Anxhela Tato
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme: Procedimi penal pa emër konkret, po verifikohet akuza
Grupi hetimor i Task-Forcës, ka dy momente në pamjet filmike që do të hetohen
Video përgjimet nuk konsiderohen si provë nga gjykata, çka do të thotë se përsa kohë nuk vërtetohet akuza, nuk mund të merren masa ndëshkimore ndaj gjyqtarit Shtjefën Lleshi. Kjo është përgjigja e kryeprokurorit Adriatik Llalla në një takim me gazetarët. I pyetur në lidhje me vijimin e hetimet kreu i organit të akuzës ka shpjeguar se nga ana e prokurorisë është regjistruar procedimi penal, por është ende në fazën e verifikimit për element të veprës penale. Nëse do të gjenden prova dhe do të vërtetohet akuza, do të nis hetimi nëse gjyqtari ka qenë i përfshirë ose jo. Vetëm para pak ditësh Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi shkarkimin nga detyra si kreu i Gjykatës së Pukës, të Shtjefën Lleshit. Lirimi i tij nga detyra vjen pas denoncimeve nga programi “Fiks Fare”. Lleshi u lirua vetëm nga funksioni i kreut të gjykatës, ndërsa do të vazhdojë të ushtrojë aktivitetin si gjyqtar. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal për akuzën ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, pas videove të publikuara para dy javësh në emisionin “Fiks Fare”. Njësia Task-Forcë Antikorrupsion mësohet se rreth tri javë më parë ka nisur verifikimet paraprake, ndërsa pas urdhrit të marrë nga prokurori i Përgjithshëm është vendosur regjistrimi i procedimit penal. Burimet nga organi i akuzës kanë pohuar se ende nuk ka emra personash në hetim në këtë dosje të hapur. Megjithatë, regjistrimi i procedimit penal ende pa emra personash në hetim do të thotë se Prokuroria ka gjetur elemente të veprave penale në të dhënat e publikuara prej emisionit “Fiks Fare”. Ditën e mërkurë, më 27 nëntor, një hetues i Prokurorisë së Tiranës ka shkuar në zyrat e emisionit që publikoi videot dhe ka kërkuar sekuestrimin e materialeve filmike. Mësohet se grupi i hetimit ka marrë disa prej pamjeve, ndonëse ende nuk i janë dhënë regjistrimet origjinale (materialet bruto). Deri tani në duart e hetuesve ndodhen materialet filmike të publikuara nga emisioni “Fiks Fare”, ndërkohë që pritet të merren edhe regjistrimet bruto për të parë më në detaje secilën prej skenave.
Sekretarja dhe avokati
Grupi hetimor i kryesuar nga një prokuror i Task- Forcës mësohet se ka shqyrtuar paraprakisht materialet e transmetuara nga emisioni “Fiks Fare”, duke arritur në përfundimin se ka së paku dy momente që meritojnë të hetohen. “Momenti i parë është ai i numërimit të kartëmonedhave nga një punonjëse e Gjykatës së Pukës në zyrën e saj”, – theksojnë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, momenti i dytë që do të hetohet, së paku nga materialet që janë bërë deti tani të njohura, është ai kur i afërmi i personave të arrestuar flet me avokatin për shuma të caktuara parash që do të jepeshin për prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes në Pukë. Publikimi i regjistrimeve ka shkaktuar deri tani pezullimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, Pëllumb Prençi dhe oficerit të Policisë Gjyqësore, Hasan Alia. Dy ditë më pas, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, shkarkoi nga detyra kancelaren e Gjykatës së Pukës, Meliha Kukaj dhe sekretaren e kryetarit të Gjykatës, shtetasen Liljana Shkjau. Të dyja ato ishin ekspozuar në “pazare” me të afërmit e të arrestuarve në Fushë-Arrëz duke pretenduar se paratë i merrnin veç pjesës së tyre, edhe në emër të gjyqtarit Shtjefën Lleshi. Ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat duke theksuar se ka zëvendësuar masat e arrestit me burg për të afërmit e qytetarit që është filmuar duke dhënë para vetëm pas kërkesave të bëra nga prokurori.
