Zharrëza si Japonia, tërmetet pasojnë njeri-tjetrin

0
172

fier naftaNë tre vitet e fundit, çdo muaj në zonën e Zharrëzës ka rënë të paktën një tërmet. Këto janë regjistrimet e lëkundjeve që janë shënuar zyrtarisht nga sizmiologjia, pjesë e Institutit të Gjeoshkencave. Por, specialistët dyshojnë se numri i tyre mund të jetë disa herë më i lartë, pasi aparaturat rajonale kapin vetëm lëkundje me magnitude mbi 3 të shkallës Rihter, pa mundur dot të përcaktojnë shkakun e rënies së tërmetit. Një tërmet në këtë vlerë mund të shoqërohet me një valë lëkundjesh të përberë nga dhjetëra të tjerë më të vegjël.

Sipas sizmiologut Edmond Dushi, në Zharrëz do të vendosen pesë aparatura nga të dhënat e të cilave do të përcaktohet nëse tërmetet shkaktohen nga veprimtaria për nxjerrjen e naftës që zhvillon “Bankers Petroleum” apo janë natyrore. Nga regjistrimi i tërmetit të 21 nëntorit të këtij viti doli se ai ishte më i fuqishmi nga të gjithë. Dhjetëra shtëpi pësuan dëme të konsiderueshme, përfshirë edhe banesat e një lagjeje të tërë në Marinzë.
Lëkundjet janë regjistruar në orën 19:45 minuta. Disa banesa të zonë janë dëmtuar nga lëkundjet. Banorët e kësaj zone akuzojnë kompaninë kanadeze “Bankers Petroleum” se me operacionet e nxjerrjes së naftës shkakton lëkundjet e tërmetit. Ata bllokuan rrugën nacionale Fier-Berat dhe rrugën që lidh fshatrat e zonës.
Bllokime të rrugëve kishte në fshatrat Belinë, Sheqishtë, Marinëz dhe Zharrëz.
Lëkundja e fortë e tokës ishte ndier edhe në të gjithë qytetin e Fierit.

 

Ja një reagim në Facebook një ditë pas këtij tërmeti nga banorja e zonës me inicialet M.B.

 

Me vjen keq te konstatoj edhe sot lekundje ne zonen tone. Mbeshtes plotesisht protesten e banoreve te zones Zharrez -Kuman-Roskovec . Nuk ka me kufij durimi . Duhet te dime me ne fund se nga i kemi keto lekundje nga perendia apo nga njerezia ? I bej thirrje Ministrit te Energjetikes dhe Grupit te Punes me eksperte te fushes, te ngritur per kete qellim, te intesifikojne punen dhe sa me shpejt te jete e mundur te kemi nje rezultat konkret.

 

 

Aparaturat që do të vendosen në Zharrëz do të përcjellin në kohë reale lëkundjet sado të vogla të jenë ato. Prej vitesh banorët e Zharrëzes kanë bërë përgjegjëse për rënien e tërmeteve kompaninë e naftës “Bankers Petroleum”.

Dhe lëkundjet për shkak të veprimtarisë njerëzore nuk janë të panjohura në Shqipëri. Në vitin 1985 në Fierzë ka pasur një të tillë për shkak të ngritjes së rezervuarit të hidrocentralit, por aktiviteti sizmik ishte i pritshëm.

Grupi i punës, i ngritur për hetimin e tërmeteve në Zharrëz do të kujdeset që “Bankers Petroleum” të vijojë normalisht punën, për të gjetur shkakun e vërtetë të dhjetëra lëkundjeve të tokës në këtë zonë.

 

Mashtrimi me akcizën

Sikur të mos mjaftonte kjo problematikë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganës njoftoi se kompania kanadeze ‘Bankers Petroleum’, e cila ka me koncesion fushën e Patos-Marinzës, ka shkelur ligjin për akcizën duke i fshehur shtetit një detyrim prej 23.2 milionë lekësh.

Strukturat e Departamentit të Akcizës kanë konstatuar gjatë një kontrolli se kjo kompani ka përdorur 627 mijë e 505 litra karburant D1 për qëllime të ndryshme nga ai, për të cilin produkti është përjashtuar nga detyrimi i akcizës pa e deklaruar atë.
Sipas doganës përmes këtij veprimi të jashtëligjshëm, “Bankers Petroleum” ka shmangur detyrimin e akcizës në shumën 23.2 milionë lekë. Për këtë shkelje, ky subjekt është penalizuar edhe me 46.4 milionë lekësh të tjera gjobë duke e çuar detyrimin total që kompania duhet t’i paguajë shtetit në rreth 69.6 milionë lekë ose 696 mijë dollarë.
Ndërkohë, burime pranë Doganës thone se në këtë institucion më datë 19 korrik është çuar kërkesa e Agjencisë së Burimeve Natyrore për të lejuar kompaninë “Bankers” të importonte për një vit, nga shtatori 2013 në shtator 2013, 124 mijë ton gazoil dhe 15 mijë ton diesel. Kërkesa nga “Bankers” për AKBN ishte bërë vetëm më datën 18 korrik. Duket se kjo është nafta që importohet, të cilën doganat po e kontrollojnë dhe gjetën shkelje dhe gjobitën kompaninë, e cila detyrohet të shlyejë 69.6 milonë lekë.