Ervin Kaduku
Vijon pa fund apokalipsi i dridhjes së tokës, të provokuar nga shpërthimet e kompanisë koncesionare të naftës “Bankers Petroleum”; banorët e zonës Patos-Marinëz përjetojnë të pafuqishëm shkatërrimin gradual të pronës së tyre. Prokuroria ka ndërprerë çështjen
Është thënë se ishin tërmete deri në 4 ballë, por nuk kanë qenë të tilla. Të paktën sipas banorëve të Fierit. Banorë në Fier, Roskovec dhe Patos e kanë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre dy net më parë. Shkak për këtë është bërë frika nga tërmeti me intensitet 4 ballë të shkallës Rihter, që, sipas Institutit Sizmologjik, ishte me qendër në Fier, në zonën rurale të Fierit.
Tronditja në fshatrat Zharrëz dhe Belinë ka shkaktuar dëme në banesa. Prefekti i Fierit shkoi pranë banorëve për të parë nga afër situatën dhe për t’i qetësuar ata, por duket se tashmë ata janë tej mase të irrituar, pasi problemit të tyre nuk po i jepet zgjidhje nga askush, edhe pse prej vitesh tashmë kanë kërkuar që të ndërpriten shpërthimet për kërkim nafte nga kompania koncesionare aty.
“Tërmetet”
Banorët edhe kësaj here nuk kanë besuar se tronditjet kishin të bënin me një tërmet natyral, por akuzojnë kompaninë “Bankers Petroleum”. Kjo e fundit herë pas here është akuzuar nga banorët e zonës, ndërsa shumë prej tyre që kanë pasur dëmtime në banesa, kanë protestuar.
Banorët e Zharrëzës janë ngritur në protestë kundër “Bankers Petrolium Albania”-s për shkak të shpërthimeve që bëhen në puset e naftës në rreth 5 mijë metra nëntokë. Në protestë kanë dalë dje rreth 500 banorë të kësaj komune, të cilët gjatë protestës kanë deklaruar se, rreth orës 21:30 minuta të së enjtes është bërë një shpërthim në puset e naftës. Në protestë kanë dalë dhjetëra banorë të kësaj zone ndërsa ata kanë bllokuar edhe rrugën që lidh këtë komunë me qytetin e Fierit.
Banorët akuzojnë kompaninë “Bankes Petrolium” se me shpërthimet që bën, është duke u shkatërruar banesat në këtë zonë, por edhe po dëmton ujërat nëntokësore e probleme të tjera.
Mosndëshkimi
E çuditshme është se akuzat kanë përfunduar edhe në prokurori, por hetimet janë ndërprerë nga dikush. Prokuroria e Fierit deklaron se ka ndeshur në pengesa gjatë hetimit në lidhje me shpërthimet nëntokësore të ndodhura në zonën e Zharrëzës dhe Patos-Marinzës. Në qershor të vitit 2012, organi i akuzës ka qenë duke zhvilluar hetime për “shkatërrim prone dhe zjarrvënie të qëllimshme” në dëm të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”, e cila operon në zonën e Zharrëzës dhe Patos-Marinzës në Fier. Në lidhje me dëmtimin e banesave të zonës u arrestuan dy persona, pasi Prokuroria e Fierit shqyrtoi edhe disa ankesa të banorëve të zonës për shpërthime nëntokësore, të cilat kishin dëmtuar banesat e tyre dhe që, sipas qytetarëve, e kishin prejardhjen nga veprimet e kompanisë “Bankers Petroleum” në nëntokën e kësaj zone. Organi i akuzës bën me dije se, ndër veprimet hetimore, u kërkua ekspertizë nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) Tiranë për shpërthime të ndodhura në datat 16 dhe 17 qershor 2012. Institutit iu kërkua shpjegim për burimin e lëvizjeve të tokës, kohë për të cilën banorët kishin shfaqur ankesat e tyre. Më 19 korrik 2012, Instituti ktheu përgjigje, se lëvizjet e tokës në datat 16 dhe 17 qershor kanë burim “tektonik”, pasi kanë ndodhur në thellësi 28 dhe 36 kilometra nën tokë. Kështu, pranohet shkencërisht se tronditjet