Kontrabanda Akuza për korrupsion, Gjykata lë në burg ish-drejtorin e Kufirit, Zyberi

0
182

Sonja Caka

Prokuroria: Favorizoi kontrabandën, duke shmangur kontrollet policore. I akuzuari: Janë sajesa, unë njoftova policinë, por nuk erdhi

 

drejtori i kufirit ZyberiFavorizimi i kontrabandës në kufirin që lidh Greqinë me vendin tonë ka lënë në burg pa afat ish-drejtorin e Kufirit, Ylber Zyberi. Gjykata e Korçës ka shqyrtuar dje masën e sigurisë, ku pasi dëgjoi palët vendosi ta lërë në burg ish-drejtorin e akuzuar për korrupsion. Vetë i akuzuari e ka mohuar përfshirjen e tij në akte korruptive, duke favorizuar kontrabandën përmes shmangies së kontrolleve doganore, duke aluduar për sajesa dhe lëshuar akuza për kolegët e tij të policisë. Gjatë seancës së djeshme, Prokuroria lexoi provat që disponon, rrjedhën e ngjarjes dhe momentin e arrestimit të Zyberit.

Akuza

Sipas organit të akuzës, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë janë dërguar materialet hetimore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, me shkresën datë 29.11.2013, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Kontrabandës me mallra të tjerë”, Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, “Shpërdorim detyre”, e parashikuar nga nenet 174, 175 dhe 248 i Kodit Penal. Nga aktet e administruara në dosjen hetimore rezulton se pas informacioneve të mara ka rezultuar se në ditën e mërkurë, në datën 27.11.2013 nga zona e Cerjes në Komunën Pustec, Korçë, ka kaluar një makinë tip furgon, “Mercedes-Benz” me ngjyrë të verdhë me peshë rreth 6 tonë, brenda të cilit ka pasur mallra kontrabandë kryesisht konfeksione. Nga verifikimet e para ka rezultuar se ky mjet ka qenë i drejtuar nga shtetasi S. Th., i cili zakonisht përdor rrugën e Goricës dhe më pas del nga mali i Cerjes me mallra kontrabandë me mjetin me targa bullgare. Ky mjet ka dalë nga PKK Tushemisht në datë 28.11.2013 në orën 17:24, dhe ka qenë i drejtuar nga shtetasi V. A. dhe S. Th. Në rrugë operative, mësohet se mjeti i sipërpërmendur do të kalonte mallra kontrabandë në datën 29.11.2013 dhe për këtë situatë është në dijeni të plotë edhe drejtori i kufirit dhe migracionit Korçë, Ylber Zyberi, i cili u ka bërë presion punonjësve të PKK Goricë para dy javësh që mjeti i mësipërm të kalojë pa problem në zonën e Cerjes deri në fshatin Pustec. Këtë kontrabandë dyshohet se e organizon shtetasi N. Th., i cili është i njohur nga ana e organit procedues si person me precedentë penalë në fushën e kontrabandës dhe komunikon në telefonin personal të drejtorit të kufirit Ylber Zyberi, për të mënjanuar shërbimet e policisë kufitare në terren nga zona e Cerjes.

Hetimi

Nisur nga situatat e deklaruara më sipër, prej oficerëve të policisë gjyqësore është kërkuar fillimi e procedimit penal në ngarkim të shtetasit Ylber Zyberi me detyrën drejtor i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Korçë, për veprën penale të parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal “Kontrabandës me mallra të tjerë”, neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorim detyre”, dhe neni 259 i Kodit Penal “Korrupsion Pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se shtetasi N. Th., që është personi që do të realizojë futjen e mallit kontrabandë brenda territorit të Shqipërisë ka komunikuar me shtetasin Ylber Zyberi, duke e pyetur lidhur me situatën e krijuar në teren. Drejtori Ylber Zyberi ka komunikuar me vartësit e tij, duke i kërkuar të zhvendosë shërbimin e kontrollit me “justifikimin” se kishte informacione për kontrabandë viçash në një zonë të caktuar të kufirit shqiptaro maqedonas, duke i dhënë kështu liri të plotë në kalimin e mjetit të drejtuar nga shtetasi N. Th. Nga ndjekja në dinamikë e veprimeve hetimore dhe në kohë reale, kanë rezultuar fakte të plota nga të cilat mandej është konkluduar mbi përgjegjësinë penale të disa prej personave të përfshirë në aktivitetin kriminal. Nga hetimi rezulton se drejtori ka marrë informacion të plotë lidhur me lëvizjet e kryera në zonën e Zaroshkës. Ai vihet në dijeni të faktit të shërbimeve të Drejtorisë së Kufirit. Për më tepër, ai interesohet edhe lidhur me disa automjete që kalojnë në zonën e parashikuar se nga ku mund të kalonte malli kontrabandë. Në vijim, gjatë hetimit është konstatuar se mjeti që pritet të hyjë kontrabandë ka pësuar një defekt teknik, i cili nuk është mundur të ndreqet. Në vijim, në koordinim të plotë mes prokurorisë dhe oficerëve të Sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, është bërë e mundur kapja në flagrancë e mjetit tip furgon i markës “Mercedez-Benz”, me ngjyrë të verdhë, pa targa, i braktisur pas konstatimit të punonjësve të policisë në aksin rrugor që lidh fshatrat Zaroshkë dhe Cerje me Komunën Pustec. Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe administruar me cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme konfeksionesh të futura kontrabandë në Shqipëri. Referuar të gjitha rrethanave të mësipërme, organi procedues ka dokumentuar arrestimin në flagrancë të shtetasit Ylber Zyberi, lindur në 1972 në Kukës.

