Reforma zgjedhore Mazhoranca jep variantet për KQZ-në: Shumica nga opozita, ndryshim për komisionerët

Gëzim Saliu

Përplasja për komisionerët zgjedhorë, Celibashi: Një pjesë të jenë të përhershëm në KQZ. Kosovrasti: Nuk pa pse ndryshohet formula, masa ndëshkuese për ata që shkelin ligjin

 

Mbledhja per reformen zgjedhoreMazhoranca qeverisëse bën publike variantet e saj për riformatimin e KQZ-së. Në kuadër të nisjes së debatit për reformën zgjedhore, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi dje se qeveria është e gatshme që në ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor, shumica e institucionit më të lartë zgjedhor t’i kalojë opozitës. “Jemi të disponueshëm. Për ne nuk ka rëndësi nëse edhe shumica e KQZ-së është e përbërë nga persona, propozimet për të cilat vijnë nga pakica politike”, – tha ministri në debatin e organizuar nga USAID dhe IFES për reformën zgjedhore si edhe për emërimin dhe trajnimin e komisionerëve zgjedhorë.

Komisionerët

Një ndër pikat kryesore të diskutimit në konferencën e djeshme ishte ai për nivelet e dyta dhe të treta të administrimit zgjedhor, të cilat janë shfaqur problematike thuajse në të gjitha proceset zgjedhore. Propozimi i mazhorancës qeverisëse përmes ministrit Celibashi konsistoi në faktin që propozimet për një pjesë të komisionerëve të vijnë nga politika e ndërsa pjesa tjetër të jenë komisionerë të përhershëm që varen nga KQZ-ja. “Ndoshta do të ishte mirë që një pjesë e kësaj administrate zgjedhore të ishte e përhershme dhe të ishte e varur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, – tha Celibashi. Por në këtë pikë, përfaqësuesi i PD-së në institucionin më të lartë zgjedhor, Niazi Kosovrasti, shprehu kundërshti, duke kërkuar mosndryshimin e formulës aktuale. Sipas tij, sistemi duhet të mbetet i njëjtë, por duhet të ndërmerren masa ndëshkuese për komisionerët që shkelin ligjin. “Formula për mua është e mirë, kualifikimi i tyre të vazhdojë. Kontigjenti që është në dispozicion të KQZ-së të vazhdojë kualifikimin, ai është në dispozicion të tyre dhe kanë përgjegjësi ata për njerëzit që çojnë atje me kualifikimet që do të realizojnë. Për mua formula funksionon”, – deklaroi Kosovrasti. Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, pohoi se me rëndësi parësore në këtë proces mbetet mirëtrajnimi i komisionerëve dhe përgjegjshmëria e tyre për detyrën që u është dhënë. “Procesi i trajnimit të komisionerëve zgjedhorë që i shërben rritjes së profesionalizmit të tyre, fatkeqësisht ende defekton nga sjellja e partive politike. Lirimet dhe zëvendësimet e shpeshta të anëtarëve të KZAZ deri edhe ditën e zgjedhjeve mbi bazën e kërkesës së partive politike, propozimet e vonuara në tejkalim të skajshëm të afateve ligjore, për anëtarësinë e KQV po ashtu dhe për anëtarët e grupeve të numërimit, janë faktorë që e dëmtojnë profesionalizmin e komisionerëve, reduktojnë shkallën e njohjes së tyre, teorike dhe praktike, me procedurat ligjore që ata duhet të kryejnë ditën e votimit, duke dëmtuar kështu punën e tyre. Pavarësisht këtyre sjelljeve të partive politike, të cilat janë jashtë autoritetit ligjor të KQZ-së, procesi i trajnimit u krye për pothuaj të gjithë komisionerët që shërbyen në këto zgjedhje, ndonëse shpesh herë në kushte të sforcuara, si p.sh trajnimi i numëruesve para fillimit të procesit të numërimit”, – tha Lleshi.

