, “fakti që mjaft politikëbërës e ngatërrojnë anëtarin e Partisë Aleanca-Demokristiane me emra të përveçëm të komunitetit katolik apo me ata që mbajnë një emër katolik e nuk kanë asnjë lidhje me çështjen e besimit. P.sh. ministrja Mimi Kodheli apo dhe ministrja Lindita Nikolla kanë emër dhe besim katolik, por janë socialiste. Kështu ndodh edhe me ndonjë tjetër që është emëruar në ndonjë detyrë, por që emrin e kanë katolik apo ortodoks, por që janë anëtarë të PS-së apo të LSI-së dhe PBDNJ-së”.
Ndërkaq, edhe aleatë të tjerë në koalicion me Partinë Socialiste kanë shprehu hapur pakënaqësi për realizimin e marrëveshjes parazgjedhore. Dy aleatët historikë të së majtës, Gjinushi i PSD-së dhe Milo i PDS-së, më herët kanë kërkuar zbatimin e marrëveshjes nga kryesocialisti Rama.
Partia Demokracia Sociale në zgjedhjet e fundit mori 12 mijë vota dhe, sipas paktit, duhet të ishte pjesë e bashkëqeverisjes në nivel lokal dhe qendror, por deri më tani kreu i kësaj partie, Paskal Milo, nuk është përfshirë në qeverisje me të majtën.
“Demokracia Sociale është duke pritur. Nuk e ka humbur durimin. Është e ndërgjegjshme se qeveria ka përparësi te tjera dhe në të njëjtën kohë shpreson ose është e bindur që do vijë së shpejti dita ku marrëveshjet i kemi nënshkruar për bashkëqeverisje; për aq sa na takon për kontributet do të mund të realizohen”, – ka thënë më parë Paskal Milo.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, duke vënë theksin në respektimin e paktit parazgjedhor. Ndërkaq, aleati tjetër me të majtën, Petro Koçi i PSV91, e ka justifikuar disi mospërfshirjen e aleatëve në bashkëqeverisje me axhendën e ngjeshur të ditëve të fundit të Kryeministrit Rama. Gjithashtu ai mbetet besimplotë se kryesocialisti Rama do të gjejë kohën e nevojshme për t’u ulur në dialog me aleatët e tij tradicionalë dhe jo vetëm.
Rreth dy muaj pas formimit të qeverisë së re, shpresat e aleatëve të vegjël për poste drejtuese në ekzekutiv me ministra apo zv.ministra duken të mbyllura, kjo për faktin se kabinetet janë konstituuar duke filluar prej javësh punën. “Shpresat” e tyre tashmë duket se janë drejtuar në nivel lokal e drejtorish rajonale.
Për sa u përket qëndrimeve të krerëve të selisë rozë për pretendimet e aleatëve të vegjël për poste drejtuese në bazë të marrëveshjes së nënshkruar para zgjedhjeve të 23 qershorit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar.
Deputetët e rinj. OSBE, ndihmë për infrastrukturën
Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë dhe me mbështetjen e OSBE-së, në Tiranë u zhvillua seminari me temë “Orientimi i deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë” të Legjislaturës VIII, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Të pranishëm në panel ishin nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, në Tiranë, sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, deputeti më i vjetër i Kuvendit, Namik Dokle.
Ky seminar pati si qëllim orientimin, njohjen e deputetëve të rinj me rolin dhe mënyrën e funksionimit të parlamentit, procedurave parlamentare, seancat plenare, komisionet e përhershme, byroja, konferenca e kryetarëve, dhe të gjithë procesin legjislativit, etj. Të gjitha këto ishin përmbledhur në një manual të përshkrimit të punës të Kuvendit të Shqipërisë.
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, u uroi suksese të gjithë deputetëve të rinj në detyrën e tyre dhe vlerësoi shumë rolin e Parlamentit, të demokracisë së parlamentarizmit.
“Ky Parlament gjatë aktivitetit të tij, do të bëjë të mundur që vendi ynë të fitojë statusin e vendit kandidat në BE. Është një sfidë dhe për të kemi punuar të gjithë, pa dallime partiake. Ajo që na pret krahas aspektit pozitiv, përmban një shkallë tjetër sfidash e cila do të shoqërohet me çeljen e negociatave. Negocimi është një sfidë në vetvete. Kërkon nga ne të gjithë, nga institucioni, ekspertizë, mendim të kualifikuar, maturi politike, gatishmëri bashkëpunimesh dhe vullnet politik për konsensuse të mëdha dhe për sintezë alternativash”.
Zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së, z. Robert Wilton, përgëzoi administratën e Kuvendit për profesionalizmin, përkushtimin, dhe për krijimin e këtij programit të ri, i cili vlen për të mësuar rreth funksionimit, strukturës, stafit të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetarja e KQZ-së takon shefen e misionit të OSBE/ODIHR, McCormack
“Prioritetet e KQZ-së, transparenca dhe edukimi”
Misioni i OSBE/ODIHR-it intensifikon takimet me përfaqësuesit e politikës shqiptare si dhe me anëtarët e KQZ-së, duke kërkuar respektimin e rekomandimeve dhe përfshirjen e tyre në një reformë të plotë.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi), zhvilloi një takim me shefen e misionit të OSBE/ODIHR-it, e cila kryesoi misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, së bashku me Steven Martin, Këshilltar për Zgjedhjet i OSBE/ODIHR-it, në kuadër të vizitës që po zhvillojnë në Shqipëri për të diskutuar për gjetjet dhe rekomandimet e raportit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013.
Në këtë takim, sipas KQZ-së, u vlerësua bashkëpunimin korrekt dhe permanent mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe OSBE/ODIHR-it në funksion të administrimit të procesit brenda standardeve zgjedhore.
“Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke vlerësuar raportin dhe problematikën e paraqitur, e siguroi znj. McCormack dhe z. Martin se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë udhërrëfyes në ndërtimin e strategjive të punës së KQZ-së në funksion të përgatitjes dhe përmirësimit të proceseve të ardhshme zgjedhore.
Gjithashtu, znj. Luzi (Lleshi) theksoi se prioritetet e punës së KQZ do të jenë rritja e transparencës së procesit zgjedhor dhe përmirësimi i mëtejshëm i procesit të edukimit zgjedhor duke e zgjeruar me të gjithë aktorët që përfshihen në të, si dy elementë të rëndësishëm të cilët do të rrisin besimin e qytetarëve tek KQZ”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së.