Shuhet mjeshtri i parodisë, Gjosho Vasia!

0
204

gjosho Është ndarë dje nga jeta humoristi i madh shkodran Gjosho Vasia. Mjeshtri i madh i humorit shqiptar ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme. Bëhet e ditur se Vasia vuante nga një sëmundje kronike prej kohësh. Artisti shkodran do të kujtohet si mjeshtri i parodisë, alegorisë, por edhe i poezisë me nota ironike e sarkazme. Vasia ka qenë një ndër humoristët e veçantë shqiptarë, i dalluar për mimikën e tij dhe gjestikulacionet.

“Po ik një brez Artistësh të Mëdhenj dhe trishtohem. Asht fakt që ne do të vazhdojmë të kujtojmë batutat e tyne sa të jena gjallë e brezat po ashtu”. Ky është reagimi i këngëtares Rosela Gjylbegu për humbjen e artistit shkodran.

Gjatë dekorimit si “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Gjosho Vasia u shpreh: “Gjashtëdhjetë vjet në skenë jam munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh. Populli kishte dashur të na jepte gjithçka, shteti nuk dha asgjë për këtë popull. Erdhi koha dhe ne sot kemi një parfum lirie dhe demokracie”.

Më poshtë ne po hedhim disa vargje nga bejtet satirike të Vasisë të mundësuar si postim nga këngëtarja Gjylbegu, duke u shprehur se mbeten aktuale edhe sot.

 

Gjakmarrja dhe Ngujimi, dy të zezat që njeh “trimi”…

 

nga Gjosho Vasia

 

. Lulash Dosa prej Bucakut,

seç ma ka atë tufë mustakut,

q’e ka shtrij për sipër gojës

krejtë si sqapi i Marka Ndojës.

Seç po shifet ditë për ditë,

tue e krehë e kashagitë

se vendosë ka sot n’pleqni

me tregue nji t’fortë burrni,

por pa kenë mirë nder mustakë,

as burrnija s’ka nafakë…

 

. Sot kërkoka me ngrehë lakun

nji gjaksorit me i marrë gjakun,

pra dikund ka çue nji fjalë”–

“-Mos mendoni se’ u kam falë,!?

Por tashti që vdiq rregjimi

tashti shihni kush asht trimi,

prandej mbylluni në shpij,

për sa keni pleq e fmij,

se do t’marr un hak për gjyshin

që’ e pàtë vra në dyztedyshin,

e për gjakun e harruem

der t’ju vras, jeni t’ngujuem.”–

 

. Tash Lulashi rrin e pret

pale sot kush kryet po’ e qet,

e n’sa sillet n’për qytet,

hasë nji shoq që n’vuetje kjenë

t’internuem në Tepelenë…

Shtrënguen duer e u qafunë,

e n’bisedë të parë, filluen.:

 

. “-Po ti Lulash këndej pari,

pse po u sillke si “xhendari?,

Fry e shfry porsi këndezi,

der i zverdhun si kinezi,

i pa rrumë si bubazhel,

dredhë mustakun kaçurrel,

diçka n’sy ti jep e merr

mos ke dalë me ba ndoj sherr?

Un të njof qysh n’Tepelenë

se do punve i ke lujtë fenë.??”-..

 

. “-Po besa mor Gjosh Vasija,

jam tue pà te ajo shpija

a thue kush po ma qet kryet,

se nuk rrij për pa e mbytë,

pa e fergue si puna e mlyshit,

e me’i marrun hakun gjyshit.”-.

 

. “Po më thuej çka t’paskan bà

që kerkon gjithë këtë hatà?

Kush bre t’keqen ta ka thurë

që kerkon me’u ba gjaksuer?

nuk kuptova çka the?..,mlyshin?

dikush don me t’fergue gjyshin?

 

. “-Mos u tàllë Gjosho me plakun,

kam dalë sot me’ i dhanë dajakun,

me allti me ia marrë hakun..

Gjyshi i tyne n’dyztedyshin

na ka vra bre katragjyshin,

e sot dola me marrë hak,

siç na thotë kanuni plak…”

 

. “-Nisu Lulash shko n’shtëpi

se po bahesh komedi,

len kanunin n’punë të vet,

ai tashma ka mbetë pa shndet

ç’se asht lindë tash njimij vjet,

kur malsija me qytet

kanë qenë krejtë analfabet.

 

…..

 

. Por ti s’duhet me i marrë gjakun

dhe pse don kanuni hakun,

se n’Shqipni ka hy shkollimi,

asht mbushë truni’ e arsyetimi,

ka hy shkenca e përparimi,

nuk asht ma shqiptari mlysh,

sot mendimet i ka ndrysh,

për kto punë ka hy drejtsija,

s’ka nevojë ma ç’thotë malsija

jo kanuni,jo majmuni

e jo huni e tutkuni,

 

. Shpirtin që njeriun gjallon,

vetëm Zoti ja dhuron,

vetëm Ai ka t’drejtë me e falë

vetëm Ai ka t’drejtë me e ndalë,

askush tjetër në këtë botë,

jo ma ti njeri i kotë,

rrotë e kotë sa’i autobotë.”

 

. E Lulashi u nis ngadalë

sigurisht me bisht ndër shalë,

e mustakët gjithë burrni

seç i hypen goj’s përmbi,

sa që trimi i jonë si” zanë”

 

që mendoi me trembë dyrnjanë,

mà nji fjalë nuk mujt me thanë….