Anxhela Tato
Fatmira K.: Goditën dy punonjësit me qytën e armës dhe morën lekët në bagazh
Biznesmeni i bananeve, dyshime tek dy punonjës të përfshirë në grabitjen e 40 mijë eurove
Biznesmeni i bananeve, Trifon Murataj, dyshon se të përfshirë në grabitjen e 40 mijë eurove janë dy punonjës të firmës së tij. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, biznesmeni ka hedhur dyshimet e tij mbi dy punonjës, të cilët më pas janë shoqëruar në komisariat. Burime nga policia bëjnë me dije se në momentin e grabitjes në automjet kanë qenë vetëm dy punonjës të firmës, ndërsa lekët ndodheshin në një çantë në bagazh. Kjo është arsyeja pse biznesmeni dyshon se në këtë grabitje janë të përfshirë punonjës, të cilët mund të kenë dhënë informacionin, ndërkohë që në këtë ngjarja ka pasur dëshmitar okular dhe njëra prej tyre rrëfen detaje nga skena e krimit. Katër persona të maskuar i kishin zënë pritë makinës, ku ndodheshin lekët, të cilat do të depozitoheshin në bankë. Fatmira K. tregon se dy punonjësit e firmës janë goditur dhe kërcënuar nga ana e grabitësve, të cilët ishin veshur me rroba të errëta dhe të maskuar me kapuç.
Dëshmia
“Ishte ora 16:00 e drekës kur pashë makinën e dy punonjësve të firmës së bananeve. Kjo është zonë e vogël dhe ne njihemi të gjithë me njëri-tjetrin. Në afërsi të një qendre private vura re një makinë të dyshimtë. Jashtë automjetit po qëndronin tre djem të gjatë të maskuar, ndërsa brenda i ulur te vendi i pasagjerit ndodhej vetëm një person. Në momentin që kalon makina e biznesit të bananeve, këta e ndalojnë dhe nën kërcënimin e armës u ulërinin punonjësve që të dilnin jashtë. Thyen xhamin e makinës dhe i hapën dyert. I nxorën jashtë dy punonjësit, i goditën me qytat e armëve në kokë. Më pas i kontrolluan se mos kishin armë dhe pasi u drejtuan kallashnikovin u kërkuan t’u tregonin vendin se ku ndodheshin lekët. Dy prej grabitësve i shtrinë në tokë punonjësit dhe po i mbanin, ndërsa dy të tjerët nisën të kërkonin në makinë. Hapën bagazhin dhe morën çantën me lekë. Grabitësit hipën në makinë, u larguan rrugës drejt. Ndërsa dy punonjësit duhet të kenë njoftuar policinë, e cila ka ndenjur deri në darkë vonë në vendin e ngjarjes, duke bërë hetime. Kaq mbaj mend”, – rrëfimi i Fatmira K.
Grabitja
Ngjarja gjatë së cilës janë grabitur me armë 40 mijë euro, mësohet se ka ndodhur pasditen e së enjtes rreth orës 16:00, ndërsa lajmi është bërë publik vetëm në mbrëmje. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se është grabitur automjeti i një firme private pranë Urës së Beshirit në periferi të Tiranës ku ndodhet edhe ndërtesa e biznesit. Sipas dëshmisë së dhënë, grabitësit kanë pasur në dorë një armë tip “Kallashnikov”, me të cilën kanë kërcënuar dy punonjësit. Grabitësit mësohet se kanë thyer me armë xhamin e makinës dhe kanë marrë shumën e parave që ndodhej në bagazhin e automjetit. Denoncimi është bërë në komisariatin numër 6, në zonën e Kombinatit. Hetimi është ndërmarrë nga efektivët e Sektorit të Vjedhjeve në Policinë e Tiranës dhe efektivët e komisariatit numër 6.
Kavajë, vihet në pranga autori i 8 grabitjeve
Operacioni “Plazma” vë në pranga autorin e tetë grabitjeve, të ndodhura brenda një harku kohor prej 11 muajsh. Nga të dhënat e policisë rezulton se Eduart Theodhori është identifikuar si grabitësi i televizorëve, pasi në total janë sekuestruar 14 TV të modelit plazma. Më datë 21 janar, në kabinetin e informatikës së shkollës 9-vjeçare Qerret janë vjedhur 5 kompjuterë marka “Acer”. Më datë 26 janar, 2 televizorë plazmë të tipit “Samsung” 32 polsh, me vlerë njeri 59.000 – 65.000 lekë, një kompjuter i tipit “Playstation” me vlerë 300 euro, një aparat fotografik me vlerë 19.000 lekë, 2 palë vathë floriri, 3 unaza floriri, 3 varëse floriri, si dhe 2 byzylykë floriri e 1 valixhe me rroba. Më datë 5 shkurt në fshatin Sharrdushk, Komuna Kryevidh, kanë vjedhur 1 televizor plazmë 32 polsh dhe disa pije te ndryshme. Më datë 16 mars 2 televizorë, të tipit “Samsung” 32 polsh dhe “LG” 42 polsh. Më datë 22 mars janë marrë 5 televizorë plazme tip “LG” 42 polsh dhe 5 aparate “Playstation” PS 3. Më datë 29 mars janë marrë 4 aparate “Playstation” dhe 4 televizorë plazma “LG” 42 polsh. Më datë 8 korrik janë vjedhur 4 televizorë plazma, ku 2 prej tyre janë të markës “LG”, 42 polsh, ndërsa 2 të tjerë janë të markës “Haier” 32 polsh, si dhe 40.000 mijë lekë. Më datë 10 nëntor është vjedhur 1 gjenerator me vlerë 200 euro dhe një stabilizator me vlerë 10.000 lekë. Më datë 18 nëntor janë vjedhur një sasi prej 30.000 lekë dhe disa materiale si matrapik, gur fresibël, trapan etj. Më datë 20 nëntor janë marrë 5 kompjuterë “Playstation 3”, 4 monitor 32 polsh dhe 1 monitor 72 polsh i markës “LG”, 25 leva lojërash dhe 10 disqe për lojëra fëmijësh. Gjithashtu dyshohet se Eduart Theodhori mund të kenë kryer vepra penale dhe në qytetet kufitare me rrethin e Kavajës, në rrethet e Lushnjës dhe Durrësit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim, shkatërrim i pronës dhe kundërshtimi i punonjësit të rendit publik.
Elbasan, vdekja e punëtorit, arrestohet përgjegjësi teknik
Një metalurg ka gjetur vdekjen, pasi ka rënë aksidentalisht nga një lartësi prej 12 metrash pranë ish-Metalurgjikut në Elbasan. Burime të Policisë bëjnë të ditur se 25- vjeçari Ermir Dervishi ka humbur jetën teksa tentonte të ngjitej në depozitat e solarit dhe aksidentalisht ka rënë. Ai është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, por ka humbur jetën, pasi plagët e marra në kokë ishin të rënda. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes paraprakisht ka dalë në përfundimin se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia në punë e 25-vjeçarit. Gjithashtu, mësohet se janë marrë në pyetje edhe metalurgë të tjerë, të cilët kanë parë nga afër aksidentin. Pas vdekjes së punëtorit në Metalurgjik ka nisur inspektimi nga Inspektorati i Punës. Inspektorët morën të dhëna për ligjshmërinë e aktivitetit si dhe vlerësuan kushtet teknike të punës. Policia e Elbasanit ka vënë në pranga përgjegjësin teknik Armand Shuaipi, nën akuzën e shkeljes së sigurisë në punë. Burime nga policia bëjnë të ditur se Shuaipi ishte përgjegjës për kontrollin e impiantit të Mazutit.