Pas sekuestros së 19 kamerave të sigurisë Prokuroria zbardh skemën e arratisjes dhe shkeljet e 21 policëve të burgut

0
183

Sonja Caka

Gjykata e Korçës cakton 3 gjyqtarë për masat e sigurisë. Sot, 21 punonjësit e policisë dalin para togave të zeza për t’u njohur me akuzat

 

tekerk_drenoveProkuroria e Korçës ka zbardhur skemën e arratisjes së shtatë të dënuarve, pesë prej të cilëve me burgime përjetë, ndërsa rendit edhe shkeljet e 21 policëve dhe gardianëve të burgut gjatë këtyre momenteve. Janë të paktën 19 kamera sigurie të sekuestruara, njëra prej të cilave e dëmtuar pas thyerjes së saj nga i dënuari Gëzim Guri. Ndërkohë që Prokuroria vijon hetimet, edhe Gjykata e Korçës ka marrë të gjitha masat për ecurinë e seancave të masave të sigurisë ditën e sotme. Nga ana e kreut të saj janë caktuar edhe dy gjyqtarë të tjerë përveç atij të gatshmit për seancat e shqyrtimit të masave, për shkak të numrit të madh të personave të arrestuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Gjykata njofton se masat e sigurisë do të shqyrtohen nga gjyqtarët Maksi Qirjazi, Luljeta Kola e Besnik Shehu. Pas arratisjes se 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë se lartë ne Drenovë, me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, policia e Korçës arrestoi 21 punonjës të policisë së burgut me akuzën “Shpërdorim detyre”.

Hetimi

Pas marrjes dijeni për ngjarjen e rëndë të arratisjes së shtatë të dënuarve të rrezikshëm, Prokuroria e Korçës ka shkuar menjëherë në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Së pari, ata kanë bllokuar 19 nga 100 kamerat e sigurisë që ndodhen në burgun e Drenovës, pikërisht ato të sektorit ku ndodhi arratia dhe ato të itinerarit të ndjekur nga sektori i tyre deri në dalje të ambienteve të jashtme të burgut. Nga hetimet e para rezultoi se njëra nga kamerat ishte e thyer dhe dëmtimi i saj rezulton nga filmimet të jetë bërë nga i dënuari Gëzim Guri, i cilësuar si organizatori i kësaj arratisjeje spektakolare. Nga filmimet duket qartazi skema e përdorur nga të dënuarit për të realizuar arratinë, por ndërkohë evidentohen edhe shkeljet e rregullores nga ana e gardianëve apo punonjësve të tjerë të policisë së burgut. Hetuesit kanë të qartë tashmë që të dënuarit i kishin armët brenda në qeli dhe pasi e kanë studiuar çdo ditë dinamikën e lëvizjeve brenda sektorit të tyre, por edhe me ndihmë nga brenda, ata kanë vënë në jetë planin e tyre vetëm mbrëmjen e së shtunës. Kështu, të pajisur më armë, ndërkohë që dyert i kishin të hapura, tre nga shtatë të dënuarit kanë nisur veprimet. Ata kanë dalë në korridor, njëri prej tyre ka thyer një nga kamerat e sigurisë dhe më pas kanë vijuar me hapjen e dyerve njëra pas tjetrës, ndërsa askush nuk reagonte. Madje, as femrat që monitoronin 100 kamerat e sigurisë. Jo vetëm kaq, por edhe jashtë burgut kur prisnin telat, ata sërish nuk janë shqetësuar nga rojet e kullave, duke vijuar rrugën e tyre. Janë disa elemente që kanë krijuar dyshime për bashkëpunim nga ana e hetuesve, pasi e para një gardian i vetëm që shoqëronte shumë të dënuar me burgim përjetë, dispononte çelësin e derës së brendshme të regjimit që, në fakt, nuk duhej ta kishte, hapja e derës kryesore pa pasur asnjë lloj kërcënimi nga roja tjetër, ndërsa nuk denjoi as atëherë dhe as më pas të shtypte sinjalin e alarmit, si dhe mosreagimi i asnjë prej 2 femrave që monitoronin përmes kamerave të sigurisë apo dhe dy rojeve që ndodheshin roje në kulla.

