Anxhela Tato
Të arrestuarit në bashkëpunim me drejtorin e filialit të bankës mashtronin klientët me libreza false
Operacioni “Bankieri”, drejtori Blendi Topalli morri 13 mln lekë nga llogari e një klienti, të cilat i investoi në një pasuri të paluajtshme
Mashtrim dhe shpërdorim detyre janë akuzat në ngarkim të katër punonjësve të një banke dhe një pronari lojërash fati, të cilët vidhnin lekët e qytetarëve duke i dhënë libreza false. Hetimet disa mujore zbuluan skemën e mashtrimit përmes të cilës janë grabitur 2.8 milionë euro nga filial i “Raiffeisen Bank” në Bilisht të Korçës. Pesë persona, mes tyre 4 bankierë të këtij filiali banke dhe një pronar lojërash fati, janë arrestuar mbrëmë në kuadër të operacionin “Bankieri” i nisur më 2 shtator me prangosjen e drejtorit të filialit në Bilisht të Korçës, Blendi Topalli. Ky i fundit lekët që morri nga llogaria bankare e një klienti i përdori për të blerë një pasuri të paluajtshme. Ai bashkë me njërin nga drejtuesit ishin klientë të një pike lojërash fati.
Operacioni
Policia e Korçës thotë se operacioni i koduar “Bankieri” është realizuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe komisariatin e Policisë Devoll. Në prangat e bluve kanë rënë Lorent Ballço, 26 vjeç banues në qytetin e Korçës me detyrë bankier personal pranë një filiali banke; Kimet Hoxha, 56 vjeç banues në Cangonj, Devoll me detyrë arkëtar pranë një filiali banke; Fjoralba Andrea ,29 vjeç banuese në Korçë, me detyrë arkëtare pranë një filiali banke; Julian Kosho, 39 vjeç banues në Korçë, me detyrë përgjegjës agjensie në një filial banke dhe Ervin Xhaçi, 32 vjeç banues në Bilisht, i vetëpunësuar në një subjekt lojërash fati. Policia konstaton se të katër personat, në vende dhe kohë të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përvetësuar duke shpërdoruar detyrën një sasi prej 2.8 milionë euro duke konsumuar elementet e veprave penale pastrimi i produkteve të veprës penale dhe vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Prokuroria
Burime nga policia bëjnë të ditur se Drejtori i bankës Blendi Topalli së bashku me një nga të arrestuarit ishte klient në subjektin e lojërave të fati. Fillimisht Topalli u arrestua për akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës të 13 milionë lekëve nga llogaria e një klienti banke, të cilat sipas policisë thuhej se i kishte përdorur për blerjen e një pasurie të paluajtshme. Të gjithë punonjësit e filialit të bankës u vunë në hetim dhe u zbulua se me anë të falsifikimit shuma e vjedhur është 2.8 milionë euro. “Nga ana e saj, prokuroria bëri me dije se një vjedhje në shumën e rreth 2 milionë e 800 mijë eurove në një bankë të nivelit të dytë në Bilisht është zbuluar pas një hetimit disa mujor të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Sipas prokurorisë, në këtë skemë vjedhjeje janë përfshirë disa shtetas, të organizuar nga ish-drejtori i filialit të kësaj banke në Bilisht, Blendi Topalli, i cili është arrestuar që në datën 2 shtator dhe ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë. Në vijim të hetimeve të Prokurorisë së Korçës janë arrestuar edhe disa bashkëpunëtorë të Blendi Topallit”, – thuhet në dosjen e prokurorisë. Në ngarkim të të arrestuarve ëhstë ngritur akuza e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës.
