Florenc Drizari
“Qeveria të marrë më shumë vendime, të flasë më pak dhe natyrisht të veprojë më shumë sesa të tregojë”
Pas një seance plenare maratonë, e cila zgjati për disa orë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus “Projektligjin për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2012”. Deputetë nga mazhoranca dhe nga opozita votuan njëzëri me 109 vota pro dhe asnjë kundër.
Diskutimet për buxhetin faktik të vitit 2012 u shoqëruan me replika dhe akuza të ashpra mes deputetëve. Të majtët akuzuan ish-qeveritarët e djathtë për mungesa në reforma dhe lënin e sektorëve kyç të ekonomisë me borxhe të mëdha, ndërsa përfaqësuesit e opozitës mbrojtën punën e tyre duke deklaruar se Shqipëria ai doli të realizonte reforma të suksesshme në një vit krize si për rajonin dhe më gjerë.
Gjatë diskutimit që mbajti në Kuvend, deputeti Ben Blushi, ndryshe nga deputetët e tjerë të mazhorancës të cilët mbajtën fjalimet e tyre për çështjen e buxhetit faktit të 2012-ës, tha se qeveria tashmë duhet të shikojë përpara dhe jo të merret me akuza ndaj opozitës. Sipas tij, qeveria më shumë duhet të veprojë sesa të tregojë.
BEN BLUSHI
Në fjalën e tij Blushi ngriti disa pikëpyetje për realizimin e premtimeve që socialistët kanë bërë në fushatën elektorale të 23 qershorit. Në thelb, Blushi i kërkoi qeverisë këto gjëra: “Qeveria të shohë më shumë përpara sesa mbrapa. Të marrë më shumë vendime, të flasë më pak dhe natyrisht të veprojë më shumë sesa të tregojë”.
SIGURIA
Duke folur për çështjet e sigurisë në vend, ai i kërkoi ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit se kur do të ndërhyhet në Lazarat për goditjen ndaj drogës dhe a do të bëhet një gjë e tillë. Sipas deputetit Blushi, nuk mund të ketë reforma në Shqipëri pa një ndërhyrë në këtë ishull droge, siç e quajti ai.
“A do ta vendosim ne rendin për 300 ditë siç kemi premtuar? A do të ndërhyni në Lazarat z. Ministër? Nuk ka ditë që të mos shkruhet në çdo gazetë të botës për këtë parajsë magjike të drogës në mes të Shqipërisë që helmon çdo ditë besueshmërinë tonë. Unë besoj se nuk ka reforma në Shqipëri për sa kohë nuk ndërhyhet në Lazarat. Çdo reformë për shtetin ligjor është e kompromentuar nëse vazhdojmë të bëjmë sikur nuk e shohim në mes të Shqipërisë një ishull droge”, – tha Blushi.
TAKSAT
Duke folur për taksat, deputeti i Partisë Socialiste tha se kur do të hiqen ato për biznesin dhe cilat kategori do të prekin. Blushi tha se është parësore që qytetarët të krijojnë besim tek qeverisja e majtë dhe për këtë ai kërkoi angazhime konkrete.
“A do ta heqim ne në fund të fundit taksën për biznesin e vogël dhe nëse po, kur? Nëse kur, si do të kompensohet kjo në buxhetin e bashkive dhe komunave, të cilat sot kanë të ardhura vetëm taksën mbi biznesin e vogël. Ne nuk mund të bëjmë mirë, në rast se tregojmë vetëm se sa keq ka qenë përpara nesh. Ka qenë shumë keq, por duhet t’u japim mundësi njerëzve që të besojnë tek ne, se kjo shumicë do të qeverisë më mirë”, – deklaroi një ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi.