Sonja Caka
Policia e Durrësit arreston një bullgar dhe një shqiptar shpall në kërkim një person të tretë
Zbardhet skema e përdor nga trafikantët për rekrutimin e vajzave të reja të moshave 16-20 vjeçe
Një grup kriminal që merrej me rekrutimin, trafikimin dhe më pas shfrytëzimin e vajzave të reja për prostitucionin brenda dhe jashtë vendit, është goditur nga policia e qytetit bregdetar të Durrësit në bashkëpunim me kolegët e Korçës. Operacioni është finalizuar dje, ndërsa policia ka zbardhur edhe skemën e përdorur nga trafikantët për rekrutimin e vajzave të reja të moshave 16-20 vjeçe, shfrytëzimin e tyre si prostituta në zonën e Durrësit dhe më pas dërgimin e tyre te grupi që operonte në Itali. Goditja i është dhënë këtij grupi të strukturuar kriminal në momentin që po tentonin të trafikoni drejt Italisë një vajzë të moshës 20-vjeçare nga fshatrat e Korçës. Në pranga ka rënë një shtetas bullgar dhe një shqiptar, ky i fundit nga Elbasani, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër persona. Policia është duke hetuar këtë rrjet dhe zbulimin e identiteteve të të tjera vajzave që kanë pasur fatin e keq të jenë shfrytëzuar në Shqipëri dhe më pas te jenë dërguar si prostituta në shtetin fqinj të Italisë.
Operacioni
Një operacion antiprostitucion është zhvilluar nga policitë e dy qarqeve në bashkëpunim, përkatësisht ajo e Durrësit dhe Korçës, duke goditur një grup kriminal që kryente aktivitet të trafikut të qënieve njerëzorë dhe shfrytëzimit për qëllime prostitucioni. Sipas burimeve zyrtare policore, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, konkretisht Sektori Kundër Krimit të Organizuar, mbështetur edhe nga e njëjta strukturë e Drejtorisë së Policisë Qarkut Korçë, kanë goditur së fundi një grup që ushtronte aktivitet kriminal në drejtim të shfrytëzimit të prostitucionit brenda territorit dhe trafikimit të mëtejshëm me qëllim shfrytëzimi për prostitucion drejt Italisë. Falë hetimeve disa mujore, dje u procedua me arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, nga të cilët njëri me shtetësi bullgare, si dhe shpalljen në kërkim të një bashkëpunëtori të tretë në këtë veprimtari. Operacioni u finalizua në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm, duke vënë në pranga Alesio Çullhaj, 25 vjeç, banues në Elbasan dhe Tomcho Tomov, 55 vjeç, me shtetësi bullgare, rezident në Shqipëri, banues në qytetin e Pogradecit. Gjithashtu, u shpall në kërkim një tjetër shtetas shqiptar, identiteti i të cilit për shkak të vijimësisë së hetimit nuk mund të bëhet publik.
Hetimi
U deshën disa muaj hetime intensive, ndjekje dhe dokumentim të veprimtarisë kriminale si grup i strukturuar kriminal për dy shtetasit shqiptarë dhe atë bullgar, derisa u finalizua mëngjesin e djeshëm operacioni, pikërisht në momentin që po tentonin trafikimin e një vajze të moshës 20-vjeçare me të cilën shtetasi bullgar ishte martuar dhe kishte edhe një fëmijë. Hetimi ishte i përbashkët mes dy policive, konkretisht asaj të Korçës dhe Durrësit. Finalizimi i operacionit u bë në qytetin bregdetar të Durrësit. Këta shtetas dyshohet të kenë kryer aktivitetin e paligjshëm në identifikimin e viktimave të trafikut; rekrutimin nëpërmjet formave të ndryshme të mashtrimit, kryesisht qëllimit për fejesë; detyrimin nëpërmjet dhunës për të ushtruar prostitucion në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht në Durrës; trafikimin drejt Italisë të të rejave (mosha 16-20-vjeçare) për të furnizuar rrjetet e prostitucionit të tregut italian.
