Gëzim Saliu
Kreu i PD-së, Moore-it: Po ripërtërijmë PD-në, bashkim të kontributeve historike përmes zgjedhjeve dhe vizion dialogu të përhershëm me qytetarët
“PD, në asnjë moment nuk do të bllokojë apo cenojë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shpreh drejtorit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, shqetësimet e opozitës së vendit për vendimmarrjet e fundit të qeverisë. Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, kreu i opozitës i bëri të ditur përfaqësuesit të lartë të DASH disa nga çështjet e paligjshmërisë, cënimit të shtetit ligjor e demokracisë në Shqipëri. “Basha e njohu z. Moore për shqetësimin e Partisë Demokratike mbi degradimin e shtetit ligjor, goditjet e përsëritura ndaj garancive kushtetuese për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve, revanshin ndaj administratës publike, rritjen e pasigurisë në vend si rezultat i hapave mbrapa në Policinë e Shtetit, sinjalet negative të qeverisë ndaj ekonomisë, investitorëve dhe sipërmarrjes në përgjithësi etj.”, – thuhej në njoftimin e PD-së.
Takimi
Në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së premtes, Basha dhe Moore shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme, si bashkëpunimi i deritanishëm dhe perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit, mbi të gjitha Integrimin Evropian të Shqipërisë, si një prioritet i të gjithë shqiptarëve. “Në takim u diskutua gjithashtu mbi rolin e PD gjatë qeverisjes së saj në avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, e cila finalizoi me realizimin e zgjedhjeve me standarde të larta dhe mbi të gjitha me mënyrën e menaxhimit të rezultatit zgjedhor, ku u theksua fakti që për herë të parë në Shqipëri partia në pushtet organizoi zgjedhje të lira e të ndershme dhe tranzicion normal të pushtetit”. Në këtë kontekst, të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rolit të opozitës për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, ku kreu i demokratëve theksoi se opozita e sotme, ndryshe nga ajo e djeshmja, mbështet marrjen e statusit të vendit kandidat. “Partia Demokratike, në asnjë moment nuk do të bllokojë apo cenojë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por do të punojë dhe do të përkushtohet për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, – tha Basha. Më tej, shefi i opozitës vuri në dukje nismat konkrete të Partisë Demokratike si rezoluta për integrimin evropian e votuar unanimisht në Parlamentin Shqiptar. “Në takim u vlerësuan hapat e rëndësishëm të bashkëpunimit strategjik dypalësh dhe në kuadër të NATO-s, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike”. Nga ana tjetër, Basha e njohu drejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në DASH edhe me hapat që Partia Demokratike po merr për ripërtëritjen e saj dhe bashkimin e të gjithë kontributeve historike nëpërmjet procesit të zgjedhjeve në parti, si dhe me vizionin e saj për ndërtimin e një dialogu të përhershëm me qytetarët në funksion të ndërtimit të një demokracie të re në vend.
Takimi me përqafime
Berisha: Qëndrimet e mazhorancës, antiligjore. Moore: Vlerësim për kontributin
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, priti dje në një takim drejtorin për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ku i shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shprehu vendosmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për zhvillimet në vend, ku Berisha i bëri të ditur përfaqësuesit të lartë të DASH shqetësimin për veprimet e qeverisë. Po ashtu ish-kryeministri e njohu Moore-in me situatën e krijuar nga ndryshimi dhe zhbërja e Kushtetutës, e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve të vendit thjesht me vendime qeverie, si dhe shpalljen të pavlefshme, po me vendime të qeverisë, të vendimeve të gjykatave. “Të gjitha këto qëndrime në kundërshtim me standardet evropiane, kanë rritur kundërshtitë në disa vende për të mbështetur statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, të cilin ne e meritojmë plotësisht”, – u shpreh Berisha. Gjithashtu, ish-kryeministri në takim foli edhe situatën ekonomike në vend, e cila, sipas tij, është në kaos si pasojë e mungesës së programit ekonomik të qeverisë. Nga ana e tij, drejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit vlerësoi lart kontributin e Berishës në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu qëndrimin e qeverisë së tij se SHBA mbeten të vendosura për ta ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe procesin e integrimit evropian”. E veçanta e takimit të djeshëm mes ish-kryeministrit dhe përfaqësuesit të lartë të DASH ishte momenti i takimit, ku të dy bashkëbiseduesit, krahas takimit formal, patën edhe një përqafim mes tyre.
