Sonja Caka
Policia: Vrasja e Marjan Martinit aksidentale, ka qenë duke kaluar me motor kur ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes dy makinave
Pa u shuar jehona e krimit të tri ditëve më parë, një tjetër vrasje trondit Shkodrën. Një 35-vjeçar ka mbetur i vrarë në rrugë aksidentalisht, pas një shkëmbimi zjarri mes dy grupeve të rinjsh, të cilët kanë nisur të qëllojnë njëri-tjetrin nga makinat përkatëse. Në këtë moment mësohet se plumbi ka kapur 35-vjeçarin Marjan Martini nga fshati Juban i Gurit të Zi, i cili ka qenë duke kaluar në ato momente me motoçikletë. Menjëherë është njoftuar policia për ngjarjen, e cila ka ngritur strukturat në këmbë, duke angazhuar edhe FNSH, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi të rëndë.
Ngjarja
Sipas të dhënave të para mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 16.40 në vendin e quajtur Guri i Zi, kur dy grupe të rinjsh janë përplasur me njëri-tjetrin me armë zjarri. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit, një plumb qorr i ka marrë jetën 35-vjeçarit Marjan Martini nga fshati Juban, i cili ishte duke udhëtuar me motoçikletë në rrugë. Viktima është shoqëruar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës, por nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital. Policia e Shkodrës ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave. Gjithashtu në disa akse rrugore janë ngritur edhe pika kontrolli.
Hetimi
Pas vrasjes, policia nisi menjëherë punë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të këtij krimi. Fillimisht u dyshua se 35-vjeçari ishte ekzekutuar, por vetëm pak orë më pas, policia ka zbardhur gjithë dinamikën e ngjarjes dhe shkakun e vrasjes. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shkodrës, vrasja e 35-vjeçarit Marjan Martini ka ndodhur nga një plumb qorr. Dy grupe të rinjsh janë konfliktuar me armë me njëri-tjetrin, dhe në momentin që Marjan Martini, ka qenë duke kaluar me një motoçikletë është kapur nga plumbi qorr, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia sqaron se Marjan Martini nuk ka pasur asnjë lidhje me konfliktin e të rinjve.
Moti i keq
Reshje të shumta shiu, bllokohet portet, dallgët 7 metra në det të hapur
Përkeqësohet moti në vend. Reshjet e shumta të shiut kanë qenë mbizotëruese në pjesën më të madhe të ditës dje, ndërsa erërat e forta kanë shoqëruar përkeqësimin e motit. Kështu, për shkak të shirave dhe erërave të forta, portet kryesore në vend kanë bllokuar daljen e peshkarexhave në det, ndërsa mësohet se në det të hapur lartësia e dallgëve ka shkuar deri në 7 metra. Ndërkohë që brenda qyteteve, rrugët janë bllokuar në ujërat, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e kalimtarëve. Ndërkohë që, moti i keq me erëra të forta deri ne 60 kilometra në orë solli ndërprerje të energjisë dhe bllokim të trafikut detar. Trageti i linjës mbërriti në portin e Vlorës me disa orë vonesë dhe pasi zbarkoi pasagjerët, doli në radë pasi moti i keq nuk e lejonte të udhëtonte sërish. Sipas kapitenerisë, moti i keq do të vijojë në jug të vendit edhe për 48 orët në vazhdim, ndërkohë që policia e qarkullimit rrugor rekomandon për të gjithë shoferët që të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit në rrugët nacionale të bregut, pasi ka erë të fortë, shira të dendur, lagështirë në rrugë dhe mjegull në Llogara dhe në pika të ndryshme.
Përplas karabinierin në postbllok, qëllohet nga një plumb dhe vdes shqiptari
Prokuroria heton vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar, dyshohet se bashkë me dy të tjerë kishin vjedhur një lokal
Itali
Historia përsëritet në Itali. Një karabinier qëllon për vdekje një emigrant, i dyshuar si autor i vjedhjes së një lokali në një qytet në veri të Italisë. Një ndjekje e karabinierëve përfundoi me tragjedi në Bolgare, në Veri të Italisë ku një 25-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas mediave italiane, të cilat i referohet burime zyrtare policoret, në orët e para të mëngjesit kishte pasur një sinjalizim për një vjedhje në një lokal. Një patrulle kishte arritur të identifikonte automjetim më të cilin udhëtonin keqbërësit. Por pa iu bindur urdhërit për të ndaluar, makina ka përplasur njërin prej karabinierëve nga arma e të cilit ka dalë një plumb. Por, sipas versionit të dhënë nga karabinierët, ky plumb ka goditur për vdekje personin që ishte në timon. Dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. Bëhet e ditur se i riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk është dhënë ende, ka qenë emigrant i rregullt, pa asnjë problem me drejtësinë. Ditën e hënë, më 25 nëntor pritet të kryhet autopsia e viktimës dhe prokurori që po ndjek rastin ka bërë të ditur se sipas procedurës ai do të hetojë mbi karabinierin për teprim të mbrojtjes së ligjshme. Ky rast i ngjan së tepërmi atij të majit të vitit 2009, ku një tjetër i ri shqiptar humbi jetën po në të njëjtën mënyrë. Në ditët e para të nëntorit të këtij viti, pas një gjyqi të gjatë, karabinieri që pati shtënë plumbin vdekjeprurës, u gjykua i pafajshëm dhe u çlirua krejtësisht nga akuza.
Ngjarja
Një 25-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i vdekur gjatë një përplasje mes karabinierët, pas kryerjes së një vjedhjeje. I riu ka qenë bashkë me dy të tjerë kur është qëlluar nga një karabinier, i cili është përplasur nga i riu në tentative për t’i shpëtuar arrestimit. Plumbi që ka kapur të riun ka dalë, sipas kolegëve të karabinierit, aksidentalisht nga arma, duke qenë vdekjeprurës për 25-vjeçarin. Të rinjtë ishin duke udhëtuar me një mjet tip Mercedez kur u është bërë shenjë në postbllok të ndalojnë. Por, ata kanë shtuar shpejtësinë duke përplasur njërin nga karabinierët në postbllok. Sipas hipotezave të para, pikërisht në këtë moment ka ndodhur vrasja, ndërsa dy personat e tjerë janë larguar me shpejtësi. Dyshohet se të tre hajdutët kanë qenë shqiptarë. Postblloku ishte ngritur pas informacionit të marrë se tri të rinjtë kishin sulmuar e vjedhur në bar në Villongo, një provincë në Bergamo, ku kishin arritur të vjedhin një makinë të lojërave të fatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2.30 të mëngjesit të djeshëm. Pas rënies të alarmit, në zonë mbërriti patrulla e karabinierëve, të cilët nisën ndjekjen e tri të rinjve që u larguan me një mjet tip Mercedez. Ndjekja ka nisur nga Villongo deri në Bolgare, ku ka mbërritur ndërkohë patrulla e dytë nga Bergamo. Makina e hajdutëve ka ndaluar, por kur njëri nga karabinierët u nis për t’iu afruar automjetit, makina u nis duke përplasur atë. Në atë moment ka shkrepur arma e karabinierit, plumbi të të cilës ka kapur në kokë 25-vjeçarin, ndërsa dy bashkëpunëtorët u larguan me vrap në këmbë. Do jetë autopsia ajo që do përcaktojë shkakun e vdekjes së 25-vjeçarit shqiptar.