Pamjet filmike, ja çfarë ndodhi në sektorin A

Prokurorët kanë në duar pamjet filmike ku zbulohen të gjitha veprimet e të dënuarave dhe gardianëve natën e arratisjes. Sipas pamjeve filmike, të gjitha lëvizjet e të dënuarve me “Burgim të përjetshëm” dhe efektivëve të policisë janë filmuar dhe po studiohen nga hetuesit e çështjes. Në burgun e Korçës, sipas prokurorisë, janë 100 kamera sigurie, por vetëm 19 prej tyre kanë filmuar lëvizjet e të dënuarve të sektorit A, që është edhe sektori me siguri më të lartë, pasi ndodhen të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm, ku edhe ishin të arratisurit. Këto pamje tregojnë shkeljen e rregullores së sigurisë edhe nga punonjësit e policisë së burgjeve, që kanë lehtësuar arratisjen e 7 të dënuarve. Sipas rregullores, në orën 15:00 të pasdites të gjithë dyert e qelive duhet të ishin mbyllur, ndërsa nga pamjet filmike ata ishin hapur dhe të dënuarit lëviznin lirshëm në korridorin e sektorit. Në kundërshtim me rregulloren, gardiani i regjimit të brendshëm bën bashkë të dënuarit e sektorit 3 dhe 4, të shfaqen më pas duke u shoqëruar nga një gardian i vetëm, në kohën kur rregullorja thotë që ata shoqërohen minimumi nga 3 efektivë dhe përgjegjësi i informacionit, drejt dhomës së edukimit ku po luanin letra disa të dënuar. Në këtë çast, kur dyert e qelive janë të hapura, nga dhoma e tij del i armatosur me pistoletë në dorë Admir Tafili, ndërsa nga dhoma ku po luhej letra del me armë në dorë Fran Marashi, i ndjekur nga Gëzim Guri që godet kamerën e sigurisë. Gardiani shtrihet përtokë dhe i dorëzon çelësin e portës së regjimit të brendshëm. Duke pasur parasysh rregulloren e burgjeve, hetuesve u është dukur i çuditshëm fakti se si gardiani kishte çelësin, ku me rregullore nuk duhet të kishte ai çelësin e portës. I njëjti skenar vazhdon në disa dyer, deri në portën e madhe, ku gardiani e hap derën sapo sheh kolegun me pistoletë në kokë që kërcënohej nga Tafili. Sipas procedurës, gardiani duhet të shtypte alarmin, por një veprim i tillë mësohet se ka munguar jo vetëm nga ai, por edhe nga dy femrat tashmë të arrestuara, këto të fundit ndodheshin në sallën e vëzhgimit të kamerave të sigurisë. Reagimi i tyre ka ardhur pas 20 minutave, aq kohë sa u është dashur të dënuarve të kryejnë gjithë veprimet, në kohën kur katër gardianët ishin mbyllur në një qeli nga të dënuarit dhe këta të fundit kanë ikur edhe nga rrethimi. Sipas pamjeve të fiksuara, edhe dy policët që ndodheshin në kullën e vrojtimit nuk kanë reaguar në momentin që të dënuarit po prisnin telin rrethues të murit të jashtëm. Aty janë pritur nga dy makina, ku njëra prej tyre kishte targa zyrtare të falsifikuara për të mos rënë në sy dhe më pas janë larguar. Në pamjet filmike rezulton që tre nga shtatë të dënuarit të jenë parë të dalin nga qelitë me armë nëpër duar, konkretisht Admir Tafili, Fran Marashi dhe më pas Gëzim Guri.

 

 

 

 

 

 

 

Tafili dhe Marashi: Ja arsyet e arratisjes

Qëllimi i largimit nga qelia, për të sensibilizuar drejtësinë që të rihapë dosjet

Dëshmia e Fran Marashit: Kam qenë 17 vjeç kur ndodhi ngjarja, pas ekstradimit nuk më pyeti askush

 

