Ervin Kaduku
Ja të gjitha të rejat e politikës së majtë fiskale të qeverisë “Rama”
Buxheti i vitit 2014 është ndërtuar mbi bazën e një politike fiskale me mjaft të reja.
Drafti parashikon për të përndjekurit 40% më pak, pronarët 15%.
Projektbuxheti i vitit 2014 parashikon ulje të fondeve në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve si dhe të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Në draftin e zbardhur dje qeveria ka vënë në dispozicion të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve fondin prej 18 milionë dollarësh, 40% më i ulët se një vit më parë, kur ky fond ishte 30 milionë dollarë. Po ashtu, tkurrje pëson edhe fondi në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve, i cili nga 19 milionë dollarë në vitit 2013, shënon një ulje prej 15%, duke shkuar në 16 milionë dollarë.
Pronarët dhe të përndjekurit
Në draft specifikohet se shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të ish-pronarëve parashikohen në total në masën prej 1.6 miliardë lekësh, prej të cilave 300 milionë lekë financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër parashikohet të mbulohet me të ardhurat e krijuara nga procesi i legalizimit të pronave (ALUIZNI). “Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.8 miliardë lekë, i cili mbulon pjesërisht pagesën për këstin e dytë të dëmshpërblimit, i cili është në proces nga viti 2013”, – specifikohet në draft.
Të rejat
Është hequr dorë nga taksa e sheshtë dhe paketa e re fiskale parashikon vendosjen e tatimit progresiv mbi pagën në tri fasha:
E ardhura e tatueshme(lekë në muaj) | Norma e tatimit | |
Nga | Deri në | |
0 | 30,000 | 0% |
30,001 | 130,000 | + 13% të shumës mbi 30,000 lekë |
130,001 | më tepër | 13,000 lekë + 23% të shumës mbi 130,000 lekë |
Sipas këtij skenari, norma efektive e tatimit e kalon masën 10% për pagat mbi 130,000 lekë. Kjo do të thotë se pagat nën 130,000 lekë do taksohen më pak se me skemën aktuale dhe ato më të larta se 130,000 lekë, më shumë. Paga prej 130,000 lekë mund të konsiderohet si pika e thyerjes. Efekti i këtij ndryshimi në buxhet është minus 1.5 miliardë lekë. Me këtë skemë përfitojnë 97% e punonjësve të tatueshëm dhe vetëm 3% e tyre paguajnë më shumë. Në të ardhurat tatimore, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rreth 9%.
56% e të punësuarve në Shqipëri i përkasin fashës së parë me 0% tatim; mbi 40% e të punësuarve i takojnë fashës së dytë, ku norma efektive e taksës ulet nga 10% në kufijtë 2.4% deri në 9.8%; dhe vetëm 3% e të punësuarve i përkasin fashës së tretë, të cilëve u rritet norma efektive e taksës.
Intervalet | Numri i të punësuarve | Në% ndaj totalit |
0 – 30 000 | 165,722 | 56.4 |
30 001 – 130 000 | 173,150 | 41.4 |
Mbi 130 000 | 11,213 | 2.8 |
Në kuadrin e individëve, është parashikuar që të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë të shoqërisë do të marrin subvencion 10% të TVSH-së së paguar për energjinë, si dhe po aq edhe për produktet bazë të shportës (grurë, miell, bukë, qumësht dhe vezë), në shumën 1.1 miliardë lekë.
Barnat dhe shërbimet shëndetësore do të jenë më të lira për pacientin shqiptar. Përjashtimi nga TVSH i barnave dhe shërbimeve shëndetësore që, aktualisht, kanë TVSH 10%, do të sjellë një ulje më shumë se 10% të çmimeve të barnave, sepse ky përjashtim do të shoqërohet me gjithë reformën e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për spitalet dhe klinikat shtetërore dhe ato private (Kjo masë hyn në fuqi më 1 prill 2014.)
73 mijë të vetëpunësuar në Shqipëri nga prilli 2014 do të paguajnë më pak kontribute shëndetësore. Ata do të paguajnë kontributet shëndetësore në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, nga 7% e pagës minimale që paguajnë aktualisht, ndërsa për të punësuarit ë hiqet tavani i llogaritjes së kontributeve shëndetësore me pesëfishin e pagës minimale. Të punësuarit do të paguajnë 1.7% të pagës nominale. Nga kjo masë buxheti i shtetit përfiton 900 milionë lekë.
Rritet dyfish taksa e ndërtesës që përdoret për qëllime biznesi
Taksa e ndërtesës për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 barazohet me taksën e ndërtesës për shtëpitë e ndërtuara pas vitit 1993. Efekti nga këto dy masa është 1.1 miliardë lekë të ardhura në buxhet.
Taksa për shtëpinë jo të parë do të jetë sa dyfishi i taksës së ndërtesës në zonën ku ndodhet. Efekti nuk mund të matet për shkak të mungesës së të dhënave të sakta.