e tokës kanë qenë tektonike (tërmete), të cilat kanë ndodhur dy ditë rresht (16-17 qershor 2012) pothuajse në të njëjtën orë (dt. 16, në orën 3:47 të mëngjesit dhe dt. 17 në orën 4:00 të mëngjesit). Prokuroria e Fierit kërkon sërish informacion nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) për shpërthimet në datat 16-17 qershor 2012, ku kërkohet specifikisht edhe thellësia e lëvizjes dhe arsyeja. Në mars 2013, Instituti ktheu përgjigje se në datat 16 dhe 17 qershor 2013, lëvizjet kanë ndodhur në thellësi, përkatësisht në dt. 16.6.2012 në thellësinë 11 kilometra dhe në dt. 17.6.2012 dy lëvizje në thellësinë 1 dhe 5 kilometra, ndërkohë që nuk përcaktohet shkaku i tyre. Pasi ka parë diferencat e mëdha në shpjegimet e Institutit të Gjeoshkencës për të njëjtën ngjarje, Prokuroria kërkoi një tjetër sqarim në lidhje me shpërthimet. Organi i akuzës i kërkoi Institutit “përcaktimin përfundimtar të thellësisë së lëvizjes së tokës, shkakun e këtyre lëvizjeve, me qëllim për të përcaktuar nëse qëndron dyshimi i banorëve ose jo për veprimtarinë e “Bankers Petroleum”. Më 2 korrik 2013, ka mbërritur nga Instituti i Gjeoshkencës përgjigjja se thellësia e lëvizjes së tokës në zonën e Zharrëzës dhe Patos-Marinzës në Fier janë ato të paraqitura në përgjigjen e datës 12.3.2012 (pra, thellësia e lëvizjes për dt. 16.6.2012 është 11 kilometra dhe thellësia e dy lëvizjeve të tokës për datën 17.6.2013 është përkatësisht 1 kilometër dhe 1.5 kilometra nën tokë).
Logjikisht, ekspertët përjashtojnë mundësinë e tërmetit në këtë zonë, por Instituti i Gjeoshkencës është justifikuar, duke thënë se nuk i di arsyet e lëvizjeve të tokës, pasi nuk ka mjete për të kryer këtë verifikim.
Evazioni
Kompania kanadeze që kryen punime në këtë zonë ka mundur prej vitesh t’u shpëtojë ndëshkimeve nga ana e shtetit, ashtu sikurse ka mundur t’u shpëtojë edhe taksave, që duhet të paguajë çdo subjekt në arkën e shtetit. Në sajë të një kontrate të favorshme, të nënshkruar në vitin 2004 mes saj dhe qeverisë së atëhershme, ende “Bankers” nuk ka paguar asnjëherë tatim-fitimi, duke e justifikuar këtë me volumin e madh të investimeve që është detyruar të bëjë për mbarëvajtjen e punës për kërkim dhe nxjerrje nafte bruto. Por, kjo situatë po zgjatët që prej 10 vitesh dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Veç kësaj, kompania nuk është ndalur as përballë evazionit direkt. Në këtë kuadër, sapo u mësua këto ditë se Drejtoria e Doganave gjobiti me 690 mijë dollarë, “Bankers Petroleum”, kompaninë kanadeze që merret me nxjerrjen e naftës bruto në Patos Marinëz të Fierit dhe eksportin e naftës jashtë Shqipërisë. Gjobitja është bërë pas një investigimi që Doganat kanë bërë. Ata kanë zbuluar se kompania shiste naftë pa akcizë në tregun e brendshëm. “Gjatë kontrollit të ushtruar tek subjekti “Bankers Petroleum Albania LTD” konstatuan se ky subjekt ka përdorur 627.505 litra produkt energjetik D1 Diesel 10 ppm për qëllime të ndryshme nga ai për të cilin produkti është përjashtuar nga detyrimi i akcizës”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Bankers.
“Bankers Petroleum Albania LTD” me këtë veprim që klasifikohet si kundërvajtje administrative ka shmangur detyrimin e akcizës në shumën 23.217.685 lekë. Për këtë shkelje subjekti u penalizua me shumën 46.435.370 lekë. Në total (detyrim i munguar dhe penalitet) 69.653.055 lekë”, – saktëson njoftimi për shtyp.