Gëzim Saliu
Letra e Ahmetajt: Ministritë të identifikojnë edhe praktikat që mund të kenë elemente ekskluziviteti e që kufizojnë konkurrencën në treg
Qeveria do të nisë kontrollin e të gjitha kontratave koncesionare të dhëna gjatë viteve të fundit. Duke marrë për bazë sinjalizimet e ardhura nga grupet e interesit, sipas së cilave në sektorë të ndryshëm janë dhënë një sërë koncesionesh që cenojnë konkurrencën e lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, u është drejtuar dje të gjitha ministrive që kanë dhënë koncesione në fusha të ndryshme, të dërgojnë pranë MZHETS-së listën e plotë të koncesioneve të dhëna nga to, si edhe të ndërmarrin një analizë të kontratave të koncesioneve dhe paketave të ndryshme ligjore e rregullatore që i kanë shoqëruar.
Letra
Në letrën e tij, ministri Ahmetaj ka kërkuar nga ministritë e linjës gjithashtu identifikimin e praktikave që mund të kenë elemente ekskluziviteti e që kufizojnë konkurrencën në treg. “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është duke ndërmarrë një hulumtim të të gjitha koncesioneve që janë dhënë vitet e fundit, si institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e biznesit nga praktikat e pandershme, si dhe palë e interesuar për liberalizimin e tregut dhe përmirësimin e klimës së biznesit, thekson angazhimin e saj për reduktimin e këtyre praktikave dhe për sigurimin e konkurrueshmërisë së barabartë të biznesit në çdo sektor”, – bëri me dije MZHETS. Lista e plotë e koncensioneve me paketat shoqëruese dhe sinjalizimet nga ministritë përkatëse do të jenë objekt i një analize të hollësishme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për të vërtetuar impaktin e klauzolave të ndryshme të kontratave mbi mirëfunksionimin e tregut dhe mbi konkurrencën e lirë. Sipas ministrisë nëse do të vërtetohen se kontratat mund të përmbajnë elementë të padrejtë ekskluziviteti, MZHETS do të paraqesë para qeverisë një paketë masash që duhen marrë për të eliminuar elementet e monopolit dhe për të garantuar konkurrencën e lirë në çdo sektor. “Vendimi për të kontrolluar këto kontrata koncensionare vjen pas depozitimit të kërkesave dhe ankimimeve të disa përfaqësuesve të biznesit mbi praktikat e ndjekura për përfitimin e këtyre kontratave koncesionare”, – bëri të ditur ministria. Në disa prej mbledhjeve të zhvilluara nga qeveria “Rama”, janë anuluar një pjesë e mirë e vendimeve të marra nga ekzekutivit paraardhës, kryesisht vendime pas datës 23 qershor. Në mbledhjen e 30 shtatorit, qeveria shfuqizoi 25 vendime të kabinetit “Berisha”, të cilat kishin të bënin me koncesione në fushën e energjisë dhe burimeve natyrore, si edhe me dhënien e pasurive publike në përdorim enteve private, ndërkohë që në mesin e muajit tetor, qeveria anuloi gjithashtu edhe 7 vendime të tjera të marra nga ekzekutivi i mëparshëm, të cilët kishin të bënin kryesisht me dhënie koncesioni të HEC-eve të vegjël. Para zgjedhjeve të 23 qershorit, kreu i PS-së, Edi Rama, kishte bërë të ditur se me të ardhur në pushtet, qeveria e tij do të rishikonte të gjitha koncesionet dhe do të zhbënte, sipas tij, të gjitha ato që nuk ishin në përputhje me ligjin. Ndërkohë, opozita e ka cilësuar praktikën e ndjekur nga mazhoranca në anulimin e koncesioneve si një hakmarrje primitive të kreut të qeverisë. Sipas të djathtëve, vendimi për anulimin e koncesioneve është kryekëput një veprim i kryer në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, themelet e shtetit ligjor, ekonominë e vendit dhe biznesin.