Intervista
Jonathan Moore: U zhgënjyem për “armët kimike”, por marrëdhëniet nuk preken
“Kjo ishte një çështje ku nuk kishte aq shumë informacion dhe kishte shumë emocione, por ngaqë jemi miq dhe aleatë, e kemi kapërcyer”
Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, komenton negociatat mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-së për mundësinë demontimit të armëve kimike në vend. Në intervistën për “News 24”, përfaqësuesi i lartë i DASH komenton po ashtu edhe aspiratën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, mundësinë e marrjes së statusit kandidat si edhe bllokimin e kandidaturës së ambasadorit të ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu.
Një nga pikat e nxehta në këtë periudhë të shkurtër të qeverisjes ka qenë edhe negociata për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri. Një negociatë mes Shqipërisë dhe SHBA-së që shkaktoi shumë protesta në vend. Zgjedhja e Shqipërisë u bë për shkak të refuzimit të vendeve të tjera apo për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik?
Shumë faleminderit për pyetjen! Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Regjimi në Siri ka përdorur armë kimike për të vrarë popullin e tij – mbi 1.000 vetë vdiqën në atë sulm. Komuniteti ndërkombëtar, përfshi Shqipërinë, është i përkushtuar t’i eliminojë armët kimike nga Siria. Me anë rregullimesh ndërkombëtare do të jetë e mundur të largohen nga Siria. Shkatërrimi nuk mund të ndodhë aty; për fat të keq, konflikti vazhdon. Pra, duhen shkatërruar diku tjetër. Së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, ONAK etj., disa vende u pyetën nëse mund të bëheshin terreni i shkatërrimit të armëve. Shqipëria ishte një prej atyre vendeve. SHBA pyetën disa vende që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria, dhe në të gjitha ato vende vendimet u bazuan mbi kritere politike dhe të tjera. Për fat të keq, asnjë prej vendeve që pyetëm, përfshi Shqipërinë, nuk patën mundësinë t’i pranonin armët për shkatërrim. Bazohej mbi një kombinim faktorësh. Përsëris, duke qenë një aleate e besueshme në NATO, edhe gjeografia ishte një element.
Qeveria shqiptare, përpara se të deklaronte pamundësinë për t’u përfshirë në operacion, kishte marrë një letër falënderimi nga Presidenti Obama. Letër që as sot nuk është bërë publike. Falënderimi i Presidentit Obama, lidhej me një vendim të marrë për përfshirjen në operacion apo për fillimin e negociatave?
Nuk mund të komentoj korrespondencë diplomatike specifike që përgjithësisht mbahet konfidenciale mes qeverive. Megjithatë, ishte shumë e qartë prej fillimit të diskutimeve tona, qoftë takime përballë, telefonata apo letra, që SHBA po pyeste Shqipërinë të shqyrtonte mundësinë e pranimit për shkatërrim të kimikateve – nuk po ia kërkonte, po e pyeste nëse ishte e mundur. Këtë e ndoqëm në disa nivele. Me rëndësi për t’u vërejtur është edhe që teksa pyesnim, po bënim shumë të qartë, në respekt të plotë të popullit dhe mjedisit në Shqipëri, që çdo përpjekje për t’i shkatërruar këto kimikate do të kryhej në mënyrë të sigurt dhe të siguruar dhe nuk do të kishte kurrfarë pasoje as për popullin dhe as për mjedisin në Shqipëri.
Ambasadori Arvizu deklaroi pak përpara vendimit të Qeverisë shqiptare, se Shtetet e Bashkuara do të zhgënjeheshin shumë në rast se do të kishte një vendim për tërheqje. Ç’do të thotë kjo për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri?
Sigurisht, në të gjitha rastet, ne qëndrojmë në mbështetje të fjalëve të ambasadorit tonë, siç bëmë për paraardhësin e tij, siç do të bëjmë për pasardhësin e tij. U zhgënjyem që Shqipëria nuk mundi t’i pranonte kimikatet për shkatërrim. U zhgënjyem edhe që vende të tjera nuk mundën t’i pranonin për shkatërrim, por jam shumë i lumtur që kam këtë mundësi për t’ju konfirmuar që të gjithë ne në Uashington dhe sigurisht ambasada jonë këtu në Tiranë jemi të përkushtuar të vazhdojmë atë që është një partneritet shumë i fortë dhe i efektshëm me Shqipërinë, një aleancë shumë e forte dhe e efektshme në NATO me Shqipërinë. Ky vendim i vetëm, kjo çështje e vetme, edhe pse e rëndësishme në planin ndërkombëtar, nuk ndryshon faktin që ne kemi një marrëdhënie afatgjatë, të palëkundur, shumë pozitive me vendin tuaj
Të mbetemi tek kjo çështje. Një nga protestat kundër përfshirjes së Shqipërisë në operacionin e asgjësimit të armëve kimike u bë përpara selisë së Ambasadës Amerikane. Keni ndonjë koment për këtë proteste?
