Anxhela Tato
Viktima dhe autori ishin konfliktuar dhe konfrontuar një ditë para ngjarjes
Policia: Dyshohet se 15-vjeçari ka marrë hak, pasi viktima e ka ofenduar
Ekzekutoi me plumb në kokë bashkëmoshatarin, pasi e ofendoi, dorëzohet nga babai 15-vjeçari. Krimi i rëndë është shënuar në orën 10:00 të paradites së djeshme në brendësi të ambienteve të gjimnazit “Beqir Çela”, ku mbeti viktimë 16-vjeçari Adriatik Tota. Viktima ndodhej në orën e mësimit në momentin kur ka ardhur 15-vjeçari Edrin Varaku, i cili ka hapur zjarr me breshëri. Autori ka mundur të largohet me vrap dhe ka hedhur 100 metra larg shkollës bluzën e tij ngjyrë blu dhe armën e krimit. Janë dashur shtatë orë që policia në negociata me familjarët e 15-vjeçarit të realizonte dorëzimin dhe arrestimin e tij. Nga ana e uniformave blu dyshohet se shkaku i kësaj ngjarjeje kaq të rëndë ka qenë një konflikt ordiner mes dy fëmijëve ditën e martë. Mësohet se dy djemtë kanë nisur të debatojnë dhe të ofendojnë njëri-tjetrin. Situata ka degraduar në dhunë fizike, për të cilën bëhet me dije se ka qenë në dijeni edhe policia. Autori nuk ka mundur dot të kapërcejë ofendimet e viktimës dhe ditën e djeshme është nisur për në shkollë si zakonisht, por kësaj here me një armë zjarri me vete, me të cilën i ka marrë jetën bashkëmoshatarit. Viktima dhe autori ishin të dy nxënës në shkollën e mesme profesionale teknike “Beqir Çela”. Mësohet se 16-vjeçari ishte nxënës në vitin e dytë në degën e mekanikës dhe në momentin e ngjarjes ai bashkë me 19 nxënës të tjerë ndodheshin në orën e praktikës, ndërsa autori është nxënës në vitin e parë.
Ngjarja
Një telefonatë ka mbërritur në sallën operative të policisë së Durrësit me sinjalizimin për të shtëna në afërsi të shkollës “Beqir Çela”. “Po dëgjojmë të shtëna dhe vijnë nga shkolla, nuk e dimë se çfarë ka ndodhur”, – këto janë fjalët e personit që raportoi në polici. Në mënyrë të menjëhershme drejt vendit të ngjarjes janë nisur tri patrulla policore. Në orën 09:55 punonjësi i policisë së zonës konfirmoi se në ambientet e kësaj shkolle kishte ndodhur një vrasje, viktimë e së cilës mbeti shtetasi Adriatik Tota, 16 vjeç, banues në fshatin Vadardhë, Durrës, nxënës i vitit të dytë. Në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës. Ndërkohë, për hetimin e gjerë të ngjarjes u përfshinë specialistë nga disa struktura të policisë së Durrësit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Edrin Varaku, 15 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, nxënës i vitit të parë të kësaj shkolle të mesme. Rezulton se ngjarja ka ndodhur në ambientet e ofiçinës së shkollës. Dy klasat përkatëse të nxënësve të përfshirë në ngjarje po zhvillonin praktikën mësimore në atë moment. Në vendin e ngjarjes u bllokua arma e zjarrit, e cila kishte reduktim në disa pjesë të saj që shërbenin për zvogëlimin e përmasave fizike të armës. Nga të dhënat e para të policisë dyshohet se dy djemtë janë konfliktuar dhe konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin ditën e martë. Me sa duket, autori nuk mund ta kalonte kaq lehtë debatin dhe ka ekzekutuar me armë bashkëmoshatarin. Viktima Adriatik Tota, 16 vjeç, nxënës në vitin e parë në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet ishte me origjinë nga Kukësi dhe banues në zonën e Sukthit. I riu ishte djalë i vetëm dhe ka tri motra. Vrasja brenda mureve të shkollës nga një 15-vjeçar ka tronditur opinionin publik. Ndërkaq, familja e viktimës ka hapur dyert e mortit, duke pritur ngushëllimet për vdekjen tragjike dhe të papritur të Adriatik Totës, të cilit iu mor jeta vetëm për disa ofendime. Familjarët janë shprehur se 16-vjeçari nuk ka pasur as konflikte dhe shqetësime me askënd, ndërsa autori i krimit ishte i panjohur për ta.
