Çfarë ka mbetur nga Jugosllavia e Titos?

0
194

 

Këtë të premte u mbushën 70 vjet nga Konferenca e Dytë e KAÇKJ (AVNOJ-it), ku u vunë themelet e Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia është shkatërruar me luftë po sa është prezente kjo ide në shtetet pasuese?

Dita e themelimit të ish-Jugosllavisë (29 Nëntori) ka qenë festa më e rëndësishme në këtë vend, e njohur edhe si Dita e Republikës. Të rinjtë nga Novi Sadi, të cilët kanë lindur në vitin 1992, pra në kohën e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, i kemi pyetur se çfarë mendojnë ata për shtetin e dikurshëm të përbashkët. Në 70-vjetorin e themelimit të saj. Të rinjtë nuk dinë gati asgjë për ish-shtetin e përbashkët dhe për Ditën e Republikës. Këtë kohë e njohin vetëm nga historia dhe rrëfimet e më të moshuarve.

“Ne nuk e dimë se si ka qenë më parë, ndaj edhe kjo që kemi tani na duket mirë”, – thotë njëri prej tyre, i cili megjithatë e di nga historia se çfarë ka ndodhur në vitin 1943, në qytetin Jajce, ku janë vënë themelet e ish-Jugosllavisë. Por shumë studentë të tjerë nga Universiteti i Novi Sadit nuk dinë gati asgjë për të kaluarën e shtetit të përbashkët. 29 Nëntori për ta nuk e simbolizon ditën e themelimit të ish-shtetit të përbashkët. Për mënyrën e jetesës në Jugosllavi ata kanë dëgjuar vetëm nga rrëfimet e prindërve.

Mendimet e ndara

“Për AVNOJ-in (KAÇKJ) nuk di gati asgjë, por e di që Jugosllavia ka qenë e përbërë nga pesë republika: Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia dhe Sllovenia”, – thotë Milloshim, i cili nuk e di që republikat e Serbisë dhe Malit të Zi kanë qenë të ndara edhe në kohën e Jugosllavisë.

“E di që ka qenë bukur në kohën e Titos dhe kaq. Këtë më kanë treguar prindërit, por jo më shumë”, – thotë Aleksandra.

“Thonë se është jetuar mirë. Domethënë ke punuar dhe e ke ditur pse punon. Thonë se kështu është sot në Perëndim”, – thotë Gorica.

“Prindërit më kanë treguar se në atë kohë ke mundur për shembull që tre muaj të punosh në një vend pune dhe nëse nuk të pëlqen mund ta ndërrosh e të gjesh një vend tjetër. Njerëzit nuk janë larguar nga puna dhe kanë qenë të sigurtë se kur gjen punë në një sipërmarrje, atje mund të mbetesh deri në pension”, – shton Milloradi.

“E vetmja që di është ajo që më treguar babai se në kohën e Titos kur kanë dalë nga shtëpia nuk ka qenë e domosdoshme të mbyllin derën me çelës. Por mendoj se ai sistem i ka pasur përparësitë dhe mangësitë e tij. Për shembull: familja e një shoqes sime ende pret që t’i kthehet pasuria e konfiskuar në atë kohë”, – nënvizon Natasha.

Por shumë prej të rinjve janë të irrituar me tregimet nostalgjike të prindërve për kohën e Titos dhe Jugosllavisë.

“Ky është si një lloj ‘kulti i kohërave të arta’, që do të thotë se në atë kohë është jetuar shumë më mirë, që është një dukuri mjaft negative, sepse ne duhet të jetojmë në kohën e tanishme dhe në të ardhmen”, – kritikon Gorica. “Mendoj se kthimi në të kaluarën nuk na sjell asgjë të mirë. Ne duhet të përqendrohemi tek ajo si të ndërtojmë një ardhmëri më të mirë”, – nënvizon Bozhidari.

Si mund të ndërtohet një ardhmëri më e mirë?

“Ajo që mua më intereson është se si është shkatërruar Jugosllavia, që do të thotë, më interesojnë luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Duhet përcaktuar se kush ka bërë krime, çfarë krimesh janë bërë, kush kanë qenë viktimat? Këto gjëra nuk duhen harruar, por duhen shpjeguar gjërat, sepse vetëm kështu mundësohet një ardhmëri më e mirë. Do të doja që kur të shkoj në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi apo në Maqedoni, askush të mos më pyesë se prej nga jam, por të gjithë të jemi të barabartë, pavarësisht përkatësisë kombëtare”, – thotë Natasha.

“Unë do të doja që moshatarët tanë nga Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë t’i harrojnë kohërat e luftërave të dikurshme e të kaluarën dhe të hapim një faqe të re në raportet mes nesh”, – sugjeron Milloshi. Ndërsa Milloradi mendon se “ata kanë pasur fat që nuk e dinë se si ka qenë në të kaluarën, kështu që edhe ajo që kanë tani u duket mirë”. DW