E vlerësojmë fjalën e lirë; jemi mirënjohës që Shqipëria është një demokraci ku mund të praktikohet fjala e lirë. Në asnjë çast nuk kemi ndjerë se shënjestra e protestuesve ishte SHBA. Në gjithë botën, ka pasur shumë frustrim mbi përdorimin e këtyre armëve të tmerrshme dhe në të njëjtën kohë shqetësim për çfarë po bëhet për t’i shkatërruar ato. Pra, ka pasur debat të mirëfilltë këtu në Shqipëri. E respektojmë këtë; jemi krenarë për marrëdhëniet që kemi me njerëzit që janë të shqetësuar për mjedisin dhe i bashkëndajmë ato shqetësime. Pra, fakti që një protestë ndodhi këtu apo kudo tjetër nuk na shqetëson. Ajo që është me rëndësi është që të gjitha protestat u zhvilluan paqësisht dhe pa dhunë.
Po për qëndrimin e opozitës a mund t’u shtoni diçka deklaratave të ambasadorit Arvizu?
Mendoj se të gjithë po përpiqeshim të kuptonim se cili ishte reagimi i mirëfilltë nga organizatat joqeveritare, partitë në opozitë, partitë në koalicionin qeverisës. Por, kam pasur mundësinë në këtë vizitë të flas me kreun e PD-së, Kryeministrin, Kryeparlamentarin Meta; mendoj të gjithë e kuptojmë që kjo është një çështje ku nuk kishte aq shumë informacion dhe kishte shumë emocione, por ngaqë jemi miq dhe aleatë, e kemi kapërcyer. Shumë prej diskutimeve të mia dje dhe sot kanë qenë mbi Bashkimin Evropian dhe argumentin e fortë që ka Shqipëria për të qenë kandidate për anëtare e BE. Kjo është diçka për të cilën qeveria, opozita, dhe sigurisht ne të gjithë biem dakord. Ndaj, jo, nuk mendoj ka ndonjë problem me pikëpamjet e shprehura gjatë asaj kohe të mbushur me mjaft emocione.
SHBA ka mbështetur fort integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Megjithatë ecuria e vendit tonë ka qenë shumë e ngadaltë. Diskutohet marrja e statusit të vendit kandidat gjatë këtij muaji, ndërkohë që Shqipëria ka mbetur ndër vendet e fundit që nuk e kanë arritur këtë nivel. Si e shpjegoni këtë ecuri?
Çështjet politike në Shqipëri mund të jenë shumë emocionale. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Mund të ketë dallime të forta mes partive në qeveri dhe në opozitë. Jemi shumë të kënaqur tani që qeveria dhe opozita janë në një mendje për rëndësinë e dërgimit të mesazheve të forta në BE – në qendrën në Bruksel dhe tek të gjitha vendet anëtare. Është shumë e qartë që Shqipëria është e përkushtuar ndaj së ardhmes në BE dhe ne e mbështesim plotësisht këtë, siç thatë dhe ju, e mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit në tetor që Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat. Pati vendime nga parlamenti përpara zgjedhjeve për të miratuar tri ligjet në parlament. Duhej të zhvilloheshin zgjedhjet. Evropa e donte këtë sepse Evropa donte të shihte një rezultat të mirë, që zgjedhjet të zhvilloheshin në mënyrë demokratike dhe në fakt zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë demokratike. Por, Evropa priste edhe që këto zgjedhje të ndodhnin faktikisht. Siç diskutuam më herët, kjo është qeveria prej tre muajsh. Nuk është e mundur të bëhen shumë hapa në një kohë të shkurtër. Pra, ritmi varet nga shumë faktorë – koha e zgjedhjeve, miratimi i vendimeve në parlament, e pafat që parlamenti nuk i kishte miratuar më herët, por u miratuan, patët zgjedhjet; edhe Evropa ka tempin e vet dhe kjo është pjesë e faktorit, kur takohet Komisioni, kur takohet Këshilli. Ndaj, po, e kuptojmë që populli shqiptar do që gjërat të ecin më shpejt. Mendojmë se kjo është e merituar pas këtyre ngjarjeve dhe atyre që janë bërë këtu. Por, në afat të gjatë, të gjithë mund të kemi besim që Shqipëria qartësisht e ka të ardhmen në BE. Tashmë keni liberalizimin e vizave, po ecni drejt statusit kandidat dhe anëtarësimi është edhe më i gjithanshëm. Mendojmë se e ardhmja është e mirë. Sapo isha në Bruksel dhe jam shumë i lumtur t’ju them që Shqipëria gëzon besueshmëri dhe respekt të jashtëzakonshëm nga Komisioni, shtetet anëtare, Parlamenti Evropian, ndaj mendoj se perspektiva e përgjithshme është e mirë. Ajo që do të vendosë Këshilli saktësisht do të jetë e rëndësishme, por nuk do të jetë fundi i historisë.
