Anxhela Tato
116 kallëzime në organin e akuzës nga qytetarë, protestues dhe gazetarë
Dyshimet se efektivë policie pa uniformë dhe në shkelje me ligjin kanë ushtruar dhunë
Tre vjet pas protestës së 21 Janarit, ku humbën jetën katër persona, nis hetimi i organit të akuzës për rastet e dhunës, të denoncuara nga 130 qytetarë. Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për akuzën e torturës dhe dhunës së policisë ndaj demonstruesve. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të Prokurorisë së kryeqytetit, ku gjashtë prokurorë dhe disa hetues janë angazhuar për zbardhjen dhe identifikimin e policëve që ishin në vendngjarje atë ditë. Prokuroria thotë se hetimet janë përqendruar ndaj drejtuesve të policisë, që urdhëruan vartësit të shpërndajnë demonstruesit me dhunë dhe t’i shoqërojnë ata me pas në ambientet e qelive të komisariateve. Prokurorët kanë sekuestruar planin e masave dhe po identifikojnë e marrin në pyetje të gjithë agjentët civilë, punonjësit e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe oficerëve të Drejtorisë së Policisë dhe Komisariateve të angazhuar dhe fiksuar nga kamerat e mediave të ndryshme, pasditen e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pjesë të hetimeve, mësohet se prokurorët e kanë bërë edhe raportin e publikuar nga “Komiteti për Parandalimin e Torturave, Trajtimit apo Dënimit Çnjerëzor e Degradues” të hartuar nga komisionerët e Këshillit të Evropës. Sipas këtij raporti, policia ka kryer arrestime të dhunshme, duke qëlluar me grushte, shkelma dhe shkopinjtë e gomës protestuesit, madje edhe kalimtarë të rastësishëm apo gazetarë që ndodheshin në bulevard. Prokuroria, saktësoi se janë mbi 116 kallëzime penale, nga demonstrues, qytetar të rastësishëm dhe gazetar që kanë denoncuar dhunën ndaj policisë. Po hetohet edhe dhuna brenda drejtorisë së policisë dhe komisariateve të Tiranës, ku demonstruesit u izoluan për disa ditë. Pjesë e dosjeve hetimore, janë bërë edhe raportet e Mjekësisë Ligjore, ku janë evidentuar shenjat e dhunës së pësuar nga të goditurat e punonjësve të policisë. Deri më tani janë administruar edhe dëshmitë e të arrestuarve, të cilët pretendonin se janë lënë pa ushqim dhe janë torturuar edhe brenda qelive.
Hetimi
Megjithëse nuk dihet se përse këto hetime po zhvillohen gati tre vjet me vonesë, pavarësisht pretendimeve të herëpashershme, mësohet jo zyrtarisht se është caktuar një grup prokurorësh, që pasi kanë administruar kallëzimet e mbi 130 qytetarëve që ishin pjesëmarrës në protestë, po pyeten intensivisht oficerë policie që ndodheshin në detyrë përgjatë kësaj demonstrate që u mbyll me katër të vrarë. Në lidhje me vonesën e hetimeve, burimet bënë me dije se shkak është fluksi i hetimit në këtë dosje. “Ne kemi dyshime se dhuna është ushtruar nga oficerë pa uniformë në tejkalim të detyrës së efektivëve të policisë”. Në fakt, pas demonstratës tragjike të 21 Janarit, në atë kohë në Shqipëri këtë shqetësim e ngriti edhe Komiteti i Parandalimit të Torturës në Këshillin e Evropës, pasi mori në pyetje një numër të madh të ndaluarish apo të shoqëruarish në të gjitha komisariatet e Tiranës. Në raport u tha në atë kohë se përveç dhunës në protestë, personat e ndaluar raportuan se ishin detyruar të kalonin përmes rreshtave të policisë në komisariate teksa rriheshin e më pas pështyheshin edhe kjo e fundit e konsideruar një mënyrë dhune me qëllim degradimin e qytetarëve. Por ndërsa në atë kohë në raport u rekomandua ngritja e një grupi të posaçme që të hetojë dhunën e pretenduar dhe mënyrën se si u shoqëruan, trajtuan e dërguan në gjykatë këta qytetare, në atë kohë nuk pati asnjë reagim nga institucionet. Nuk dihet ende nëse Prokuroria do të verifikojë edhe qëndrimin e përfaqësuesve të vet në Gjykatë, në momentin që prokurorët, por edhe gjyqtarët gjatë masave të sigurisë janë vënë në dijeni nga të dëmtuarit se ishin keqtrajtuar nga policia.