Hetimet, u grabitën llogaritë e 60 klientëve, lekët ën xhepin e drejtuesit dhe punonjësve
Menjëherë pas ekzekutimit masës së sigurimit ndaj Blendi Topallit është zbuluar se ai, në bashkëpunim edhe me punonjës të tjerë të bankës, ka cënuar dhe ka vjedhur lekët nga rreth 60 klientë të tjerë të bankës, në një shumë prej 2.800.000 euro, duke i tërhequr drejtpërsëdrejti shumat e lekëve nga llogari, ose duke i transferuar në kundërshtim me ligjin, në llogari të personave të tjerë të njohur të Blendi Topallit, Ervin Xhaçi, apo personave të tjerë të njohur të personave që merreshin me lotari sportive. Më konkretisht shtetasi nën hetim Blendi Topalli ka bashkëpunuar me punonjësit e bankës Kimet Hoxha, Julian Kosho (punonjës të degës së bankës agjensia Kapshticë, në varësi të degës Bilisht, Lorent Ballco (punonjës i bankës dega Bilisht) si dhe me shtetasen Fjoralba Andrea (arkëtare e bankës dega Korçë). Gjithashtu ky shtetas për të realizuar këtë vjedhje me përmasa të mëdha, ka bashkëpunuar edhe me shtetasin Ervin Xhaçi, (shok i Blendi Topallit), i cili është personi i vetëm me të cilin Blendi Topalli kishte kontakt për vendosjen e basteve sportive, i cili përveçse përfitues vetë drejtpërsëdrejti i ka servirur shtetasit Blendi Topalli, emrat “e përfituesve”, të tjerë, të cilët i kanë tërhequr shumat e lekëve, eurove apo dollarëve për llogari të Eervin Xhaçi apo miqve dhe të njohurve të tij. Gjithashtu nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Ervin Xhaçi, është shok me shtetasen Fjoralba Andrea. Më konkretisht si rezultat i ndihmës së shtetasve Lorent Ballço, Kimet Hoxha Julian Kosho dhe Fjoralba Andrea, Blendi Topalli ka mundur të kryejë më shumë se 100 transferta dhe tërheqje të paligjshme, duke vjedhur një shumë prej rreth 2.800.000 euro. Kështu nga hetimi ka rezultuar se klientët nuk kanë qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në momentin e transfertave ose tërheqjeve. Personat e debituar nuk kanë pasur asnjë lidhje me personat “përfitues”, këta të fundit ose janë miq të Blendi Topallit, ose miq të Ervin Xhaçit. Të gjitha transaksionet e kryera kanë qenë fiktive dhe thjesht për të mundësuar tërheqjen e shumës së lekëve, bën të ditur prokuroria.
Integrimi i policisë në Europol, Saimir Tahiri: Arritje historike
Prej datës 9 dhjetor Shqipëria do të jetë anëtare e Europol. Marrëveshja që do të nënshkruhet nga Saimir Tahiri me Zyrën e Europol në Hagë, është cilësuar nga Ministri i Brendshëm si historike. “Wshtë marrëveshje historike që njeh arritjet e Policisë së Shtetit deri sot, por mbi të gjitha, që nxit e mbështet reformat në vazhdim, por dhe rezultatet e arritura gjatë kësaj kohe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Policia e Shtetit integrohet në Europol, ku anëtare janë të gjithë policitë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian,”- shkruan në “Facebook”, ministri Tahiri. Sipas ministrit Tahiri, ky është momenti për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të qenë më krenar, por edhe më të vetëdijshëm për sfidat e të ardhmes, duke shtuar se marrëveshja është një tjetër gur themeli në përpjekjet e qeverisë për një polici moderne, demokratike, transparente, efiçente dhe efektive ne luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE, u autorizua Zyra e Europol të nënshkruaj, Marrëveshjen për Bashkëpunimin Strategjik dhe Operacionale me Policinë e Shtetit.
Përplasen 2 automjete, plagose shoferi
Një aksident automobilistik është regjistruar në kryeqytet paraditen e sotme ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka mbetur i plagosur njëri prej drejtuesve. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Artan Lenja” ku një makinë e tipit “Porsh” me targë AA 727 FT” është përplasur me automjetin “Renauld” me targa “AA 490 CO”. Mësohet se drejtuesi i automjetit tip “Renauld” ka thyer këmbën. Shkak për këtë aksident është bërë mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.