Rritet taksa e qarkullimit në 10 lek/litri për naftën dhe 10 lek/litri për benzinën (Aktualisht, taksa e qarkullimit është 7 lekë/litri për naftën dhe 7 lek/litri për benzinën.). Efekti 5.5 miliardë lekë të ardhura në buxhet.
Përjashtohet nga tatimi mbi të ardhurat personale kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer te një fermer tjetër apo te një person fizik apo juridik që merret me aktivitet bujqësor.
Për biznesin:
Rreth 60 mijë biznese të vogla në Shqipëri, duke filluar nga 1 janari 2014, nuk do të paguajnë më taksën e biznesit të vogël. Shfuqizohet Taksa Vendore e Biznesit të Vogël, aktualisht taksë lokale që paguhet nga subjektet me qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë. Efekti negativ në të ardhurat e pushtetit vendor vlerësohet në rreth 2 miliardë lekë në vit.
Biznesi i vogël deri në 2 milionë lekë do të paguajë një taksë fikse vjetore prej 25,000 lekë, pavarësisht nga vendndodhja.
Subjektet e biznesit të vogël (me xhiro vjetore nga 2 në 8 milionë lekë) do të taksohen me 7.5% mbi “fitimin” (mbi të ardhurat e tyre personale) nga 10% aktualisht.
Tatimfitimi i pjesës tjetër të biznesit rritet nga 10% në 15%. Efekti nga kjo masë llogaritet në 7 miliardë lekë të ardhura në buxhet. Të ardhurat nga tatimfitimi në të ardhurat tatimore zënë 6%.
Paketa fiskale e vitit 2014 heq shumë përjashtime nga tatim-taksa të sektorit të hidrokarbureve (nga TVSH, nga akciza dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale të personelit të huaj).
Janë përfshirë disa ndryshime që prekin taksën e akcizës, për disa lloje mallrash: cigare, duhan me të dredhur, pije alkoolike, birra, produkti “graso”.
Fermeri do të marrë 20% të TVSH-së që ka paguar për të gjitha inputet në bujqësi.
Në kuadrin e taksave kombëtare, është trajtuar në këtë paketë edhe ambalazhi me një përdorim.
Dyfishimi i taksës së ndërtesës. Kjo taksë sërish mbetet shumë e ulët krahasuar me çdo standard dhe rajonin. Ajo nxit tregun e shitblerjes dhe përmirëson qiradhënien.
Tabela përfundimtare lidhur me tatimin mbi pagën e punonjësve
Funksioni Paga mesatare Taksa e Sheshtë Taksa Progresive Diferenca mujore Kursimi vjetor (Në Lekë) Taksa Efektive (Ngarkesa Reale) Drejtor ekzekutiv në sektorin privat 300,000 30,000 52,100 22,100 265,200 17.37% Drejt. i Përgjithshëm 130,000 13,000 13,000 – 0 – 2 10.00% Drejtor 111,860 11,186 10,642 – 544 – 6,532 9.51% Mjek 65,102 6,510 4,563 – 1,947 – 23,365 7.01% Mesues Shk. Mesme 59,780 5,978 3,871 – 2,107 – 25,281 6.48% Mesues i Shk.9 vjecare 54,750 5,475 3,217 – 2,258 – 27,092 5.88% Specialiste 54,540 5,454 3,190 – 2,264 – 27,167 5.85% Infermier i larte 42,818 4,282 1,666 – 2,616 – 31,387 3.89% Punonjës mbështetës (arsim i mesem ose i ulet) 36,602 3,660 858 – 2,802 – 33,625 2.34% sanitare (paga minimale) 30,735 3,074 95 – 2,978 – 35,737 0.31% Skenari: 0 deri ne 30000 0% 30000 deri ne 130000 13.0% mbi 130000 23%
Parametrat e buxhetit 2014
Sipas tabelave të projektbuxhetit, totali i të ardhurave parashikohet të jetë rreth 364 miliardë lekë, me një rritje prej 13% apo 42 miliardë lekë, në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Një rritje në vlerë absolute kjo që duket e vështirë për t’u arritur, duke pasur parasysh se ritmet e rritjes ekonomike edhe gjatë vitit të ardhshëm parashikohet të jenë rreth 2%, duke rrezikuar që qeveria aktuale, ashtu si ajo e mëparshme, të detyrohet të rishikojë në ulje buxhetin në mes të vitit.
Të ardhurat nga TVSH pritet të rriten në vlerë absolute me 11%, ato nga tatimfitimi me 50% dhe nga akciza me 36.5%, në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Kjo është një tendencë krejt e ndryshme nga 2013-a, kur këta zëra kryesorë në buxhet shënuan një performancë negative. Parashikimi në shtimin e të ardhurave nga tatimfitimi e akciza ndihmohet dhe nga rritja përkatëse e taksave, ku tatimfitimi për bizneset e mëdha pritet të bëhet 15% nga 10% aktualisht dhe akcizat për një sërë produktesh do të rriten.