Anxhela Tato

Arratisja e Admir Tafilit dhe Fran Marashit për të sensibilizuar drejtësinë që të rihapë dosjet. Ky mësohet se ka qenë një ndër motivet e dhëna nga dy të dënuarit gjatë marrjes në pyetje. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se dy të dënuarit kanë rrëfyer se gjithë kjo ngjarje ishte një bujë e madhe për të nxitur drejtësinë që të rihapë çështjet e tyre. Mësohet se Fran Marashi ka mohuar që të jetë autor i masakrës në Urën Vajgurore, duke pretenduar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ai ishte vetëm 17 vjeç dhe askush nuk e ka pyetur për krimin. Fran Marashi është shprehur se pas ekstradimit nga Itali nuk është marrë në pyetje, por vetëm është mbyllur në qeli. Sipas tij, kjo ishte e vetmja mënyrë se si drejtësia mund të rikthente sytë dhe të rihapte hetimet për atë ngjarje. Një motiv tjetër që kanë dhënë dy të arrestuarit, janë kushtet e vështira dhe mungesa e standardeve më minimale në burg. Ata kanë pohuar se prej një muaji ka pasur grevë urie, por asnjë lloj mase nuk është ndërmarrë nga ana e drejtuesve. Nga hetimet dyshohet se dy organizatorët e kësaj arratisje spektakolare janë Admir Tafili dhe Fran Marashi.

Arrestimi

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, janë prangosur paraditen e së dielës rreth orës 13:00 në një magazinë në periferi të Përrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e të dënuarve. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se gjatë operacionit nuk ka pasur asnjë incident. Por në mënyrë konfidenciale është identifikuar polici, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me të arratisurit nga burgu i Drenovës. I plagosuri, Gazmir Biçaku, mësohet se shërbente si inspektor policie në Përrenjas dhe në Librazhd. Biçaku është plagosur në këmbë, ndërsa mësohet se ndodhet në spitalin e Përrenjasit jashtë rrezikut për jetën. I dënuari Artur Gora u arrestua mbrëmjen e së shtunës në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. Ai ka rrëfyer se ka kërkuar leje, por nuk i është dhënë nga ana e drejtorisë së burgut. Admir Tafili është dërguar në paraburgimin e qytetit të Elbasanit, ndërsa Fran Marashi dhe Gëzim Toma janë transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Arratisja e përsëritur

Në tetor të vitit 2010, Admir Tafili mundi të arratisej falë një leje të dhënë nga autoritetet e burgut të Shënkollit në Lezhë. Gati një vit e gjysmë pas arratisjes ndodhi pikërisht ajo që i druheshin të tërë, hakmarrja e deklaruar edhe më parë nga vëllezërit Tafili. “Kam një javë që i kam ruajtur dhe i kam pritur në një makinë tip “Fiat Uno”, në pritë afër banesës së tyre, në krahun e varrezave”, – mësohet të ketë shpjeguar Tafili për policinë në momentin e prangosjes. Gjithsesi, Tafili nuk ka shitur asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij, të cilët e kanë ndihmuar të strehohej për gati një vit e gjysmë arratie nga burgu, si dhe i kanë siguruar makinën dhe armën automatike me të cilat ka kryer krimin. Vetëm 12 orë, më 19 mars të vitit 2011, pas vrasjes në Shkodër, Tafili u arrestua nga forcat RENEA, në një lokal pranë Kinostudios në Tiranë. Ndërhyrja e forcave RENEA u krye në momentin që Tafili ishte në pritje të ndonjë bashkëpunëtori, i cili do ta strehonte për ta mbajtur larg policisë. Policia bllokoi pranë Xhamllëkut në Tiranë dhe mjetin tip “Fiat Uno” me të cilin Tafili kishte mundur të mbërrinte deri në kryeqytet. Mjeti është braktisur në Tiranë dhe kjo ishte arsyeja pse Tafili ndodhej i vetëm në lokalin ku u arrestua, në pritje të bashkëpunëtorëve në arratisje. Pas rikthimit në qeli ai premtoi se nuk do të arratisje më, pasi gjaku ishte larë sipas kanunit. Hasmëria mes Tafilëve dhe Pjetrushëve e ka zanafillën në vitin 2000, kur u vra i ati Baria. Ngjarjet vijnë fill pas vrasjes së drejtorit të policisë së Shkodrës në atë kohë, Arben Zylyftari. Për këtë krim, policia akuzoi Admirin dhe të vëllain, Gencin. Një proces i kundërshtuar gjithnjë nga familja Tafili, por që drejtësia i dënoi pikërisht ata për krimin.