Shokët e klasës: Adriatiku dhe Edrini shanë njëri-tjetrin
Shokët e klasës së viktimës kanë rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore se dy djemtë janë konfliktuar një ditë para ngjarjes. Ata kanë bërë sherr me njëri-tjetrin, duke u shprehur se kush është më i forti, ndërsa janë ofenduar dhe konfrontuar fizikisht. Në lidhje me momentin e ngjarjes, djemtë kanë treguar se autori ka hyrë në klasë i armatosur, ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Ka qenë grupi hetimor, i cili për të zbardhur detajet e ngjarjes ka shoqëruar dhe marrë në pyetje nxënës të shkollës, nën praninë e psikologut. Burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur: “Janë shoqëruar e po merren në pyetje një numër i madh personash, të cilët kanë dijeni mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje si nxënës të dy klasave, shokë të palëve (viktimës dhe autorit), stafi pedagogjik, familjarë e të afërm si dhe po punohet në vijim për të identifikuar persona të tjerë, të cilët mund të kenë pasur dijeni mbi rrethanat e ngjarjes”. Për marrjen e dëshmive të të miturve janë zbatuar standardet e marrjes në pyetje në prani të psikologes si dhe ndjekja nga prokurorja për sektorin e të miturve. Në kuadër të këtij hetimi do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme që lidhen me identifikimin e personave, që mund të kenë pasur dijeni paraprakisht për veprimet e planifikuara nga autori, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të tyre. Për vetë ndikimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, në vendin e ngjarjes u interesuan për ecurinë e hetimit edhe ministri i Punëve të Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Sapo ka mbërritur në vendngjarje, policia ka gjetur rreth 100 metra larg të hedhur në një stol një bluzë ngjyrë blu, pjesë e uniformës që veshin nxënësit e kësaj shkolle, e cila krijoi edhe dyshimet e para se autori mund të ishte nxënës i shkollës, i cili e kishte hedhur veshjen pas kryerjes së krimit.
Familjarët e 16-vjeçarit: Krimi i rëndë, shkolla të kishte marrë masa
Të tronditur nga ngjarja e rëndë, familjarët e 16-vjeçarit Adriatik Tota që humbi jetën brenda ambienteve të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet, shprehen se shkolla duhet të kishte marrë masa. “Krim shumë i rëndë, shkolla duhet të kishte marrë masa. Nxënësit nuk duhet të hyjnë me armë në shkollë”, – shprehen familjarët. Sipas tyre, i riu është qëlluar me disa plumba dhe nuk ka mundur të mbijetojë. Pas tërheqjes së trupit nga morgu i spitalit, familja Tota ka hapur dyert e mortit, duke qenë të rrethuar gjatë gjithë kohës nga miq dhe të afërm për t’i dhënë ngushëllimet në këtë ditë tragjike. Familja Tota jeton në Rrushkull të Durrësit, ku është shpërngulur nga Kukësi vite më parë. Ndërkohë, shokët e Adriatikut theksojnë se ai ishte një djalë i urë dhe i qetë, i cili nuk mungonte asnjë ditë në shkollë.
Negociata e policisë me familjen e autorit, babai dorëzoi 15-vjeçarin
Policia ka arritur të kapë pasditen e djeshme shtetasin Edrin Varaku, 15 vjeç, i cili është dorëzuar nga babai i tij. Që prej momentit të ngjarjes, policia kishte marrë masa të shumta, duke kontrolluar banesat e familjarëve dhe të afërmve të autorit të dyshuar, si dhe kishte duke ngritur postblloqe kontrolli në të gjitha akset rrugore të zonës. Krahas këtyre masave, u kontaktua me familjarët e autorit, duke u bërë të qartë situatën në të cilën ndodhej fëmija i tyre. Pas një sërë veprimesh policore për identifikimin e lidhjeve të tij dhe kontakteve të tij më të fundit, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve, u bë kapja e 15-vjeçarit në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit.
Ekspertiza mjekoligjore, vdekja e 16-vjeçarit, nga plumbi në kokë
Sipas ekspertizës mjekoligjore, 16-vjeçari Adriatik Tota ka humbur jetën për shkak të plumbit në kokë dhe hemorragjisë. Ekspertët mjekoligjorë bëjnë me dije se i riu është qëlluar nga dy plumba, njëri nga plumbat i ka hyrë pas veshit dhe i ka dalë në qafë, ky plumb dyshohet se ka qenë fatal për 16-vjeçarin, ndërsa tjetri ka qenë jo vdekjeprurës, pasi e ka kapur vetëm në krah.
Kryeministri Edi Rama: Ngjarja, e rëndë, hetim i plotë
Kryeministri i përcjell ngushëllimet familjes dhe kërkon hetim të plotë. Përmes një njoftimi për shtyp deklaron se ka dërguar atje ministrin e Brendshëm dhe ministren e Arsimit për t’u siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kenë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm. “Kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi. Kryeministri ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha: Policia të shkundet nga plogështia
Kreu i opozitës, njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes në klasë të nxënësit 16-vjeçar në Durrës, akuzoi qeverinë, jo vetëm për paaftësi në luftën ndaj krimit, por me praktikat që po ndjek po njësohet dita-ditës me të. “Kjo është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake, por edhe një ditë e keqe për qytetarët, pasi tregon dështimin total të qeverisë për të luftuar krimin. U bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit të shkunden nga plogështia, të refuzojnë skenarët politikë që u serviren nga krerët dhe të bëhen një me qytetarët, qeveria me praktikat që po ndjek po njësohet dita-ditës me krimin”, – tha Basha.