Në zgjerim të ndjeshëm, me rreth 10 miliardë lekë (39%), parashikohen edhe të ardhurat nga taksat nacionale, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së taksës së qarkullimit të automjeteve nga 7 në 17 lekë për litër.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të shënojë rënie me rreth 6%.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pritet që të kenë një rritje minimale prej 6.5% apo gati 4 miliardë lekë.
Shpenzimet në rritje, por do të shlyhen detyrimet
Totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë 459.5 miliardë lekë, me një rritje prej 54 miliardë lekë apo 13%.
Ndikimin kryesor në rritjen e shpenzimeve e ka parashikimi i një zëri të ri, ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura me një vlerë prej 39 miliardë lekësh, nga i cili 12 miliardë lekë do të jenë detyrime të infrastrukturës dhe 22.8 miliardë lekë detyrime të tjera.
Por në rritje parashikohen dhe shpenzimet korente me 17 miliardë lekë apo 5%, si dhe shpenzimet për sigurime shoqërore e shëndetësore me një zgjerim prej 8.1 miliardë lekësh apo 6.4%.
Financat presin që të paguajnë rreth 1.6 miliardë lekë më shumë interesa për borxhin, me pjesën më të madhe (1.3 miliardë lekë), që do të shkojë për shërbimin e borxhit të jashtëm.
Një zë i rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë, ai i shpenzimeve kapitale, pritet të jetë 70 miliardë lekë, më i ulëti i viteve të fundit dhe me një tkurrje prej rreth 4 miliardë lekësh në raport me buxhetin e rishikuar 2013. Ato do të sigurohen si nga financimi i brendshëm, ashtu dhe i jashtëm.
Deficiti në rritje, 39 miliardë lekë mbështetje buxhetore
Në kushtet kur shpenzimet pritet të rriten më shumë se të ardhurat, deficiti buxhetor parashikohet të jetë 12 miliardë lekë apo 14% më i lartë se ai i një viti më parë, duke arritur në 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nga kjo, 2.8% të PBB-së e përbën zëri për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke bërë që deficiti, përjashtuar detyrimet ndaj biznesit, të jetë 4.1% e PBB-së.
Financimi i deficitit parashikohet të kryhet përmes huamarrjes së brendshme, e cila do të reduktohet me 13% apo 7 miliardë lekë.
Shpresa e qeverisë për shlyerjen e borxheve është një mbështetje buxhetore në vlerën e 39 miliardë lekëve (e barabartë me detyrimin që parashikohet t’u kthehet bizneseve) e cila do të rriste financimin e deficitit përmes borxhit të huaj me rreth 170% apo 31 miliardë lekë.
Banka Botërore deklaroi pak kohë më parë se ishte në diskutime me qeverinë shqiptare për një kredi për mbështetje buxhetore prej 100-200 milionë dollarësh, ndërsa pjesa tjetër nuk është bërë e ditur nga do të merret, por qeveria është në diskutime dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një hua prej rreth 400 milionë eurosh.
Çfarë konstatohet?
Krahasuar me buxhetin e vitit 2013, vihet re një rënie e përgjithshme e peshës së financimit kundrejt totalit thuajse për të gjitha funksionet, përveçse për “Shpenzimet e tjera të paklasifikuara”, që janë rritur me 6.45% dhe “Mbrojtja e mjedisit” me 0.15%. Rritja në “Shpenzimet e tjera të paklasifikuara” ka ardhur kryesisht nga përfshirja në projektbuxhet e zërit “Detyrime të prapambetura” në vlerën 35 miliardë, në të cilat 12 miliardë janë parashikuar për detyrimet e infrastrukturës, 20 miliardë për detyrimet tatimore dhe 3 miliardë janë nën zërin “të tjera”.
Ndërkohë, për herë të parë pas shumë kohësh “Mbrojtja sociale” zhvendoset në funksionin e dytë më të financuar nga buxheti.
Rënien më të lartë në vlerë relative, përveç këtij funksioni, e kanë përjetuar “Çështjet ekonomike” me 1.95%, “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit” me 0.9%, “Arsimi” me 0.83% dhe “Shëndetësia” me 0.83%.
Nëse do të merrej në analizë shuma e financimit të funksioneve në projektbuxhetit 2014 kundrejt buxhetit 2013, do të vihej re rritja e financimit për disa nga funksionet si “Mbrojtja sociale” me 8.3 miliardë lekë, “Shërbimet e përgjithshme publike” me 2.76 miliardë lekë, “Shëndetësia” me 1.67 miliardë lekë, “Arsimi” me 948 milionë lekë, “Mbrojtja e mjedisit” me 759 milionë lekë dhe së fundmi, “Rendi dhe siguria” me 575 milionë lekë.
Me rënie financimi në PB2014 shfaqen “Çështjet ekonomike” me 4 miliardë lekë, “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit” me 1.38 miliardë lekë, “Mbrojtja” me 253 milionë lekë dhe “Argëtimi, kultura dhe çështjet fetare” me 168 milionë lekë.