Shqipëria përfundon përsëri në vazon e pestë

0
171

Kombëtarja kuqezi duket se përsëri do të pozicionohet në vazon e pestë për Evropianin e 2016-ës. Kështu, skuadra praktikisht mendohet që të ketë vetëm një skuadër të dobët në grup.

 

kombetarja_shqiptare_me_risi_n_1Kombëtarja shqiptare tashmë duket se po e harron zhgënjimin e eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014. Siç e dimë, kuqezinjtë e nisën mirë këtë fazë eliminatore dhe me hapa të sigurtë. Ndeshje këto që e rritën edhe Shqipërinë në nivelin e përgjithshëm të renditjes nga ana e FIFA-s. Duhet thënë se skuadra e De Biazit për një periudhë qëndronte në vendin e dytë, pas Zvicrës, duke u dhënë kështu tifozëve edhe mundësinë për të kaluar në Play off. Edhe në aspektin ndërkombëtar, skuadra jonë duhet thënë që pati një rritje dhe shprehej shumë që ekipi të mbante të njëjtat nivele. Kjo, sepse nëse do të mbanin rezultate të mira, atëherë do të kishin mundësinë që të lëviznin në vazo. Mirëpo, ndeshjet e fundit që ishin edhe vendimtare, rezultuan tepër zhgënjyese. Kështu, skuadra e pa veten në fund të eliminatoreve në vendin e parafundit në tabelë. Një klasifikim që nuk ishte i ndryshëm nga radhët e tjera dhe që e ktheu skuadrën në vazon që ka qenë. Mirëpo, ky rezultat duket se do të ketë pasojat e tij edhe në eliminatoret e Evropianit 2016. Një fazë që nuk do të jetë e lehtë, sepse, siç dihet, ka më pak skuadra dhe konkurrenca është më e fortë. Nuk është ende zyrtare, pasi renditja nuk është konfirmuar nga UEFA, por referuar portalit të specializuar për koeficientet e të gjitha shteteve dhe kategorive, Shqipëria do jetë në vazon e pestë për kualifikimet e Evropiani Francë 2016. Sipas webfaqe-s “footballrankings. info”, e cila ka bërë përditësimin e fundit më 22 nëntor, pra duke marrë parasysh edhe ndeshjet e fundit të luajtura gjatë këtij muaji, kuqezinjtë kanë humbur një pozicion të rëndësishëm, pasi në hedhjen e shortit më 23 shkurt të 2014-ës nuk do kenë më dy skuadra teorikisht më të dobëta, por vetëm një, ato që përbëjnë vazon e fundit. Fakti që nuk shkuam më shumë se vendi i parafundit në edicionin e fundit të kualifikimeve për Brazil 2014. Në shortin e këtyre kualifikimeve, Shqipëria ishte në vazon e katërt, së bashku me Bullgarinë, Rumaninë, Gjeorgjinë, Lituaninë, Skocinë, Irlandën e Veriut, Austrinë e Poloninë dhe linte pas në vazon e pestë dhe të gjashtë skuadra si: Armenia (5), Finlanda (5), Letonia (5), Uellsi (6) dhe Islanda (6), të cilat, falë pikëve që kanë marrë gjatë këtyre kualifikimeve, kanë bërë një hap cilësor duke u ngritur nga një ose dy vazo më lart. Duke iu referuar mënyrës së mbledhjes së pikëve, nga ku për bazë merren tri kualifikimet e fundit, Shqipëria nuk ka grumbulluar më shumë se 19151 pikë në total, duke mbetur kështu në vazon e pestë. Kujtojmë se koeficientet për kualifikimet e shortit të Euro 2016 dalin në bazë të renditjes në kualifikimet e Botërorit 2010 (20% e pikëve), të Euro 2012 (40% e pikëve) dhe Botërorit 2014 (40% e pikëve). Kështu, në bazë të pikëve të grumbulluara në edicionin e fundit, skuadra si Rumania (25171 pikë), Austria (24572 pikë), Armenia (22861 pikë), Polonia (22464 pikë), Skocia (22233 pikë), Finlanda (22001 pikë), Letonia (20771 pikë), Uellsi (20551 pikë) dhe Islanda (19376 pikë), falë ndeshjeve të mira që kanë bërë, kanë mundur të na lënë pas, duke na lëvizur një vazo më poshtë. Kështu kjo do të na penalizojë paksa dhe do na i bëjë më të vështirë detyrën. Ndeshja ndaj Bjellorusisë nuk tregoi ndonjë fytyrë të re. Kjo pasi gjatë gjithë sfidës nuk u pa ndonjë element i ri por e njëjta Shqipëri. Ndeshja përfundoi në barazim de duket se De Biazi ka shumë punë dhe shumë gjëra për të rregulluar para se të vejë në këtë tur. Kujtojmë se kontrata me teknikun italian u rinovua mbi një klauzolë që i kërkon atij që do ët vazhdojë punën me kombëtaren tonë vetëm nëse arrin që të na kualifikojë. Kështu që De Biazi do të përdorë të gjitha letrat që ka në dispozicion për ta kthyer në realitet këtë ëndërr. Projekti i tij i ri nisi me 5 rregullat e rrepta për lojtarët. Gjithashtu, trajneri është i përqendruar edhe në bisedimet që kanë nisur për Adnan Januzajn. Talenti duket se do të bëjë çfarëdo t’i sugjerojë babai dhe për ta takuar atë duket se është tej mase e vështirë.

