Shpallet pretendentët zyrtare për çmimet letërsisë Kombëtare 2012

0
173

Ministria-e-Kultures_10Çmimet letrare Kombëtare “Penda e Argjendë” 2012 i rikthehen normalitetit, duke u paraqitur kandidatët zyrtarë sipas gjinive letrare në kohën e duhur, fillim dhjetori. Sipas njoftimit për shtyp bëhet e ditur se juria e përbërë nga Visar Zhiti – kryetar, Dhurata Shehri, Bardhyl Londo, Flutura Açka dhe Romeo Çollaku – anëtarë, që kur u shpall si e tillë në mars të 2013, ka ndjekur zhvillimet letrare në kontakt me Bibliotekën Kombëtare, me libraritë, botues e Panairin e Librit, me median dhe lexues. “Juria është mbledhur herë pas here, periodikisht, është diskutuar dhe debatuar, në zbatim të Rregullores së Çmimeve Letrare dhe dispozitave të saj të përgjithshme, të cilat lejonë të merren në shqyrtim vetëm veprat e autorëve shqiptarë të botuara shqip në vitin 2012 brenda Republikës së Shqipërisë, duke i mënjanuar ribotimet e veprave të botuara më parë”, shpjegohet zyrtarisht puna e jurisë. Informacioni që vjen mbi botimet e reja sipas njoftimit të MTKRS-së “janë të shumta, me qindra e mijëra”! Por vlerësuar nga prurjet dhe niveli rezulton se romani nuk ka patur kulme për vitin 2012, duke tërhequr vëmendjen për rënie të tij, po kështu thuhet edhe për letërsinë për fëmijë. E kundërta ka ndodhur me përkthimin, referuar asaj të letërsisë botërore thuhet se “ka njohur zhvillime dhe larmi të admirueshme”.  Bazuar në këtë informacion bëhet e ditur se juria ka pasur debat të gjatë për përzgjedhjen e romaneve, duke veçuar si pretendentë: Ridvan Dibra dhe Ylljet Aliçka, Gjergj Vlashi dhe Idlir Azisi, Gazmend Krasniqi e Leonard Veizi, Albatros Rexhaj dhe Roland Gjoza, etj. Po kështu dhe në fushën e poezisë janë nxjerrë veprat e poetëve si Krenar Zejno, Luljeta Lleshanaku, Rudolf Marku, Demir Gjergji, etj. Sa i takon tregimit janë përzgjedhur veprat e reja të vitit 2012, si përmbledhje nga Gjergj Vlashi, Ardian Kyçyku, Moikom Zeqo, Ina Kosturi, Vera Bekteshi, Pëllumb Kulla, Anna Kove, Kujtim Dashi, Ardian Vehbiu, etj,. “Për letërsinë për fëmijë, aq e domosdoshme dhe delikate, prej sé cilës pritet shumë më tepér”, sipas njoftimit janë diskutuar emrat si Thanas Jorgji, Bardhyl Xhama, Jani Duri, Alketa Dervisha, Fatmir Terziu, etj.

Debati thuhet se ka përfshirë pretendimet për Kritikën letrare dhe esenë ku janë përzgjedhur emrat: Shaban Sinani, Korab Hoxha, Ali Aliu, Edlira Tonuzi, Monika Shoshori (Stafa), Uran Butka, Daut Gumeni, Ardian Vehbiu, Ardian Klosi, etj. etj.

 

Ministria e Kulturës bën të ditur se më 27 nëntor 2013, Juria, pas shumë debatesh e me vendim të shumicës së saj, ka konfiguruar këto vepra dhe autorët e tyre:

 

Sipas gjinive:

Roman

Gazmend Krasniqi, Shitësit e apokalipsit

Ridvan Dibra, Legjenda e vetmisë

Ylljet Aliçka, Valsi i lumturisë

 

Tregim

Ardian-Cristian Kyçyku, Perla

Gjergj Vlashi, Tregim i ëndërruar

Vera Bekteshi, Det i moçëm

 

Poezi:

Krenar Zejno, Triologjia e apologjisë së lugjeve

Luljeta Lleshanaku, Pothuajse dje

Rudolf Marku, Një ballkanas në Londër

 

Autor debutues

Darien Levani, Poetët bëjnë dashuri ndryshe, roman

Edlira Tonuzi (Macaj), Pasqyrat e narcisit: simbolika mitike dhe semiotika e tekstit, kritikë

Lindita Komani, Postimpresion, poezi

 

Përkthim

Alban Bobrati, Nëse një natë dimri një udhëtar… [Italo Calvino]

Bajram Karabolli, Muaji më mizor [Pilar Adon]

Jonida Godole, Pështjellimet e Tërlesit [Robert Musil]

Parid Teferiçi, Delfini [Robert Loëell]

Pirro Misha, Dita e trifidëve [John ëyndham]

 

Kritika letrare

Ali Aliu, Don Kishoti shqiptar

Korab Hoxha, Shenja të munguara në letrat shqipe

Shaban Sinani, Tradita gojore si etnocitet

 

Ese

Daut Gumeni, Shënime nga Shkolla e Partisë

Monika Shoshori (Stafa), Gati për rinisje (Up in the air)

Uran Butka, Kristo Kirka

 

Letërsia për fëmijë

Fatmir Terziu, Rrëfenjat e xha Avramit

Jani Duri, Ishulli i karficës

Thanas Jorgji, Unë jam Kronosi, mbreti i kohës