Dëshmorët e LANÇ Kryeministri: Reflektim në emër të së ardhmes, do të shkruajmë një faqe të re në histori

0
133

Gëzim Saliu

Aktiviteti i së majtës për të nderuar dëshmorët dhe veteranët e luftës

 

rama duke nderuar, mbrapa meta nishaniTë mbledhur në një ambient privat në periferi të Tiranës, Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Meta, aleatët e koalicionit të majtë si edhe familjarë të dëshmorëve zhvilluan dje një ceremoni për të nderuar luftën e zhvilluar 69 vite më parë. Në aktivitetin kushtuar të rënëve në Luftën Nacionalçlirimtare, në kuadër të Ditës së Çlirimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se 29 Nëntori është dita e reflektimit në emër të së ardhmes. Sipas, kreut të qeverisë, kontributi i të rënëve për lirinë është kuptimplotë e do të jetë për gjithë gjeneratat. “Ndërsa sot në këtë ditë e në këtë vend ato jetë vazhdojnë t’i shërbejnë Shqipërisë me përkushtimin ndaj vendit që nga thellësitë e historisë së të tij, që na thotë qartësisht se të tjerët janë ata që kanë bërë ata edhe gjithçka për Shqipërinë. Ata që na vendosin ne përballë sfidës për të bërë sa mundemi për vendin. Shqipëria e sotme është shumë më afër se ç`ishte atëherë me ëndrrën e atyre që ranë e që ne sot i nderojmë në emër të jetës që i vunë në dispozicion ëndrrës. Për të përmbushur atë ëndërr ka ende shumë rruge e mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, – tha Rama.

 

Aktiviteti

Duke marrë shkas nga ngjarja e 29 Nëntorit, Kryeministri i vendit pohoi se Aleanca për Shqipërinë Evropiane i ka të gjitha mundësitë që të shkruajë një tjetër faqe të historisë së vendit. Sipas Ramës, në këtë ditë nuk mund të mos përmendet bashkimi i së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit: “që është nga njëra anë, mësimi për secilin nga ne e në radhë të parë për çdonjërin prej nesh që përfaqësojmë shumë e shumë të tjerë, pamundur kurrë që të jemi mjaftueshmërisht në lartësinë e thjeshtësisë dhe të sakrificave të tyre në jetën e përditshme, duke nënvizuar nga ana tjetër, domosdoshmërinë e një vetëdije të përditshme për t’i dhënë atij bashkimi, që i dha Shqipërisë mundësinë të rimarrë frymë lirisht, edhe përmasën e një zhvillimi që do t’i japë Shqipërisë e shqiptarëve mundësinë për të ecur më shpejt, drejt një rilindjeje që jo vetëm është e mundur, por është detyrimi ynë… Duke dashur të sigurojmë po ashtu jo vetëm ata një milion që na votuan, por edhe të gjithë ata që nuk na votuan se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka jo vetëm të gjitha arsyet, por edhe të gjitha mundësitë që të shkruajë një tjetër faqe të bukur në historinë bashkëkohore të këtij vendi”. Ndërkohë, kreu i Kuvendit Meta, theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që i bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë Evropiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë. “Jam i bindur se duke respektuar ata që ranë për vendin, lirinë, për të forcuar shtetin ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që na bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë evropiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë”, – tha Meta.

 

Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve

Portreti i Enver Hoxhës në ceremoni, reagimet në “Facebook”-un e Ramës

Në Ditën e Çlirimit në nderimin e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut nga na e të majtëve nuk ka munguar edhe shpalosja e portretit të ish-diktatorit, Enver Hoxha. Në kohën kur krerët e shtetit kryen homazhe në nderim të të rënëve për çlirimin e Shqipërisë, disa veteran përfaqësues të Partisë Komuniste nderuan liderin e tyre, Enver Hoxha. Ata kishin ngritur në sheshin përpara memorialit “Nënë Shqipëri” një stendë me fotogaleri nga aktiviteti i Hoxhës në Partinë Komuniste Shqiptare. Këta të moshuar kishin përgatitur dhe një foto të madhe gati 2 metra të lartë të ish-diktatorit në kohën e komunizmit, bashkë më një tjetër stendë ku ishte logoja e PKSH. Fotoja e Hoxhës u vu re edhe në fotot e hedhura në rrjetin social “Facebook” nga Kryeministri për homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, gjë që ka sjellë reagime të shumta. Ndjekësit e Ramës kanë komentuar në format të ndryshme foton e ish-diktatorit Hoxha, e shpalosur gjatë homazheve tek monumenti “Nënë Shqipëri”. “Në foto, në sfond, duket portreti i diktatorit Enver Hoxha. Një akt i turpshëm dhe fyes. Është e njëjta gjë, sikur, në një festë kombëtare në Gjermani, të shfaqej portreti i Hitlerit. Jo, kurrë më! Asnjë tolerancë kundrejt simboleve të dhunës, vuajtjeve dhe krimeve ndaj popullit shqiptar!”, – shkruante një komentues në “Facebook”-un e Kryeministrit. Në të njëjtën linjë, një tjetër ndjekës shkruante: “Nuk e kuptoj foton e xhaxhit Enver”. Ndërkohë, të tjerë mbështesin aktin, duke pohuar: “Sa keq kur ofendohet kujtimi i një figure te rëndësishme të popullit shqiptar, më pëlqen shumë ajo foto, jo atje mbrapa, përpara e ka vendin, ishte burrë shteti”. Po ashtu edhe një komentues tjetër shkruante: “Foto e shokut Enver gjigante. Bravo Edi Rama”. Ndërkohë, një ndjekës tjetër theksoi: “Sa keq! Prapë të ndarë për festat sivjet. Deri kur do të vazhdojë kështu? Pse nuk zbatohet Kushtetuta dhe protokolli i shtetit për festat kombëtare?”

Reagimet e të djathtëve për foton e ish-diktatorit në ceremoni

Edi Paloka

Portreti i Enver Hoxhës ndodhet në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 29 Nëntorit, pas Kryeministrit……. kujdes historia përsëritet!

Genc Pollo

… E papëlqyeshme, e rëndë, provokuese e fyese ishte vendosja e shfaqja publike e një portreti të madh të Enver Hoxhës gjatë homazheve të krerëve të shtetit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Gjest i dënueshëm. Nuk dua të mendoj se kjo është bërë me porosi nga “lart fare” por do të lipsej që zotërinjtë Rama e Meta të distancoheshin nga ky akt.

Ceremonia

Nishani, Rama dhe Meta, homazhe te monumenti “Nënë Shqipëri”

Krerët më të lartë të shtetit përkujtuan dje Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit, përkujtimi i 29 Nëntorit filloi me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Rreth orës 10:00, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri i vendit Edi Rama, Kryeparlamentari Ilir Meta, ministra, deputetë socialistë dhe aleatët e PS-së u bashkuan në vendosjen e kurorave me lule në memorialin “Nënë Shqipëri.

Në Fier

Ruçi: Do vijë një ditë ku do bashkohemi me opozitën

Deputeti i Partisë Socialiste ka zgjedhur qytetin e Fierit për të përkujtuar 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit. Për kreun e grupit parlamentar socialist, edhe pse palët mbeten të ndara lidhur me festimin e Ditës së Çlirimit të vendit, do të vijë një ditë, sipas tij, që e majta dhe e djathta do të bashkohen. “Shumë gjëra na ndajnë me opozitën, por edhe shumë të tjera na bashkojnë, madje do të vijë një ditë që do të jemi të bashkuar”, – pohoi Ruçi.

“Hapen” dyert e ndërtesës

Rama: Do ndërtojmë bibliotekë publike dhe hapësirë koncertesh në Kryeministri

Kreu i qeverisë, Edi Rama, hapi dje dyert e Kryeministrisë për qytetarët në kuadër të “Natës së Bardhë”. Duke bërë të ditur se për shkak të sigurisë së ndërtesës dhe mungesës së rikonstruksionit total të saj, nuk u bë e mundur që të hapej dera për të gjithë, Rama tha se në vitin e ardhshëm kjo gjë do të bëhet e mundur. Në fjalën e tij para të pranishmëve, të cilët më pas i shoqëroi në ambientet e brendshme të Këshillit të Ministrave, kreu i mazhorancës vlerësoi sallën e hartave të kësaj ndërtese. “Kjo sallë tërheq vëmendjen e çdo vizori të huaj që vjen për ta parë nga jashtë Shqipërisë. Në duam që përveç kësaj salle (salla e hartave), që tanimë është bërë e famshme, dhe ndërkohë ju siguroj se tërheq vëmendjen e çdo vizitori të huaj, edhe të atyre që vijnë nga vende ku ka plot mrekullira. Ne duam që të krijojmë edhe hapësira të tjera të rindërtuara, për t’i dhënë mundësi publikut që ta vizitojë Kryeministrinë jo vetëm në rastin e festës së “Natës së Bardhë”, por edhe në ditë të caktuara të vitit. Duam të ndërtojmë një bibliotekë publike të Kryeministrisë, një hapësirë koncertesh, dhe njëkohësisht dhe një hapësirë tonë për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për tu parë nga publiku”, – theksoi Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri sqaroi gjithashtu se do të krijohen kushte që edhe mjediset përreth godinës të jenë të shfrytëzueshme për qytetarët. “Aty ku deri para pak kohësh kishte rrethim, godina të shëmtuara pa leje, një hapësirë e tërë publike e keqtrajtuar dhe e humbur për qendrën e qytetit, do të kemi një hapësirë publike të ripërtërirë por edhe shumë të veçantë. Jam i bindur që do të jetë një tjetër pjesë e rifituar e kryeqytetit të ëndrrave dhe shpresave tona, të më të rinjve, të fëmijëve por dhe më të moshuarve”, tha Rama.

Në Parlament

Meta me të rinjtë: Nuk ka arsye pse të mos marrim statusin, por mjafton një votë ta hedhë poshtë

Në kuadër të “Natës së Bardhë”, Kryeparlamentari Ilir Meta ka pritur dje në sallën e Kuvendit një grup gjimnazistësh nga shkollat e mesme të vendit. Në përgjigje të pyetjeve të gjimnazistëve, Meta theksoi se ekziston ende pasiguri për votimin e dhjetorit për statusin, duke e lidhur me mënyrën se si procedohet në votim. “Mendoj se janë të gjitha mundësitë, tri kushtet tashmë janë të realizuara me votimin që u realizua këtu para zgjedhjeve të 23 qershorit. Zgjedhjet ishin një moment kyç që u vlerësua mjaft pozitivisht nga komiteti ndërkombëtar. Rekomandimi i KE për KiE për vendet anëtare është pozitiv, edhe sot është publikuar një mesazh i komisionerit Shtefan Fyle drejtuar të gjithë vendeve anëtare për të mbështetur dhënien e statusit kandidat, shpresojmë dhe besojmë që kjo do të ndodhë. Duhet të kemi një gjë parasysh, nuk kemi të bëjmë thjesht me një votim me shumicë apo pakicë siç ndodh këtu, por kërkon një konsensus dhe një votë pro nga të gjitha vendet anëtare. Do mjaftonte dhe një hezitim, qoftë dhe i një vendi të vetëm sado modest që të jetë, që kjo të mos ndodhte. Por nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos e fitojë statusin kandidat në muajin dhjetor përpara Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri” tha ai. Mes batutave, Meta tregoi dhe shkakun se pse Kuvendi jo rrallë karakterizohet nga tensione mes palëve. “Kemi dhe shumë momente të tjera pozitive të bashkëpunimit mazhorancë -opozitë dhe kam besim që sikur mos të ketë kamera në parlament këtu do ketë mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Kur vinë kamerat e orientojnë më shumë tek kamerat dhe tek ajo që do të dëgjonin përkrahësit e njërës apo tjetrës parti, sesa tek bindjet e vetë deputetëve. Por po ecim në një rrugë gjithnjë e më pozitive, ky është mesazhi që japin edhe qytetarët tanë vazhdimisht të cilët kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre dhe jo shtim të tyre”, – u shpreh Meta.