Reagimi

Lidhur me akuzat ndaj tij, ish-drejtori i Policisë Kufitare tha në sallën e gjyqit se akuzat ndaj tij ishin të sajuara dhe se për ngjarjen konkrete kishte kërkuar ndihmën e policisë, por ajo nuk ka reaguar. Ish-drejtori i kufirit të qarkut të Korçës, në sallën e gjyqit ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij duke i cilësuar si trillime. Ai ka theksuar së për kontrabandën ka njoftuar edhe strukturat e policisë për goditjen e personave. “Hedh poshtë dhe përçmoj çdo akuzë të ngritur ndaj meje, janë të gjitha trillime. Nuk kam shpërdoruar detyrën, prokuroria më akuzon për korrupsion, por nuk ka asnjë provë nëse unë kam marrë para dhe kë mund të kem shpërblyer. Kam marrë të dhëna për kontrabandën dhe kam vënë në lëvizje strukturat e duhura për goditjen e personave. Informacionin për kontrabandën e kam shqyrtuar me kujdes dhe kam kërkuar ndihmë për çështjen. I kam kërkuar ndihmë shefit të krimit ekonomik dhe policisë së qarkut Korçë për të goditur fenomenin. Kam dërguar mjete motorike për të prishur vendin ku kryhej kontrabanda e gjedhëve në Goricë. Prokuroria dhe SHKB ka marrë informacione të trilluara nga vartësi im, shefi i stacionit Nikolin Muçollari. Kam patur dijeni për ditën kur do të kryhej kontrabanda dhe për këtë kërkova takim me shefin e krimit ekonomik për të organizuar aksionin, por ai më nxori justifikime”, – ka deklaruar në gjyq Zyberi.

 

Pukë

Prezantohet kreu i ri i Gjykatës së Pukës, Ndreca

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, i shoqëruar nga anëtari Flamur Kapllani, prezantuan në qytetin e Pukës kryetarin e ri të deleguar në Gjykatën e Pukës, Bib Ndreca. Gjatë prezantimit ishin të pranishëm, kryetari i Bashkisë Pukë, Beqir Arifaj, nënprefekti Marash Kola dhe drejtuesi i Prokurorisë së këtij rrethi, Albert Muça, ndërsa mungonte ish-kryetari Shtjefën Lleshi, i cili u lirua nga detyra disa ditë më parë nga KLD. Në emër të KLD-së, zëvendëskryetari Elvis Çefa i kërkoi trupës gjyqësore dhe stafit administrativ të Gjykatës së Pukës të punojnë me përkushtim dhe përgjegjshmëri për t’i provuar komunitetit se drejtësia nuk është ajo e shfaqur në skandalin e transmetuar në televizion. Në mesazhin e përcjellë, Çefa u kërkoi gjyqtarëve që me punën e tyre t’i tregojnë qytetarëve se në pjesën dërrmuese të rasteve Gjykata nuk funksionon siç iu paraqit opinionit publik nga video e transmetuar. Ndërkaq, zëvendëskryetari i KLD-së theksoi rëndësinë që ka kthimi i besimit të qytetarëve në Gjykatën e Pukës, ndërsa përsëriti kërkesën e Këshillit për Prokurorinë për të hetuar dhe për të zbardhur sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në atë gjykatë. “Do të ishte skandal i vërtetë dhe e papranueshme nëse gjykata konceptohet si një vend ku shkohet për të paguar. Trupa gjyqësore dhe stafi administrativ i kësaj gjykate ka një barrë të rëndë mbi supe! Ju duhet të punoni fort dhe me shumë përkushtim dhe të bindni qytetarët këtu se drejtësia nuk është ajo që ata parë në skandalin e transmetuar në televizion. Kam bindjen se gjyqtarët nën drejtimin e kryetarit të ri, i cili gëzon besimin unanim të KLD, do të dinë që me punën e tyre t’i tregojnë komunitetit të Pukës dhe mbarë opinionit publik shqiptar se Gjykata nuk funksionon siç u paraqit nga video e transmetuar. Po kështu edhe Prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë në mënyrë që përgjegjësit të përballen me ligjin”, – u shpreh Çefa.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency