Vienna Institute: Shqipëria i rezistoi më mirë krizës; Evropa Juglindore e prekur nga recesioni

0
150

Ervin Kaduku

 

 Shqipëria dhe Polonia përmenden nga drejtori i “Joint Vienna Institute” si dy shtetet që e përballuan mirë krizën që nisi në 2008-n

 

 

vienna1Të gjitha vendet në zhvillim të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore janë përballur me recesion, apo ngadalësim të ndjeshëm të rënies ekonomike, pas krizës financiare të vitit 2008. Deri atëherë, vendet po u gëzoheshin normave të larta të rritjes ekonomike dhe pritshmërive të një konvergjence të shpejtë (zgjerim më i shpejtë në raport me vendet e zhvilluara, me synim arritjen e niveleve të këtyre të fundit).

Pas pesë vitesh, me Eurozonën që më së fundi po del nga recesioni, shpresat janë rizgjuar se, edhe Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) mund t’i rikthehet rritjes. Por, shumë faktorë kanë ndryshuar në raport me periudhën e para 2008-s. Rajoni i goditur nga kriza mund të përballet me një periudhë më të ngadaltë rritjeje, nivel më të ulët konvergjence, humbje të ritmit të reformave në raport me dekadën e fundit.
Por çfarë duhet bërë që të mbështetet rimëkëmbja? Zotërinjtë Norbert Funke dhe Burkhard Drees, drejtor dhe zëvendësdrejtor i “Joint Vienna Institute” ishin në Shqipëri pak ditë më parë, ku zhvilluan seminarin “Makroekonomiksi pas krizës: Çfarë ka ndryshuar për vendet e EQLJ”.
“Shumë nga politikat makroekonomike dhe strukturore, të identifikuara në botën para krizës si nxitëse të rritjes, ende kanë rëndësi”, tha z. Funke. Por, zhvillimet e pas krizës e vënë theksin në një rol më të fortë të karakteristikave specifike të vendeve dhe rëndësinë e integrimit të politikave të reja në kornizat ekzistuese.
“Politikat duhet të përqendrohen në adresimin e problemeve të trashëguara nga kriza, përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e sektorit të tregtueshëm dhe sigurimin e një mirëfunksionimi të tregjeve të punës”, thotë z. Funke.
Por, ajo që është bërë më e rëndësishme pas krizës, është politika makroprudenciale, paralajmëruan lektorët.

Shqipëria, i rezistoi mirë krizës, po rritja e mëtejshme nuk vjen pa reforma

Shqipëria dhe Polonia përmenden nga drejtori i “Joint Vienna Institute” si dy shtetet që e përballuan mirë krizën që nisi në 2008-n. Për Shqipërinë, z. Funke përmend si arsye kryesore nivelin relativisht të ulët të integrimit të vendit, politikat e shëndetshme të ndjekura para krizës, dhe pas krizës lehtësimi i politikave monetare dhe fiskale për të zbutur efektet e saj.
Por tashmë, vendi nuk ka më hapësirë për zgjerim fiskal, ndërkohë që niveli i kredive me probleme është rritur. Z. Funke pranon se vendet që janë më të varfra, tentojnë që të rriten më shpejt.
Megjithatë, “duhet të përgatitemi se rritja në rajon nuk do të jetë si në periudhën e para-krizës, vetëm në rast se do të zbatohen reformat e tjera për të mbështetur zhvillimin”. Ndonëse shtetet e rajonit kanë qenë të suksesshme në procesin e kapjes së ritmeve (konvergjencës) në dekadën e kaluar, në rast se nuk do të kryhen reforma, nuk mund të pritet rritje e lartë.
Por, çfarë mund të bëhet ndryshe nga periudha e para 2008-s?
Z. Funke pohon se indeksi i tranzicionit tregon se ka pasur një ngadalësim të momentit të reformave në rajon gjatë dekadës së fundit. Në vitet e para të ‘90-s u bënë shumë reforma, si privatizime apo integrim tregtar. Por, që para krizës, ritmi i tyre filloi të ngadalësohej. Tashmë është koha që ato të përshpejtohen sërish, në mënyrë që të nxitet rritja.
Fuqizimi i sektorit financiar; rritja e kapitalizimit të sistemit bankar; reduktimi i huave me probleme; nxitja e rritjes së kredisë për sektorin privat; fuqizimi i pozicioneve fiskale në mënyrë që borxhi të japë disa drejtime ku duhet të punohet.
Është e domosdoshme që të vazhdohet me reformat strukturore, tha z. Funke, ku ndër më kryesoret përmenden: Përmirësimi i mjedisit të biznesit; thjeshtimi i rregulloreve dhe mbrojtja më e mirë e investimeve; forcimi i qeverisjes dhe transparencës; përmirësimi i integrimit rajonal, pasi ekonomitë e hapura tentojnë që të rriten më shpejt.
Reformat e tregut të punës janë një tjetër element i rëndësishëm, ku duhet të synohet fleksibilitet i pagave; përputhje e aftësive me vendin e punës; përmirësim i edukimit; prezantimi i programeve të trajnimit për të papunët.