Kandidatura e Donald Lu-së është bllokuar në Senat për çështje të brendshme. Do të vazhdojë të jetë zoti Arvizu përfaqësues i shtetit amerikan në Shqipëri, derisa të vijë kandidatura e re?
Shpresojmë që ambasadori i emëruar Lu do të konfirmohet shpejt. Në Shtetet e Bashkuara kemi një sistem të ndarjes së pushteteve. Dega ekzekutive emëron ambasadorët dhe Senati ka të drejtën ta shqyrtojë dhe konfirmojë emërimin. Shpresojmë që do ta bëjnë shpejt. Shpresoj se është e qartë, meqë ra fjala, se Don është vetëm një ndër shumë ambasadorë të emëruar në këtë situatë. Ai është një diplomat i shquar e i lartë karriere që do të bëjë një punë të shkëlqyer këtu në Tiranë. Dhe, po, sigurisht, ndërkohë, kemi besim dhe siguri të plotë tek ambasadori Arvizu dhe Alex do të vazhdojë këtu në Tiranë
Sot, 8 Dhjetori
Basha: Të festojmë ditën kur të rinjtë nxorën Shqipërinë nga errësira e izolimit
Në kuadër të Ditës së Rinisë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi dje të gjithë qytetarët që të bashkohen në mesditë në pallatin e sportit për të kujtuar dhe nderuar të rinjtë shqiptarë që sipas tij nxorën Shqipërinë nga errësira e izolimit. “Ju ftoj nesër (sot) në orën 12:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, të festojmë Ditën e Rinisë, ditë në të cilën 23 vjet më parë të rinjtë shqiptarë sfiduan frikën dhe terrorin dhe e nxorën Shqipërinë nga errësira e izolimit në dritën e lirisë dhe dinjitetit. Sot të bëhemi të gjithë bashkë e të nisim një rrugëtim të ri për një demokraci të re dhe evropiane që garanton dinjitetin e çdo shqiptari”, – shkruante Basha në rrjetin social “Facebook”. Po ashtu edhe Kryeministri Rama ka ripërsëritur dje ftesën e tij drejtuar qytetarëve për t’iu bashkuar me pyetje në bashkëbisedimin që do të zhvillojë sot në orën 17:30 në Kryeministri me studentë të ndryshëm.
