Buxheti 2014 Ministri i Financave: Nuk ka rritje pagash dhe pensionesh

0
199

Shkurtohen shpenzimet. Nuk do të rritet as ndihma ekonomike dhe pagesat për invalidët. Javën që vjen priten konsultimet me grupet e interesit dhe shoqatat e biznesit për diskutimin e buxheti dhe paketës fiskale

 

cani-shkelqimMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, paralajmëroi se buxheti i vitit 2014 do të jetë shtrëngues në të gjitha fushat. Ministri Cani bëri të ditur se nuk do të ketë rritje pagash dhe pensionesh, për shkak të pamundësisë së buxhetit. Po kështu, edhe ndihma ekonomike dhe pagesat për invalidët nuk do të pësojnë ndryshime, por vetëm do të hiqen nga lista përfituesit të cilët abuzojnë me këto ndihma. Këto fakte janë bërë të ditura nga ministri i Financave në një takim me gazetarët e ekonomisë, ku sipas tij, situata e vështirë e financave publike dikton nevojën e një disipline të fortë financiare, për sa i përket nivelit të shpenzimeve. Sipas tij, edhe fondet ndaj pushtetit vendor do të rishikohen, me qëllim që çdo qindarkë e buxhetit të shkojë në destinacion dhe jo në skema abuzive financimi. Ndërkaq, të gjitha institucionet do të shkurtojnë për vitin që vjen me 30% shpenzimet e personelit, shkresa e Canit për këtë ka mbërritur në të gjitha dikasteret dhe institucionet me financim nga shteti. Ministri Cani pranoi se është vonë dorëzimi i draftbuxheti tnë komisionet kuvendore, ndërsa ende nuk janë bërë takimet me grupet e interesit. Javën që vjen priten konsultimet me grupet e interesit dhe shoqatat e biznesit për diskutimin e buxhetit dhe paketës fiskale. Buxheti, sipas Canit, do të kalojë edhe në Komitetin Ekonomik, për vërejtje dhe sugjerime. Ministri Cani bëri të ditur se në 3 dhjetor mbërrin në Tiranë misioni i FMN-së, me të cilin do të diskutohen detajet e buxhetit të vitit 2014, i cili do të shoqërohet në Kuvend edhe nga paketa fiskale. Sipas variantit paraprak të Ministrisë së Financave, zëri i të ardhurave është parashikuar në vlerën 380 miliardë lekë, çka do të thotë se do të jetë më i vogël se buxheti i këtij viti. Për zërin e investimeve janë parashikuar vetëm 10 miliardë lekë, ku nuk do të ketë hapje të projekteve të reja, por vetëm financim i kontratave të lidhura tashmë.

Ekonomia në rënie

Rritja ekonomike e Shqipërisë rrezikon të bjerë në nivelet më të ulëta në fundin e vitit 2013. Të dhënat bëhen të ditura nga Banka e Shqipërisë, e cila vëren se është ulur Prodhimi Kombëtar. Sipas Bankës, dobësimi lidhet me rënien e mëtejshme të konsumit dhe investimeve private, por edhe me tërheqjen e qeverisë nga shpenzimet e larta menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Që prej fillimit të vitit Banka Qendrore ka mbajtur si skenar bazë atë se rritja ekonomike e 2013-ës do të jetë në të njëjtat nivele me një vit më parë, rreth 1.6 për qind. Por në raportin e sapopublikuar të politikës monetare, ky parashikim është vënë për herë të parë në dyshim, teksa konsiderohet si subjekt i rreziqeve të shtuara në kahun rënës. Tani shpresa e vetme që ekonomia të ruajë ritmin minimal të vitit të kaluar mbetet sipas ekspertëve të Bankës rritja e shpenzimeve qeveritare në tremujorin e fundit, të financuara me zgjerimin e huamarrjes publike në nivele rekord. Por përtej 2013-ës shqetësimi më i madh është ai i vitit të ardhshëm. Krizës së konsumit dhe investimeve të brendshme prej dy tremujorësh i është shtuar edhe efekti negativ i kërkesës së huaj.

