Ervin Kaduku
Asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë, me përjashtim të rasteve kur kompani serioze kanë shpallur vetë falimentin, për të kaluar në ristrukturim
Ligji i falimentimit, pak a shumë në formën që është dhe sot, daton që në vitin 1995. Ky ligj është përmirësuar dhe amenduar në vitin 2002 dhe në 2008-ën. Ligji i vitit 2002 solli ndryshime thelbësore në krahasim me ligjin e vitit 1995, si p.sh. sa i takon rendit të prioriteteve të kërkesave të kreditorëve, shkarkimi i shoqërisë nga pjesa e mbetur e detyrimeve, etj., ndërkohë që ndryshimet e bëra në vitin 2008, konsistojnë në krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit, si dhe përforcimin e rolit të administratorit të falimentit. Ligji ka caktuar rregulla, të njëjta dhe të barabarta, që duhet të aplikohen nga subjektet tregtare për shlyerjen e detyrimeve të debitorëve në një procedurë falimentimi të detyrueshme. Në ndihmë të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe trajtimit me drejtësi të qytetarëve të tij, kërkohet respektimi i procedurave të falimentimit.
Për biznesin shqiptar, falimenti shihet ende si “mëkati” i madh që nuk duhet të ndodhë. Që nga viti 2008, kur u miratuan ndryshime të rëndësishme që morën trajtën e ligjit që kemi aktualisht, zbatimi i tij ka çaluar, nuk ka raste të përfunduara, pasi çdo gjë ka mbetur në gjysmë të rrugës. As ngritja e Agjencisë së Falimentimit nuk ka ndonjë efekt, përveç licencimit të administratorëve që janë rreth 20. Kjo agjenci shikohej si “shkopi magjik” që do të përdorej për “pastrimin” e bizneseve fantazmë, fenomen që mbretëron që nga viti 1999. Po çfarë ka ndodhur në pak më shumë se një vit që është ngritur Agjencia e Falimentimit? Përse po artikulohet nevoja për rishikimin tërësor të ligjit që është në fuqi?
Si falimentojnë bizneset
I gjithë thelbi që shoqëron procesin e falimentimit të një subjekti privat, pas vendimit të gjykatës, ka të bëjë me administratorin, i cili e ushtron funksionin në mënyrë të përkohshme. Përcaktohet qartë se, asnjë person fizik nuk mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm, në rast se nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë dhe nuk është i pajisur me licencë.
Kush e kryen falimentin
Administratori i Falimentit është personi i ngarkuar nga gjykata me detyrën për të administruar një shoqëri që ka paraqitur kërkesën për të filluar procedurat e falimentimit, ose një shoqëri ndaj së cilës është paraqitur kërkesa në gjykatë për të filluar procedurat e falimentimit nga palë të treta. Që me fillimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesës për falimentim dhe, në vazhdim, me zbatimin e procedurave të falimentimit, e drejta (dhe detyra) e disponimit dhe administrimit të pasurisë së shoqërisë kalon nga administratori i shoqërisë tek ai i Falimentit. Pra, e thënë thjesht, Administratori i Falimentit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm të veprimtarisë së shoqërisë, si dhe për vlerësimin, sigurimin, ruajtjen dhe maksimizimin e pasurisë së saj. Administratori i Falimentit është ai që realizon konkretisht procedurën e falimentimit.
Sipas përcaktimeve të ligjit për falimentimin, një administrator falimenti mund të jetë çdo person fizik i licencuar si ekonomist, noter apo jurist dhe që ka fituar të drejtën e mbajtjes së licencës.
Kostot e Administratorit të Falimentit mbulohen nga masa e falimentimit, d.m.th. nga pjesa e pasurisë së shoqërisë që është në proces falimentimi dhe që kanë prioritet ndaj gjithë detyrimeve të tjera që ka shoqëria ndaj palëve të treta. Administratori i falimentit zëvendëson totalisht administratorin e shoqërisë.
Amendimi i ligjit
Gjatë analizave krahasuese me vendet e rajonit, por dhe me vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2008, u evidentuan mangësi të legjislacionit tregtar në respektimin e procedurave të falimentit. Këto mangësi u adresuan me anë të ndryshimeve të ligjit “Për falimentimin”. Këto ndryshime prezantuan ngritjen dhe funksionimin e një strukture të posaçme për mbikëqyrjen e administratorëve të falimentit, sikundër është Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit.
Pjesë e reformës ishin zbatimi i rregullave të detyrueshme për: licencimin e administratorëve; promovimin e standardeve të njëjta; mbajtjen e regjistrit të administratorëve të falimentit si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre.
Për të monitoruar këtë proces, Ministria e Drejtësisë krijoi Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentimit. Kompetencat e saj rrjedhin nga neni 282/3 që përcakton:
-dhënien, heqjen, rinovimin e licencave për administratorët
-organizimin e provimit
-mbajtjen e regjistrit të administratorëve të falimentit, si dhe
-mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre.
Nga pikëpamja e kuadrit ligjor dhe krijimit të strukturës përkatëse (rregullimit të profesionit të administratorit të falimentit) jemi një hap më përpara, Shqipëria zbaton të njëjtin sistem si Serbia dhe Kosova. Ligji i falimentit, me ndryshimet e vitit 2008, e përshtati kuadrin ligjor me atë të Gjermanisë.