Ndryshon rregullorja e vizave
Vendosen mekanizmat e pezullimit dhe reciprocitetit
Këshilli i Bashkimit Evropian ndryshoi dje rregulloren e vizave, ku përfshihet mekanizmi pezullues dhe ai i reciprocitetit. Sipas vendimit, kur një vend anëtar përballet përgjatë 6 muajve me “rrethana të veçanta” me qytetarë të vendeve të treta, që çojnë në një “situatë emergjente”, të pakontrollueshme, atëherë ky shtet i kërkon Komisionit pezullimin e lëvizjen së lirë për një periudhë afatshkurtër për qytetarët e vendit problematik. “Rrethanat e veçanta” konsistojnë në: rritjen e menjëhershme dhe domethënëse të numrit të emigrantëve të paligjshëm; të kërkesave të pabazuara për azil; apo të refuzimit të kërkesave për riatdhesim, krahasuar me të njëjtën periudhë 6-mujore të një viti më parë. Mekanizmi pezullues do të përdoret si “mundësia e fundit” dhe nuk mund të jetë “në mënyrë automatike” bazuar vetëm në ankesën e shtetit anëtar, por situata do të vlerësohet nga Komisioni, i cili merr parasysh pasojat për marrëdhëniet e BE-së me vendin problematik, përpara se të miratojë një vendimin për pezullimin 6-mujor të lëvizjes së lirë. Masat mbrojtëse për rregulloren e vizave u kërkuan nga vendet anëtare ndaj Komisionit në Këshillin e nëntorit 2010, në ditën kur u vendos për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, pas dyndjeve të azilkërkuesve nga Maqedonia e Serbia. Mekanizmi i reciprocitetit ka të bëjë më shumë me SHBA-në dhe Kanadanë, nëse aplikojnë viza ndaj një apo disa vendeve anëtare të BE-së. Me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, rregullorja e ndryshuar është e zbatueshme për vendet “Schengen” dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së.
Në Gjykatën Administrative
377 padi për largime nga puna
Vetëm një muaj pas nisjes së funksionimit të Gjykatës Administrative në Tiranë, pranë kryesekretarisë së saj janë dorëzuar rreth 377 padi. Pjesa më e madhe e këtyre çështjeve, kanë të bëjë me largimet nga puna, ku sipas statistikave të kësaj gjykate, çdo ditë në këtë institucion, dorëzohen nga 10 padi për zgjidhjen e marrëdhënies së punës pa shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të menjëhershme. Pavarësisht fluksit të madh të këtyre padive, gjyqtarët e Gjykatës Administrative nuk kanë arritur të japin asnjë vendim përfundimtar, për asnjë prej ankesave. Shkak për këtë, sipas kancelares, është mosplotësimi i plotë i padisë nga paditësit. Ndërkaq, pranë kësaj gjykate, janë dorëzuar edhe mbi 20 padi nga Komisioni Shërbimit Civil, ku qytetare të ndryshëm janë ankuar për largim të padrejte nga puna. Ata kërkojnë nga Gjykata që institucionet përkatëse të paguajnë dëmshpërblimin, pra një shumë të barabartë me atë të 1 viti punë,si dhe shumën për mosrespektim të afateve kohore të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Bashkohen demokristianët
Krijohet Unioni Demokristian Shqiptar
Drejtuesit e partive demokristiane themelojnë Unionin Demokristian Shqiptar. Bashkimi mes demokristianëve u bë i ditur dje nga selia e PDK-së, ku Zef Bushati u zgjodh drejtues i Unionit. Në bazë të statutit të krijimit të Unionit, drejtimi do të jetë me rotacion, me mandat 1-vjeçar. Në fjalën e tij Zef Bushati tha se slogani i Unionit do të jetë “Të bashkuar do të jemi më të fortë”. Ndërkaq, mësohet se ditën e mërkurë do të shpallet Senati Demokristian, që shënon pikën më të lartë të përfaqësimit të kësaj alternative me përfaqësues të shquar nga politika dhe fusha të tjera, me intelektualë dhe përfaqësues të diasporës.
Të hënën në Kuvend
Tri kandidaturat e ambasadorëve në KiE, Austri dhe Gjermani
Ministria e Jashtme do të sjellë të hënën në Kuvend tri kandidatura të reja për ambasadorë të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Këshillin e Evropës (KiE), në Austri dhe në Gjermani. Përkatësisht Adriana Hobdari do të jetë kandidate për ambasadore në KiE, Roland Bimo kandidat për ambasador në Vjenë dhe Artur Kuko në Bon. Të tre kandidatët, që do të prezantohen nga ministri i Jashtëm, janë diplomatë karriere dhe me përvojë në shërbimin e jashtëm. Aktualisht, në Këshillin e Evropës Shqipëria përfaqësohet nga Dastid Koreshi, në Vjenë nga Vili Minarolli dhe në Bon nga Valter Ibrahimi. Një javë më parë, ministri Bushati prezantoi në Kuvend dy emrat për ambasadorë në Zvicër, Ilir Gjoni dhe në selinë e NATO-s, Leonard Demi. Të dy kandidatët morën mbështetjen maksimale nga Komisioni i Jashtëm, ndërsa tri ditë më parë ato u dekretuan dhe nga Presidenti i Republikës.