Çfarë është kanceri i mushkërive, ja kush preket

0
214

Simptomat e para që kanë lidhje me kancerin e mushkërive janë të përgjithshme (lodhja, plogështia, kolla e thatë apo edhe me këlbazë, temperaturë lehtësisht e ngritur)

 

cancer_pulmoËshtë e vetmja sëmundje që i është ndërruar vendi i klasifikimit nga entiteti (grupimi) mjekësor patologjik (vuajtje natyrore) në atë tragjik (fatal), sepse në 87-92% të rasteve, njeriu këtë sëmundje ia shkakton vetvetes duke pirë duhan. Shkaktarë të tjerë të paraqitjes së kësaj sëmundjeje janë: rrezatimi nga nëntoka e thellë, ndotja e ambientit (gazrat helmues), nafta dhe produktet e naftës, posaçërisht ato që inhalohen (thithen në mushkëri). Faktori gjenetik (trashëgimtar) po ashtu ka rëndësi të madhe në paraqitjen e kësaj sëmundjeje fatale, si dhe gjendja psikike dhe imunitare e organizmit.

Problemi i parë në lidhje me kancerin në përgjithësi, si dhe kancerin e mushkërive është kohëzgjatja e madhe prej momentit kur fillojnë ndryshimet në qeliza dhe organizimi tumoral, gjer në momentin kur paraqiten simptomat e para. Gjatë kësaj kohe mund të kalohet gjer te metastazimi i qelizave malinje (përhapja në organe tjera: tru, eshtra, nyje limfatike etj.) dhe gjithsesi gjatë kësaj periudhe që ndonjëherë zgjatë me muaj, organizmi dëmtohet në mënyrë të pariparueshme (pa mundësi në kthimin e gjendjes së mëparshme). Ky problem është i kushtëzuar nga natyra e sëmundjes, dhe në te për kohën e tanishme shumë pak mund të ndikohet me të arriturat shkencore e teknologjike mjekësore. Si i tillë ky problem, që nuk varet nga faktori njeri, ekziston në tërë botën.

Problemi i dytë është po ashtu kyç sepse, edhe koha prej se janë lajmëruar simptomat e para e gjer te kërkesa për ndihmën mjekësore, dhe rrjedhimisht diagnostikimi, shpesh është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë dhe kjo varet nga kultura shëndetësore e pacientit dhe niveli i shërbimit shëndetësor. Për fat të keq në Kosovë, për dallim nga shtetet e zhvilluara, edukimi shëndetësor i qytetarëve dhe organizimi i shërbimit shëndetësor ende janë të dobëta, ashtu që këtu humbet një kohë e çmueshme dhe e pakthyeshme për menaxhimin e kësaj sëmundjeje.

Simptomatologjia
Simptomat e para që kanë lidhje me kancerin e mushkërive janë të përgjithshme (lodhja, plogështia, kolla e thatë, apo edhe me këlbazë, temperaturë lehtësisht e ngritur) dhe si të tilla edhe pacienti, por edhe mjeku i nënvlerësojnë. Më vonë, me paraqitjen e prezencës së gjakut në këlbazë, dhembjeve në kraharor dhe humbje në peshë, alarmohet pacienti dhe mjeku kërkon rëntgenin e mushkërive ku mund të vërehen hije të madhësisë dhe formës së ndryshme të dyshimta në kancer. Prej këtij moment fillon intensivisht dhe në mënyrë të programuar diagnostikimi i sëmundjes si faze e parë e menaxhimit të tërësishëm të kësaj patologjie. Bëhen ekzaminimet plotësuese rëntgenologjike (tomografia e kompjuterizuar: prerjet filmike në shtresa të kraharorit të kontrolluara me kompjuter), fiberbronkoskopia (ekzaminimi me gyp të lakueshëm në rrugët e frymëmarrjes) dhe marrja e materialit bioptik (për ekzaminim histopatologjik: në mikroskop me çka identifikohen se cilit tip dhe cilit stad i takojnë qelizat malinje).

Terapia e kancerit të mushkërive

Terapia varet nga tipi citohistopatologjik (lloji qelizor e indor i kancerit), përfshirja e mushkërive, si dhe metastazimet (përhapja në pëlhurë, mushkërinë tjetër, meskraharor-mediastinum apo organet jashtë kraharorit).

Kirurgjia, nëse është e mundshme, kishte me qenë zgjidhja më e mirë dhe me prognozë më të mire. Në Klinikën Pulmologjike të QKUK-së, është i evidentuar vetëm një pacient me mbijetesë prej më shumë se 20 viteve, i cili është operuar nga karcinoma e mushkërisë së majtë (lobektomia e sipërme-heqja e plotë e lobit të sipërm) dhe ende është gjallë dhe në gjendje të aftësisë së mirë për punë.

Tretmani tjetër është polikimiterapia (kombinimi i disa barnave kimike të cilat i mbysin qelizat malinje, por që nuk janë selektive, ashtu që i dëmtojnë edhe disa lloje të qelizave të shëndosha. Terapia rrezatuese, e njohur edhe si radioterapia, është terapi që me ndihmën e rrezeve radioaktive i shkatërron në masë të madhe qelizat malinje, por që njëkohësisht shkakton edhe fibrozë mushkërore që për pasojë ka zvogëlimin e kapacitetit të frymëmarrjes.

Këto lloje të terapisë shpesh kombinohen ndërmjet veti ndonjëherë me efikasitet më të madh apo më të vogël, varësisht nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes, gjendja e përgjithshme e pacientit, mosha dhe prezenca e ndonjë sëmundjeje tjetër (diabeti-sëmundje e sheqerit, tuberkulozi, sëmundjet e zemrës, të veshkës apo mëlçisë).

Terapia suplementare (shtesë) aplikohet në tërë botën dhe ajo qëndron në dhënien e barnave natyrale me prejardhje bimore (çajeve: i gjelbri posaçërisht, shurupit Varumin, ekstraktit alkoolik të ehinaceas etj.) apo shtazore (qumështi i bletës-maja e mjaltës, vezët e shkurtave japoneze etj.).

Gjatë tërë kohës së menaxhimit të kancerit mushkëror duhet që pacienti të mbështetet moralisht me ndihmë të psikoterapisë, e cila është më se e domosdoshme edhe për qëllim të rritjes së efikasitetit së terapisë bazike si dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës.

Fatkeqësisht, përvojat e gjertanishme kanë treguar se menaxhimi terapeutik i kancerit mushkëror, më shumë ka efekt në zgjatjen dhe përmirësimin e kualitetit të jetës, sesa në shërim të plotë të kësaj sëmundjeje fatale.

Kështu, sot e kësaj dite në tërë botën insistohet në parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga lufta kundër duhanpirjes, gjer te respektimi i standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit nga ndotja, sepse kjo është mënyra më efikase në zvogëlimin e numrit të kancerit mushkëror. Dr. Skënder Baca.