Anxhela Tato
Prangosen kancelari dhe drejtori Ekonomik i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” për falsifikim dokumentesh
Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, Luljeta Xhuhani
Skandal në Universitetin e Elbasanit, ku vjehrra e kancelarit favorizohet duke i dhënë një hapësirë me qira për hapjen e një kafeje. Kjo shkelje ka bërë që të vihet nën hetim rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” bashkë me drejtoren e Drejtorisë Juridike, Fatma Spahiu, ndërsa në pranga të vihet kancelari i Universitetit, Eljan Hoxha dhe Filip Qosja, drejtor i Drejtorisë Ekonomike. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se ka nisur procedimi penal për drejtuesit më të lartë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ndërkohë që dy prej tyre janë arrestuar nga policia. Në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, pas një hetimi intensiv, në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka bërë të mundur arrestimin në flagrance të shtetasve: Eljan Hoxha, 43 vjeç, banues në lagjen “Kala”, Elbasan, me detyrë kancelar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan; Filip Qosja, 49 vjeç, banues në lagjen “Viserion Xhuvani”, Elbasan, me detyrë drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Po kështu, policia ka filluar edhe procedimi penal për Liman Varoshin, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Fatma Spahiu, 37 vjeç, banuese në Elbasan, drejtore e Zyrës Juridike në këtë Universitet.
Hetimet
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se nga hetimet e policisë ka rezultuar se rektori i Universitetit, Liman Varoshi, në bashkëpunim me kancelarin e këtij Universiteti, Eljan Hoxha, kishin favorizuar vjehrrën e kancelarit, duke i dhënë për të shfrytëzuar me qira një hapësirë brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik të këtij Universiteti. Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, Luljeta Xhuhani, pasi në të ishin parashikuar për shfrytëzim vetëm 60 metra katrorë, nga 165 metra që ishte në të vërtetë kjo hapësirë. Nga verifikimet rezultoi se Luljeta Xhuhani kishte rreth shtatë vjet që e ushtronte këtë aktivitet në mjediset e këtij fakulteti, për lokal bar-kafe. Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale kontratat e lidhura për pesë vitet e fundit midis Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të firmosura nga rektori Liman Varoshi dhe subjektit përkatës. Po kështu, gjatë mëngjesit të djeshëm, janë ushtruar kontrolle në mjediset e lokalit, nga ku u konstatua se Luljeta Xhuhani bënte tregti në kundërshtim me ligjin, duke fshehur të ardhurat, duke mos pajisur klientët me kuponin tatimor, si dhe duke mos regjistruar punonjësit, të cilët punonin si kamerierë. Ndaj shtetasve Eljan Hoxha dhe Filip Qose u mor masa e arrestit në flagrancë, ndërsa dy personat e tjerë, Liman Varoshi dhe Fatma Spahiu, procedohen në gjendje të lirë. Të katër këta shtetas akuzohen për veprat penale shpërdorim detyre, vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh. Fillimisht u dyshua se personat e arrestuar së bashku me ata që ishin nën hetim, u dyshuan se, akuzoheshin për dhënie të diplomave false.
Vrasja e kryekomisarit Lamaj
Apeli i Krimeve të Rënda rikonfirmon, Frroku do të qëndrojë në burg
Apeli i Krimeve të Rënda ka lënë sërish në qeli Arben Frrokun, i arrestuar në shtetin grek për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Vendimi është dhënë dje nga gjykatësja Dhurata Haveri, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda disa javë më parë, e cila kishte vleftësuar si të ligjshme masën e sigurisë “Arrest me burg”, dhënë në mungesë për Arben Frrokun. Me anë të një kërkese drejtuar Apelit të Krimeve të Rënda, avokati i Frrokut, Tonin Prendi, kërkoi nga Gjykata lirimin e klientit të tij. Kërkesa e tij dhe argumentet e shprehura para togave të zeza të Apelit nuk e kanë bindur gjyqtaren Haveri për të firmosur lirimin e Frrokut dhe për këtë arsye ajo vendosi të linte në fuqi masën e dhënë më parë nga kolegët. Por, pas lënies në fuqi të masës “Arrest me burg”, Prendi deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me anë të një rekursi. Kryekomisari i Kombinatit, Dritan Lamaj, u ekzekutua më 24 shkurt 2013, ndërsa i dyshuari kryesor për drejtësinë shqiptare nga moment i parë e deri më tani, si person që ka lidhje me vrasjen, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, rezulton biznesmeni Frroku. Por, ky i fundit pretendon se nuk ka lidhje me vrasjen, pavarësisht nga përplasjet publike që kishte me të ndjerin, ndërsa është shprehur se nuk ka qenë as afër vendit të ngjarjes kur ka ndodhur krimi. Prokuroria deklaron se disponon prova se Frroku është i përfshirë në këtë vrasje.
Tentoi të vriste ish-të dashurën police, pranga biznesmenit turk
Tenton të vrasë ish-bashkëjetuesen e tij, punonjëse policie në komisariatin numër 1. Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës në zonën e Bërrylit. Burime nga policia bëjnë me dije se ka rënë në pranga 52-vjeçari Mujtat Oruc Sayan, me origjinë turke, por me dokumente holandeze. Mësohet se 52-vjeçari ishte biznesmen në vendin tonë dhe kishte një aktivitet të tijin. Denoncimi në polici është bërë nga punonjësja e policie me inicialet N. L., e cila prej disa kohësh ishte në një lidhje intime dhe bashkëjetonte me 52-vjeçarin. Mësohet se motivi i sherrit ka qenë ndarja. N. L. kërkonte që t’i jepte fund lidhjes me turkun, i cili nuk mund ta kapërdinte këtë fakt. Natën e ngjarjes të dy kanë nisur të debatojnë dhe në momentin që punonjësja e policisë ka tentuar të largohet, 52-vjeçari ka tentuar ta vrasë. Vajza ka njoftuar policinë, e cila ka vënë në pranga Mujtat Oruc Sayan për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.
Kanosi kushëririn se e përzuri nga banesa, pranga studentit
I vuri gjobë kushëririt, arrestohet studenti i Universitetit Bujqësor. Nga të dhënat e policisë mësohet se ka rënë në pranga 22-vjeçari Dorian Jaka nën akuzën e kanosjes dhe gjobëvënies. Burime nga uniformat blu sqarojnë se Dorian dhe M. Lleshi janë kushërinj të dytë me njëri-tjetrin. M. Lleshi është menaxher i një firme ndërtimi dhe i ka lëshuar kushëririt të tij një banesë, për të cilën fillimisht nuk i ka kërkuar qira, por me kalimin e muajve, Lleshi pretendonte që 22-vjeçari t’i paguante lekë për qëndrimin në banesë. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe mes tyre kanë nisur debate, deri në momentin kur Lleshi e ka nxjerrë jashtë shtëpisë kushëririn. Ky i fundit, në shenjë revoltë dhe në bashkëpunim me dy shokë të tij, filluan të kanosnin M. Lleshin. Ata i vunë një gjobë prej 5 mijë eurosh dhe në rast se nuk do ta paguante, do të kishte pasoja. Menjëherë pas denoncimit nga ana e bluve është bërë i mundur identifikimi dhe prangosja e 22-vjeçarit Dorian Jaka, ndërsa pritet edhe arrestimi i njërit prej shokëve të tij, të cilët kanë qenë bashkëpunëtor.
Plagosi shokun për sherrin në “Facebook”, ndalohet 15-vjeçari
Zënka në “Facebook” është transferuar në një zënkë me thika mes dy 15-vjeçarëve. Ngjarja ka ndodhur pas orës 14:00 pranë shkollës 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë. Burime nga policia kanë bërë të ditur se njëri prej adoleshentëve është plagosur me thikë dhe është dërguar në spital. Ndërkaq, i dyshuari për këtë ngjarje, një tjetër 15-vjeçar, është shoqëruar për në ambientet e komisariatit numër 2 në kryeqytet.