 

Portali “Euroactiv”

Holanda do të votojë kundër statusit për Shqipërinë

Parlamenti holandez ka votuar kundër një propozimi të qeverisë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Portali “Euroactiv” shkruante dje se Parlamenti holandez kishte miratuar një ditë më parë vendimin, i cili detyron qeverinë e Kryeministrit Mark Rutte të refuzojë propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. “Vendimi ka të ngjarë që të shkaktojë një goditje të rëndë për shpresat e pranimit të vendit të Ballkanit Perëndimor, i cili, sipas Komisionit, ka plotësuar kushtet dhe duhet t’i jepet statusi”, – shkruante portali. Një zëdhënës i Parlamentit holandez deklaroi për “Euroactiv” se partia për “Liri dhe Demokraci” e Kryeministrit Rutte ka votuar kundër hapjes së dyerve për Shqipërinë, ndërsa partneri në koalicion, laburistët, kanë votuar në favor të dhënies së statusit. Holanda gjithashtu kundërshtoi hapjen e dyerve për anëtarësim në zonën Shengen të Bullgarisë dhe Rumanisë, edhe pse Komisioni Evropian mendon se të dyja vendet kanë plotësuar të gjitha detyrimet e tyre. Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke marrë parasysh qëndrimin e Holandës, ka deklaruar dje se reformat e përcaktuara nga Brukseli nuk do të ndalojnë. “Reformat janë për qytetarët dhe jo për ndërkombëtarët”, – tha ai. Nga ana tjetër, kryediplomati shqiptar theksoi se integrimi i Kroacisë drejt BE-së është shembulli që duhet të ndjekë Shqipëria dhe vendet e Ballkanit, por për këtë sipas tij duhet realizimi i një sërë reformash që lidhen me luftën e korrupsionit dhe shtetin e së drejtës.

 

BE

Sequi: Reformat transformojnë Shqipërinë

Ambasadori i BE-së në vend, Ettore Sequi, tha dje se procesi i reformave është tejet i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE, por shtoi se ky proces është në fakt akoma më i rëndësishëm për vetë Shqipërinë. Sipas ambasadorit Sequi, Shqipëria ka nevojë për reforma, në mënyrë që të ecë përpara drejt anëtarësimit në BE. “Kërkohen reforma që të transformohet Shqipëria, që shteti dhe vendi të bëhen më efikasë dhe natyrisht këto janë zhvillime në interesin e të gjithë shqiptarëve”, – tha Sequi gjatë një aktiviteti në qendrën e BE-së në Tiranë, ku mbajti një konferencë për shtyp lidhur me fondet e IPA-s.

 

Komiteti i Monitorimit të KiE-së

Raportimi për Shqipërinë, Leskaj: Rezoluta e PE-së konfirmoi dialogun politik

Komiteti i Monitorimit të Këshillit të Evropës u mblodh dje në Paris, ku dy monitoruesit, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, raportuan për Shqipërinë. Dy bashkëraportuesit vlerësuan pozitivisht klimën politike të vendit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, funksionimin e Parlamentit, përpjekjet për reforma, duke vunë theksin në nevojën e punës për pavarësimin e gjyqësorit, si edhe në luftën ndaj korrupsionit. Ndërkohë, kryetarja e delegacionit të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Valentina Leskaj, e pranishme në punimet e këtij Komiteti, në fjalën e mbajtur para të pranishme tha: “Rezoluta e fundit e miratuar nga Parlamenti shqiptar me konsensus të plotë konfirmoi klimën e re në dialogun politik, si dhe vullnetin e përbashkët të mazhorancës dhe opozitës për avancimin e reformave, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe parimeve të demokracisë funksionale, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që janë në themel të vlerave të KiE-së”. Leskaj nënvizoi se Parlamenti i ri ka një qasje të hapur e përfshirëse në dialogun politik e reforma konsensuale, ku opozitës i garantohen të gjitha hapësirat. Kjo klimë ka përmirësuar funksionimin e Parlamentit dhe ka krijuar terren të përshtatshëm për reforma konsensuale, duke i bërë ato të qëndrueshme. Ajo theksoi se ka një vullnet të qartë të mazhorancës së re për t’u ndarë nga kultura e ligjeve të mira në letër, por që nuk ndryshojnë situatën. “Jemi koshientë për sfidat që kemi në procesin e avancimit të reformave, për sfidën me sistemin e drejtësisë, pavarësinë e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit, të cilat Parlamenti dhe qeveria e kanë bërë prioritet të punë së tyre”, – deklaroi deputetja e PS-së.

Administrata Rama: Do ta ndajmë nga politika.

Kërko