Maskat
Kërcënohet me jetë shoferi i linjës Tiranë – Bajram Curri
Kërcënohet me jetë shoferi i linjave të furgonëve Tiranë – Bajram Curri. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, teksa Nuredin Zalli, 53 vjeç, nga Tropoja, është kërcënuar me jetë në periferi të qytetit të Kukësit, teksa drejtonte minibusin e tij me pasagjerë, të cilët udhëtonin nga kryeqyteti drejt Tropojës. Persona të maskuar i kanë zënë pritë fugonit të drejtuar nga 53-vjeçari Zalli, të cilin e kanë kërcënuar se do ta vrisnin e zhduknin bashkë me familje. Sipas dëshmive të tij, por edhe të dëshmitarëve që ndodheshin në makinën e tij, dy persona me maska dhe armë në duar i kanë kërkuar të ndalonte makinën. Pasi shoferi i fugonit është bindur, që të mos rrezikonte dhe udhëtarët e tjerë, është goditur me grushte dhe shkelma dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore, ka vazhduar udhëtimin drejt Bajram Currit. Itinerari i fugonit me pasagjerë, ka qenë Tiranë – Gjakovë – Bajram Curri, nëpërmjet të ashtuquajturës Rruga e Kombit, ndërsa prita me maska ka ndodhur pak kilometra pa hyrë në vendkalimin kufitar të Morinës, në fshatin Bardhoc. Vetë i dëmtuari nuk ka bërë kallëzim në policinë e Kukësit, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, pasi edhe ishte kërcënuar nëse do të lajmëronte policinë, si dhe nuk kishte asnjë dijeni se kush mund të ishin personat, pasi ata ishin të maskuar. Megjithëse nuk dihen zyrtarisht shkaqet, shkak mendohet të jetë dy arsye, që kanë lidhje me jetën e tij private. Siç është mësuar, kërcënimi me jetë dhe keqtrajtimi mund të kenë ardhur si pasojë e lidhjes së 53-vjeçarit me një vajzë nga Tropoja me emrin Teuta, e cila është e dashura e tij. Në këtë situatë, mendohet se mund të kenë qenë familjarët e vajzës, të cilët e kanë keqtrajtuar 53-vjeçarin me qëllim të lidhjes dashurore me vajzën.
Vrasjet pa autor, objekti i takimit mes kreut të Policisë dhe të Prokurorisë
Dosjet e pazbardhura të vrasjeve kanë qenë tema e diskutimit mes kreut të Policisë së Tiranës dhe kreut të Prokurorisë. Në një takim të zhvilluar me dyer të mbyllura bëhet me dije se është diskutuar rëndësia e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe qenia në një linjë për hetimet e ngjarjeve. Shqetësim për të dyja institucionet është hetimi dhe identifikimi i autorëve të një sërë vrasjesh, të cilat kanë mbetur të pazbardhura. “Drejtori i Policisë së Tiranës dhe kryeprokurori i Tiranës, bashkë me drejtuesit kryesorë janë takuar dhe kanë diskutuar për hetimin e ngjarjeve të vjetra. Takimi mes kreut të akuzës së kryeqytetit, Petrit Fusha dhe policisë, Adrian Çipa, është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Tiranës me kërkesën e Fushës. Takimi mes tyre ka zgjatur për më shumë se 1 orë”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Pas bisedës, kreu i Policisë së Tiranës, Adrian Çipa, ka deklaruar për median se është diskutuar për të hapur dosjet e ngjarjeve të vjetra që janë ende pa autor. I njëjti fakt bëhet me dije edhe nga burime pranë organit të akuzës. Një pikë tjetër e diskutimit ka qenë lirimi nga gjykata i shoferëve të prangosur nga policia. Sipas uniformave blu është shqetësuese fakti sesi shofer, të cilët shkelin rregullat qarkullimit rrugor, lihet të lirë nga gjykata. Por në lidhje me këtë çështje përgjegjësia nuk mund të bjerë mbi organin e akuzës, pasi vendimi merret nga togat e zeza.
Pastrimi i parave, takim mes kryeprokurorit dhe Gent Gazhelit
Lufta ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit ka çuar në një takim në Prokurorinë e Përgjithshme drejtorin e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Prokurorisë. Këto burime saktësuan se kryeprokurori Adriatik Llalla bashkë me Gazhelin kanë diskutuar për mënyrat më efikase se si mund të luftohet parandalimi i parave në Shqipëri. Gjithashtu, mësohet se është diskutuar edhe për të pasur një shkëmbim informacioni më të shpejtë dhe të shpeshtë mes dy institucioneve në luftën që bëhet ndaj pastrimit të parave. Gent Gazheli është emëruar pak javë më parë në krye të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave duke zëvendësuar Arben Doçin.