Marika Butskhrikidze
Artikujt e botuar së fundmi nga Kortlandt (1980) dhe Martirosyan (2013). Martirosayan (2010) në fjalorin “Etymological Dictionary of the Armenian Inherited Lexicon”, jep një listë me 49 fjalë shqipe që ngjasojnë me armenishten, shënimet e mia tregojnë që janë edhe 30 fjalë tjera, që mund të konsiderohen si të ngjashme…. Mendoj se një studim i tillë do të hidhte më shumë dritë sa i përket vendit që kanë këto gjuhë të izoluara brenda familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe për historitë e tyre përkatëse
Gjuha është institucioni më demokratik që na rrethon. Gjuha bart informacionin për të kaluarën dhe të tashmen tonë, si individë por edhe si kombe, në vërtetësinë më të madhe. Shqipja, gjuha armene dhe greqishtja janë të vetmet degë të “gjalla”, të izoluara nga familja e gjuhëve indo-evropiane. Të gjithë ne i dimë grupet tjera të mëdha të gjuhëve indo-evropiane siç janë: gjermane, indo-iraniane dhe sllave. Gjithmonë më ka intriguar fakti se shqipja dhe gjuha armene (duke lënë mënjanë rastin e greqishtes) janë të izoluara, por prapë kanë mjaft karakteristika për t’i takuar familjes së gjuhëve indo-evropiane. Pyetjet që me kanë preokupuar për një kohë të gjatë ishin: cilat janë karakteristikat që i bëjnë këto gjuhë indo-evropiane dhe në të njëjtën kohë të dallueshme për t’i bërë të izoluara? Dhe pse, ato nuk kanë “simotra” sikur gjuhët tjera për shembull polonishtja ose frëngjishtja? Edhe pse ende nuk i kam të gjitha përgjigjet, së paku mund t’ju tregoj për ngjashmëritë mbresëlënëse që kam gjetur midis gjuhës shqipe dhe asaj armene.
Ja sesi filloi e gjitha.
Vitin e kaluar akademik, gjatë periudhës shtator 2012 – maj 2013 e kam kaluar si Shkencëtare Vizituese e programit Fulbight në Departamentin e Linguistikës dhe Filozofisë në “Massachusetts Institute of Technology”. Projekti të cilin unë duhej të bëja hulumtime titullohej: “Roli i morfologjisë dhe kompleksitetit segmental për studimin e fonotaktikës së bashkëtingëlloreve” (që ishte rast studimi për gjuhët shqipe, armene, persishte dhe ruse). Gjuha armene ishte e vetmja gjuhë për të cilën nuk kisha informata të dorës së parë (vetëm ato që kisha nga librat e gramatikës dhe revistat shkencore). Eksperienca ime personale shpesh herë më ka bindur se kjo nuk është e mjaftueshme. Ai që bën hulumtimin duhet të dëgjojë dhe të eksperimentojë me gjuhën nga dora e parë dhe kështu kontaktova një dijetari të shkëlqyer – profesorin James Russell (një studiues me njohuri enciklopedike), që ligjëronte gjuhën armene në Universitetin e Harvardit dhe e luta të më jepte mundësinë të merrja pjesë në ligjëratat e tij. Gjatë semestrit pranveror, profesori Russell po ligjëronte një kurs për “grabar” (gjuhën e vjetër armene). E kuptova sesa me fat isha që kursi ishte pikërisht për armenishten e vjetër dhe jo për atë moderne. Isha shumë e entuziazmuar që mu dha ky rast, të mësoj një sistem të ri të shkruarit (armenishtja e ka sistemin e vetë të të shkruarit) dhe gramatikën komplekse. Dhe me në fund u gjenda e ulur në klasën e profesorit Russell në pritje për të dëgjuar diçka që ishte e njohur dhe e panjohur për mua. E njohur sepse, gjuha armene, siç e përmenda edhe më herët, është një gjuhë indo-evropiane (kam pasur njohuri të mëhershme për gjuhë të tjera indo-evropiane si anglishtja, rusishtja, holandishtja, gjuha perse dhe shqipe), dhe e panjohur sepse prisja të dëgjoj diçka të veçantë, që e shquan atë nga të gjitha gjuhët tjera indo-evropiane. Dhe sikur mund ta qëlloni, nuk u zhgënjeva aspak. Ajo që nuk prisja ishte të gjeja veten time duke shpërthyer me zë të lartë çdo 5 minuta duke thënë: “Po, e njëjta fjalë në gjuhën shqipe e ka kuptimin e njëjtë!” Në fund të orës së parë të mësimit, e vëreja se e bezdisja profesorin Russell. Edhe pse goxha në heshtje, ai tha: “Po, ka ngjashmëri mes gjuhës armene dhe shqipe”, pa shtuar ndonjë koment tjetër. Vendosa të mos tërhiqja vëmendjen e tij me tepër dhe fillova të mbaja shënime. Në fund të kursit, mblodha aq shumë shënime sa që vendosa se ia vlente të eksploroja më në detaje korrespodencat leksikore që kisha gjetur mes gjuhës armene dhe shqipe. Dhe ku do të shkoja tjetër, përveç se në “Widener”, që është libraria më e mirë në botë, e cila ndodhet në “Harvard Yard” (nuk ka libër që më duhej e që nuk e kam gjetur në atë librari). Meqë nuk isha eksperte në lëmin e Gjuhësisë Krahasuese Historike të gjuhëve