 

 

Ndërpritet vetëdeklarimi online i tatimpaguesve, mbingarkesë serveri

Vetëdeklarimi i tatimpaguesve online është ndërprerë përkohësisht. Ministria e Financave bën me dije se sistemi i serverit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka hasur probleme për shkak të mbingarkesës, duke i shkaktuar tatimpaguesve vonesa në dorëzimin në kohë të deklaratave tatimore. Për rrjedhojë, shërbimi i vetëdeklarimit online të tatimpaguesve është ndërprerë. “Problemet e konstatuara në mirëmbajtjen e sistemit dhe amortizimi i rrjetit kanë cenuar nivelin e shërbimit dhe kërkojnë ndërhyrje më të thella në vazhdim. Në kuadër të përmirësimit të sistemit të IT-së, për të rritur sigurinë në transmetimin e të dhënave dhe për t’i siguruar taksapaguesve një shërbim më të shpejtë dhe cilësor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur procesin e mirëmbajtjes së rrjetit teknologjik të informacionit. Rivënia në punë do t’ju njoftohet menjëherë sapo sistemi të jetë gati”, – bën me dije Ministria e Financave.

 

 

 

Dita e pastrimit, 147 mijë shqiptarë dalin vullnetarë

Aksioni për të pastruar Shqipërinë, ka dalë me sukses. Rreth 147 mijë persona kanë dalë vullnetarë për të pastruar territorin ku jetojnë. Vullnetarët kanë pastruar të gjitha zonat e papastra në vend dhe bëhet fjalë për të gjitha ato zona, të cilat nuk paraqesin rrezikshmëri dhe ku pastrimi mund të kryhet në kushte të thjeshta. “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, i cili filloi sot, datë 22 nëntor në orën 9:00, arriti të përmbushte pritshmëritë tona. Me pjesëmarrjen e 147,000 vullnetarëve në rang Republike, arritëm të grumbullonim mijëra tonë mbetje.
Këtij aksioni iu bashkuan shkolla publike dhe private, universitete, institucione, qindra shoqata, shumë kompani dhe biznese, të cilat dhanë kontributin e tyre për pastrimin e Shqiperisë sonë.
Ky aksion arriti të bënte bashkë fëmijë dhe të rritur, gra dhe burra, njerëz të thjeshtë, politikanë dhe diplomatë, të cilët së bashku, nga Tropoja në Sarandë, njëzëri dhe me shpirtin e vullnetarit, kontribuuan në këtë aksion të shoqërisë civile, i vetmi i llojit të tij në përmasa të tilla”, – thuhet në një njoftim të “Green Line”. Aksionit për të pastruar Shqipërinë i janë përgjigjur dhe krerët më të lartë të shtetit. Kryeministri Edi Rama, ministri i Mirëqenies Social, ministrja e Mbrojtjes dhe të gjithë ministrat e tjerë kanë dalë vullnetarë për të pastruar Shqipërinë. “U përfshimë në këtë nismë si qytetarë dhe sigurisht edhe si shërbëtorë të vendit dhe të qytetarëve”, – shkruan Kryeministri Rama në “Facebook”. Kryeministri dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, iu bashkuan këtij aksioni në sheshin “Garibaldi” në Kombinat. “Kjo nuk duhet të jetë një ditë e shënuar, por e përditshmja jonë, duke mirëmbajtur vendin. Kjo qeveri ka marrë angazhim për pastrimin nga plehrat dhe sigurisht që do ta bëjmë”, – theksoi Rama. Të organizuar qytetarët kanë dalë që në orët e parë të mëngjesit. Në kryeqytet është parë një sensibilizim në masë i shoqërisë, duke filluar që nga fëmijët, të rritur dhe të moshuar. Po kështu në rrjetet sociale, qytetarë të shumtë kanë hedhur foto nga aksioni që është ndërmarrë në qytetin e tyre. Shkodër, Tropojë Kukës, Sarandë, Vlorë, Korçë dhe në të gjithë qytete e tjerë, qytetarët i janë përgjigjur thirrjes “Për një Shqipëri më të pastër”.