Të rindërtohen amortizatorët fiskalë dhe të forcohet menaxhimi i borxhit

Z. Burkhard Drees, zëvendësdrejtor i “Joint Vienna Institute” i kushtoi rëndësi në prezantimin e tij politikave fiskale që janë ndjekur në rajon. “Nivelet e borxheve qeveritare u rritën në mënyrë domethënëse në valën e krizës në shumë vende në rajon”, tha ai.

Shumë shtete i janë afruar apo e kanë kaluar zonën e rrezikut, që konsiderohet kufiri i vendosur prej traktatit të Mastrihtit prej 60% të PBB-së (shiko grafikun borxhi publik, në % ndaj PBB-së).
Një nivel i lartë borxhi do të bënte që investitorët, të shqetësuar nga rreziku i mospagimit, të kërkojnë prim më të lartë rreziku, duke rritur interesat dhe duke krijuar në këtë mënyrë rrezikun e paaftësisë paguese. Më kritike është situata në rastin kur afatet e maturimit të borxhit janë të shkurtra dhe nevojat për financim të mëdha.
Por, çfarë mund të bëjnë vendet që të shmangin që të hyjnë në “zonën e rrezikut”?
Z. Drees thotë se besueshmëria e politikave fiskale mund të duhet të rritet në një sërë vendesh. “Nëse një qeveri thjesht thotë, pa ndërmarrë politika të tjera veprimi, se këtë vit do të shpenzojë më shumë dhe vitin tjetër më pak, kjo mund të mos jetë e besueshme,për shkak të paqëndrueshmërisë së mundshme në kohë”. Politika fiskale ka nevojë që të ketë një qëndrueshmëri ndër kohore. “Politika fiskale, veçanërisht për shkak të aspekteve shqetësuese, shpesh tenton që të jetë politikisht më kontroverse se ajo monetare”, thotë z. Drees.
Referuesit rekomanduan që për të vënë borxhin në një rrugë të qëndrueshme ka nevojë për institucione të shëndetshme fiskale, rregulla të qarta fiskale (kufi për borxhin, rregulla për balancimin e buxhetit), një këshill fiskal (që do të kryente analiza dhe do të jepte rekomandime) dhe autoritete të pavarura fiskale (që do të vendosnin objektiva afatgjatë dhe limite të qëndrueshme për deficitet fiskale).

 

 

 

Komisioni Evropian lufton kundër evazionit fiskal

 

Për shkak të shmangies së taksave, që do të thotë, me anë të shfrytëzimit hileqar, por legal, të ligjeve të ndryshme tatimore, vende të ndryshme të BE humbasin shumë të ardhura. Koncernet ndërkombëtare në shumë raste megjithë fitimet e larta kanë norma të ulëta tatimesh. Disa prej tyre me tendencë zero”, thotë Johanna Hey, drejtore e Institutit për të Drejtën Tatimore në Universitetin e Këlnit. Ka vlerësime, sipas të cilave vendet e BE-së humbasin në vit më shumë se 1000 miliardë euro nga i ashtuquajturi “planifikim tatimor agresiv”.

Koncernet ndërkombëtare veprojnë në këtë pikëpamje gjithnjë sipas të njëjtit model. Ata krijojnë fitime atje, ku taksat janë shumë të ulëta. Kështu që “oazet fiskale” nuk gjenden vetëm në ishujt e Karaibeve”, thotë ekspertja e tatimeve Hey. Sepse edhe shtetet e Bashkimit Evropian janë në konkurrencë për norma të ulëta tatimore. Që nga viti 2007 disa shtete në Europë i kanë ulur taksat e sipërmarrjeve, në mënyrë që të mbijetojnë në konkurrencë me vendet fqinje për investime dhe vende pune. Këtu krahas Britanisë së Madhe hyn dhe Gjermania, Italia, Spanja, Greqia dhe Suedia.

Politikani dhe ekonomisti nga Lituania, Algirdas Gediminas Šemeta, mban që nga viti 2010 detyrën e komisionerit të BE për tatimet dhe bashkimin doganor, auditimin dhe antikorrupsionin. Ai ka paraqitur të hënën (25.11.2013) një plan veprimi të Komisionit, sipas së cilit korporatat ndërkombëtare aktive nuk duhet të shfrytëzojnë më boshllëqet ligjore në BE. Kështu për shembull për kompanitë nëna dhe bija në shtete të ndryshme të BE-së duhet të vlejë i njëjti legjislacion tatimor. Shtetet anëtare të BE duhet të zbatojnë rregullat e rrepta deri në fund të vitit 2014. “Propozimi siguron, që ligjet të respektohen”, tha komisioneri i BE për tatimet, Algirdas Semeta.

Një objektiv i propozimeve të reja është, që shtetet të heqin dorë nga “mënyrat për shmangien e taksave”, që do të thotë, të mos lejohet asnjë rregull i veçantë për ato kompani, të cilat kërcënojnë përndryshe me largim nga vendi. Përkundrazi sipërmarrjet duhen shtyrë që të paguajnë tatimet e tyre në përputhje me “substancën reale ekonomike.” “Ne nuk mund të përballojmë parazitë, që bëjnë fitime të mëdha në BE, por nuk paguajnë asgjë në arkën e shtetit”, tha Semeta në Bruksel.