Skema
Skema e përdorur prej trafikantëve është gati e njëjtë, duke identifikuar më parë “viktimat” e tyre, kryesisht në familje pa mbështetje dhe me gjendje ekonomike të vështirë. Ata kryenin fejesë me këto vajza, më pas i detyronin të dilnin si prostituta fillimisht brenda vendit dhe më pas duke i dërguar te miqtë e tyre në Itali. Një nga rastet e fundit të veprimtarisë kriminale të këtyre personave është edhe ai i një shtetaseje 20-vjeçare nga fshatrat e rrethit të Korçës, me të cilën shtetasi bullgar është fejuar, celebruar, ka lindur një fëmijë dhe që së fundi e ka shfrytëzuar për prostitucion në disa qytete, si Peqin e Durrës dhe më pas ka tentuar ta trafikojë drejt Italisë. Hetimi në fjalë do të vijojë për të hedhur dritë mbi të tjerë persona apo rrethana të rasteve të trafikimit. Materialet e çështjes iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Trafikim personash në bashkëpunim”. Pritet që kjo çështje t’i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Skema, si funksiononte
Identifikimin e viktimave të trafikut;
Rekrutimin nëpërmjet formave të ndryshme të mashtrimit, kryesisht qëllimit për fejesë;
Detyrimin nëpërmjet dhunës për të ushtruar prostitucion në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht në Durrës;
Trafikimin drejt Italisë të të rejave (mosha 16-20-vjeçare) për të furnizuar rrjetet e prostitucionit të tregut italian.
Fushë Krujë
Kapet duke dhunuar një 25-vjeçare, pranga Kasallës
Një i ri nga Fushë Kruja është vënë në pranga nga policia e këtij qyteti pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura. Sipas burimeve policore, 30-vjeçari akuzohet se dhunonte gra të rritura në një banesë të braktisur në Fushë-Krujë, por është zbuluar nga policia dhe arrestuar në flagrancë. I arrestuari nga policia, Leonard Kasalla, 30 vjeç u arrestua në flagrancë në banesën e braktisur, duke dhunuar 25-vjeçaren H.L. nga Elbasani. Ndaj 30-vjeçarit Kasalla rëndon akuza e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura.
Krujë
Ndotja e ambientit, procedohen penalisht 4 persona
Policia e Krujës ka çuar për ndjekje penale 4 shtetas për veprën penale të ndotjes së ambjentit duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme gropa gëlqere në fshatin Halil- Fushë Krujë. Personat ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal janë Artan Babasi 34 vjeç dhe Gjok Muça 61 vjeç si dhe Hekuran Buçi 30 vjeç të tre banues në Fushë-Krujë. Materialet për tre personat janë dërguar në prokurorinë e Krujës. Ndërkohë dy ditë më parë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B.S., 36 vjeç, banues në fshatin Zgërdhesh Fushë Krujë. Ky shtetas ka ndërtuar një furrë gëlqereje në të cilën zhvillon aktivitet pa leje në fshatin Zgërdhesh në Fushë Krujë. Materialet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë për veprën penale “Ndotje e ambjentit”. Ky reagim vjen pas urdhërit të Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e funksionimit të gropave të gëlqeres, pasi ndotin mjedisin.
Tiranë
Prangosen 14 persona, ishin shpallur në kërkim nga policia
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 14 persona gjatë fundjavës. Mes të arrestuarve janë persona të akuzuar për vjedhje, por dhe Drilon Çela i cili ishte dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia italiane për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare policore, janë vënë në pranga shtetasit Taulant Çollaku, 25 vjeç i akuzuar për plagosje me dashje; Drilon Çela 28 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg, në kërkim nga Interpol Roma për trafikim të lëndëve narkotike; Sajmir Bunga 18 vjeç i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim; Roveno Qatipi dhe Kostaq Hysenja të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim; Arlind Zejneli 18 vjeç, i akuzuar për vjedhje me dhunë; Edmond Tarja 34 vjeç, i akuzuar për prodhim armëmbajtje pa leje të armëve luftarake; Ramazan Trocviç 26 vjeç, vjedhje me anë të mashtrimit; Bledar Domi, 34 vjeç i akuzuar për dhunë në familje; Armando Demiraj 37 vjeç i akuzuar për dhunë në familje dhe Aldo Gjuzi 23 vjeç i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Materialet ndaj këtyre shtetasve pritet t’i kalojnë organit të hetimit.