Kërkimet për 3 të arratisurit në zonën e Leskovikut dhe Ersekës

Policia ka rinisur në orët e para të mëngjesit aksionin për të arrestuar dhe tre të arratisurit e fundit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, duke vazhduar pa ndërprerje kërkimet për Eduard Lulon, Reiz Haxhirajn dhe Gëzim Tomën. Fakti se një nga të burgosurit, Eduard Lulo, ka të afërm në zonën e Përmetit dhe Ersekës i ka ngritur dyshimet policisë se ai do të tentojë të largohet nga mali i Gramozit drejt Greqisë. Por kjo e fundit rrëzon çdo mundësi, se një prej tyre mund të jete larguar drejt shtetit helen. Rruga drejt kufirit grek në atë zonë është shumë e rrezikshme nga mali i Gramozit për shkak të dëborës dhe temperaturave shumë të ulëta. Kërkime po bëhen edhe në zonën e Dardhës dhe pyjet në kufirin me Greqinë. Erseka mbetet një nga bazat e mundshme e të arratisurve, ndaj kontrollet e shumta të policisë janë intensifikuar edhe në mal, por gjurmët e gjetura deri më tani janë tepër të vjetra. Asnjë gjurmë e freskët në mal nuk është vënë re. As fshatarët e zonave përreth nuk i kanë dhënë ndonjë informacion të hollësishëm policisë, e cila mbetet në pritje për të vlerësuar çdo informacion. Ndërkohë që mendohet se shtetasi Gëzim Toma me origjinë nga Dibra mund të jetë larguar në një tjetër drejtim. Policia ka parë me imtësi gjithë zonën në Përrenjas, si edhe qytetin, por po kontrollon të gjitha akset nacionale. Lëvizja e të arratisurit, tani që edhe fotot janë bërë publike është shumë e vështirë. Sipas të dhënave të fundit policore rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ishte vënë në dijeni për arratisjen e mundshme. Në fund të shtatorit, policia i ka dërguar ish-drejtorit të Përgjithshëm Gazmend Dibra një informacion ku thuhej se ka të dhëna për arratisjen e Admir Tafilit dhe të një tjetër të burgosuri. Policia kishte zbuluar skemën se si futeshin armët në burg, me anë të një frigoriferi. Ajo që pritet të zbardhet është se çfarë ka ndodhur nga data e marrjes së informacionit nga policia, a është përcjellë ky informacion nga ish-drejtori i Burgjeve pasardhësit të tij dhe a janë kryer kontrolle në qelitë e të arratisurve për sa kohë që dy muaj më parë Drejtoria e Burgjeve ishte vënë në dijeni të rrezikut të arratisjes.

Arratisja, bashkëpunëtorët qëlluan në ajër dhe prenë rrjetën e telit

Zbardhen detaje të reja nga arratisja e shtatë të dënuarve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Burime nga grupi hetimor i prokurorisë bëjnë me dije se çdo gjë ka qenë e mirorganizuar dhe planifikuar. Mësohet se kanë qenë katër persona jashtë ambienteve të burgut të Drenovës, dy prej të cilëve kanë nisur të qëllojnë në ajër me armë të tipit mitraloz. Në këto momente ka ardhur kundërreagimi nga ana e gardianëve të burgut, të cilët kap hapur zjarr në ajër, por vetëm një herë. Paralelisht me këto veprime, dy persona kanë prerë rrjetën e telit që rrethon ambientin e jashtëm të burgut, duke ndihmuar daljen e shtatë të dënuarve. Ndërsa një automjet ishte duke pritur jashtë ambienteve të burgut. Ndërkohë që burime nga brenda burgut bëjnë me dije se të dënuarit kanë thyer kamerat e sigurisë, kanë këputur telat e telefonit dhe më pas kanë shfrytëzuar tunelin ku transportohen të paraburgosurit për t’u larguar më pas nga ambientet e burgut. Më pas, ata i kanë marrë nën kërcënimin e armës automjetin kryeplakut të fshatit për t’u larguar nga territori i burgut të Drenovës. Mësohet se të arratisurit nga burgu i Drenovës kanë përdorur sinjalet e policisë në mjetin me të cilin janë arratisur. Me po këtë mjet, ata janë përplasur me uniformat e policisë.