Tetor 2013, rënia më e madhe e kreditimit e shënuar ndonjëherë

0
151

Ervin Kaduku

foto ilustruese kriza ne BeAsnjë shenjë pozitive nga “reformatorët” e ekonomisë shqiptare Rama-Fullani-Cani. Kredia për ekonominë shënoi një rënie të thellë në tetor, pasi kishte shfaqur disa sinjale rigjallërimi në shtator. Tkurrja ka ardhur si nga leku ashtu dhe valutat, teksa bankat duket se po vazhdojnë procesin e pastrimit të bilanceve, përmes fshirjes së kredive të humbura. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë.

Totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit tetor arriti në 540 miliardë lekë, duke shënuar rënie me 1.3% apo rreth 7.4 miliardë lekë, në raport me një muaj më parë. Tkurrja ka ardhur nga rënia e huasë për korporatat e tjera jofinanciare, si në lekë ashtu dhe në valutë.

Pas tkurrjes së huasë në korrik, me rreth 9 miliardë lekë me bazë mujore, tetori është muaji i dytë me rënien më të lartë përgjatë 2013-s.

Në krahasim me fundin e vitit 2012, huaja për ekonominë është tkurrur me 2.7%, apo rreth 15 miliardë lekë. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin plus 2% dhe 10 miliardë lekë.

Me bazë vjetore (tetor 2013/tetor 2012), huaja për ekonominë është reduktuar me 2.2% apo rreth 12 miliardë lekë, duke thelluar rimet e rënies, në raport me 1.8%, që ishte tkurrja për nëntë mujorin (një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin plus 4% dhe 21 miliardë lekë).

Kjo është ecuria më negative, që prej më se një dekade, kur sistemi bankar po vuante problemet e ristrukturimit të bankave të atëhershme shtetërore.

Arsyet e kreditimit të ulët lidhen si me kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, ashtu dhe nga shtrëngimi i standardeve të kreditimit nga bankat. Kjo e fundit duket të jetë më e fortë se rënia e kërkesës, teksa Banka e Shqipërisë ka pranuar se tkurrja e huasë nga bankat po ndikon në lulëzimin e kredisë informale.

Ndërkohë, bankat kanë filluar muajt e fundit pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë e këqija, veprim që ka ndikuar si në daljen e sistemit me humbje për herë të parë në një dekadë, ashtu dhe në rënien e stokut të kredisë dhe në shtimin e huave të humbura në sistem. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitiv këtë proces, pavarësisht efekteve afatshkurtra që po jep në treguesit e huasë.