 

 Ronaldo, tri javë jashtë fushës

Portugezi Ronaldo pritet të qëndrojë deri në tri javë jashtë fushe pas një lëndimi të pësuar në fitoren 5-0 të së shtunës ndaj Almerias. Galaktiku pësoi një dëmtim muskulor në pjesën e dytë të takimit dhe u largua nga ndeshja me kërkesë të tij. Trajneri Karlo Ançeloti hodhi poshtë seriozitetin e lëndimit pas ndeshjes, ndërsa “AS” raporton se kapiteni i Portugalisë me siguri do të mungojë në ndeshjen e të mërkurës ndaj Gallatasarajit. Sipas burimeve brenda klubit, sulmuesit do t’i jepet një kohë shtesë për t’u rikuperuar plotësisht që mund të shkojë deri në tre javë. Ronaldo pritet të rikthehet në fushë më 14 dhjetor në ndeshjen ndaj Osasunës dhe ka mundësi që ai të mungojë edhe ndaj Valadolidit në Ligë dhe ndaj Olimpik Ksativës në Kupën e Mbretit dhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve ndaj FC Kopenhagenit.

 

Venger: Asnjë presion mbi Ozilin

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka hedhur poshtë zërat për formën jo të mirë që po paraqet Mesut Ozil, duke këmbëngulur se ai është i kënaqur me kontributin e gjermanit që prej transferimit të tij gjatë verës. Gjermani nënshkroi për Arsenalin në minutat e fundit të merkatos për 50 milionë euro dhe tekniku francez u shpreh shumë i kënaqur me gjermanin. “Para së gjithash ai është shumë lojtar i talentuar. Sapo ka ardhur dhe nuk ka pasur përgatitjet më të mira për kampionatin. Është lojtar i ri dhe është vetëm 25 vjeç dhe ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Ne kemi shumë lojtarë që mund të marrin topin e të luajnë dhe për shkak se ai është në qendër të fushës, ndoshta luajmë më shumë me të. Por, ne nuk vëmë ndonjë përgjegjësi të veçantë ndaj tij”. “Ndoshta ai ndihet në shumë presion, por ne duam të luajmë lojën ashtu si na përshtatet më së miri”, – ka deklaruar Venger.

 

 

Konte: Vidali, që tani e tutje në mbrojtje

Tekniku Juventin Konte është shprehur me superlativa për Arturo Vidalin dhe për paraqitjen e tij në qendër të mbrojtjes në sfidën e fituar ndaj Livornos. Juventusi e ka ndier shumë mungesën e mbrojtësve, duke përfshirë këtu të tre qendërmbrojtësit, kështu që kiliani u detyrua që të luante në qendër të mbrojtjes, me urdhër të Antonio Kontes. Nga paraqitja është dukur se lojtarit i shkonte shumë roli që e realizoi mjaft mirë. “Vetëm në fund bëri një lëvizje të keqe, por në përgjithësi luajti për mrekulli. Ndoshta ky është roli më i mirë i tij. Kështu edhe e zgjidh problemin e shumë mesfushorëve që kam në ekip dhe Vidalin do ta shfrytëzoj tani e tutje vetëm në mbrojtje”, – ka deklaruar duke bërë shaka Konte. Juventusi arrin më në fund që në këtë kampionat të mbajë vendin e parë, për shkak se deri më tani në krye ka qenë Roma.

 

Galiani: Milani, me ide të qarta

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galiani, është shfaqur i qetë kur është folur për gjendjen e ekipit kuqezi, duke thënë se ai ka një plan të qartë për ta nxjerrë nga llumi. Milani gjendet në vendin e 11-të në tabelë pas 13 javësh, një pozicion si duket që vjen si rezultat i ideve që ka thënë Galiani. “Ne kemi ide të qarta për merkaton e janarit. Po kërkojmë një mbrojtës dhe një sulmues anësor”, – u shpreh drejtuesi. Ai më tej shtoi se pavarësisht se sa i lumtur apo jo është Baloteli, ai do të qëndrojë në San Siro.

 

 

Alpin Gallo shkarkohet nga Tirana

Mbas humbjes minimale me Laçin, skuadra kryeqytetase shkarkon trajnerin e saj Alpin Gallo. Duket se donatorët nuk e kanë përtypur dot këtë humbje që ishte e katërta rresht. Këtë vendim e ka bërë të ditur donatori Ndriçim Babasi. Nuk dihet akoma se kush do të jetë zëvendësuesi i trajnerit Gallo, i cili zëvendësoi Nevil Deden gjithashtu të larguar nga drejtuesit e ekipit bardheblu. Kështu Tirana duket në një rrugë pa krye, pa trajner dhe pa rezultate. Edhe lojtarët duket se nuk po japin atë çka pritej. Kryeqytetasit e shohin veten tashmë në fund të tabelës dhe rrezikohen nga një rënie që mund të pësojnë në kategorinë e dytë. Duket se edhe donatorët do të bëjnë lëvizjet e tyre në janar për të marrë lojtarë që do të rregullojnë gjendjen.