Paketa e rekomandimeve
Banka Botërore, qeverisë: Ulje e borxhit dhe zgjidhje e kredive të këqija
Banka Botërore i është drejtuar qeverisë shqiptare me një paketë të gjerë rekomandimesh për masat që duhen ndërmarrë për të zbutur situatën ekonomike që po kalon Shqipëria. Sipas raportit të BB-së, ekonomia kërkon ndërhyrje afatshkurtra dhe afatgjata për të shmangur kolapsin dhe për këtë pjesa e parë e rekomandimeve nis me situatën makroekonomike dhe atë fiskale. Duke theksuar se Shqipëria mundi të shmangë recesionin por se u godit nga kriza që ka zbritur rritjen ekonomike në nivelet më minimale, ekspertët e BB-së, japin dy rekomandime bazë. E para zhvendosjen e orientimit të ekonomisë nga kërkesa e brendshme tek eksporti dhe rekomandimi i dytë fokusimin tek konsolidimi fiskal dhe ulja e borxhit për shkak të rrezikut të lartë. Nga ana tjetër, sipas Bankës, edhe sektori financiar ka rreziqe të larta që burojnë nga ngadalësimi i ekonomisë dhe rritja e kredive të pashlyera. “Zgjidhja e kredive të këqija është çështja më e rëndësishme që duhet të adresohet nga autoritetet shqiptare”, – vëren raporti. Ndërkohë, për sektorin financiar rekomandimet janë disa, ku pikë së pari ekspertët rekomandojnë kryerjen e një simulimi të gjerë krize në fillim të vitit të ardhshëm ku të përfshihen të gjitha bankat dhe institucionet e tjera, për të evidentuar problemet potenciale të sistemit. Sektorët e tjerë në të cilin banka ndalet gjatë është ai i mbrojtjes sociale dhe sistemi i pensioneve, ku në të parin rekomandohet reformimi urgjent dhe forcimi i mbikëqyrjes për skemën e ndihmës ekonomike dhe atë që asiston personat me aftësi të kufizuara për të ulur abuzimet. Ndërsa për skemën e pensioneve banka i kërkon qeverisë që lidh më shumë kontributet me përfitimin për ta bërë skemën më tërheqëse, të zëvendësoje pensionet e fshatit me pensione sociale me tavan dhe të rrisë moshën për gratë duke e barazuar atë me burrat.
Falënderim për mbështetësit
Berisha: Trashëgimia dhe vepra e Sokolit do të nderohen gjithmonë, të jetësojmë idealet dhe projektet e tij
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka falënderuar dje të gjithë demokratët dhe qytetarët që i janë bashkuar hidhërimit të PD-së për ndarjen nga jeta të deputetit demokrat Sokol Olldashi. “Të dashur miq, këto dy ditë, mbi 10 mijë demokrate e demokratë si dhe qytetare e qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare, diaspora dhe emigracioni kanë shprehur në rrjetin tonë social të FB, mesazhe dhe WhatsApp, pikëllimin e thellë, ngushëllimet e tyre familjes së të ndjerit, deputetit Sokol Olldashi dhe Partisë Demokratike. Mbi 53 mijë qytetarë të tjerë kanë shprehur simpatinë e tyre për statusin “In Memoriam” të vendosur në nderim të tij në rrjetin tonë të FB. Me këtë rast, dua të shpreh me respekt të veçantë për secilin prej tyre falënderimet e mia më të sinqerta për mesazhet e tyre si dhe tu shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ish-kreu i qeverisë deklaroi se tashmë është mjaft e rëndësishme që me guximin e duhur të jetësohen idealet, projekte dhe aspiratat e ish-deputetit demokrat. “Me Sokolin ne kemi humbur një mik të çmuar, një nga drejtuesit kryesorë më guximtar, një nga politikanët, qeveritarët tanë më të talentuar, një atdhetar të vërtetë. Trashëgimia dhe vepra e Sokolit do nderohen gjithmonë. Ndaj dhe të dashur miq, ju ftoj të vazhdojmë të gjithë së bashku me guxim dhe këmbëngulje jetësimin e mëtejshëm të idealeve, projekteve, aspiratave të tij, si rruga më e denjë për ta nderuar dhe përjetësuar Sokolin. Ju ftoj të lutemi së bashku që shpirti i mikut tonë të gjejë paqen që meriton dhe bashkëshortja, djemtë, prindërit, familjarët, miqtë dhe të afërmit e tij të gjejnë forcën shpirtërore për të përballuar humbjen e pakompensueshme!”, – përfundoi mesazhin e tij ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha.