Të ftuar nga drejtoria e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, morëm pjesë në kremtimet e 105-vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u festua me madhështi në këtë qytet. Me të mbërritur në qytet, shoqëruesja, znj. Ajsell, na çoi për të vizituar muzeun, ku na priti me një përzemërsi të veçantë drejtori, z. Gazmend Hoxhaj, dhe kolegët e tij. Shëtitëm të gjitha dhomat dhe pamë eksponantet e këtij muzeu dhe patëm një krenari të ligjshme për atë ndërtesë që u përket jo vetëm atyre pak shqiptarëve në këtë qytet dhe në rrethinat, por mbarë kombit tonë. Krenoheshin ata për këtë muze, pasi tashti ishte pronë e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë, krenoheshin ata se po e pasuronin çdo ditë këtë vepër të kulturës shqiptare, krenoheshin se datën 22 nëntor, “Ditën e Alfabetit”, e kishin festë zyrtare të shqiptarëve. Ndonëse ishte pasdreke vonë, muzeu vazhdonte të vizitohej nga njerëz të ndryshëm, por edhe nga kolektiva nxënësish.
***
22 nëntor 2013, një ditë e shënuar, një ditë e bukur dhe me diell që na pëlqeu të gjithëve. Manastiri i priti me përzemërsi miqtë e ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe nga vetë Maqedonia. Ditë feste, ditë e madhe.
Kësaj radhe këtë aktivitet e kishte organizuar Instituti Nacional “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, i cili kishte bërë një punë të lavdërueshme, drejtori z. Gazmend Hoxhaj dhe stafi i tij.
Paradrekja e kësaj date u ishte rezervuar vizitorëve të shumtë që vinin nga të gjitha anët e Maqedonisë. Në qendër të qytetit, kur po bënim një fotografi, ndeshëm një grup nxënësish që vinin nga Gostivari për të parë Muzeun. Hymë në bisedë me to dhe u kënaqëm kur ato na u sulën me shumë pyetje për të ditur më shumë për këtë ngjarje e veçanërisht për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe që ka qenë një rrugë e gjatë e mundimshme dhe me plot sakrifica. Vizitorë të shumtë, ndonëse më shumë nxënës, vinin nga Tetova, Shkupi, Kërçova, Struga etj., por edhe nga Kosova. Vetëm në ditën e festës Muzeun e kanë vizituar rreth 1000 vetë, tregon drejtori i këtij Muzeu, z. Gazmend. Këtë atmosferë feste e përcollëm edhe ne në rrugët e Manastirit të mbushur plot me njerëz që drejtoheshin në vendet ku do të kremtohej festa. Çdo gjë po shkonte sipas parashikimit. Nuk duheshin harruar edhe të ftuarit dhe miqtë e ardhur posaçërisht për të marrë pjesë në këtë përvjetor. Vetë drejtori, por edhe kolegë të tjerë i shoqëronin ata dhe puna e tyre u realizua më së miri. Festa po kremtohej me madhështi, ashtu siç e meritonte. Kënaqej njeriu kur shihte atë angazhim të përsosur të stafit dhe ndihmësit e Muzeut, që çdo gjë të shkonte mirë dhe për bukuri.
***
Ora 13:00. Sipas programit nisi punën “Tribuna shkencore”. Salla ishte mbushur plot me miq e dashamirës të shqipes, studiues, historianë, mësues etj. Me të drejtë këta të fundit krenoheshin që ditën e alfabetit e quanin “Dita jonë”. Ata mësues meritojnë respekt të veçantë, sepse ata e mbajtën gjallë, por me vështirësi mësimin në gjuhën shqipe, traditë që vazhdon edhe sot, megjithëse vetëm në shkollën 9-vjeçare vazhdon arsimimi në gjuhën shqipe me një klasë paralele.
Hapja solemne e kësaj tribune shkencore u përshëndet nga studiues, drejtues të institucioneve shtetërore dhe arsimore të Maqedonisë. Përshëndetja e parë u bë nga studiuesi historisë së alfabeteve të shqipes prof. dr. Tomor Osmani, i cili foli shkurtazi për historikun e këtij Kongresi, duke vënë në dukje dhe rolin që kanë luajtur, pesë delegatët nga Shkodra (ndër 32 delegatë) që morën pjesë në këtë tubim, si Gjergj Fishta në cilësinë e kryetarit të komisionit për hartimin e alfabetit të shqipes, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Hilë Mosi dhe Mati Logoreci. Gjithashtu, u theksua se monografia e parë për historinë e alfabetit është shkruar në vitin 1936 nga Justin Rrota dhe në këta dhjetëvjeçarët e fundit po nga studiuesit shkodranë janë hartuar tri monografi me këtë temë. Autori më pas u ndal edhe në entuziazmin e atyre ditëve të vitit 1908 në Manastir dhe u uroi pjesëmarrësve 105-vjetorin e Kongresit të Manastirit që ta kalonin sa më gëzueshëm këtë ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar.
Në këtë tubim merrte pjesë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, z. Muzafer Bislimi, i cili përveç përshëndetjes së rastit, mbajti edhe kumtesën “Qëndrimi i Mithat Frashërit ndaj alfabetit të gjuhës shqipe”, duke sjellë fakte dhe dokumente të reja për këtë figurë qendrore të Kongresit të Manastirit. Përshëndetja tjetër erdhi nga z. Shefqet Zagolli, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, i cili në fjalën e tij theksoi se zgjidhja e vitit 1908 në Kongresin e Manastirit për një alfabet të përbashkët të shqipes, mbështetur në atë latin shënon një kthim në rrënjët e hershme drejt kulturës evropiane. Në vazhdim të këtij aktiviteti e morën fjalën historianët Skënder Asani, kryetar i Shoqatës e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, Nebi Dervishi, Bexhet Asani, Safer Tahiri etj., të cilët sollën fakte që nisnin nga iniciativat a kontributet e klubeve a familjeve të njohura për mbarëvajtjen e këtij Kongresi, si dhe reagimet që u pasqyruan në shtypin e kohës për këtë ngjarje.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij theksoi se me 1908 u vunë themelet e identitetit kombëtar, themele që u përforcuan me hapjen e Universitetit Shtetëror të Tetovës më 1994. Përveç kontributeve që ka dhënë ky Universitet ndër vite në të mirë të kulturës shqiptare, në përgatitjen e shumë kuadrove në shumë fusha të dijes, një ndihmesë ndër vite ka dhënë me kremtimin në çdo vit të Ditës së Alfabetit. Ai i dha një lajm të mirë pjesëmarrësve se me vendim të senatit akademik të këtij universiteti, diploma e këtij universiteti do të ketë logun e Kongresit të Manastirit. Ai i dhuroi Muzeut flamurin e Universitetit shtetëror të Tetovës dhe logun e tij të zmadhuar.
Të gjithë të pranishmit që morën fjalën, shprehën mendimin se hapja e Institutit Nacional të Alfabetit të shqipes u nis nga dëshira për ruajtjen, kultivimin e vlerave të gjuhës dhe të kombit shqiptar.
Një takim i veçantë ishte ai i realizuar në pasdreken e asaj dite me përfaqësues nga Ministritë e Kulturës së tri vendeve Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, ku u diskutuan strategjitë që duhet të ndiqeshin në të ardhmen e këtij Muzeu.
***
Kjo ngjarje e madhe historike u pasua në mbrëmje me organizimin e Akademisë Solemne me një slogan mjaft domethënës “105 vjet shkruajmë njësoj”, që u mbajt në Pallatin e Kulturës në Manastir. Me këtë rast përshëndetën zëvendëskryeministri i Maqedonisë z. Musa Xhaferi, ministrja e Kulturës e Shqipërisë znj. Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës e Maqedonisë znj. Elizabeta Mileska. Në emër të Ministrisë së Kulturës së Kosovës përshëndeti z. Veton Pirzi. Në vazhdim u dha një dokumentar për Kongresin e Manastirit, i përgatitur enkas për atë ditë që u shoqërua më pas me një program të shkurtër artistik. Në fund drejtori i Muzeut, z. Gazmend Hoxhaj, u shpërndau disa personaliteteve si kujtim, logun e ndërtesës së Kongresit të Manastirit, ku ishte shkruar 105 vjet Kongres i Manastirit.
***
Kjo ditë u kremtua në shumë qytete të Maqedonisë me popullsi shqiptare, si në Shkup, Tetovë, Gostivar etj., ku edhe disa shkolla u emërtuan me emrin “Kongresi i Manastirit”. Por më domethënës, më entuziast dhe më i organizuar për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare i përket vendit ku u mblodh Kongresi i Manastirit.
Nuk na mbetet gjë tjetër, por t’u urojmë shqiptarëve të Maqedonisë që në vitet e ardhshme “Ditën e Alfabetit” ta kremtojnë sa më madhërishëm dhe sa më bukur, këtë festë të madhe të kombit shqiptar dhe Muzeu të pasurohet gjithnjë e më shumë, duke u bërë një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore.
Prof. dr. Tomor Osmani/ prof. as. dr Mimoza Priku