Shtjefën Lleshi: Video sajesë, jam i gatshëm të dëhsmoj për pozicionin tim
Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, reagoi me një deklaratë publike pas skandalit në emisionin “Fiks Fare”, ku emri i tij përmendet si personi që ka marrë para kundrejt lirimit të disa të pandehurve. Bazuar te videoja e transmetuar, një qytetar jep emrin e gjyqtarit Lleshi, duke theksuar se ka paguar 300 mijë lekë të rinj për lirimin e familjarit të tij dhe po aq te prokurori. Por, ky fakt është mohuar nga Lleshi, duke u shprehur se është i gatshëm që të dëshmojë për pozicionin e tij në çdo rast që do t’i kërkohet nga organet kompetente. “E ndiej përgjegjësi të thellë morale të jap këtë deklaratë para mediave dhe institucioneve të drejtësisë, duke marrë shkas nga emisioni Fiks Fare”, – e ka nisur deklaratën e tij Lleshi. “Them publikisht dhe shpreh indinjatën e thellë, pasi është përdorur emri i kryetarit të Gjykatës për vendimet e masave të sigurimit të dhëna nga ana ime. Ato janë publike dhe të formës së prerë dhe nuk ka pasur as ndikim, e ankim nga palët për to”, – pohon në deklaratë ish-kryetari i Gjykatës së Pukës. Ai thotë se gjithçka është sajesë në forma të ndryshme që tashmë janë bërë publike, me interes për të shmangur sadopak vëmendjen nga çështja penale dhe për të përfituar nga kjo situatë rivaliteti mes kolegësh. “Gjykata në asnjë rast nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria, neni 244 /3 Kodi i Procedurës Penale. Në rastin e masave të sigurimit ato janë zëvendësuar me kërkesë të të dyshuarve dhe të organit të prokurorisë”, – u shpreh Lleshi. “Përballë kësaj situate, unë do të jem i gatshëm të shpjegoj e sqaroj para organeve kompetente në çdo kohë dhe çdo dëshmi që do të më kërkohet”, – përfundon deklaratën sih-kreu i Gjykatës së Pukës. Në transmetimin e programit “Fiks Fare” të kësaj jave u pa me figurë dhe zë sesi qytetarë të ndryshëm duhet të paguanin shuma të caktuara parash për të nxjerrë nga paraburgimi familjarët e tyre. Në videot e regjistruara me kamera të fshehtë dëgjohen fillimisht sekretarja dhe kancelarja e Gjykatës së Pukës që flasin për ndarjen e parave për prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes. Në emisionin e 28 nëntorit, vetë qytetarët kanë dhënë emrat e juristit të Burgut të Shënkollit dhe më pas gjyqtarit Shtjefën Lleshi, duke thënë në një rast se do t’i jepnin 250 mijë lekë të rinj, ndërsa në rastin tjetër se mes gjyqtarit dhe prokurorit ishin ndarë 600 mijë lekë.
Gjirokastër, sekuestrohet 20 kg hashash, pranga 16-vjeçarit
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një adoleshent nga Fieri 16-vjeçarin A.H. Arrestimi i të riut u bë në flagrancë, ndërsa po transportonte rreth 20 kilogramë hashash. Me anë të një njoftimi zyrtar Policia e Gjirokastrës bën të ditur se rreth orës 01:50 të mëngjesit Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 16-vjeçarit. Ndalimi i tij është bërë i mundur pas marrjes së informacionit se në autobusin e linjës Gjirokastër–Tiranë, një shtetas transportonte një valixhe me lëndë narkotike. Nga kontrolli i ushtruar në autobusin e linjës Gjirokastër-Tiranë rezultoi se në bagazh ndodhej një valixhe e mbushur me pako me lëndë narkotike. Nga këqyrja e çantës rezultoi se në brendësi të saj ishin 32 pako të mbështjella me letër natriban. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, rezultoi se valixhen në bagazhin e autobusit e kishte vendosur adoleshenti nga Fieri dhe se kjo valixhe i përkiste këtij shtetasi. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Arrestimi i tij u bë për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Plagosën me 20 thika kunatin, arrestohen vëlla e motër
Arrestohet nga policia i shpalluri në kërkim Aleksandër Ahmetaj, i cili bashkë me Ermira Xhaferaj kanë qëlluar njëzet herë me thikë bashkëshortin e kësaj të fundit, Saimir Xhaferaj. Mësohet se Saimiri, 33 vjeç, banues në Grizë të Patosit, për pasojë është në gjendje të rëndë për jetën në reanimacion. Siç informon spitali rajonal i Fierit, mjekët kirurgë kanë operuar të plagosurin dhe pas 9 orësh ndërhyrje i është ndërprerë rrjedhja e gjakut. Por sipas tyre situata shëndetësore e tij paraqitet shumë e rëndë. Në pranga ka rënë menjëherë Ermira Xhaferaj, 27 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim Aleksander Ahmetaj, 47 vjeç. Vetëm 24 orë më pas është arrestuar edhe ky i fundit në Gjirokastër në tentativë për largim drejt Greqisë. Ermira Xhaferraj dhe i vëllai akuzohen nga prokuroria për vrasje të mbetur në tentativë.
Kukës, plagosje me armë zjarri, mister autori
Plagosje me armë zjarri në fshatin Gostil të Kukësit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në agjencinë e fugonëve të Bicajve dhe i plagosur ka mbetur Enver Kastrati, 45 vjeç. Ai është futur me urgjencë në sallën e operacionit në spitalin e Kukësit në gjendje të rëndë. Ndërsa policia po punon për identifikimin e autorit dhe shkaqet e ngjarjes. Nga ana e bluve janë marrë në pyetje personat që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, për të dhënë përshkrimin e autorit, identikit që do të ndihmoj blutë për arrestimin e tij.