indo-evropiane, mora disa mësime nga vitet e mia të studimeve nga një dijetar i shquar i asaj fushe, që ishte akademiku Thomas Gamkrelidze, ku ai thoshte: “Në mënyrë që të dëshmojmë bindshëm ngjashmëritë gjenetike mes dy gjuhëve, duhet të demonstrohet përmes korrespodencave të rregullta fonetike në elementet e leksikut, që kanë kuptim të ngjashëm (ose të afërt në aspektin semantik)”. Në atë fazë, e kuptova se isha shumë larg nga mundësia për ta dëshmuar, por merresha vetëm me materialin, korrespodencat leksike që i kisha gjetur deri më tani e të cilat ishin një bazë potenciale për një hulumtim më të thellë, që shpie në pohime tjera më serioze për afërsitë gjenetike etj. Kështu që nuk do të doja të spekuloja asgjë lidhur me afërsitë gjenetike mes shqipes dhe armenishtes, por më mirë do ta sillja materialin para vëmendjes së dijetarëve të fushave përkatëse, për të vazhduar hulumtimin në këtë fushë. Duke pasur në dispozicion fjalorë të ndryshëm etimologjik të shqipes dhe armenishtes, po ashtu edhe revista shkencore, e kuptova se të parët që i kishin kushtuar vëmendje e që kishin shkruar për afërsinë mes gjuhës shqipe dhe armenishtes, ishin H. Pedersen (1906) dhe V. Pisani (1950, 1959). Artikujt e botuar së fundmi për këtë çështje ishin nga Kortlandt (1980) dhe Martirosyan (2013). Martirosayan (2010) në fjalorin “Etymological Dictionary of the Armenian Inherited Lexicon”, jep një listë me 49 fjalë shqipe që ngjasojnë me armenishten. Këto fjalë janë: bletëz, botë, bredh, dal, dele, dell, derë, det, dhallë, dhi, dhje, dhjetë, djathë, djersë, dorë, dredh, drithë, dru/drũ, end/ẽn(d), ëndërrë, fjalë, gjalpe, gogël, herdhë, hudhër, im, lerë, mat, mish, mjaltë, mjekër, mo, nënë, nëntë, një, nuse, rrënjë, sorrë, tatë, –a, thërí/th(ë)ní, thjër(r), thur, trishe, udhë, verë/vẽnë, verrë, veth, vidh, zog.
Shumë korrespodenca leksikore janë shpërndarë nëpër revista e fjalorë etimologjik. Përveç ngjashmërive tashmë të njohura mes shqipes e armenishtes si: p.sh. arm. ǰerm/ǰem ‘ngroht’ shq. zjarm , arm. atamn shq. dhembë, arm. anurǰ, shq. ëndërr (Gheg anerr), arm. asem shq. them/thom, arm. arǰ shq. ari, etj., shënimet e mia tregojnë që janë edhe 30 fjalë tjera, që mund të konsiderohen si të ngjashme, për shembull:
Armenisht aƚuēs Shqip dhelpër
Arm. aƚbewr/aƚbiwr Shq. burim
Arm. ari Shq. marr
Arm. astowac (ast(ow)-ac) Shq. zot
Arm. eran Shq. era
Arm. erek Shq. err
Arm. ǝmpem Shq. (unë) pi
Arm. cownr Shq. gju- gjû
Arm. cuc Shq. cucla
Arm. kaƚǰin Shq. argjilë
Arm. kask-eni Shq. geshtënjë
Arm. kov Shq. ka
Arm. jev Shq. edhe/dhe
Arm. ǰur Shq. ujë
Arm. lk‘nem Shq. me lan
Arm. mēg Shq. mjegull
Arm. mnam Shq. me nejt
Arm. mozi ‘viq’ Shq. mazi/mezi
Arm. pagow Shq. puth/puthje
Arm. tam Shq. me dhanë
Arm. t‘aṙamim/t‘aṙšamim Shq. me terë
Ka shumë korrespodenca tjera leksikore që presin analiza tjera të thella. Natyrisht se disa nga këto kanë korrespodenca edhe me gjuhët tjera indo-evropiane. Ne i kemi lënë mënjanë për shkak të interesimit për të qenë sa më të shkurtër.
Përveç disa studimeve fragmentare për këtë çështje, unë deri më tani nuk kam hasur në studime të thella e sistematike për ngjashmëritë midis armenishtes dhe shqipes. Mendoj se një studim i tillë do të hidhte më shumë dritë sa i përket vendit që kanë këto gjuhë të izoluara brenda familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe për historitë e tyre përkatëse.
Biografia
Prof. dr. Marika Butskhrikidze ka doktoruar në Universitetin e Tbilisit – Gjeorgji me temën “Tipologjia e theksit të palëvizshëm” në 1998, dhe doktoraturën e dytë e ka kryer në Universitetin e Leidenit (Holandë) më temën “Fonotaktika e bashkëtingëlloreve të gjeorgjishtes” në vitin 2002. Ka punuar si hulumtuese shkencore në Universitetin e Leidenit deri ne vitin 2005. Prej vitit 2005 jeton në Kosovë ku ka punuar si ligjëruese në universitete private dhe merret me hulumtime shkencore.
Folegjenda: Rozeta e njohur si “Lulja e përjetshme” është simbol i antikitetit armen. Është hasur në kisha, në kryqe prej guri, nëpër faqe manuskriptesh të Iluminizmit njashtu sikurse edhe në artin bashkohor, filigran dhe në dekore. Paraqet jetën e përjetshme, rilindjen e vazhdueshme; ilustron se s’ka fund veç transformim. I njëjti simbol (që gjithashtu simbolizon diellin) është hasur në Shqipëri dhe Kosovë (trojet shqipëtare) nëpër dyer të hyrjes së shtëpive. Është parë edhe si detaj zbukurues në kostume popullore.